February 2023

Thuamë ... ku e kullot kopenë dhe ku e lë të pushojë në mesditë.

Kënga e Këngëve 1:7

Këto fjalë mund të merren si shprehje e dëshirës së besimtarit për miqësinë e Krishtit dhe për atë djegien e tij të brendshme për përbashkësi të menjëhershme me Të. Ku e kullot kopenë Tënde? Në shtëpinë Tënde? Nëse mund të të gjej atje, do të vij. Në lutjen intime? Atëherë do të lutem pa ndërprerje. Në Fjalën Tënde? Atëherë do ta lexoj atë pa u lodhur. Në urdhërimet e tua? Atëherë do të eci në to me gjithë zemër. 

Tregomë se ku ndodh kjo gjë, sepse kudo që të gjendesh Ti, Bariu im, aty do të vij edhe unë të mrizoj si dele; sepse askush tjetër përveç Teje nuk mund të m’i plotësojë nevojat. Nuk mund të ngihem nëse jam larg Teje. Shpirti im ka uri dhe etje për nozullimet e pranisë Sate. “...ku e lë [kopenë] të pushojë në mesditë?”, sepse qoftë agim, qoftë mesditë, unë mund të gjej prehje vetëm aty ku je Ti dhe kopeja jote e dashur. Prehja e shpirtit tim duhet të jetë një çlodhje e dhënë prej hirit dhe mund të gjendet vetëm në Ty. 

Ku ndodhet hija e atij shkëmbi? Pse të mos pushoj poshtë tij? “Pse vallë duhet të jem si një grua e mbuluar me vel pranë kopeve të shokëve të tu?” (shiko v. 7). Ti ke shokë apo jo? Pse të mos jem edhe unë njëri prej tyre? Satani më thotë se nuk jam i denjë; por unë gjithmonë kam qenë i padenjë, e megjithatë, Ti më ke dashur që përpara fillimit të kohërave; çka do të thotë që padenjësia ime nuk mund të jetë më një pengesë për të pasur përbashkësi me Ty tani. 

Është e vërtetë se jam i dobët në besim dhe i prirur për të rënë, por vetë dobësia ime është arsyeja pse duhet të gjendem gjithmonë aty ku Ti e ushqen kopenë Tënde, me qëllim që të më forcosh dhe të më ruash në siguri pranë ujërave që të çlodhin. Përse vallë të fshihem pas velit? Nuk ka asnjë arsye përse ta bëj këtë, por ka mijëra arsye për të bërë të kundërtën, sepse Jezusi po ma bën me shenjë që t’i afrohem. Edhe nëse Ai tërhiqet paksa, e bën këtë që unë ta çmoj edhe më tepër praninë e Tij. Tani që jam i vrerosur dhe i pikëlluar, ngaqë kam qenë larg prej Tij, Ai do të më çojë përsëri tek ajo streha në shkëmb, ku qengjat e grigjës së Tij mbrohen nga dielli përvëlues. 


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin