“Ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.”
Mateu 1:21
Të shumtë janë ata që kur i pyesin se ç’është shpëtimi për ta, përgjigjen: “T’i shpëtosh ferrit dhe të shkosh në parajsë.” Mirëpo, ky është vetëm një nga rezultatet e shpëtimit, por nuk është as një e dhjeta pjesë e asaj që përmban ai bekim. Është e vërtetë se Zoti Jezu Krisht i shpengon të gjithë njerëzit e Tij nga zemërimi që po vjen; Ai i shpëton ata nga dënimi i tmerrshëm, që mëkatet e tyre kishin sjellë mbi ta; por ngadhënjimi i Tij është shumë më i plotë se kaq. Ai i shpëton njerëzit e Tij “nga mëkatet e tyre”—një çlirim i plotë nga armiqtë tanë më të këqij.
Aty ku Krishti kryen një vepër shpëtimi, e përmbys Satanin nga froni dhe nuk do të lejojë që ai të ketë më pushtet mbi atë shpirt. Nuk ka se si të jetë i krishterë i vërtetë njeriu, në trupin vdekatar të të cilit mbretëron mëkati. Mëkati do të jetë në ne—ai nuk mund të çrrënjoset plotësisht, derisa shpirti të hyjë në lavdi, por ai kurrë nuk do të ketë pushtet.
Mëkati do të përpiqet që të sundojë—me një epsh të lig kundër ligjit të ri dhe frymës së re që Perëndia ka mbjellë në ne—mirëpo, mëkati kurrë nuk do të sundojë për të qenë monarku absolut i natyrës sonë. Krishti do të jetë Zoti i zemrës dhe mëkati duhet të shporret. Luani i fisit të Judës do të ngadhënjejë, ndërsa dragoi i moçëm do të hidhet në Gehenë.
Ti që thua se je i krishterë, a është mposhtur vallë mëkati brenda teje? Në qoftë se jeton një jetë të papastër, zemra jote nuk ka ndryshuar; dhe nëse zemra jote nuk ka ndryshuar, atëherë ti nuk je i shpëtuar. Në qoftë se Shpëtimtari nuk të ka shenjtëruar, rilindur, ngjallur urrejtje ndaj mëkatit dhe dashuri për shenjtërinë, atëherë Ai nuk ka bërë asgjë në ty, e cila ka të bëjë me karakterin shpëtues. Hiri që nuk e bën një njeri më të mirë se të tjerët, është një imitim i pavlerë. Krishti i shpëton njerëzit e Tij, jo në mëkatet e tyre, por prej tyre. “...shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë.” (Hebrenjve 12:14) “Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit.” (2 e Timoteut 2:19) Si mund të shpresojmë që të bëjmë pjesë në popullin e Tij nëse nuk jemi të shpëtuar nga mëkati? O Zot, më shpëto nga të gjitha paudhësitë dhe më aftëso që ta nderoj Shpëtimtarin tim!
© dritez.al 2024