“…Jam Ruthi, shërbëtorja jote; shtrije skajin e mantelit tënd mbi shërbëtoren tënde, sepse ti gëzon të drejtën e shpengimit.” RUTHI 3:9
Kjo është një e vërtetë që shkakton gjithë ndryshimin: ju keni një të afërm shpengues. Kapitulli i dytë i Ruthit mbyllet me Naomin që zbulon se Boazi është një farefisi i tyre dhe “një njeri që ka të drejtë [t’i] shpengojë” (Ruthi 2:20). Shumë kohë para se të ndodhte historia e Ruthit, Perëndia kishte themeluar disa praktika të cilat do ta ndikonin jo vetëm atë, por edhe popullin e Izraelit bashkë me gjithë njerëzit e Tij gjatë historisë së shpengimit.
Dy praktikat shekullore të Besëlidhjes së Vjetër, të cilat kemi nevojë që t’i kuptojmë për të vlerësuar kontekstin dhe gëzimin e kësaj historie, janë martesa mes kunetërve dhe praktika e goel-it. Martesa mes kunetërve rregullonte zakonet e rimartesës mes izraelitëve, në mënyrë që kur një burrë të vdiste pa lënë fëmijë, emri dhe linja e tij familjare të mos përfundonin bashkë me të, apo të rrezikoheshin nga tekat e njerëzve të tjerë (Ligji i Përtërirë 25:5-10). Kurse goel-i është një folje në hebraisht që do të thotë “të rikthesh ose të shpengosh” dhe shpesh përkthehet (më mirë) si “i afërm shpengues”. Ligji i Moisiut e parashtron këtë përgjegjësi te Levitiku 25, ku jep udhëzime për një të afërm që mund të tregojë kujdes dhe të sigurojë për një anëtar më fatkeq të familjes në rrethana të caktuara. I afërmi shpengues kishte përgjegjësi për të bërë gjithçka që ishte e nevojshme, për të siguruar tokën dhe për të mbështetur të afërmin e tij.
Me gatishmëri, Boazi i zbatoi të dyja këto zakone, duke siguruar dhe duke u kujdesur për Naomin dhe Ruthin në cenueshmërinë dhe nevojën e tyre. Boazi jo vetëm që ishte një nga paraardhësit e Jezusit, por, në këtë gjë, ai shërbeu si një hije e Krishtit që do të vinte si i Afërmi ynë Shpengues.
Ashtu siç u shtri Ruthi te këmbët e Boazit, në nevojë të thellë dhe e varur te kujdesi i tij, kështu edhe ne biem te këmbët e Krishtit, duke kërkuar mëshirën e Tij. Ashtu siç e trajtoi Boazi Ruthin, po kështu e trajton edhe Krishti çdo mëkatar që vjen tek Ai i penduar, duke i mbuluar ata me gjakun e besëlidhjes, përmes të cilit Ai na mirëpret në gjithë paqen, sigurinë dhe kënaqësinë e të qenët nën krahët e Tij (Psalmi 91:4). Ai na i lehtëson pikëllimet, na i qetëson frikërat dhe na e than çdo lot. Ruthi erdhi te Boazi si një e huaj skamëse dhe u pasurua nga të gjitha bekimet e tij. Ne vijmë te Jezusi me varfëri frymërore dhe bëhemi bashkëtrashëgimtarë me Të (Romakëve 8:17). Ashtu siç e mori Boazi Ruthin dhe e bëri nusen e tij, po kështu edhe Krishti na merr ne dhe na bën nusen e Tij (Zbulesa 19:7-8).
Bibla është e mbushur plot me shembuj se si Perëndia siguron për popullin e Tij dhe i ruan ata, madje shumë kohë përpara se ata ta kuptojnë që kanë nevojë. Plani shpengues i Perëndisë për Ruthin në Izrael dhe për gjithë njerëzit e Tij gjatë gjithë historisë u paraqit jo vetëm që nga themelimi i rolit të të afërmit shpengues, por që nga fillimi i kohës (Efesianëve 1:3-7).
Sot, qëndro i sigurt se Jezusi është Dhëndri dhe i Afërmi Shpengues i kishës së Tij. Të jesh i bindur se Ai ka marrë përsipër përgjegjësinë për të bërë gjithçka që është e nevojshme, që të kujdeset dhe të sigurojë për ty, dhe të të sjellë të shëndoshë e mirë në tokën e Tij të përjetshme të premtimit. Të jesh i bindur se, pavarësisht se çfarë sulmesh mund të vijnë kundër teje, nga brenda ose nga jashtë, ti je i sigurt nën krahët e Tij.