Maj 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
Aaron Garriott
Ashtu si Letra e Parë drejtuar Korintasve, edhe Letra e Dytë trajton një mori çështjesh teksa i drejtohet një kishe që vuan nga imoraliteti, nga mësuesit e rremë, ndasitë sektare (tarafet) dhe konfuzioni teologjik. Në këtë letër shfaqen qartë përkujdesja dhe interesi i apostullit Pal për kishën e Korintit. Le të shqyrtojmë tri tipare të rëndësishme të kësaj letre që na ndihmojnë për ta kuptuar dhe për ta vënë në zbatim mesazhin e saj të gjithmbarshëm.
1. Letra e Dytë drejtuar Korintasve përbën pikën kulmore të marrëdhënieve intensive të Palit me kishën e Korintit.
Themelimi i kishës në Korint (rreth vitit 52 pas Krishtit) ndodhi gjatë udhëtimit të dytë misionar të Palit (shih Veprat e Apostujve 18:1–11). Luka na thotë se Pali qëndroi në Korint për më tepër se tetëmbëdhjetë muaj. Duket se me t’u larguar Pali nga Korinti për në Antioki, brenda bashkësisë së re u shfaqën probleme të rëndësishme. Pali mori vesh për praninë e këtyre problemeve teksa ishte në Efes gjatë udhëtimit të tretë misionar (shih Veprat e Apostujve 19). Sipas të gjitha gjasave, 2 e Korintasve është letra e katërt që Pali i kishte drejtuar kësaj kishe brenda një periudhe prej pak a shumë dy vjetësh:
Letra 1: “letrën time” (e humbur) (shih 1 e Korintasve 5:9)
Letra 2: 1 e Korintasve
Letra 3: letra “e ashpër” (e humbur) pas vizitës me “trishtim” (shih 2 e Korintasve 2:3–4; 7:8–12)
Letra 4: 2 e Korintasve
Pali e dërgoi letrën “e ashpër” përmes Titit, i cili u kthye te ky i fundit me lajmin e gëzueshëm të pendimit të kishës dhe të besnikërisë së saj ndaj apostullit dhe mësimit apostolik. Kështu që 2 e Korintasve shënon pikën kulmore “të lumtur” (megjithëse jo të përsosur) të marrëdhënies së ndërlikuar mes apostullit dhe besimtarëve korintas. Gëzimi i Palit pas lajmeve të marra nga Titi, rreth mirëqenies së Korintasve (shih 2 e Korintasve 7:6–7), dëshmon rreth gjërave që apostulli vlerësonte lidhur me jetën e kishës. Këto përfshijnë paqen, dëlirësinë dhe unitetin e kishës (duke përfshirë këtu disiplinën kishtare), si dhe sjelljen etike, përulësinë dhe administrimin bujar të të krishterëve. Duke pasur parasysh se apostulli ishte kaq i interesuar që kjo kishë t’i zotëronte dhe t’i shfaqte këto cilësi, edhe ne duhet të punojmë për ta bërë të njëjtën gjë në kishat tona dhe në jetën tonë të krishterë gjithashtu.
2. Letra e Dytë drejtuar Korintasve ofron një mbrojtje të fuqishme të shërbesës apostolike të Palit.
Pali bën çdo përpjekje të mundshme për të demonstruar se apostullimi e tij është i mirëfilltë, duke e vendosur veten përballë me “apostuj më të lartë” të rremë (2 e Korintasve 11:5), sepse atij i është ngarkuar dhe i është besuar prej vetë Zotit të ringjallur dhe të lartësuar Jezu Krisht, detyra që të flasë në emër të Tij (shih 2 e Korintasve 5:18; 13:3). Ai e bën këtë duke folur gjerë e gjatë rreth temave të dobësisë dhe vuajtjes (2 e Korintasve 11:29–30; 12:1–10; 13:4), besëlidhjes së re (2 e Korintasve 3), si dhe shërbesës së krishterë (2 e Korintasve 5–6), duke demonstruar se shërbesa e tij apostolike përputhet në mënyrë të përkryer me shërbesën dhe natyrën e Zotit Jezus dhe karakterizohet nga ajo që bota e sheh si mangësi, por që Perëndia e vlerëson si besnikëri (më poshtë do të gjeni më tepër rreth kësaj teme). Pali është i paepur në mbrojtjen e apostullimit të vet, sepse është i paepur në mbrojtje të ungjillit. Në qoftë se ungjilli nuk është i vërtetë, atëherë korintasit janë ende skllevër të mëkateve të tyre dhe të pashpresë. Për pasojë, qëndrimi i tij mbrojtës nxitet më tepër nga dashuria për lexuesit sesa nga shqetësimi për të mbrojtur reputacionin e vet. Ia vlen të theksojmë se mbrojtja e autoritetit apostolik nga Pali e bën 2 e Korintasve një letër shumë personale, madje autobiografike. Mbase asnjë letër tjetër e Dhiatës së Re nuk na ofron njohuri kaq të thella rreth Palit dhe kishës së cilës po i shkruan, sesa letra në fjalë. Pali nuk ishte ai gërnjari stoik që disa mendojnë se është. Ai është i ndjeshëm por edhe zemërmadh, i shqetësuar por edhe besimplotë, i butë por edhe i vendosur. Pali e do kishën dhe e do ungjillin. Ai nuk do t’i lërë kurrë mësuesit e rremë që të gjejnë shesh dhe të bëjnë përshesh me veprën e tij apostolike. Ai i do kaq shumë këta të krishterë të rinj, sa nuk do t’i lërë kurrë ujqërit që të hyjnë dhe t'i shqyejnë.
3. Letra e Dytë drejtuar Korintasve është një lloj modeli për shërbesën e krishterë.
Gjatë gjithë historisë së saj, kisha është ballafaquar me tundimin për t’i përvetësuar standardet e kësaj bote për suksesin, duke i përdorur ato në lidhje me udhëheqjen kishtare. Në kohën tonë, shpesh supozojmë se drejtuesit e krishterë duhet të ndjekin modelin e një CEO-je të suksesshëm ose të një drejtuesi karizmatik programesh televizive. Korintasit mendonin se drejtuesit e krishterë duhet t’i ngjasonin oratorëve më të shquar grekë. Apostujt e rremë që kishin depërtuar në kishën e Korintit e sfidonin pretendimin apostolik të Palit duke vënë në dukje vuajtjet dhe dobësinë e tij, si dhe mungesën e elegancës oratorike. Qëllon ndonjëherë që fuqia dhe karizma konsiderohen gabimisht si shenjat e një shërbëtori të vërtetë të ungjillit. Si përgjigje ndaj këtyre akuzave të rreme, Pali faktikisht i vë në dukje shenjat e autoritetit të tij apostolik, por jo ato që mund të presim ne. Ai e lavdëron veten (dhe apostujt e tjerë):
…në shumë durim, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica, në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në pagjumësi, në agjërime, në pastërti, në njohuri, në zemërgjerësi, në mirësi, në Frymën e Shenjtë, në dashuri jo të shtirur, në fjalën e së vërtetës, në fuqinë e Perëndisë, përmes armëve të drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë, përmes nderimit e çnderimit, përmes emrit të keq e emrit të mirë; si mashtrues, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur mirë; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë; si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë asgjë, por kanë gjithçka. (2 e Korintasve 6:3–10)
Kjo narrativë e vë në pikëpyetje modelin tonë më të natyrshëm për të përshkruar një shërbesë të suksesshme. A i vlerësojmë ne njerëzit sipas mishit (2 e Korintasve 5:16)? 2 e Korintasve na mëson se shërbesa e vërtetë e krishterë karakterizohet me “thjeshtësinë dhe sinqeritetin e Perëndisë” (2 e Korintasve 1:12), se drejtuesit e kishës nuk janë të vetëmjaftueshëm (2 e Korintasve 3:5) dhe se shërbesa është më shumë vdekje ndaj vetes sesa vetëpromovim (2 e Korintasve 4:11–12). Pali zgjodhi të mos pranonte mbështetje financiare prej korintasve, duke mos dashur të kthehej në një gur skandali (2 e Korintasve 11:7–9). Ai nuk mbante letra rekomandimi me vete (2 e Korintasve 3:1–3). Ai nuk pranoi kurrë të sillej me dinakëri (2 e Korintasve 4:2) apo t’u përkëdhelte veshët njerëzve (2 e Korintasve 2:17), sepse shërbesa apo mesazhi nuk ishin të tijat, por të Perëndisë. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë shërbëtorët e krishterë në besëlidhjen e re. Shërbesa në kishë duhet të modelohet sipas kreut të kishës, Atij që “u kryqëzua prej dobësisë, por rron prej fuqisë së Perëndisë” (2 e Korintasve 13:4).
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-2-corinthians
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025