qershor 8

Qershor 2022


“Adhurim” është termi që përdorim për të folur për të gjitha veprimet e zemrës, mendjes dhe trupit, të cilat shprehin qëllimisht vlerën e pafundme të Perëndisë. Për këtë u krijuam. Adhurim mund të jetë të kënduarit në kishë apo edhe pastrimi i dyshemesë së kuzhinës.

Kur mendon për adhurimin, mos mendo thjesht për takimet e adhurimit. Ky është një kufizim i madh, i cili nuk gjendet në Bibël. E gjithë jeta duhet të jetë adhurim.

Merr si shembull mëngjesin apo zemrën e mesditës. 1 e Korintasve 10:31 thotë: “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.” Të ngrënët dhe të pirët janë gjërat më bazë dhe më të zakonshme që mund të mendoni. Çfarë mund të jetë më reale ose më e zakonshme për njeriun se sa të ngrënët dhe të pirët? Për pasojë, Pali thotë se gjithë të ngrënët dhe të pirët tuaj le të jetë adhurim.

Ose fol për seksin. Pali thotë se alternativa e kurvërisë është adhurimi.

Arratisjuni kurvërisë! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, por ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet. A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, me trupin tuaj. (1 e Korintasve 6:18-20)

Domethënë, adhuro me trupin tënd përmes mënyrës se si e trajton seksualitetin tënd.

Ose merr si shembull të fundit vdekjen. Ne do të përjetojmë vdekjen në trupat tanë. Në fakt vdekja do të jetë akti i fundit i trupit mbi këtë tokë. Trupi do të thotë lamtumirë. Si do të adhurojmë në atë akt të fundit të trupit? Përgjigjen e shohim te Filipianëve 1:20-21. Pali thotë se shpresa e tij është që Krishti do të madhërohet—do të adhurohet, do të tregohet që është i denjë—në trupin e tij me anë të vdekjes. Më pas, ai shton: “Sepse për mua… të vdekurit [është] fitim.” Ne shprehim vlerën e pafund të Krishtit në vdekje, duke e llogaritur vdekjen si fitim.

Ti ke një trup, por ai nuk të përket ty. “Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, me trupin tuaj.”

Ti je gjithmonë në një tempull, ndaj gjithmonë adhuro!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>