nentor 22

Nëntor 2022


Kjo është e mahnitshme. Mos e humb. Kjo mund të të kursejë vite të tëra të çuara dëm.

Ky varg po thotë se nëse do të bëhesh i pjekur dhe t’i kuptosh e t’i vlerësosh mësimet më të forta të fjalës, atëherë kërkohet që qumështi i pasur, ushqyes dhe i çmuar i premtimeve të ungjillit të Perëndisë t’i transformojë shqisat e tua morale–mendjen frymërore–që të mund të bësh dallimin mes së mirës dhe së keqes.

Ose, më lejo ta them ndryshe. Të bëhesh gati për t’u kënaqur me të gjithë fjalën e Perëndisë nuk është kryesisht një sfidë intelektuale, por së pari një sfidë morale. Nëse do të hash ushqimin e fortë të fjalës, duhet që t’i ushtrosh shqisat e tua frymërore për të zhvilluar një mendje që e bën dallimin mes së mirës dhe së keqes. Kjo është një sfidë morale, jo thjesht intelektuale.

E vërteta tronditëse është që, nëse ke vështirësi për ta kuptuar Melkisedekun te Zanafilla dhe te libri i Hebrenjve, ndoshta është për shkak se po ndjek programe të dyshimta televizive. Nëse ke vështirësi me doktrinën e zgjedhjes, ndoshta është për shkak se ende vazhdon të përdorësh disa praktika të dyshimta në biznes. Nëse ke vështirësi me veprën e Krishtit në kryq, e cila ka Perëndinë në qendër, ndoshta është për shkak se do paranë, se harxhon shumë dhe jep pak.

Shtegu drejt pjekurisë dhe ushqimit të fortë biblik nuk kërkon më së pari që të bëhesh një person inteligjent, por që të bëhesh një person i bindur. Ajo çfarë bën me alkoolin, seksin, paranë, kohën e lirë, ushqimin dhe kompjuterët, si dhe mënyra se si i trajton të tjerët, ka më tepër lidhje me kapacitetin tënd për ushqim të fortë sesa me faktin se ku shkon në shkollë apo çfarë librash lexon.

Kjo është tepër e rëndësishme, sepse në shoqërinë tonë, jashtëzakonisht teknologjike, kemi prirjen të mendojmë se arsimimi–sidomos arsimimi intelektual–është çelësi drejt pjekurisë. Ka shumë njerëz me doktoratë, të cilët mbyten me gjërat e Perëndisë për shkak të papjekurisë së tyre. Ka gjithashtu shumë shenjtorë më pak të edukuar, të cilët janë shumë të pjekur, dhe që ushqehen me kënaqësi dhe dobi me gjërat e thella të fjalës së Perëndisë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>