maj 27

Maj 2022


Pyetja që shtrohet para të gjithëve ne është: A jemi të përfshirë mes të “shumëve”, mëkatet e të cilëve Krishti i ka mbartur? Dhe a do të shpëtohemi në ardhjen e Tij të dytë?

Përgjigjja e Hebrenjve 9:28 është: “Po”, nëse “e presim me durim”. Ne mund ta dimë që mëkatet tona janë hequr tej dhe se do të jemi të sigurt në gjykim nëse i besojmë Krishtit në mënyrë të tillë që na bën ta presim me durim ardhjen e Tij.

Ekziston një besim i shtirur, i cili thotë se beson në Krishtin, por që në fakt është thjesht si puna e sigurimit nga zjarri. Besimi i shtirur “beson” vetëm për t’i shpëtuar ferrit. Ky besim nuk ka ndonjë dëshirë reale për Krishtin. Në fakt, ai besim do të parapëlqente më tepër nëse Krishti nuk do të kthehej, dhe kështu të mund të shijojmë sa më shumë që të jetë e mundur nga kënaqësitë e kësaj bote. Kjo tregon që zemra nuk është me Krishtin, por me botën.

Prandaj, çështja për ne është kjo: A e presim me padurim kthimin e Krishtit? Apo mos duam që Ai të qëndrojë larg, derisa ta shijojmë plotësisht lidhjen tonë jashtëmartesore me botën? Kjo është pyetja që e vë në provë vërtetësinë e besimit.

Le të jemi si korintasit teksa presim “me durim zbulesën e Zotit tonë Jezu Krisht” (1 e Korintasve 1:7), dhe si filipianët sepse “qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim me durim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht” (Filipianëve 3:20).

Kjo është çështja për ne. A e duam të shfaqurit e Tij? Apo mos duam botën dhe shpresojmë që shfaqja e Tij të mos i ndërpresë planet tona? Përjetësia varet nga kjo pyetje.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia