Tri mrekulli të jetës në Frymë

Le të flasim pak për Frymën e Shenjtë? Kjo ka qenë gjithmonë një temë e vështirë. Tek e fundit, ai është Fryma, Era, Enigma e madhe dhe e padukshme, Personi më misterioz dhe më i fshehtë i Hyjnisë së pashprehshme.

Po ashtu, jetojmë në një kohë kur të menduarit dhe të folurit rreth Frymës së Shenjtë është bërë gjithnjë e më i vështirë. Një arsye për këtë është se ndikimi i gjerëpërhapur i shekullarizimit na shtyn që të merremi vetëm me dukuri konkrete, pra, me ato që mund të shihen, të dëgjohen, të preken dhe të shijohen. Për pasojë, krijohet një anshmëri e padukshme, por e fortë kundër Frymës. Kur vjen puna te Jezusi, kemi të bëjmë me anën e tij të prekshme njerëzore, të paktën në teori; kur vjen puna te kisha, kemi të bëjmë me bashkëbesimtarë realë; kur vjen puna te krijimi, kemi të bëjmë me një botë të prekshme, që mund ta përjetojmë përmes shqisave, botën që na rrethon; kur vjen puna tek antropologjia, kemi të bëjmë me mish e gjak dhe me qenien tonë të brendshme të pamohueshme. Mirëpo Era e Padukshme është një ushqim që vështirë se kapërdihet prej mendjes së formësuar nga ndikimet shekullare.

Çfarë është më e keqja, shumë të krishterë kanë prirjen e papërshtatshme që ta përqendrojnë çdo bisedë rreth Frymës duke folur për “shfaqje të Frymës” (I Korintasve 14:12), pra, për dhuntitë frymërore dhe veçanërisht për më të debatueshmen që është të folurit në gjuhë. Shumë shpejt ndodh që të mos jemi më duke folur për Frymën dhe thelbin e veprës së tij, por t’i përvishemi spekulimeve rreth vetes sonë, duke treguar histori të çuditshme.

Në Shkrimin e Shenjtë, vetë Fryma nuk e merr vëmendjen qendrore që i kushtohet Atit dhe Birit. Ai shpesh fshihet pas shprehjeve të shkurtra, por të mbushura me kuptim, dhe vepron në heshtje prapa perdes teologjike. Natyrisht, kjo është vepër e vetë Frymës. Ai është autori i Shkrimit të Shenjtë dhe mezi pret të hedhë dritë mbi Atin dhe Birin, t’i drejtojë profetët dhe apostujt në shërbesën e fjalës, si dhe t’i fuqizojë fjalët dhe veprat e vetë Fjalës së përjetshme. Fakti që Shkrimi i Shenjtë flet kaq pak për Frymën nuk është as harresë, as përpjekje për ta lënë në hije. Është vetë Fryma që e dëshiron këtë, vetë Ai i hartoi gjërat në një mënyrë të tillë.

“Jeta në Frymë”

Megjithatë, sado që fshihet dhe vepron në heshtje, Fryma del në plan të parë në një vend me rëndësi të jashtëzakonshme, në një nga letrat më madhështore të shkruara ndonjëherë, pikërisht në kulmin e kryeveprës së Palit: në “Tetën madhështore”.

Kapitulli 8 i Letrës drejtuar Romakëve është një prej pak vendeve ku Fryma e mbledh perden dhe faktikisht thotë: “Do t’ju tregoj pak për veten time: aq sa duhet të dini, por jo më shumë nga sa duhet dhe shkurtimisht”. Për shekuj me radhë, të krishterët e përkushtuar i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë premtimeve dhe mrekullive të Romakëve 8, kapitull i cili përmblidhet shumë mirë te Bibla ESV (Versioni Standard Anglisht) me titullin “Jeta në Frymë”. Romakëve 7:6 e bën dallimin që vazhdon në pjesën tjetër të kapitullit 7 dhe në kapitullin 8:

…ne të shërbejmë në risi Fryme dhe jo në vjetërsi shkronje.

Romakëve 7:7–24, pra, rikujton sfidat e shërbimit nën rendin e vjetër të epokës së mëparshme dhe nën ligjin e saj (sado i shenjtë, i drejtë dhe i mirë të ishte ai), ndërsa Romakëve 8:1–27 shpërthen në gëzimin dhe dobitë e të jetuarit në risinë e Frymës. Në Krishtin, Fryma nuk është vetëm me ne, siç ishte me shenjtorët e besëlidhjes së vjetër, por tashmë, pasi Krishti i ringjallur e ka derdhur nga qielli në plotësi të re, Fryma na dëshmon neve për statusin tonë, ndërmjetëson për ne në dobësinë tonë, si dhe madje banon në ne si fuqia e tanishme dhe personale e jetës së krishterë. Le të ndalemi te këto tri lavdi të Frymës te Romakëve 8, duke lëvizur nga jashtë drejt brendisë.

Birëria: Ai na dëshmon neve

Së pari, Fryma na flet neve dhe fjalët e tij nuk janë aspak të parëndësishme. Të tijat janë fjalë themelore rreth identitetit tonë më themelor. Dhe janë fjalë me peshë, një dëshmi — sepse duke e ditur me siguri atë që tashmë ka ndodhur, ai na dëshmon se çfarë është vërtetësisht e vërtetë, si një dëshmitar në gjykatë, me qëllim që të na bindë për të vërtetën.

Jo vetëm që jemi krijesa të Krijuesit, qenie njerëzore të krijuara prej pluhurit të rëndomtë, dhe jo vetëm jemi mëkatarë që kemi ngritur krye kundër Mbretit tonë, por tashmë, në Jezu Krishtin, Birin e pashoq të Perëndisë, jemi bërë “bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14). “Vetë Fryma dëshmon bashkë me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë” (Romakëve 8:16). Ai është “[Fryma] e birësimit” (Romans 8:15), i cili na dëshmon në mënyrë solemne për të na siguruar se jemi të zgjedhurit e Perëndisë, jo thjesht krijesa, por fëmijë të dashur të sjellë në familjen e tij, të cilët tashmë me të drejtë thërrasin: “Abba, o Atë!” (Romakëve 8:15). Tashmë ne jemi fëmijë. Fryma e di këtë dhe e dëshmon këtë, me qëllim që edhe ne ta dimë me siguri dhe ta përvetësojmë këtë realitet.

Edhe pse mund të duket i fshehtë e enigmatik, Fryma e Shenjë nuk është një forcë e heshtur, por një Person drejtues, folës dhe zbulues. Ai është Fryma e zbulesës (Efesianëve 1:17), që jo vetëm i shtyu profetët dhe apostujt që të vepronin si altoparlantë hyjnorë (II e Pjetrit 1:21; Efesianëve 3:5), por ende flet, thotë, udhëzon dhe dëshmon (I Timoteut 4:1; Hebrenjve 3:7; 9:8; 10:15; Veprat e Apostujve 20:23; I e Gjonit 5:6) përmes fjalëve të gjalla të Shkrimit të Shenjtë. Ai vazhdon ta nxitë dhe ta udhëheqë popullin e Perëndisë (Romakëve 8:14; Galatasve 5:18).

Edhe pse shpesh prania e tij zor se dallohet, ai nuk qëndron në heshtje. Nëse e njihni veten si një bir të dashur dhe të zgjedhur të Perëndisë, Fryma është ai që e ka zgjuar dhe e mban gjallë këtë vetëdije brenda jush. Pa të, mëkatarët do t’i kërkonin ndihmë një hyjnie të largët e të panjohur. Me të, shenjtorët i thërrasin Atit tonë, duke kërkuar kujdesin e tij. Dhe kjo thirrje na çon te lavdia e dytë e Frymës te Romakëve 8.

Ndërmjetësimi: Ai lutet për ne

Të qenët fëmijë të dashur, “trashëgimtarë të Perëndisë… dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Romakëve 8:17), është një gjë që duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë. E megjithatë, kështu është në Krishtin. Mirëpo ideali madhështor i birërisë nuk do të thotë se Romakëve 8 flet në mënyrë jorealiste rreth jetës sonë në këtë botë nën mallkim dhe të sëmurë nga mëkati. Lartësitë e hirit të Perëndisë nuk i shpërfillin greminat e jetës sonë. Vuajmë. Rënkojmë. E dimë se jemi të dobët.

Për shkak të mëkatit njerëzor, Perëndia ia nënshtroi krijimin kotësisë dhe

…i gjithë krijimi deri më tani psherëtin bashkë dhe shtërzon bashkë. E jo vetëm ai, por edhe ne vetë, duke pasur frytin e parë të Frymës; edhe ne vetë, pra, psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me padurim birësimin, shpengimin e trupave tanë. (Romakëve 8:22–23)

E njohim veten se jemi fëmijë përmes dëshmisë së Frymës. Megjithatë, ende presim për formalizimin dhe shfaqjen publike të këtij realiteti. Po, është e vërtetë se jemi trashëgimtarë, mirëpo trashëgimia jonë ende duhet të vijë. Ndërkohë ne rënkojmë. Në këtë jetë kalojmë përmes stinëve dhe periudhave të dhimbjes. Ka raste (dhe kjo nuk ndodh rrallë), kur arrijmë në disa kryqëzime, ku madje nuk e dimë se si të lutemi: a të lutemi që Zoti të na ruajë prej vuajtjes apo që ta përballojmë atë me besnikëri, a të lutemi që rënkimet të reshtin apo që të na jepet ngulmim i shenjtë gjatë tyre?

“Edhe pse mund të duket i fshehtë e enigmatik, Fryma e Shenjtë nuk është një forcë e heshtur, por një Person drejtues, folës dhe zbulues.”

Në mënyrë të mahnitshme, këtu Fryma na ndihmon në dobësitë tona: “…vetë Fryma ndërhyn për ne mepsherëtima të pashqiptueshme” (Romakëve 8:26). Në mes të vuajtjeve të thella dhe ndërlikimeve të kësaj epoke, ne vijmë para Perëndisë pa fjalë, të paaftë madje edhe të shprehim atë që qëndron në thelb të psherëtimave dhe rënkimeve tona. “…ne nuk e dimë se për çfarë të lutemi ashtu si duhet…” (Romakëve 8:26). Ah, çfarë ngushëllimi është në këto çaste që ta dimë se vetë Perëndia është duke vepruar në ne, duke iu lutur Perëndisë për ne. Përtej aftësisë sonë për të kërkuar ashtu siç duhet, madje edhe për t’i shprehur me fjalë lutjet tona, Fryma i lutet Atit për të mirën tonë të përjetshme.

Ndërmjetësimi i Krishtit për ne (Romakëve 8:34) është jashtë nesh, në qiell, ku ai ulet në të djathtën e Atit, pasi ka kryer veprën e tij shlyese dhe është ringjallur për ta vërtetuar e për ta çuar deri në përmbushje këtë vepër përmes jetës së tij. Ndërmjetësimi i Frymës është në ne, duke na nxitur që të lutemi dhe duke fuqizuar lutjet tona (Efesianëve 6:18; Juda 20). Fryma nuk qëndron vetëm thellë në Perëndinë (I Korintasve 2:10), por edhe thellë në ne (Romakëve 8:26–27), dhe kështu arrijmë te lavdia e tretë e Frymës te Romakëve 8, ndoshta më mahnitësja nga të gjitha.

Brendabanimi: Ai jeton në ne

Te Romakëve 8 dhe gjetkë në Besëlidhjen e Re ndeshim një varg pohimesh marramendëse për vetë Perëndinë dhe për Krishtin, që banojnë në ne përmes Frymës së Shenjtë. Pali e thekson këtë vazhdimisht dhe me forcë në vargjet 9–11:

…Fryma e Perëndisë banon në ju. [Ju keni] Frymën e Krishtit…. Krishti është në ju…. Fryma i atij që ngjalli Jezusin prej të vdekurve banon në ju… Frymës së tij që banon në ju.

Në rast se nuk e keni kuptuar ende: nëse jeni në Krishtin, atëherë ju e keni Frymën. Ju e keni atë. Ai banon në ju. Si të thuash, vetë Perëndia ka ardhur të banojë në trupin dhe shpirtin tuaj, pra, në ju. Në një mënyrë që nuk ishte pjesë përbërëse e besëlidhjes së parë të Perëndisë me Izraelin, Krishti i ringjallur e i përlëvduar ia ka dhënë Frymën e tij të krishterëve të besëlidhjes së re (Gjoni 7:38–39).

Fakti që kemi Frymën (Romakëve 8:9, 23) nuk do të thotë që ai është bërë prona jonë apo që ne e kontrollojmë atë. Ai, po ashtu, na ka ne. Ai është në ne dhe ne jemi në të (Romakëve 8:5, 9). Ai është dërguar në zemrat tona (Galatasve 4:6), na është dhënë (Romakëve 5:5), na është siguruar (Galatasve 3:5) dhe jo vetëm një herë, por vazhdimisht (Efesianëve 1:17; I Selanikasve 4:8). Përmes besimit, ne e marrim atë (Romakëve 8:15). Kështu që, siç e shpjegon Pali diku gjetkë, Fryma banon në ne (I Korintasve 3:16; II Timoteut 1:14). Kjo është se çfarë do të thotë ta keni “Krishtin në ju” (Romakëve 8:10; Kolosianëve 1:27).

Vetëm Perëndia e di

Në qoftë se jeni të krishterë, pra, në qoftë se thoni se e keni Jezusin Zot dhe se kënaqeni në të dhe se ai po ju transformon, atëherë mendoni pak se çfarë do të ishit pa Frymën, pa hapjen e syve tuaj prej tij dhe pa dhënien prej tij të një zemre të re dhe të dëshirave të reja. Ku do të ishit pa nxitjet dhe drejtimet e tij të përditshme, të heshtura e të qeta? Ku do të ishit pa furnizimin e tij të vazhdueshëm të jetës frymërore për shpirtin tuaj? Ku do të ishit pa vulosjen dhe ruajtjen e zemrës suaj prej mëkatit tuaj brendabanues?

Juda 19 i përmend ata “që nuk kanë Frymën”. Na jepet të shohim se si duken këta njerëz që janë pa Frymën: tallës, që flasin me të madhe, me qëllim që të shtypin të vërtetën, njerëz që ndjekin pasionet e tyre të paperëndishme dhe që shkaktojnë ndarje, me pak fjalë njerëz “shpirtësorë” (Juda 18–19). Në qoftë se ky përshkrim nuk vlen për ju, në qoftë se jeni ndryshe, çfarë ju ka bërë ndryshe? Mbase është Fryma e Shenjtë? Sadopak ta kuptosh dhe të jesh i vetëdijshëm për këtë fakt, jeta jote, që nga hollësitë më të vogla e deri te gjërat më të mëdha, përshkohet nga realiteti i pasjes së Frymës. Vetëm Perëndia e di se çfarë do të ishit pa të.

Gjërat e shumta që bën ai

Më mirë akoma, a i zini besë Jezusit? A e keni shumë të çmuar atë dhe a keni shumë dëshirë të flisni për të? Siç vëren në një mënyrë shumë të dobishme Fred Sanders-i: “Njerëzit më të ndikuar prej Frymës së Shenjtë janë zakonisht ata që flasin më tepër rreth Jezu Krishtit” (The Holy Spirit, f. 3). Ai, po ashtu, citon Thomas Goodwin-in që thoshte se Fryma “është Personi që na largon nga vetja dhe na çon te hiri i Perëndisë Atë, si dhe te paqja dhe përmbushja e realizuar prej Jezu Krishtit (f. 21). A jeni larguar nga vetja për t’u mbështetur në hirin e Perëndisë? Fryma e bën këtë. A keni përjetuar ndonjëherë paqe në Krishtin? Fryma e bëri këtë. A keni shijuar kënaqësi në Jezusin? Fryma, sërish Fryma dhe Fryma përsëri.

  • Në të marrim larjen e rilindjes (I Korintasve 6:11; Titi 3:5), drejtësinë e drejtësimit (Romakëve 14:17; I Korintasve 6:11; I Timoteut 3:16), si dhe shenjtërinë e shenjtërimit (Romakëve 15:16; I Korintasve 6:11; II Selanikasve 2:13; I e Pjetrit 1:2).
  • Ai na mëson (I Korintasve 2:13; I Selanikasve 4:9; Gjoni 6:45) dhe na jep jetë dhe energji frymërore (I Korintasve 12:11; Efesianëve 3:16).
  • Adhurojmë në Frymë (Filipianëve 3:3).
  • Ai na jep dashuri për të tjerët (Kolosianëve 1:9), gëzim (Romakëve 14:17; 15:13; I Selanikasve 1:6), paqe (Romakëve 14:17; 15:13) dhe, faktikisht, të gjithë “[frytin] e Frymës” (Galatasve 5:22–23).
  • Ai na mbush me shpresë (Romakëve 15:13; Galatasve 5:5), nxit urinë tonë për Perëndinë, si dhe e kthen vëmendjen tonë te “gjërat e Frymës” (I Korintasve 2:14; Romakëve 8:5), në vend të shpërqendrimeve mëkatare.
  • Ai na vulos (Efesianëve 1:13; 4:30) dhe na mban besnikë për të ruajtur ungjillin (II Timoteut 1:14).
  • Në të, ne, po ashtu, shijojmë atë që quhet “përbashkësia e Frymës së Shenjtë” (II Korintasve 13:13; Efesianëve 4:3–4; Filipianëve 2:1; Hebrenjve 6:4) me të tjerët që e kanë të njëjtin Frymë brenda tyre.

“Është një karakteristikë e doktrinës së veprës së Frymës”, thotë Sanders-i, “se ajo shprehet përmes listave, listave mrekullisht të larmishme të veprave të panumërta që bën Fryma e Shenjtë” (f. 162).

Zor se mund t’i përmendim të gjitha “veprat e panumërta” që ai bën në ne dhe për ne. Për ne të krishterët e rilindur, vepra e Frymës në jetët tona, në mendimet tona, në dëshirat tona, në vullnetet tona është shumë më e thellë dhe më e shtrirë sesa mund ta perceptojmë ndonjëherë. Të marrësh Frymën, ta kesh atë, të ecësh në risinë e jetës që prek dhe ndikon gjithçka, dhe, megjithatë, t’i bësh të gjitha këto gjëra në një mënyrë që vëmendja nuk bie gjithmonë mbi të.

Të flasësh rreth Frymës është pa dyshim diçka e vështirë. Mirëpo sa mirënjohës duhet të jemi që e kemi atë! Ne mund të jetojmë me sigurinë e shenjtë që Ndihmësi i mbinatyrshëm banon në ne. Sa e mrekullueshme është që e kemi Frymën e Shenjtë!

David Mathis (@davidcmathis) është drejtori ekzekutiv i shërbesës “Desiring God” dhe pastori i kishës “Cities Church”. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit “A Little Theology of Exercise: Enjoying Christ in Body and Soul” (2025). Lexoni më tepër rreth Davidit.