spurgeon dev 07 korrik pm
July 2023

“Unë të kalova afër… të thashë: Jeto!”

Ezekieli 16:6

Besimtar, shqyrtoje me mirënjohje këtë urdhër mëshire! Vër re që ky është një dekret madhështor i Perëndisë. Në vargun tonë, ne shohim një mëkatar që, në vetvete, nuk ka asgjë përveç mëkatit, i cili nuk pret asgjë tjetër veç zemërimit; por Zoti i përjetshëm i kalon pranë në lavdinë e Tij. Ai e sheh, ndalon çapin dhe, me një fjalë të vetme, shpall një urdhër mbretëror: “Jeto!”. Vetëm Perëndia mund të flasë në këtë mënyrë: ta marrë dhe ta japë jetën me një fjalë të vetme! Mirëpo, ky dekret shpreh shumë qëllime njëherësh. Kur i Plotfuqishmi thotë: “Jeto”, bëhet fjalë për shumë gjëra. Bëhet fjalë për një jetë të re nga pikëpamja ligjore. Mëkatari është gati të dënohet, por Shumë i Larti thotë: “Jeto!”. Kështu, ai ngrihet i falur dhe i çliruar [nga përgjegjësia penale].

Mirëpo, kjo është edhe një jetë e re frymërore. Ne nuk e njihnim Jezusin—sytë tanë nuk mund ta shihnin Krishtin, veshët tanë nuk e dëgjonin dot zërin e Tij—por Jahveh-u tha: “Jeto!”, dhe ne që ishim të vdekur në shkelje dhe mëkate, erdhëm përsëri në jetë. Veç kësaj, bëhet fjalë për një jetë lavdie, e cila është faza më e lartë e jetës frymërore. “...dhe të thashë… ‘Jeto!’”, dhe kjo fjalë jehon gjatë gjithë viteve të kohës derisa vjen vdekja; madje edhe në mes të hijeve të vdekjes, zëri i Zotit dëgjohet ende: “Jeto!”. Në mëngjesin e ringjalljes është po i njëjti zë që ushton nga goja e kryeengjëllit: “Jeto!”, dhe teksa shpirtrat e shenjtorëve do të ngjiten lart në qiell për të qenë të bekuar përjetë në lavdinë e Perëndisë së tyre, kjo do të ndodhë për shkak të fuqisë së të njëjtës fjalë: “Jeto!”. Vini re gjithashtu se ky është një urdhër i parezistueshëm.

Sauli i Tarsit është rrugës për në Damask që të arrestojë shenjtorët e Perëndisë së gjallë. Dëgjohet një zë nga qielli, shfaqet një dritë që shkëlqen më fort se dielli, dhe Sauli klith: “Kush je, Zot?”. Ky urdhër është një urdhër hiri falas. Kur mëkatarët shpëtohen, kjo ndodh vetëm e vetëm ngaqë Perëndia do që ta bëjë këtë për të madhëruar hirin e Tij të pakërkuar, të pablerë dhe të dhënë falas. Të krishterë, shqyrtoni pozitën tuaj—borxhlinj ndaj hirit; shprehni mirënjohjen tuaj duke jetuar jetë plot zell dhe ngjashmëri me Krishtin; dhe duke qenë se urdhri i Perëndisë ju solli në jetë, bëni kujdes të jetoni me çiltëri!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin