“Do t’i vësh emrin Jezus.”
Mateu 1:21
Nëse një person është i shtrenjtë për ne, gjithçka që ka të bëjë me të, bëhet e çmuar për hir të tij. Kështu, kaq i vyer është personi i Zotit Jezus në sytë e të gjithë besimtarëve të vërtetë, saqë gjithçka që ka të bëjë me të, ata e konsiderojnë të jetë më e vyer se gjithçka tjetër. “Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloeje dhe kasie…”, tha Davidi (Psalmi 45:8), a thua se edhe vetë rrobat e Shpëtimtarit ishin ëmbëlsuar kaq shumë prej Atij që i mbante, saqë nuk mund të bënte gjë tjetër, veçse t’i donte ato. Është e sigurt se nuk ka asnjë vend ku ka shkelur këmba e Tij e shenjtë, nuk ka asnjë fjalë që kanë shqiptuar buzët e Tij të bekuara dhe asnjë mendim që Fjala e Tij e dashur e ka zbuluar, që nuk është e vyer për ne më shumë sesa gjithçka tjetër.
Dhe kjo gjë është e vërtetë edhe për emrat e Krishtit, sepse të gjithë ata tingëllojnë ëmbël në veshët e besimtarëve. Edhe nëse Ai quhet Bashkëshorti i kishës, Dhëndri i saj, Miku i saj; edhe nëse e shpallim Atë si Qengjin e therur përpara themelimit të botës, Mbretin, Profetin apo Priftin—çdo titull i Mësuesit tonë—Shiloh, Emanuel, Këshilltar i Madh e i Admirueshëm, pra, çdo emër i Tij është si hoja e mjaltit, që kullon mjaltë, dhe të shijshme janë pikat që bien prej saj.
Mirëpo, nëse ka një emër më të ëmbël se çdo emër tjetër në veshin e besimtarit, ai është emri i Jezusit. Jezus! Ky është emri që i bën harpat e parajsës të shpërthejnë në tinguj e muzikë. Jezus, jeta e të gjitha gëzimeve tona! Nëse ka ndonjë emër më tërheqës dhe më të vyer mbi gjithë të tjerët, është pikërisht ky emër. Ai është melodia e psalmeve tona. Shumë prej himneve tona fillojnë me këtë emër dhe të pakta janë ato himne, kuptohet ato himne që kanë vlerë, që mbyllen pa e përmendur atë. Ai është shuma e përgjithshme e të gjitha kënaqësive. Është muzika që tingëllojnë kambanat e parajsës, një këngë brenda fjalës, një oqean për intelektin, një oratorio e pashoqe në dy rrokje, një antologji e halelujave të përjetësisë në pesë gërma.
Jezus, emrin Tënd të këndshëm e dua,
Në veshët e mi, muzikë është për mua.
© dritez.al 2024