“Kur tre miq të Jobit mësuan tërë këto fatkeqësi që kishin rënë mbi të, erdhën secili nga vendi i vet… Pastaj u ulën pranë tij për shtatë ditë e shtatë net dhe asnjë nuk i drejtoi qoftë edhe një fjalë të vetme… Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha: ‘A do të të bezdiste ndokush në rast se do të provonte të të fliste? Por kush mund t’i ndalë fjalët?’.” JOBI 2:11, 13; 4:1-2
Miqtë e Jobit na tregojnë se si të reagojmë kur dikush është duke kaluar përmes thellësive të dhimbjes dhe të pikëllimit — dhe pastaj na tregojnë se si të mos reagojmë.
Miqtë e Jobit e panë nga afër thellësinë e vuajtjes së tij dhe e patën të vështirë që t’i jepnin ndonjëfarë ngushëllimi përmes fjalëve të tyre. Reagimi i tyre përfundimtar ishte shumë retorik dhe aspak i dobishëm.
Ka një rrezik të madh kur komentojmë mbi vuajtjen ose kur flasim me dikë që po vuan, nëse ne vetë nuk kemi përjetuar diçka të ngjashme ose nuk kemi kaluar kohë për t’i dëgjuar mirë ata dhe për t’iu lutur përulësisht Perëndisë. Te Jobi 16, po këta miq përshkruhen si ngushëllues të mjerë — si ata që mund të “[radhitnin] fjalë” kundër Jobit, dhe fjalët e të cilëve nuk kishin të sosur (16:4).
Në kërkim të një kure të menjëhershme dhe një përgjigjeje të shpejtë për vuajtjet e Jobit, miqtë e tij hodhën një sërë akuzash kundër tij. Zofari, në veçanti, i kujtoi Jobit se meritonte të vuante më shumë nga sa po vuante në atë çast (Jobi 11:4-6). Në të njëjtën mënyrë, Elifazi sugjeroi se ndoshta Jobi ishte larguar nga Perëndia dhe kishte nevojë që ta dëgjonte Atë me më shumë kujdes (22:21-23). Këta burra përqafuan një qasje jashtëzakonisht të thjeshtëzuar ndaj vuajtjeve të Jobit — një qasje që më shumë lëndoi sesa shëroi. Ata ishin të shpejtë për të sulmuar dhe e kishin gati përgjigjen për çdo vajtim të Jobit. Kur Elifazi e pyeti, në fillim të fjalimit të tij: “Kush mund t’i ndalë fjalët?”, ai duhej të ishte përgjigjur: “Unë”!
Jobi po i kritikonte në lidhje me këshillat e tyre: “…sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë. Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte urtësia juaj” (Jobi 13:4-5). Në fakt, pikërisht këtë kishin bërë miqtë e tij — si fillim. Ata ishin ulur përkrah tij për një javë të tërë pa folur.
Në përjetimin e vuajtjes, heshtja në praninë e atij që po vuan, është shpesh një ndihmë shumë herë më e madhe se fjalët. Është shumë e mundur që Jobi do të kishte përjetuar një ngushëllim më të madh dhe shoqëri më të thellë nëse miqtë e tij do të kishin ruajtur reagimin e tyre fillestar: të uleshin bashkë me të përtokë dhe të mos shqiptonin as edhe një fjalë të vetme.
Shpesh heshtja është përbërësi që mungon në reagimin tonë ndaj vuajtjes. Edhe pse sigurisht që ky nuk është reagimi i vetëm që nevojitet, ai është shumë i nënvlerësuar si reagim. Nëse përpiqemi, pa pasur asnjë agjendë, që të shkëputemi nga e gjithë zhurma rreth nesh dhe të dëgjojmë zërat e vuajtjes, ne mund të përparojmë shumë herë më tepër në atë përsiatje të heshtur sesa mund ta imagjinojmë. Pastaj mund të kemi gjëra shumë herë më të dobishme për të thënë, si në atë që themi, ashtu edhe në mënyrën se si e themi. Sigurisht që Jobi mendoi kështu. A ka ndonjë njeri të cilin mund ta bekosh me praninë tënde këtë javë pa thënë asnjë fjalë?