15 janar

Janar 2022


Veprimi vendimtar i Perëndisë në konvertim është që ai “na dha jetë bashkë me Krishtin”, ndonëse “ne ishim të vdekur nëpërmjet shkeljeve”. Me fjalë të tjera, për Perëndinë, ne ishim të vdekur. Ne nuk reagonim; nuk kishim asnjë interes apo oreks të vërtetë frymëror; nuk kishim sy frymërorë për të parë bukuritë e Krishtit; ne thjesht ishim të vdekur për gjithçka, që në fund të fundit, kjo ka rëndësi.

Pastaj Perëndia veproi—në mënyrë të pakushtëzuar—para se ne të mund të bënim dot ndonjë gjë për të qenë enë të përshtatshme për praninë e Tij. Ai na dha jetë. Në mënyrë sovrane, Ai na zgjoi nga gjumi i thellë i vdekjes, për të parë lavdinë e Krishtit (2 e Korintasve 4:4). Shqisat frymërore, të cilat dikur ishin të vdekura, erdhën në jetë në mënyrë të mrekullueshme.

Efesianëve 2:4 thotë se kjo ishte një vepër “mëshire”. Domethënë, Perëndia na pa në vdekjen tonë dhe na mëshiroi. Perëndia e vuri re pagën e tmerrshme të mëkatit, e cila na çon në mjerim dhe vdekje të përjetshme. “Perëndia, që është i pasur në mëshirë...na dha jetë.” Pasuritë e mëshirës së Tij u derdhën bujarisht mbi ne në nevojën tonë. Sidoqoftë, ajo çfarë është e jashtëzakonshme në lidhje me këtë tekst, është që Pali e ndërpret rrjedhën e natyrshme të fjalisë së tij për të shtuar: “ju jeni të shpëtuar me anë të hirit.” “Perëndia...na dha jetë bashkë me Krishtin—ju jeni të shpëtuar me anë të hirit—edhe na ringjalli bashkë me të.”

Pali do ta thotë këtë sërish në vargun 8. Pra, pse ai e ndërpret rrjedhën e fjalisë së tij për ta shtuar këtu? Për më tepër, përqendrimi është te mëshira e Perëndisë, i cili reagon ndaj gjendjes sonë të mjerueshme të të qenët të vdekur; ndaj, përse Pali mundohet për të thënë gjithashtu se edhe ne jemi të shpëtuar me anë të hirit?

Mendoj se përgjigjja është që Pali e dallon se ka një mundësi të përsosur për të theksuar lirinë e hirit. Ndërsa ai përshkruan gjendjen tonë të vdekur para konvertimit, ai e kupton që njerëzit e vdekur nuk munden t’i përmbushin dot kushtet. Nëse ata do të jetojnë, duhet të ketë një veprim krejtësisht të lirë dhe plotësisht të pakushtëzuar nga Perëndia për t’i shpëtuar ata. Kjo liri është vetë zemra e hirit.

Cili veprim do të mund të ishte më i lirë në mënyrë të njëanshme dhe më pak i diskutueshëm, se sa një person që ringjall një tjetër prej së vdekurish? Ky është kuptimi i hirit!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia