tetor 31

Tetor 2022


Ky është qëllimi universal i Perëndisë për të gjithë vuajtjen e krishterë: më tepër kënaqësi në Perëndinë dhe më pak varësi te vetja dhe bota. Kurrë nuk kam dëgjuar dikë të thotë: “Mësimet më të thella të jetës i kam marrë përmes kohëve të qetësisë dhe rehatisë.”

Përkundrazi, kam dëgjuar shenjtorë të fortë të thonë: “Çdo përparim domethënës që kam përjetuar ndonjëherë për të njohur thellësitë e dashurisë së Perëndisë dhe për ta njohur thellë Atë, ka ardhur përmes vuajtjes.”

Margaritari me çmimin më të lartë është lavdia e Krishtit.

Prandaj, Pali thekson se në vuajtjet tona madhërohet lavdia e hirit të gjithëmjaftueshëm të Krishtit. Nëse mbështetemi tek Ai në fatkeqësinë tonë dhe Ai na forcon në “ngazëllimin tonë në shpresë,” atëherë bëhet e qartë se Ai është Perëndia i gjithëkënaqshëm i hirit dhe forcës, i cili realisht është.

Nëse mbahemi fort tek Ai, “kur gjithçka rreth shpirtit tonë rrëzohet,” atëherë tregojmë se Ai është më i dëshirueshëm se gjithçka që kemi humbur.

Krishti i tha apostullit që po vuante: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.” Pali u përgjigj kështu: “Prandaj, me kënaqësi të madhe, do të mburrem më tepër me dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj, unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm” (2 e Korintasve 12:9-10).

Pra, është e qartë se vuajtja është caktuar nga Perëndia jo vetëm si një mënyrë për t’i zvjerdhur të krishterët nga vetja dhe për t’i çuar te hiri, por gjithashtu është si një mënyrë që nxjerr në pah hirin dhe e bën atë të shkëlqejë. Kjo është pikërisht ajo që bën besimi: ai e madhëron hirin e ardhshëm të Krishtit.

Gjërat e thella të jetës, që i gjejmë në Perëndinë, zbulohen dhe madhërohen përmes vuajtjes.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>