February 2023

Di edhe të jetoj në bollëk…

Filipianëve 4:12

Ka shumë nga ata që dinë “se si të jenë të përulur”, të cilët nuk kanë mësuar se si “të jetojnë në bollëk”. Sa herë që vihen në kulm të tempullit, iu merret mendja dhe janë gati për të rënë poshtë. I krishteri e çnderon besimin e vet shumë më shpesh kur jeton në bollëk, sesa në kohë ngushtice. 

Është një gjë e rrezikshme të jesh i kamur. Furrnalta e ngushticës është një sprovë më e lehtë për të krishterin, sesa të qenët në mes të begatisë. Oh, ç’dobësi të shpirtit dhe ç’braktisje të gjërave frymërore kanë ardhur si pasojë e vetë mëshirave dhe bollëkut të Perëndisë! 

E megjithatë, kjo nuk është një çështje nevoje, sepse apostulli na tregon se dinte të jetonte në bollëk. Edhe kur kishte shumë gjëra, Ai dinte se si t’i përdorte ato. Hiri i bollshëm e aftësonte atë, që ta përballonte kamjen e bollshme. Kur i kishte të gjitha velat të ngritura, ai ishte i ngarkuar me shumë balast dhe kështu lundronte i sigurt. Lypset diçka më e madhe sesa zotësia e njeriut, për ta mbartur kupën e tejmbushur të gëzimit vdekatar me një dorë që nuk tundet; e megjithatë, Pali e kishte bërë të vetën këtë zotësi, sepse na thotë: “Në çdo gjë dhe për çdo gjë, jam mësuar të nginjem dhe të kem uri.” 

Të dish të jesh i nginjur është një mësim hyjnor, sepse edhe izraelitët ishin dikur të ngopur, por zemërimi i Zotit u ndez mbi ta, tek ishin ende duke mbllaçitur ushqimin. Ka pasur shumë nga ata që i kanë kërkuar mëshirë, në mënyrë që të kënaqnin epshet e zemrave të tyre. Plotësia e bukës ka sjellë shpesh plotësinë e gjakut, dhe kjo ka çuar në shthurjen e shpirtit. 

Kur i kemi me bollëk mëshirat e provanisë së Perëndisë, shpesh ndodh që kemi veçse pak nga hiri i Tij dhe pak mirënjohje për bekimet që kemi marrë. Jemi të nginjur, prandaj e harrojmë Perëndinë, dhe duke qenë të kënaqur me tokën, nuk duam t’ia dimë fare për qiellin. 

Të jeni të sigurt se është më e vështirë të dish se si të jesh i nginjur, sesa të dish të jesh i uritur—kaq e tmerrshme është prirja e natyrës njerëzore për t’u krenuar dhe për të harruar Perëndinë. Bëni kujdes që t’i luteni Perëndisë në lutjet tuaja, që t’ju mësojë se si të jeni të nginjur. 

Mos lejo që dhuratat e Tëndes dashuri,
Ti largojnë zemrat tona nga Ti.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin