“I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam shpenguar.”
Isaia 44:22
Kushtojini vëmendje këtij ILUSTRIMI NDRIÇUES: mëkatet tona janë porsi një re. Ashtu si retë shfaqen në shumë forma dhe tonalitete, kështu shfaqen edhe paudhësitë tona. Ashtu si retë e fshehin dritën e diellit dhe e errësojnë peizazhin poshtë tyre, kështu edhe mëkatet tona na e fshehin dritën e fytyrës së Yahweh-ut dhe na bëjnë që të dergjemi nën hijen e vdekjes. Ato janë gjëra të lindura prej botës dhe ngrihen nga baltovinat e jetëve tona; dhe kur grumbullohen dhe arrijnë masën e plotë, na kërcënojnë me stuhi e shtrëngata. Mjerisht, ndryshe nga retë, mëkatet tona nuk derdhin shira të butë, por përkundrazi, kërcënojnë që të na përmbytin me një vërshim të zjarrtë shkatërrimtar. Si mund të jetë mot i mirë kur retë e errëta të mëkatit mbeten brenda shpirtrave tanë?
Le të ndalet shikimi ynë i gëzueshëm te VEPRA E JASHTËZAKONSHME e mëshirës hyjnore—“i fshiva”. Vetë Perëndia del në skenë dhe, me zemërgjerësi hyjnore, në vend që të shfryjë zemërimin, zbulon hirin e Tij. Ai përnjëherësh dhe përgjithmonë e çrrënjos të keqen në mënyrë të efektshme, jo duke e larguar renë, por duke e zhbërë atë njëherë e përgjithmonë. Nuk mbetet më asnjë mëkat mbi njeriun e shfajësuar, sepse vepra e madhe e kryqit i ka fshirë përjetësisht shkeljet e tij. Në majë të kodrës së Kalvarit u përmbush plotësisht dhe në mënyrë të efektshme vepra e madhe, me anë të së cilës, mëkati i gjithë të zgjedhurve u asgjësua një herë e përgjithmonë.
Le t’i bindemi në praktikë URDHËRIMIT TË HIRSHËM: “...kthehu tek unë...” Përse vallë duhet që mëkatarët e falur të jetojnë në largësi nga Perëndia i tyre? Nëse na janë falur të gjitha mëkatet, mos pastë frikë ligji që të na pengojë t’i qasemi plot guxim Zotit tonë! Le t’i vajtojmë zemërpërdaljet tona, por le të mos mbetemi pre e tyre. Duke u mbështetur në fuqinë e Frymës së Shenjtë, le të përpiqemi me çdo kusht, që të kthehemi në përbashkësi të afërt me Zotin! O Zot, kthena në përbashkësinë me Ty tani, sonte!
© dritez.al 2024