“Mjerë ai që i thotë drurit: ‘Zgjohu!’, apo gurit të heshtur: ‘Çohu!’. A mund t’ju mësojë ai diçka? Ja, është i mbuluar me ar dhe me argjend, por në të nuk ka asnjë frymë jete. Por ZOTI është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij.” HABAKUKU 2:19-20
Bota rreth Habakukut ishte e trazuar dhe dukej se ishte përtej pikës së ripërtëritjes. Vetë zemra e tij ishte thellësisht e trazuar dhe e shtyu atë që ta pyeste Perëndinë pse po i lejonte Ai të gjitha ato që po ndodhnin (Habakuku 1:2-3). Profeti dëshironte fort që të bëhej diçka. Ai dëshironte përgjigje. Ai dëshironte ndryshim. Perëndia i tha Habakukut: Mbaj mend që Unë ende mbretëroj. Mbaj mend se kush jam Unë dhe kush je ti. Perëndia ishte ende i pranishëm “në tempullin e tij të shenjtë”, duke mbretëruar me sovranitet mbi gjithë tokën. Ai tashmë i kishte caktuar mjetet përmes të cilave do të përmbushej vullneti i Tij. Për të pranuar këtë, Habakukut i bëhet thirrje të tregojë përulësi dhe të rrijë në heshtje. Edhe pse ai kishte pyetje dhe ankesa, edhe pse u lejua që t’i sillte ato para Perëndisë, mbi gjithçka tjetër, ai kishte nevojë që të zgjidhte të dëgjonte atë që thoshte Perëndia dhe të mendonte për fjalët e Tij.
Këtë thirrje për të qëndruar në heshtje e gjejmë në të gjithë Shkrimin. Perëndia thotë përmes psalmistit: “Ndaluni [rrini në heshtje] dhe pranoni që jam Perëndi…” (Psalmi 46:10). Në Besëlidhjen e Re, kur Jezusi qëndroi para Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit mbi Malin e Shndërrimit, i veshur me lavdinë e Tij qiellore, dhe Pjetri i trembur shqiptoi gjënë e parë që i erdhi në mendje, kjo ishte thirrja hyjnore që dëgjuan dishepujt: “…Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin gjeta pëlqim; dëgjojeni!” (Mateu 17:5 theksimi i shtuar).
Kur kohët janë të vështira, disa prej nesh, prej karakterit, reagojnë si aktivistë: problemi duhet të mposhtet, prandaj ne hidhemi menjëherë në veprim për të gjetur një zgjidhje. Të tjerë prej nesh reagojnë si pesimistë: problemi nuk mund të mposhtet, prandaj ne thjesht biem poshtë tij ose e humbasim kohën me veprimtari për t’iu larguar problemit. Në të dyja rastet, reagimi ynë nxitet nga fakti që nuk po rrimë në heshtje para Perëndisë, për të dëgjuar fjalët e Tij dhe për të menduar për to. Ne jetojmë në një botë me zhurmë të vazhdueshme: fjalë, fjalë, fjalë — dërdëllitjet e ekspertëve, të profesorëve dhe të politikanëve. Mirëpo nëse nuk dëgjojmë Perëndinë, ne do të përfundojmë duke u mbështetur te një idhull që nuk mund të flasë (Habakuku 2:18-19). Idhujt nuk mund të flasim me të vërtetë për jetën tonë ose për rrethanat në botën tonë.
Kur në jetën tonë vijnë ditë të vështira, Habakuku na kujton: “…tërë dheu le të heshtë përpara tij.” Ne nuk i kemi të gjitha përgjigjet dhe as ekspertët nuk i kanë. Nuk është gabim të bësh pyetje ose të kërkosh zgjidhje, por është gabim nëse kjo gjë ndodh në kurriz të qëndrimit në heshtje për të dëgjuar fjalën e Perëndisë dhe për t’ia vënë veshin zërit të Tij. Pavarësisht se çfarë po ndodh rreth nesh, ajo që na nevojitet më shumë është të kujtojmë që Zoti është në tempullin e Tij të shenjtë, duke e drejtuar historinë nga froni i Tij, për të mirën e popullit të Tij. Ky është themeli mbi të cilin mund të ngremë një kuadër për të kuptuar atë që po bën Perëndia në botën përreth nesh.
A ndihesh sikur kombet po ziejnë dhe mbretëritë po tronditen? A po lëvizin malet dhe a po fryhen valët (Psalmi 46:2-3, 6)? Rri në heshtje dhe prano që Perëndia është Perëndi, dhe dëgjoje Atë.