spurgeon dev 09 korrik pm
July 2023

Dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.

Zanafilla 1:4

Brenda një besimtari veprojnë dy forca. Në gjendjen e tij natyrore, ai i nënshtrohej vetëm një force, e cila ishte errësira; mirëpo, tani brenda tij ka hyrë drita, dhe të dyja këto forca ndeshen me njëra-tjetrën. Pa kujtoni pak fjalët e apostullit Pal në kapitullin e shtatë të Romakëve: “Gjej, pra, këtë ligj se kur unë dua të bëj të mirën, e keqja ndodhet në mua. Sepse unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën rob të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia” (Romakëve 7:21-23). Cili është shkaku i një situate të tillë? “Perëndia e ndau dritën nga errësira.” Errësira, në vetvete, është e qetë dhe e pashqetësuar, por kur Zoti dërgon dritë, ndodh një konflikt, sepse njëra është në kundërshtim me tjetrën: një ndeshje e cila nuk do të pushojë derisa besimtari të jetë bërë i gjithi dritë në Zotin.

Duke qenë se ekziston një ndarje brenda të krishterit, sigurisht që do të ketë edhe një ndarje përjashta. Me të marrë dritën e Zotit, njeriu nis dhe e ndan veten nga errësira që e rrethon. Ai largohet nga feja e kësaj bote me ritet e saj formale fetare, sepse tashmë nuk e kënaq asgjë tjetër përveç Ungjillit të Krishtit; po ashtu largohet nga shoqëria e botës dhe zbavitjet e kota, dhe kërkon shoqërinë e shenjtorëve, sepse “ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit” (1 e Gjonit 3:14).

Ata të dritës mblidhen bashkë, dhe po kështu bëjnë ata të errësirës. Atë që Perëndia e ka ndarë, le të mos përpiqemi kurrë ta bashkojmë; por ashtu si Krishti doli jashtë fushimit, duke bartur fyerjen e Tij, le të dalim nga bota e të paperëndishmëve dhe të jemi një popull i veçantë! Ai ishte i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët; dhe, porsi Ai, edhe ne nuk duhet të përshtatemi me këtë botë, duhet të kundërshtojmë çdo mëkat dhe të dallohemi nga pjesa tjetër e njerëzimit për shkak të ngjashmërisë sonë me Mësuesin tonë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin