Kur Davidi u këshillua me ZOTIN...
2 i Samuelit 5:23
Kur Davidi u këshillua me Zotin, ai sapo kishte luftuar kundër filistenjve dhe kishte arritur një fitore vendimtare mbi ta. Filistenjtë erdhën me forca të mëdha, por falë ndihmës së Perëndisë, Davidi lehtësisht bëri që ata të iknin nga sytë këmbët. Mirëpo, shikoni se, kur ata erdhën herën e dytë, Davidi nuk u ngrit të dilte në mejdan pa u këshilluar më parë me Zotin. Duke qenë se kishte dalë një herë fitimtar, Davidi mund të kishte thënë, siç kanë thënë shumë të tjerë në situata të ngjashme: “Po, unë do të fitoj sërish. Mund të jem plotësisht i sigurt pasi, nëse kam fituar njëherë, pa dyshim që do të ngadhënjej përsëri. Kështu që pse të humbas kohë duke kërkuar Perëndinë?”.
Por Davidi nuk veproi kështu. Ai e kishte fituar një betejë me fuqinë e Zotit; ai nuk do të rrezikonte të dilte sërish në fushë të betejës pa siguruar të njëjtën mbështetje. Ai e pyeti Perëndinë: “A duhet të dal kundër filistenjve?”. Ai priti, derisa iu dha një shenjë nga Perëndia.
Mëso nga Davidi dhe mos bëj asnjë hap pa Perëndinë! I krishterë, përdore Zotin si busullën tënde nëse do të gjesh rrugën për te shtegu i detyrës; lëre levën e timonit në dorën e të Plotfuqishmit nëse do që ta nxjerrësh anijen tënde nga tallazet e errëta përmes së cilave po lundron! Sa shkëmbinjve do t’iu ishim shmangur po ta kishim lënë Atin tonë të merrte timonin; sa cekëtina a rëra thithëse do të kishim evituar nëse do ta kishim lënë vullnetin e Tij sovran, të zgjidhte itinerarin e të komandonte!
Puritani tha: “Me siguri, sa herë që një i krishterë përpiqet ta çajë rrugën me forcat e veta, përfundon duke prerë gishtat.” Kjo është një e vërtetë e madhe. Ndërsa, një teolog tjetër shumë kohë më parë ka thënë: “Ai që ecën përpara resë së provanisë së Perëndisë, ecën si i pamend”, dhe kështu është në realitet. Gjithmonë duhet të udhëhiqemi nga provania e Perëndisë dhe nëse kjo provani vonohet, le të presim derisa ajo të vijë. Ai që rend përpara saj, nuk do të mënojë të kthehet prapa.
Ky është premtimi i Perëndisë për popullin e Tij: “Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh…” (Psalmi 32:8). Le t’i çojmë, pra, të gjitha turbullirat tona tek Ai dhe t’i themi: “Zot, ç’do ti që të bëj unë?”. Mos dil nga dhoma jote këtë mëngjes pa u këshilluar me Zotin!
© dritez.al 2024