tetor 29

Tetor 2022


A është e njëjtë vuajtja e të krishterëve për shkak të përndjekjes me vuajtjen e tyre për shkak të kancerit? A vlejnë edhe për tjetrën premtimet që janë dhënë për njërën? Përgjigjja ime është po. E gjithë jeta, nëse jetohet me zell dhe besim duke kërkuar lavdinë e Perëndisë dhe shpëtimin e të tjerëve, do të përballet me pengesa dhe vuajtje të caktuara. Vuajtja që i vjen të krishterëve të bindur është pjesë e çmimit të të jetuarit aty ku je në bindje ndaj thirrjes së Perëndisë.

Duke zgjedhur të ndjekim Krishtin në udhën që Ai na drejton, ne zgjedhim gjithçka që përfshin ky shteg nën provaninë e Tij sovrane. Prandaj, e gjithë vuajtja që vjen në shtegun e bindjes është vuajtje me Krishtin dhe për Krishtin–qoftë në rastin e kancerit kur jemi në shtëpi apo të përndjekjes në një vend të largët.

Kjo është një vuajtje që “zgjidhet”–domethënë, ne zgjedhim me vullnet shtegun e bindjes në të cilin na bie vuajtja dhe nuk murmurisim kundër Perëndisë. Ne mund të lutemi–ashtu si Pali–që vuajtja të hiqet (2 e Korintasve 12:8); por nëse është vullneti i Perëndisë, ne e përqafojmë vuajtjen si pjesë të çmimit të dishepullimit në shtegun e bindjes, ndërkohë që jemi duke shkuar për në qiell.

Të gjitha përjetimet e vuajtjes në shtegun e bindjes së krishterë, qofshin ato nga përndjekja, nga sëmundja, apo aksidentet, kanë këtë të përbashkët: Të gjitha kërcënojnë besimin tonë në mirësinë e Perëndisë dhe na tundojnë që ta braktisim shtegun e bindjes.

Prandaj, çdo triumf i besimit dhe gjithë këmbëngulja në bindje janë dëshmi e mirësisë së Perëndisë dhe vlerës së çmuar të Krishtit–pavarësisht nëse armiku është sëmundja, Satani, mëkati ose sabotimi. Prandaj, çdo vuajtje, e çfarëdo lloji qoftë, që ne durojmë në shtegun e thirrjes tonë të krishterë është një vuajtje “me Krishtin” dhe “për Krishtin”.

Me Krishtin, në kuptimin që vuajtja vjen te ne, ndërkohë që ecim me Të me anë të besimit, dhe në kuptimin që ajo durohet me forcën, që Ai siguron përmes shërbesës së Tij kryepriftërore që vuan bashkë me ne (Hebrenjve 4:15).

Për Krishtin, në kuptimin që vuajtja sprovon dhe vërteton besnikërinë tonë ndaj mirësisë dhe fuqisë së Tij, dhe në kuptimin që ajo zbulon vlerën e Tij si çmimin dhe shpërblimin e gjithëmjaftueshëm.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>