January 2023

Në të cilin edhe u zgjodhëm për trashëgimi.

Efesianëve 1:11

Kur Jezusi e dha veten për ne, Ai na fali edhe të drejtat, edhe privilegjet që i takonin; kështu që tani, edhe pse si Perëndi i përjetshëm, Ai gëzon të drejta themelore, të cilat asnjë krijesë nuk mund të guxojë t’i pretendojë, e megjithatë duke qenë Jezusi, Ndërmjetësuesi dhe Kreu federal i besëlidhjes së hirit, nuk ka asnjë trashëgimi që nuk mund ta ndajë me ne. Të gjitha frytet e lavdishme të bindjes së Tij deri në vdekje janë bërë tashmë pronë e përbashkët e të gjithë atyre që janë në Të, për të cilët e përmbushi vullnetin hyjnor. 

Shikoni, Ai hyn në lavdi, por Ai nuk e bën këtë vetëm për veten e Tij, sepse është shkruar: “...ka hyrë Jezusi, si pararendës për ne” (Hebrenjve 6:20). Vallë, a nuk qëndron Jezusi në praninë e Perëndisë? Krishti shfaqet “në praninë e Perëndisë për ne” (Hebrenjve 9:24). Analizoje këtë fakt, o besimtar! Ti në vetvete nuk ke asnjë të drejtë për të hyrë në parajsë; e drejta jote gjendet në Krishtin. 

Nëse je falur, je falur përmes gjakut të Tij; nëse je shfajësuar, je shfajësuar përmes drejtësisë së Tij; nëse je shenjtëruar, kjo ka ndodhur për shkak se Ai u bë për ty shenjtëri prej Perëndisë; nëse do të ruhesh nga rënia, kjo do të ndodhë për shkak se ruhesh në Krishtin Jezus; dhe nëse do të përsosesh në fund, kjo do të ndodhë për shkak se je i plotë në Të. Kështu madhërohet Jezusi—sepse gjithçka është në Të dhe prej Tij; kështu, trashëgimia bëhet e sigurt për ne—sepse është fryti i veprës së Tij; kështu, çdo bekim bëhet më i bukur, madje, edhe vetë qielli bëhet më i ndritshëm, për shkak se është Jezusi i Dashuri ynë, në të cilin kemi siguruar gjithçka. 

Vallë, a ka ndonjë që do të mund t’i vlerësonte pronat tona hyjnore? Peshoji pasuritë e Krishtit në peshore, vëri thesaret e Tij në kandar, dhe pastaj, mos harro t’i llogaritësh thesaret që u takojnë shenjtorëve! Preke fundin e detit të gëzimit të Krishtit dhe pastaj shpreso të marrësh me mend lumturinë që ka përgatitur Perëndia për ata që e duan! Kapërceji kufijtë e zotërimeve të Krishtit dhe pastaj ëndërro për një cak të trashëgimisë së dëlirë të të zgjedhurve. “...të gjitha janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.” (1 e Korintasve 3:22-23)


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin