Qendërsia e Ungjillit: Një paralajmërim dhe një rekomandim

kiwihug-9uL9h8zaBc0-unsplash

Si mund të shkosh përtej ungjillit pa e braktisur ungjillin? Nga ana tjetër, nëse ungjilli është kaq i gjithë-rëndësishëm, a kemi nevojë të “shkojmë përtej” ungjillit në ndonjë farë kuptimi?

Këto janë dy nga pyetjet të cilat ngrihen nga kjo lëvizje me zë gjithnjë e më të qartë për qendërsinë e ungjillit mes ungjillorëve.

Javën e fundit konsiderova një kundërshtim të mundshëm ndaj kësaj lëvizjeje. Në këtë artikull do të trajtoj këto dy pyetje. Njëra na jep një rekomandim dhe tjetra një paralajmërim.

Së pari, duhet të them që unë mendoj se fokusi dukshëm në rritje i ungjillorëve tek ungjilli është një prirje e mrekullueshme. Gjithë këta zëra të shumtë kanë të drejtë të na thonë që ungjilli është qendror për shenjtërimin, që pjesët dëftuese janë baza për ato urdhëruese, dhe që nuk shkojmë përtej ungjillit por më thellë në ungjill. Të gjitha këto janë argumente thellësisht biblike.

DY “IZMA” UNGJILLORE: ESENCIALIZMI DHE REDUKTIONIZMI

Por disa mund të thonë, “Nëse ungjilli është kaq i gjithë-rëndësishëm, a kemi nevojë të ‘shkojmë përtej’ tij në ndonjë farë kuptimi?”

Ungjillorët janë thellësisht esencialistë. Për një larmi arsyesh të kushtëzuara historikisht, na pëlqen që t’i thjeshtojmë gjërat në minimumin e tyre thelbësor dhe të vazhdojmë me jetën. Sikurse kam dëgjuar të thuhet shpesh, ne priremi të kemi dy marsha, esencial dhe i parëndësishëm.

Prandaj, një rrezik me këtë lëvizje është që nëse ungjilli zë kategorinë “esenciale” (dhe kështu duhet të jetë!), atëherë gjithçka tjetër do të vendoset tek koshi “e parëndësishme”.

Herë pas here dëgjoj tregues të vegjël të kësaj në paralajmërime për të mos lejuar asgjë që ta eklipsojë, ta mbulojë apo ta zhvendosë ungjillin në periferi në jetën dhe kishat tona. Paralajmërime të tilla janë të nevojshme dhe qëllojnë në shenjë, por nëse nuk sigurojmë një kategori të tretë mes esenciales dhe të parëndësishmes, vetë ungjilli do jetë në rrezik. Nuk mund ta ruani dot ungjillin thjesht duke u fokusuar tek ungjilli. Ka lloj-lloj doktrinash dhe praktikash të dhëna nga Perëndia të cila janë të nevojshme për këtë qëllim, dhe nëse i neglizhojmë i bëjmë dëm vetes.

Për shembull, doktrina e Trinitetit është e pandashme nga ungjilli. Ati, Biri dhe Fryma, secili prej tyre përmbush një rol të dallueshëm në shpëtim, gjë e cila do të thotë që çdo shtrembërim që i bëhet Trinitetit është një shtrembërim edhe i ungjillit.

Një shembull tjetër: vërtetësia e Shkrimit na jep një themel të fortë epistemologjik për ungjillin. Besimi ynë në Krishtin është mbështetur mbi vërtetësinë dhe besueshmërinë e Fjalës së Perëndisë.

Për sa u përket praktikave për mbrojtjen e ungjillit, konsideroni anëtarësinë dhe disiplinën e kishës. Sikurse ka thënë edhe Jonathan Leeman, anëtarësia e kishës i tregon botës se kush e përfaqëson Jezusin dhe disiplina e kishës mbron emrin e Jezusit.

Anëtarësia e kishës shënjon grupin e njerëzve që i përkasin ungjillit. Ajo i tregon botës, “Këta  janë njerëzit e ungjillit. Ky është populli i ri që krijon ungjilli.”

Dhe disiplina e kishës e ruan imazhin e ungjillit të cilin kisha ia shfaq botës. Kjo e ruan kishën nga paraqitja e një tabloje false të ungjillit përpara kombeve që shohin. Ajo e bën këtë duke thënë se çfarë nuk është një i krishterë: “Kjo nuk është jeta që rrjedh prej ungjillit.”

Për më tepër, sikurse ka thënë edhe dikush, disiplina e kishës është ungjilli në veprim. Në Krishtin, Perëndia nuk na lë në mëkatin tonë. As ne nuk duhet t’i lëmë anëtarët e kishës tonë në mëkatin e tyre. Përkundrazi, duhet të lëvizim drejt tyre me qortim të dashur dhe me ofertën falas të faljes së Krishtit.

Këto doktrina dhe praktika, bashkë me shumë të tjera, janë të lidhura ngushtë me ungjillin. Ato janë të lidhura në mënyrë organike me të. Nuk mund t’i neglizhojmë ato pa shkaktuar ndonjë lloj dëmi në kuptimin dhe dëshminë tonë për ungjillin.

Prandaj tani ja cili është paralajmërimi im: mos e lejoni qendërsinë tuaj të ungjillit të bëhet esencializëm i ungjillit, gjë e cila të çon në reduktionizëm të ungjillit. Po, bëjeni ungjillin qendrën e jetës tuaj, dhe qendrën e jetës së kishës tuaj. Por mos e bëni të tingëllojë sikur ungjilli është e vetmja gjë që ka rëndësi.

BËNI LIDHJET

Në pyetjen e parë: si të shkojmë përtej ungjillit pa e braktisur ungjillin? Me fjalë të tjera, si t’i predikojmë dhe praktikojmë këto gjëra pa e lënë ungjillin pas?

Ja cili është rekomandimi im: e bëjmë këtë gjë duke bërë vazhdimisht lidhjet mes ungjillit dhe doktrinës dhe praktikës tonë.

E kemi bërë tashmë këtë gjë në këtë artikull. Triniteti, autoriteti biblik, anëtarësia e kishës, dhe disiplina e kishës janë të lidhura në mënyrë organike me ungjillin. Po kështu janë edhe dhjetra doktrina dhe praktika të tjera kritike.

Mënyra sesi një udhëheqës kishe mund të shkojë përtej ungjillit pa e braktisur ungjillin është t’i bëjë të dukshme këto lidhje organike në predikimin dhe mësimin e tij. Mënyra për t’u fokusuar në çështje të tjera pa e humbur fokusin tonë tek ungjilli është duke gjurmuar marrëdhënien e tyre me ungjillin.

Prandaj, mësoni për pleqtë e kishës, prindërimin, eskatologjinë, njohjet dhe pagëzimin nën dritën e ungjillit, dhe në një mënyrë që tregon se si secila prej këtyre lidhet me ungjillin. Në këtë mënyrë doktrinat dhe praktikat e tjera nuk do të konkurrojnë me ungjillin. Përkundrazi, ato do të radhiten krah për krah tij. Mos e lejoni qendërsinë tek ungjilli që të bëhet reduktionizëm i ungjillit. Përkundrazi, bëni lidhjet mes ungjillit dhe gjithçkaje tjetër, përfshirë këtu edhe strukturën dhe jetën e përbashkët të kishës lokale.

%d bloggers like this: