Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë.
2 e Pjetrit 3:18
Parajsa do të jetë e mbushur plot me lavdërimin e pareshtur të Jezusit. Përjetësi! Vitet e tua të panumërta do të ndjekin njëri-tjetrin në amshim, prandaj, për jetë e mot “Atij i qoftë lavdia”. Vallë, a nuk është Ai “prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut”? “Atij i qoftë lavdia.” Vallë, a nuk është Mbreti i amshuar—Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve, Ati i përjetshëm? “Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë.” Lavdërimet e Tij nuk do të pushojnë kurrë.
Ajo çka u ble me gjak, e meriton të zgjasë për gjithë përjetësinë. Lavdia e kryqit nuk duhet të errësohet kurrë; shkëlqimi i varrit dhe i ringjalljes nuk duhet të venitet asnjëherë. O Jezus, do të të lëvdojnë nga përjetësia në përjetësi. Derisa të jetojë fryma jonë e amshueshme—derisa të ekzistojë froni i Atit, Ty, të qoftë lavdia për jetë e mot!
Besimtar, ti po pret me padurim kohën kur do t’i bashkohesh shenjtorëve atje lart, për t’ia dhënë Jezusit gjithë lavdinë; por a po e përlëvdon Atë tani? Fjalët e apostullit janë: “Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë.” A nuk do ta bësh edhe ti këtë frazë lutjen tënde sot? Zot, ndihmomë të të përlëvdoj! Unë jam i gjorë; ndihmomë të të përlëvdoj duke qenë i kënaqur! Unë jam i sëmurë; ndihmomë të të nderoj duke qenë i duruar! Unë jam pajisur me dhunti; ndihmomë të të lartësoj duke i shfrytëzuar ato për Ty! Unë kam kohë të lirë, Zot; ndihmomë ta shpengoj atë, me qëllim që të të shërbej Ty! Unë kam një zemër për të ndier; Zot, bëj që zemra ime të mos ndiejë gjë tjetër veç dashurisë Sate dhe të mos digjet flakë tjetër në të, veç pasionit për Ty! Unë kam një mendje për të menduar; Zot, ndihmomë të mendoj rreth Teje dhe për Ty! Ti më ke vendosur në këtë botë për një qëllim të caktuar. Zot, tregomë se cili është ky qëllim dhe ndihmomë ta realizoj këtë qëllim jetësor! Nuk mund të bëj shumë, por ashtu si ajo vejusha që hodhi në arkë dy monedhat e saj, të cilat ishin gjithçka kishte për të jetuar, kështu edhe unë, o Zot, i hedh jetën dhe përjetësinë time në thesarin Tënd. Jam i gjithi yti! Merrmë dhe aftësomë të të përlëvdoj Ty tani, në gjithçka them, në gjithçka bëj dhe me gjithçka kam!
© dritez.al 2024