maj 17

Maj 2022


Të krishterët nuk e kalojnë jetën si kandili i detit, duke pluskuar në rrymën e kulturës bashkëkohore. Por ne jetojmë me fuqinë e Frymës dhe e gjejmë shtegun tonë me anë të fjalës së Perëndisë. Ne notojmë si delfinët dhe jo si kandilat. Një pjesë e fuqisë dhe e caktimit të drejtimit shprehet në përfshirjen e kujdesshme në realitetet digjitale të kohës tonë. Kjo përfshin rreziqe. Ja ku janë pesë të tilla:

1) Grepi i kuriozitetit të vazhdueshëm

Pajisjet digjitale na ofrojnë mundësi të pafundme zbulimi. Edhe sistemet bazë të operimit na marrin orë të tëra eksplorimi dhe eksperimentimi. Pastaj kemi edhe aplikacionet e pafundme, të cilat marrin javë të tëra nga koha jote, teksa të joshin me detajet e tyre.

E gjithë kjo është shumë mashtruese, pasi të jep iluzionin e pushtetit dhe efektshmërisë, por në fund të ditës të lë me ndjesinë e boshllëkut dhe nervozizmit.

Zotim: Do ta kufizoj kohën e eksperimentimit me pajisjet dhe do t’i kushtohem më tepër të vërtetës sesa teknikës.

2) Bota e zbrazët e (jo)realitetit virtual

Sa e trishtueshme është të shohësh njerëz krijues dhe të shkëlqyer, të cilët harxhojnë orë dhe ditë të tëra të jetës së tyre në krijimin e qyteteve, ushtrive dhe aventurave, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Ne kemi vetëm një jetë për të jetuar. Të gjitha fuqitë tona na janë dhënë nga Perëndia i vërtetë për botën reale dhe jemi duke shkuar drejt një qielli dhe një ferri të vërtetë.

Zotim: Nuk do ta harxhoj energjinë time krijuese dhe ndërtuese në jorealitetin e “realitetit virtual”, por në realitetin e botës reale.

3) Lidhje “personale” me një makineri

Si asnjë shpikje tjetër, kompjuteri është i ngjashëm me një person. Ti mund të luash lojëra me të. Ai do të të flasë. Do të jetë gjithmonë aty në dispozicionin tënd. Këtu, rreziku i madh është që ne të rehatohemi vërtet me këtë “person” elektronik, të cilin mund ta menaxhojmë, dhe gradualisht largohemi nga marrëdhëniet e parashikueshme, zhgënjyese dhe ndonjëherë të dhimbshme me personat e vërtetë njerëzorë.

Zotim: Nuk do ta zëvendësoj rrezikun e marrëdhënieve personale me sigurinë jopersonale elektronike.

4) Rreziku i takimeve romantike

Lidhjet seksuale jashtëmartesore fillojnë në privatësinë e të qenët bashkë, në bisedat e gjata, në derdhjen e shpirtit, të cilat mund të bëhen në një veçim absolut përmes pajisjeve digjitale. Ndoshta mendon se kjo “nuk është asgjë”–derisa ajo (ose ai) shfaqet në qytetin tënd.

Zotim: Nuk do të kultivoj një marrëdhënie vetëm për vetëm me një person të gjinisë së kundërt, përveç bashkëshortes time/bashkëshortit tim. Nëse jam beqar, nuk do të kultivoj një marrëdhënie me bashkëshortin/bashkëshorten e dikujt tjetër.

5) Pornografia

Edhe më tinëzare se videot pornografike është fakti që tani jo vetëm mund t’i shohim, por edhe mund të bëhemi pjesë e perversitetit në privatësinë e dhomës së gjumit. Pornografia virtuale të lejon që ta “kryesh” ose t’i bësh të tjerët “ta kryejnë” përmes ekranit virtual.

Kurrë nuk kam parë video të tilla! As kam qëllim që t’i shoh. Pornografia vret shpirtin. Ajo largon Perëndinë nga ne dhe i trajton gratë si objekte e jo si persona. Ajo e shuan lutjen, e bën Biblën të paefektshme dhe e varfëron shpirtin. Ajo e shkatërron fuqinë frymërore dhe ndot gjithçka.

Zotim: Nuk do të hap kurrë një aplikacion ose një faqe interneti për stimulim seksual, as nuk do të blej apo shkarkoj ndonjë gjë me natyrë pornografike.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>