spurgeon dev 11 korrik am
July 2023

Dhe Perëndia i çdo hiri… mbasi të keni vuajtur për pak kohë, ai vetë ju bëftë të përsosur, ju mbështestë, ju forcoftë dhe ju themeloftë.

1 e Pjetrit 5:10

Duhet ta keni parë harkun e ylberit tek shtrihet në horizont: të lavdishme janë ngjyrat e tij dhe të rralla janë nuancat e tij. Është një dukuri e bukur, por, sa keq, ndodh sa hap e mbyll sytë, dhe ylberi nuk është më. Ngjyrat e bukura ua lënë vendin reve shtëllungore dhe qielli nuk ndriçon më nur parajse. Ylberi nuk ka themel dhe as është i patundur. E si mund të jetë ndryshe? Si mund të zgjasë vallë një shfaqje e lavdishme, e cila është fryti i rrezeve diellore të përkohshme dhe pikave kalimtare të shiut?

Hiret e karakterit të krishterë nuk duhet t’i ngjasojnë ylberit në bukurinë e tyre kalimtare, por, përkundrazi, duhet të jenë me themel, të patundura dhe të qëndrueshme. Përpiqu, o besimtar, që çdo gjë e mirë që ke, të jetë e qëndrueshme! Mos qoftë karakteri yt një shkrim mbi rërë, por, përkundrazi, një skalitje mbi shkëmb! Mos qoftë besimi yt “një ngrehinë e pathemeltë e një vegimi”, por, përkundrazi, qoftë ndërtuar me një material që është në gjendje t’i rezistojë atij zjarri, i cili do ta konsumojë drurin, sanën dhe kashtën e hipokritit. Qofsh i rrënjosur dhe i themeluar në dashuri! Qofshin bindjet e tua të thella, dashuria jote e vërtetë dhe dëshirat e tua të sinqerta! Qoftë gjithë jeta jote kaq e mirëthemeluar dhe e qëndrueshme, sa të gjitha shakullimat e ferrit dhe stuhitë e tokës, mos qofshin kurrë të afta të të lëvizin nga vendi!

Mirëpo, vër re se si fitohet ky bekim i të qenët i themeluar në besim! Fjalët e apostullit na tregojnë vuajtjen si mjeti që përdoret [për këtë qëllim]—“Mbasi të keni vuajtur për pak kohë.” Është e kotë të shpresojmë se do të jemi të mirërrënjosur po qe se nuk na rrahim mirë e mirë shkulmet e erës. Ato nyjat e vjetra në rrënjët e dushkut dhe ato shtrembërimet e çuditshme të degëve, të gjitha flasin për stuhitë e shumta që kanë kaluar mbi të, por janë gjithashtu edhe tregues të thellësisë në të cilën kanë depërtuar rrënjët. Kështu, edhe i krishteri forcohet dhe rrënjoset thellë e më thellë falë të gjitha sprovave dhe stuhive të jetës. Mos u lëkund, pra, nga erërat e stuhishme të sprovave, por merr zemër, duke besuar se përmes disiplinës së tyre të ashpër, Perëndia po e bën realitet bekimin e Vet mbi ty!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin