“...ashtu si ZOTI i do…”
Osea 3:1
Besimtar, hidhe vështrimin pas në gjithë përvojën tënde dhe mendo për mënyrën se si Zoti Perëndia yt të ka udhëhequr nëpër shkretëtirë dhe se si të ka ushqyer dhe mbathur ditë për ditë—se si është përmbajtur përpara sjelljes sate të keqe—se si i ka duruar të gjitha murmurimat e tua dhe të gjitha ëndjet e tua për tenxheret me mish të Egjiptit—se si e ka çarë shkëmbin e Tij për të siguruar ujë për ty dhe se si të ka ushqyer me manën që zbriti nga qielli. Mendo se si hiri i Tij ka qenë i mjaftueshëm për ty në të gjitha andrallat e tua—se si gjaku i Tij është bërë falje për ty në të gjitha mëkatet e tua—se si shkopi dhe thupra e Tij të kanë ngushëlluar.
Pasi të kesh reflektuar për dashurinë e Zotit, lëre besimin tënd t’i hedhë sytë drejt dashurisë së Tij në të ardhmen, sepse duhet të mbash mend që besëlidhja dhe gjaku i Krishtit kanë diçka më tepër brenda tyre, sesa vetëm gjërat e shkuara. Ai që të ka dashur dhe të ka falur një herë, nuk do të pushojë kurrë së dashuri dhe së faluri. Ai është Alfa, por do të jetë edhe Omega: Ai është i pari, dhe do të jetë edhe i fundit.
Prandaj, mos harro, kur të kalosh nga lugina e hijes së vdekjes, mos ki frikë nga asnjë e keqe, sepse Ai është me ty! Kur të të rrethojnë ujërat e ftohta shkumëzuese të Jordanit, mos u druaj, sepse vdekja nuk mund të të ndajë nga dashuria e Tij; dhe kur të përballesh me misteret e përjetësisë, nuk ke pse fërgëllon, “Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqitë dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:38-39).
O shpirti im, a nuk të është përtërirë dashuria? Vallë, a nuk të bën kjo që ta duash Jezusin? A nuk ta ndez zemrën zjarr përshkimi i pafundësisë së përkujdesit plot dashuri të Perëndisë dhe a nuk të detyron që të kënaqesh në Zotin Perëndinë tënd? Me siguri, tek meditojmë rreth dashurisë së Zotit, zemrat tona na digjen përbrenda dhe na shtohet dëshira për ta dashur Atë gjithnjë e më shumë.
© dritez.al 2024