February 2023

Por këto fakte janë të vjetra.

1 i Kronikave 4:22

Megjithatë, nuk janë edhe aq të lashta sa gjërat e paçmuara, në të cilat gjejnë kënaqësi shpirtrat tanë. Le t’i numërojmë ato tani, duke i përsëritur ashtu siç i numërojnë koprracët florinjtë e tyre. Zgjedhja sovrane e Atit, me anë të së cilës Ai na zgjodhi në jetë të përjetshme përpara krijimit, është një gjë mjaft e lashtë, duke qenë se asnjë datë nuk mund të përfytyrohet për të nga mendja e njeriut. Ne u zgjodhëm përpara se të themelohej bota. 

Kjo zgjedhje karakterizohej nga dashuria e përjetshme, sepse nuk u ndamë veçmas përmes një akti të thjeshtë të vullnetit hyjnor, por ndjenjat hyjnore u përfshinë në këtë zgjedhje. Ati na deshi qysh nga fillimi. Ja ku e kemi një temë për meditim të përditshëm. Qëllimi i përjetshëm, për të na shpenguar nga shkatërrimi i pritshëm, për të na pastruar dhe shenjtëruar, dhe së fundi, për të na përlëvduar, i takon lashtësisë së thellë, dhe rend krah për krah me dashurinë e pandryshueshme dhe sovranitetin absolut. 

Besëlidhja përshkruhet gjithmonë si e përjetshme, dhe Jezusi, pala e dytë në të, është që nga përjetësia. Ai e dha dorën si garanci në një besëlidhje të shenjtë shumë kohë përpara se të xixëllonin të parët yje, dhe pikërisht në Të, të zgjedhurit u caktuan për jetë të përjetshme. Kështu u krijua një bashkim i një besëlidhje shumë të bekuar mes Birit të Perëndisë dhe popullit të Tij të zgjedhur, e cila do të mbetet si themeli i sigurisë së tyre, edhe kur koha të mos jetë më. 

A nuk është e dobishme t’i njohësh këto gjëra të lashta? A nuk është turp që ato shpërfillen kaq lehtësisht dhe madje, edhe hidhen poshtë prej shumicës së atyre që e quajnë veten të krishterë? Nëse ata do ta njihnin më shumë mëkatin e tyre, a nuk do të ishin më të gatshëm që ta adhuronin hirin dallues? Sonte, le të admirojmë dhe të adhurojmë, teksa këndojmë:

Një monument ngritur hirit,
Një mëkatar i shpëtuar nga gjaku;
Rrjedhën e dashurisë e gjurmoj
Deri te Burimi, Perëndia;
Dhe në kraharorin e Tij të shenjtë shikoj
Mendime të përjetshme dashurie për mua.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin