spurgeon dev 08 korrik am
July 2023

“Më thuaj të lutem, ku qëndron forca jote e madhe.”

Gjyqtarët 16:6

Ku qëndron fuqia e fshehtë e besimit? Qëndron në ushqimin me të cilin ushqehet; sepse besimi studion natyrën e vërtetë të premtimit, i cili është një rreze e hirit hyjnor dhe një vërshim i zemrës së madhe të Perëndisë. Dhe pastaj besimi thotë: “Perëndia im e dha këtë premtim i shtyrë vetëm nga dashuria dhe hiri; prandaj jam shumë i sigurt se Fjala e Tij do të bëhet realitet.” Pastaj besimi mendon: “Kush e dha këtë premtim?”. Nuk e shqyrton më shumë madhështinë e tij sesa pyet: “Kush është autori i tij?”. Ai sjell ndërmend faktin që është Perëndia, i cili nuk mund të gënjejë—Perëndia i gjithëfuqishëm, Perëndia i pandryshueshëm—dhe rrjedhimisht nxjerr përfundimin se me siguri premtimi do të përmbushet; dhe çan përpara me këtë vendosmëri të hekurt. Sjell ndërmend edhe qëllimin se përse u dha premtimi—pikërisht për lavdinë e Perëndisë—dhe është plotësisht i bindur se lavdia e Perëndisë është e sigurt, sepse Ai nuk do ta lërë shqytin e Vet të njolloset dhe as kurorën e vet ta humbasë të sajin shkëlqim; dhe prandaj premtimi duhet dhe do të mbetet i patundur.

Në vijim, besimi e shqyrton veprën e mahnitshme të Krishtit si një provë të qartë të synimit të Atit për ta përmbushur fjalën e Vet. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?” (Romakëve 8:32). Veç kësaj, besimi e hedh vështrimin pas, drejt së kaluarës, sepse betejat e kanë bërë më të fortë dhe fitoret ia kanë shtuar guximin. I kujton vetes që Perëndia nuk e ka lënë asnjëherë në baltë, që Ai nuk e lë asnjëherë në baltë ndonjë prej fëmijëve të Tij. Në mendje i vijnë kohë rreziqesh të mëdha kur çlirimi erdhi [pa mënuar]; orë të nevojës ekstreme kur iu fal një fuqi në përputhje me nevojën që kishte, dhe ai thërret: “Jo, kurrë nuk do ta pranoj mendimin se Ai mund të ndryshojë dhe ta lërë tani shërbëtorin e Tij. Deri këtu Zoti më ka ndihmuar, dhe do të vazhdojë ta bëjë.”

Kështu, besimi e sheh çdo premtim të lidhur me premtimdhënësin dhe, për shkak se vepron kështu, mund të thotë me bindje të plotë: “Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime!” (Psalmi 23:6).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin