February 2023

Prandaj, vëllezër, jemi debitorë...

Romakëve 8:12

Duke qenë se jemi krijesa të Perëndisë, ne të gjithë i jemi borxhlinj Atij, për t’iu bindur me gjithë qenien, shpirtin dhe forcën tonë. Meqë i kemi shkelur urdhërimet e Tij, dhe, në fakt, të gjithë i kemi shkelur ato, i jemi borxhlinj drejtësisë së Tij dhe i detyrohemi Atij një shumë të pallogaritshme, të cilën nuk jemi në gjendje që ta shlyejmë.

Mirëpo, për të krishterin mund të thuhet se ai nuk ka asnjë detyrim ndaj drejtësisë së Perëndisë, sepse Krishti e ka paguar borxhin e njerëzve të Tij; prandaj, për këtë arsye, besimtari tashmë i detyrohet dashurisë. Unë jam një borxhli i hirit dhe i mëshirës falëse të Perëndisë; por unë nuk i kam më asnjë borxh drejtësisë së Tij, sepse Ai kurrë nuk do të më akuzojë për një detyrim që është shlyer tashmë. Jezusi tha: “U krye!” dhe me këtë, Ai donte të thoshte se i gjithë borxhi që populli i Vet kishte ndaj Tij, ishte fshirë përgjithmonë nga libri i kujtimit. Jezu Krishti e përmbushi drejtësinë hyjnore deri në pikën më të fundit; llogaria u mbyll; dëftesa e borxhit u gozhdua në kryq; borxhi u arkëtua, dhe ne nuk kemi më asnjë detyrim ndaj drejtësisë së Perëndisë. Sidoqoftë, edhe pse nuk i detyrohemi më asgjë Zotit tonë, në atë kuptim, prapëseprapë, jemi më shumë në borxh me Perëndinë, dhe ky i dyti është dhjetë herë më i madh sesa borxhi i parë. 

I krishterë, ndalu dhe reflekto thellë për një çast! 

  • Sa borxh të madh i ke sovranitetit hyjnor! Sa shumë i detyrohesh dashurisë së Tij zemërmadhe, sepse Ai e dha Birin e Vet, që Ai ta jepte jetën për ty. 

  • Mendo se sa shumë i detyrohesh hirit të Tij falës, sepse edhe pas dhjetë mijë fyerjeve që i ke bërë, Ai të do me të njëjtën dashuri të pafundme si përherë. 

  • Mendo se sa shumë i detyrohesh fuqisë së Tij, se si të solli në jetë kur ishe i vdekur në mëkate; se si e ka ruajtur jetën tënde frymërore; se si të ka ruajtur që të mos biesh; dhe se si nuk e ke humbur rrugën, megjithëse shtegun ta kanë zënë një mijë armiq. 

  • Mendo se sa shumë i detyrohesh pandryshueshmërisë së Tij. Ai nuk ka ndryshuar asnjëherë, megjithëse ti ke ndryshuar një mijë herë. 

Borxhi që ti i detyrohesh çdo atributi të Perëndisë, është kaq i pallogaritshëm, sa më s’ka. I detyrohesh Perëndisë për veten tënde dhe për gjithçka që ke, andaj paraqite veten si një fli të gjallë, sepse kjo është shërbesa jote e mençur.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin