“…nuk varet nga ai që dëshiron dhe as nga ai që vrapon, por nga Perëndia që mëshiron.” ROMAKËVE 9:16

Perëndia nuk është i lidhur nga zakonet e krijuara prej njeriut dhe nuk është aspak i detyruar që të përshtatet me pritshmëritë tona.

Ndoshta kjo nuk duket askund tjetër më mirë se në jetën e Esaut dhe të Jakobit. Esau ishte i parëlinduri i Isakut, babai i të cilit, Abrahami, ishte zgjedhur nga Perëndia për të qenë mbartësi i premtimeve të Tij, që do të bënte një popull për Veten e Tij dhe do të sillte bekim në botën e Tij (Zanafilla 12:1-3). Si trashëgimtar sipas zakonit, Esau normalisht do të kishte marrë bekimin dhe trashëgiminë e Isakut, pikërisht ashtu siç i kishte trashëguar Isaku këto gjëra nga atij i tij, Abrahami.

Përkundrazi, Perëndia zgjodhi Jakobin, vëllanë e Esaut, binjakun më të vogël, që të merrte njëherazi bekimin dhe trashëgiminë.

Jakobi jo vetëm që ishte më i vogël, por ishte gjithashtu një person jo fort i mirë dhe emri i të cilit, në fakt, do të thotë “ai mashtron”. Duket si e pabesueshme që ai të zgjidhej — megjithatë, linja e premtimit duhej të kalonte përmes Jakobit, dhe pasardhësit e tij u bënë kombi i Izraelit, populli i Perëndisë.

Ndonjëherë përleshem me këtë koncept, teksa vras mendjen pse Perëndia zgjodhi Jakobin. Kjo më duket e padrejtë! Megjithatë, Bibla na thotë se, edhe pse nuk kishte gjasa që Jakobi të zgjidhej, Perëndia vendosi që më parë, që t’i përmbushte premtimet e Tij përmes Jakobit dhe jo përmes Esaut: “…se akoma pa u lindur binjakët dhe pa bërë diçka të mirë apo të keqe, që të mbetej qëllimi i Perëndisë sipas zgjedhjes, pra jo prej veprash, po prej atij që thërret…” (Romakëve 9:11-12). Kur zgjodhi Jakobin, Perëndia po përmbushte qëllimet e Tij të përjetshme. Ai, gjithashtu, po na mësonte këtë parim: Perëndia nuk zgjedh mbi bazën e meritës. Asnjëri prej nesh nuk e meriton t’i përkasë Atij.

Pikërisht këtu i ngatërrojmë ndonjëherë gjërat. Ne shohim Jakobin dhe vrasim mendjen se përse u zgjodh ai, kur, në fakt, duhet të shohim Perëndinë dhe të mahnitemi me mëshirën e Tij. Ai thotë: “…Do të mëshiroj këdo që të mëshiroj dhe do të kem dhembshuri për këdo që të kem dhembshuri” (Romakëve 9:15). Në mëshirën e Tij, Perëndia na thërret edhe ne, ndonëse jemi të padenjë.

Kur e kuptojmë plotësisht hallin tonë të madh para se të bëhemi fëmijë të Perëndisë — rebelimin tonë, i cili meriton dënim, zemërim dhe vdekje — ne mund të fillojmë të kuptojmë madhështinë e dashurisë dhe të mëshirës së Perëndisë ndaj nesh. Ne nuk pyesim më pse Perëndia nuk u tregon mëshirë disa njerëzve; ne nisim të mahnitemi se pse Perëndia i tregon mëshirë ndokujt. Fakti që Ai na ka bërë trashëgimtarët e Tij dhe fëmijë të Perëndisë, kthehet në një arsye për mirënjohje të thellë.

Ju nuk bëtë asgjë për ta fituar favorin e Mbretit. Nuk është se bëtë ndonjë shpagim për rebelimin tuaj. Ka vetëm një bazë mbi të cilën jeni birësuar në familjen e Tij: kjo është mëshira e Tij, të cilën Ai jua ka dhënë lirshëm, edhe pse kurrë nuk e merituat. E thënë me fjalët e shkrimtarit të himnit: “Jezusi pagoi gjithçka.”1 Kjo e vërtetë do t’ju mbajë të përulur kur ditët të jenë të mira, dhe shpresëplotë kur të ballafaqoheni me mëkatin tuaj; shpëtimi nuk ka të bëjë kurrë me meritën tuaj, por gjithmonë ka të bëjë vetëm me mëshirën e Tij.

  1. Elvina M. Hall, “Jesus Paid It All” (1865). ↩︎