Si mundet një Perëndi i dashur të dërgojë njerëz në ferr?

Qershor 2020


Ideja e zemërimit të Perëndisë duket e huaj për ne, si një relikt i dëmshëm psikologjikisht nga lashtësia. Por ashtu si ne nuk mund t’i çlirojmë njerëzit nga përgjegjësia morale pa u hequr gjithashtu aftësinë për të dashur, po ashtu dashuria e Perëndisë nuk mund të ndahet prej gjykimit të Tij. Mendo për zemërimin që ndien kur sheh të vriten fëmijë, gra që përdhunohen, ose njerëz që keqtrajtohen për shkak të ngjyrës së lëkurës. Mendo për zemërimin që ndien për tregtinë e skllevërve, për Holokaustin, dhe për trafikimin seksual global. Nëse e analizon zemërimin, rrënja e tij është dashuria. Kush i konsideron racat e tjera si inferiorë, nuk interesohet për shfrytëzimin racor. Kush beson se gratë dhe fëmijët janë pronë, nuk shqetësohet për abuzimin seksual. Dhe sa më shumë duam të tjerët, aq më shumë ndizet zemërimi. Nxitojmë të mbrojmë fëmijët tanë edhe nga rreziku më i vogël sepse i duam: kushdo që i lëndon, nxit tërbimin tonë.

Përfytyro pak si ky lloj zemërimi i nxitur nga dashuria është i rrënjosur aq thellë në zemrën e Perëndisë, saqë përkushtimi yt ndaj drejtësisë është si një pikë uji në oqean, si një fëmijë i vogël me uniformën e policit përballë gjykatësit të Gjykatës së Lartë. Ashtu siç edhe Agari e kuptoi, se Perëndia është Ai që shikon (Zanafilla 16:13). Zemërimi i Perëndisë ndaj Holokaustit, zemërimi i Perëndisë ndaj tregtisë së skllevërve, zemërimi i Tij ndaj abuzimit, vrasjeve, mizorive dhe neglizhimit, i gjithi u derdh mbi Jezusin në kryq. Kjo ishte vuajtja që po kalonte: jo gozhdët në duart e Tij.

Por vetëm ky fakt nuk e shpjegon logjikën e kryqit. Edhe nëse duhet paguar çmimi për një botë plot me mëkate, çfarë ndryshimi sjell derdhja e zemërimit mbi një njeri plotësisht të pafajshëm? A nuk është kjo forma më e keqe e padrejtësisë? Përpara se të kuptojmë logjikën e kryqit, duhet të kuptojmë kush është Jezusi në lidhje me Perëndinë dhe në lidhje me ne.

Së pari, sipas Biblës, Jezusi nuk është viktima pasive e zemërimit të Perëndisë. Ai është Vetë Perëndia. Kështu që, në kryq, Jezusi është edhe ekzekutuesi edhe i dënuari. Njerëzit ndonjëherë e lidhin Perëndinë Atë me Dhiatën e Vjetër, duke e konsideruar si të zemëruar dhe hakmarrës, dhe Perëndinë Bir, Jezusin, me Dhiatën e Re, duke predikuar dashurinë, mëshirën dhe faljen. Por ndërsa Perëndia me siguri vepronte me gjykim përgjatë Dhiatës së Vjetër, Ai gjithashtu ishte “i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri” (Eksodi 34:6).  Ai është si një bashkëshort i dashur, që tregon gjithnjë mëshirë ndaj gruas së tij jo besnike (Isaia 62:4-5); si një nënë që e mban dhe e ushqen fëmijën e saj (Isaia 49:15); si një baba, që i merr fëmijët pranë vetes (Osea 11:3-4). Në të njëjtën mënyrë, ndërsa Jezusi shfaq vazhdimisht dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë, Ai gjithashtu thekson gjykimin e Perëndisë më shumë se çdo profet i Dhiatës së Vjetër. Dhe Jezusi është i qartë: Ai do të gjykojë gjithë njerëzimin.

Në librin e fundit të Biblës, metafora delikate dhe e butë e përdorur për të përshkruar Jezusin, bëhet imazhi i një gjykimi tmerrues. Zbulesa përshkruan një kohë kur njerëzit do t’u thonë maleve: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit, sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tij; dhe kush mund të qëndrojë?” (Zbulesa 6:16-17). Zemërimi i Perëndisë është zemërimi i Jezusit, Qengjit. Në kryq, Ai që ishte plotësisht i drejtë, plotësisht i dashur, plotësisht i pafajshëm u përball me forcën e plotë të gjykimit të Perëndisë, e piu dhe hodhi tej kupën. Sipas stenografisë* biblike, Ai shkoi në ferr.

Së dyti, ashtu si Jezusi është i pandashëm nga Perëndia, me zemërimin e të cilit përballet në kryq, po ashtu Ai është i pandashëm nga ne, nëse e vendosim besimin tek Ai. Kisha është një metaforë për trupin e Krishtit dhe për kuptimin që ai mbart për të krishterët në raport me njëri-tjetrin. Por, një aspekt jetësor i kësaj të vërtete është se, nëse i besojmë Jezusit, ne jemi po aq të pandarë nga Ai sa është trupi nga koka.

Ndërsa shkruaj këto fjalë, gishtat po shtypin. Por ata nuk po veprojnë në mënyrë të pavarur. Nëse ajo që kam shkruar ju duket ofenduese, nuk mund të fajësoni vetëm gishtat. Ofendimi vjen prej meje. Në të njëjtën mënyrë, Jezusi nuk është një spektator i thjeshtë, që vetëm pagoi për mëkatet tona. Nëse kemi vënë besimin tek Ai, Ai është Koka jonë: çdo ligësi e zemrës sonë është vendosur tek Ai, shlyer përmes vdekjes së Tij, dhe secila prej veprave të Tij të bukura të dashurisë është derdhur në llogarinë tonë. Të gjithë e kemi refuzuar Perëndinë dhe meritojmë refuzimin e Tij. Zgjedhja që kemi është kjo: të përballemi vetë me ferrin ose të fshihemi pas Krishtit.

Kuptimi i vërtetë i qiellit dhe ferrit

Priremi të mendojmë për qiellin dhe ferrin si vende dërgimi. Disa përfytyrojnë se destinacioni ynë varet nga veprat: nëse jemi përgjithësisht “njerëz të mirë,” presim qiellin, ndërsa njerëzit e këqinj si Hitleri dhe Stalini vuajnë në ferr. Të tjerë mendojnë se krishterimi e bën ndarjen e njerëzve në mënyrë rastësore sipas miratimit të tyre për deklarata të caktuara. Ata që kanë qenë me fat dhe kanë dëgjuar për Jezusin dhe arrijnë të besojnë se Ai vdiq në vendin e tyre, shkojnë në qiell. Ata që nuk kanë dëgjuar, apo kanë preferenca të tjera fetare, ose thjesht janë shumë të zgjuar për të besuar këtë histori të çmendur të një njeriu të ringjallur, dërgohen në një vend të quajtur ferr. Por Bibla tregon një histori ndryshe.

Në aspektin biblik qielli nuk është një vend. Është një stenografi e bekimit të plotë të marrëdhënies me Perëndinë. Është djali plangprishës që kthehet në shtëpi. Është nusja që dhëndri e përqafon me lot gëzimi. Është qielli i ri dhe toka e re, ku njerëzit e Perëndisë me trupa të rinj, të ringjallur, do të shijojnë përjetësinë me Të në një intimitet të tillë që as martesa më e mirë njerëzore nuk mund të japë më shumë se një çast. Qielli është shtëpia: mishërimi i përvojës së një marrëdhënieje të thellë me Perëndinë dhe njerëzit e Tij në një tokë të rikrijuar.

Ferri është e kundërta. Është dera e mbyllur ndaj djalit të pavlerë, certifikata e divorcit që dorëzohet në momentin e pendimit, krimineli që merr shpërblimin e merituar. Nëse Jezusi është Buka e Jetës, humbja e Tij do të thotë vdekje nga uria. Nëse Jezusi është Drita e Botës, humbja e Tij do të thotë errësirë. Nëse Jezusi është Bariu i Mirë, humbja e Tij do të thotë bredhje në vetmi dhe i humbur. Nëse Jezusi është ringjallja dhe jeta, humbja e Tij është vdekje e përjetshme. Dhe nëse Jezusi është Qengji i Perëndisë, që u sakrifikua për mëkatet tona, humbja e Tij do të thotë se duhet ta paguajmë vetë çmimin.

Në novelën klasike ruse ‘Eugen Onegini’, një aristokrat i velur, Onegini, takon në fshat një vajzë të re, të pafajshme. Vajza, Tatjana, i shkruan një letër, duke i ofruar atij dashurinë e saj. Onegini nuk i përgjigjet. Kur takohen sërish, ai e refuzon duke i thënë se letra ishte prekëse, por ama do të mërzitej shumë shpejt nga martesa me të. Vite më vonë, Onegini shkon në një festë në Shën Peterburg dhe sheh një grua jashtëzakonisht të bukur. Ishte Tatjana, por tashmë e martuar. Onegini bie në dashuri me të. Përpiqet me gjithë forcat e tij ta bëjë sërish për vete. Por Tatjana e refuzon. Një herë e një kohë, dera kish qenë e hapur: ajo i ofroi atij dashurinë e saj. Tani ishte e mbyllur.

Për shumë nga ne, është e lehtë të refuzojmë Jezusin tani. Njësoj si letra e Tatjanës për Oneginin, oferta e Tij është prekëse. Por mendojmë se do të jemi më të lumtur pa një përkushtim të tillë. Shqetësohemi se Ai do të na prishë stilin, kështu që vazhdojmë përpara me jetën dhe e lëmë Atë mbrapa në fshatin frymëror. Por një ditë, Bibla paralajmëron, se do të shohim Jezusin në gjithë lavdinë e Tij me sytë që na dhembin para madhështisë së Tij. Në atë moment do të kuptojmë se thesaret tona më të mëdha nuk ishin asgjë përpara Tij, dhe do të pendohemi me hidhërim për atë vendim. Por nuk do të jetë më e padrejtë se refuzimi i Tatjanës ndaj Oneginit. Nëse e pranojmë Jezusin tani, do të jetojmë përjetë me Të në plotësinë e një jete që nuk mundemi as ta përfytyrojmë. Nëse e refuzojmë, edhe Ai do të na refuzojë një ditë, dhe do të shkatërrohemi përjetësisht. Zgjedhja është e jona. Por a është vërtetë?

Liri, jetë dhe dashuri

Mundësia e bashkësisë me Krishtin zgjidh një nyje të fundit të gjendjes njerëzore, një provë që sfidon njësoj edhe të krishterët edhe ateistët. A jemi në të vërtetë të lirë për të zgjedhur? Sam Harris beson se vullneti i lirë është mashtrim: një besim që nuk përshtatet aspak me realitetin. Krishterimi ka një alternativë. Po, veprimet tona ndikohen nga rrethanat (neurologjike ose nga eksperiencat), megjithatë ne kemi përgjegjësi morale për veprimet tona.

Tekste të shumta biblike sugjerojnë se vullnetet tona janë të skllavëruara në disa mënyra siç i përshkruan Harris: ne jemi të lirë të bëjmë ç’të duam, por nuk mund të përcaktojmë vetë dëshirën. Pali na quan “të vdekur në mëkat” derisa të bëhemi “të gjallë në Krishtin.”1 Dhe kufomat nuk mund të zgjedhin. Por, ndërsa në botëkuptimin e Harris nuk ka vullnet të lirë, në botëkuptimin e krishterë ka. Vetë Perëndia është plotësisht i lirë, po ashtu siç është plotësisht i gjallë. Dhe njësoj si jetët tona varen nga jeta e Tij, dhe dashuritë tona varen nga dashuria e Tij, ashtu edhe vullnetet tona varen nga vullneti i Tij.

Një të dhënë të kësaj marrëdhënie e kuptojmë nga shtatzënia. Fëmija në barkun tim tani është vërtetë i gjallë, edhe pse jeta e tij është plotësisht e varur nga e imja. Ai lëviz lirisht brenda barkut tim. Por ai nuk kontrollon vendndodhjen e tij: ku shkoj unë, shkon dhe ai. Kështu, unë jam plotësisht i gjallë dhe i lirë jo i pavarur nga Jezusi por i rrethuar prej Tij. Ashtu si për fëmijën tim largimi nga unë do të sillte vdekje, edhe largimi nga Krishti nuk do të ishte liri dhe jetë për mua, por një moment përpëlitje përpara vdekjes. Duke qenë brenda meje, i varur nga gjaku im, i mbrojtur nga imuniteti im, dhe i mbështjellë nga dashuria ime, djali im, është i bashkuar me mua në një mënyrë të prekshme. Meqenëse besoj në Jezusin, në mënyrë të ngjashme unë varem prej Tij. Atje ku Jezusi shkon, shkoj dhe unë. Nëse Ai jeton, jetoj dhe unë. Ai vdiq për mua dhe mori ndëshkimin tim. Ai është ringjallja dhe jeta ime. 2

*stenografi: Mënyrë për të shkruar me shpejtësi ligjërimin e dikujt, duke përdorur shkurtime të thjeshtuara për fjalët dhe shenja të posaçme.

Shënime:
1.Shih, p.sh., Efesianëve 2:1-7; Kolosianëve 2:13-14.
2.Shih, p.sh., Efesianëve 2:1-7; Kolosianëve 2:13-14.

Ky artikull është përshtatur nga Confronting Christianity: 12 Hard Questions for the World’s Largest Religion (Të Përballesh me Krishterimin: 12 pyetje të vështira për fenë më të madhe në botë) nga Rebecca McLaughin.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/how-could-a-loving-god-send-people-to-hell/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2020

EtiketaCrossway, Ungjilli

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>