February 2023

…ishte shëruar në çast.

Luka 8:47

Një nga mrekullitë më prekëse dhe mësimdhënëse të Shpëtimtarit tonë gjendet përpara nesh sonte. Gruaja e kësaj historie ishte mjaft injorante. Ajo mendonte se fuqia shëruese rridhte nga Jezusi sipas ligjit të domosdoshmërisë, pa dijeninë ose vullnetin e Tij të drejtpërdrejtë. Për më tepër, ajo nuk e njihte aspak karakterin bujar të Jezusit, përndryshe nuk do të kishte shkuar pas Tij për t’ia vjedhur shërimin, të cilin Ai ishte kaq i gatshëm t’ia dhuronte. 

Mjerimi duhet që ta vendosë gjithmonë veten përpara mëshirës. Po ta kishte njohur dashurinë e zemrës së Jezusit, ajo do të kishte thënë: “Thjesht duhet që vetëm të dal aty ku Ai mund të më shohë—gjithëdijshmëria e Tij do t’ia paraqesë rastin tim dhe dashuria e Tij do të më shërojë sa hap e mbyll sytë.” 

Ia admirojmë besimin, por mbetemi pa fjalë përballë injorancës së saj. Me t’u shëruar, ajo ndjeu një gëzim të përzier me drithërima: ajo ishte e lumtur që fuqia hyjnore kishte bërë një mrekulli në të; mirëpo, druhej se mos Krishti mund ta tërhiqte bekimin dhe ta shfuqizonte dhuratën e hirit të Tij. Sa pak e kuptonte ajo plotësinë e dashurisë së Tij! Ne nuk arrijmë ta kuptojmë Atë aq qartë sa do të dëshironim. Ne nuk i njohim lartësitë dhe thellësitë e dashurisë së Tij, por një gjë e dimë me siguri: Ai është kaq i mirë, saqë nuk ia heq një shpirti të drithëruar dhuratën që ka fituar me aq mund.

Mirëpo, këtu qëndron mrekullia e kësaj: megjithëse padija e saj ishte e madhe, besimi i saj, duke qenë se ishte besim i vërtetë, e shpëtoi atë dhe madje e shpëtoi menjëherë. Nuk pati asnjë vonesë acaruese—mrekullia e besimit ndodhi në çast. Nëse kemi besim sa një kokërr sinapi, shpëtimi është zotërimi ynë i tanishëm dhe i amshuar. Edhe nëse në listën e fëmijëve të Zotit shihemi si më të dobëtit e familjes, duke qenë trashëgimtarë përmes besimit, nuk ka fuqi njerëzore a djallëzore që të na e heqë shpëtimin. Edhe nëse nuk guxojmë t’i mbështesim kokat tona në kraharorin e Tij me Gjonin, prapëseprapë po të rrezikojmë të çajmë rrugën nëpër turmë pas Tij dhe ta prekim cepin e rrobës së Tij, do të bëhemi të plotë. Merr zemër, o i druajtur! Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe! “Të drejtësuar, pra, prej besimit, kemi paqe me Perëndinë…” (Romakëve 5:1).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin