Kur martohet në fakt një çift? A ndodh kur thonë ‘Po”? Kur pastori i shpall burrë dhe grua? Apo kur e konsumojnë martesën?

Në një farë kuptimi secili prej këtyre momenteve është thelbësor në formimin e një martese. Por secili prej tyre varet nga të tjerët. Kjo është arsyeja pse, nëse një martesë nuk konsumohet kurrë, në një farë kuptimi çifti nuk është ende plotësisht i martuar. Ky dallim ka peshë ligjore; nëse një lidhje e tillë prishet konsiderohet anulim dhe jo divorc.

Çfarë ka të bëjë kjo vallë me Darkën e Zotit? Mua më duket që shumë të krishterë e mendojnë Darkën e Zotit si një përkushtim privat të intensifikuar. Shkoj në kishë, dëgjoj Fjalën, ha bukën dhe pi verën, kujtoj vdekjen e Krishtit dhe faljen e mëkateve të mia, kthehem në shtëpi. Sigurisht, ne gjithashtu e lidhim Darkën e Zotit me kishën, të paktën në kuptimin që është diçka të cilën e bëjmë kur “shkojmë në kishë.” Megjithatë, shumica e të krishterëve, arrijnë vetëm deri në këtë pikë kur bie fjala për lidhjen e Darkës së Zotit me kishën lokale.

Por unë dua të argumentoj që Darka e Zotit në fakt luan një rol thelbësor në krijimin e kishës. Kremtimi i Darkës së Zotit së bashku është një hap thelbësor i cili e bën kishën, kishë. Në një kuptim tepër domethënës, Darka e Zotit është momenti kur një grup të krishterësh bëhen një trup. Darka e Zotit bën nga shumë një.

Po fokusohem te kjo ide për dy arsye. Së pari, për shkak se është neglizhuar së tepërmi mes të krishterëve ungjillorë. Mendoj që Pali na mëson qartë se Darka e Zotit i bashkon shumë në një, sikurse do ta shohim pas pak. Por shumë pak pastorë dhe kisha duket se e kapin idenë e Palit dhe e lejojnë atë t’u japë formë pikëpamjeve të tyre rreth Darkës së Zotit dhe kishës. Së dyti, mënyra sesi Darka e Zotit e bën një kishë lokale është thelbësore për shumë nga pyetjet praktike me të cilat do të përballen pastorët dhe kishat; kush mund të marrë pjesë në Darkën e Zotit? Kush duhet ta udhëheqë? Në cilat takime të ngjashme me ato të kishës është e lejuar të kremtohet?

Për të menduar me urtësi rreth mënyrës se si ta kremtojmë Darkën e Zotit, kemi nevojë ta vendosim mirë këtë lente historike para syve tanë

Kujtoni fjalët e Palit te 1 Korintasve 10:16-17, “kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit?” Pali u kujton Korintasve që ngrënia e bukës dhe pirja e kupës do të thotë të shijosh bashkësi me Krishtin, të përjetosh përfitimet e vdekjes së Tij.

Nga kjo bashkësi “vertikale” mes Krishtit dhe besimtarëve, Pali nxjerr një konkluzion “horizontal” në vargun 17, “Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.” Deklarata qendrore e Palit në këtë varg është që ne që jemi shumë, jemi një trup. Ai e mbështet apo e themelon këtë deklaratë dy herë duke iu referuar pjesëmarrjes tonë të përbashkët në Darkën e Zotit: “Jemi një bukë… sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.” Fakti që Pali e përsërit këtë arsye dy herë na ruan nga të parit e bukës thjesht si përfaqësim apo portretizim të unitetit të kishës. Në vend të kësaj, Pali e themelon unitetin e kishës mbi kremtimin e saj të Darkës së Zotit. Ka një trup për shkak se ka një bukë.

Pali po thotë që Darka e Zotit në fakt të shumtët i bën një. Darka e Zotit na mbledh “ne që jemi shumë” dhe na bën një trup. Me fjalë të tjera, Darka e Zotit themelon kishën lokale. Sigurisht, ideja e Palit nuk ka të bëjë me anën mekanike të bukës dhe ngrënies, sikur një kishë më e madhe që ka nevojë për më tepër se një bukë për të kremtuar Darkën e Zotit të mos ishte më kishë por shumë. Në vend të kësaj, Pali përdor “një bukë” si shprehje për kremtimin e përbashkët dhe të gjithë së bashku të Darkës së Zotit. Ideja e Palit është që në Darkën e Zotit, për shkak se të gjithë ne kemi pjesë së bashku në Krishtin, uniteti ynë në Krishtin krijon turpin e bashkuar të kishës.

Me fjalë të tjera, Darka e Zotit është shenja e betimit të ripërtëritjes së besëlidhjes së re. Në Darkën e Zotit, ne ripërtërijmë përkushtimin tonë ndaj Krishtit dhe ndaj njëri-tjetrit. Ky përkushtim i dyfishtë është ai që e bën kishën të jetë kishë.

Perëndia krijon një kishë lokale ne dy hapa. Në hapin e parë, ai krijon të krishterë. Si? Ai dërgon predikues për të shpallur Krishtin (Romakëve 10:14-17). Ai dërgon Frymën e Tij për t’i aftësuar disa që dëgjojnë ta pranojnë dhe rrëfejnë Krishtin (1 Korintasve 12:3). Ai bën që Fjala e Tij të bëhet e efektshme në jetët e tyre, duke ju dhënë jetë të re në Krishtin (Jakobi 1:18). Perëndia e krijon kishën e Tij duke dërguar Fjalën e Tij dhe duke dërguar Frymën e Tij që ta bëjë të efektshme Fjalën e Tij. Perëndia krijon njerëz të ungjillit, njerëz të cilët janë shpëtuar përmes besimit në Krishtin. Ky është hapi i parë.

Kur njerëzit vijnë tek Krishti, bëhen anëtarë të trupit të Tij universal. Ata janë frymërisht një me Të. Por në mënyrë që të krijohet një kishë, njerëzit duhet të vijnë jo vetëm te Krishti por edhe te njëri-tjetri. Ata duhet të vijnë bashkë, dhe kjo ardhje bashkë kërkon një përkushtim. Një kishë lokale nuk shfaqet automatikisht në ekzistencë kurdoherë që dy apo më shumë të krishterë janë në të njëjtin qytet apo në të njëjtën dhomë. Ndryshe, sa herë që do të rastisnit me një të krishterë tjetër në një dyqan, do të shfaqej një kishë e re, e cila do të zhdukej po aq shpejt sa të kaloni në anën tjetër të rafteve. Një kishë është shumë më tepër se thjesht “të krishterë” në numrin shumës. Kisha është më tepër se shuma e pjesëve të saj. Duhet të ketë diçka që i lidh njerëzit së bashku.

Prandaj, në mënyrë që të krijohet një kishë, njerëzit e ungjillit duhet të formojnë një qeverisje ungjilli. Një kishë lind kur të krishterët përkushtohen për të qenë një kishë së bashku. Ky është hapi i dytë. Mendoni sërish për shembullin e martesës. Martesa lind kur një burrë dhe një grua përkushtohen të jenë bashkëshort dhe bashkëshorte. Betimi krijon martesën. Në mënyrë të ngjashme, një kishë lind kur një grup të krishterësh i përkushtohen njëri-tjetrit, për të bërë gjithë sa Jezusi urdhëroi që kishat e Tij të bëjnë së bashku: të mblidhen për të adhuruar, ta ndërtojnë njëri-tjetrin në dashuri, të mbajnë barrët e njëri-tjetrit, të kremtojnë së bashku pagëzimin dhe Darkën e Zotit.

E gjithë kjo është ende puna e Perëndisë, përderisa është puna e Tij shpëtuese dhe fuqizuese ajo që e aftëson reagimin tonë të duhur ndaj ungjillit, duke përfshirë këtu edhe reagimin e duhur të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit. Puna e Perëndisë dhe puna jonë nuk janë në konkurrim. Ne mund të vijmë së bashku si të krishterë vetëm sepse Perëndia së pari na ka bërë të krishterë. Perëndia krijon një kishë duke krijuar të krishterë, dhe duke i aftësuar ata të krishterë të përkushtohen ndaj njëri-tjetrit.

Si ushtrohet saktësisht ky përkushtim prej një grupi të krishterësh? Porositë e pagëzimit dhe Darkës së Zotit luajnë role thelbësore. Në pagëzim, përkushtohesh publikisht ndaj Krishtit dhe popullit të Tij. Pagëzimi është momenti kur besimi bëhet publik. Kjo është mënyra sesi një besimtar i ri shfaqet si besimtar në botë dhe në radarin e kishës. Me fjalë të tjera, pagëzimi e shënjon një besimtar nga bota. Në pagëzim, kisha i thotë botës, “Ky person i përket Jezusit!”

Në Darkën e Zotit, ne ripërtërijmë përkushtimin tonë ndaj Krishtit dhe popullit të Tij. Por, në dallim me pagëzimin, Darka e Zotit është diçka të cilën e bëjmë të gjithë së bashku. Darka e Zotit shënjon një grup të tërë të krishterësh si një trup, duke hequr kështu një vijë mes tyre dhe botës përreth. Duke hequr një vijë mes kishës dhe botës, pagëzimi dhe Darka e Zotit heqin një vijë përreth kishës. Këto dy porosi bëjnë të mundur të tregojmë diçka dhe të themi “kisha” në vend që të tregojmë shumë gjëra dhe të themi “të krishterët.”

Imagjinoni një të krishterë që shkon në një qytet të ri, predikon ungjillin, dhe një grusht njerëzish vijnë në Krishtin rreth të njëjtës kohe. Ky i krishterë i ri e pagëzon secilin prej tyre. Si dhe kur do të bëhen një kishë ky grusht të krishterësh? Do t’ju sugjeroj që përgjigja më bazë dhe më thelbësore është kjo: kur ata të kremtojnë Darkën e Zotit së bashku. Mbani mend që kremtimi i Darkës së Zotit shpreh përkushtimin tonë ndaj Krishtit dhe ndaj njëri-tjetrit. Të marrësh përfitimet e Krishtit në Darkën e Zotit do të thotë t’i pranosh njerëzit e Krishtit si vëllezër dhe motra. Në vetë Darkën e Zotit ne marrim përkushtimin ndaj njëri-tjetrit gjë e cila na çon përtej pragut mes “një grusht të krishterësh” dhe “një kishë lokale.” Në vetë Darkën e Zotit ne vijmë së bashku si një trup. Sikurse thotë edhe Pali, “Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.” (1 Korintasve 10:17).

Për t’u treguar të matur, mendoj se në përgjithësi është me vend që kishat të qartësojnë se çfarë po bëjnë kur shpallen për herë të parë si kishë përmes një zotimi gojor që natarët bëjnë ndaj njëri-tjetrit. Në traditat Baptiste dhe Kongregacionaliste kjo shpesh quhet “besëlidhje kishe,” dhe nganjëherë konfirmohet nga e gjithë kisha sa herë që kremtojnë Darkën e Zotit. Mendoj që kjo është një praktikë shumë e mirë. Por nuk është sikur përkushtimet gojore krijojnë kishën veçmas pjesëmarrjes tonë të përbashkët në Darkën e Zotit. Në vend të kësaj, përkushtimi i qartë gojor ndaj një besëlidhjeje kishe thjesht e bën të qartë atë që nënkuptohet në Darkën e Zotit. Një besëlidhje gojore kishe na ndihmon në të kuptuarit tonë, na kujton saktësisht se çfarë po bëjmë kur marrim pjesë së bashku në elementet e bukës dhe verës.

Sërish, mendoj që fillimi i një kishe është paksa i ngjashëm me fillimin e një martese. Analogjia nuk është e përsosur, sikurse ndodh gjithmonë, por na ndihmon shumë. Një martesë lind kur një burrë dhe një grua shpallin betimet, një pastor apo një zyrtar ligjor i shpall të martuar, dhe çifti e konsumon martesën e tyre. Betimi “Po” nis marrëdhënien e re, por ajo marrëdhënie e re nuk konfirmohet derisa bashkëshorti dhe bashkëshortja e vulosin bashkimin e tyre fizikisht.

Në mënyrë të ngjashme, një mbledhje besimtarësh nuk është një kishë lokale derisa ta vulosin bashkimin e tyre me njëri-tjetrin përmes Darkës së Zotit. Nëse një grup besimtarësh që synojnë të jenë një kishë nuk e kremton kurrë së bashku Darkën e Zotit, jo vetëm që nuk po i binden Jezusit, por në një farë kuptimi real ata nuk janë ende një kishë. Darka e Zotit e konsumon përkushtimin përmes të të cilit të krishterët bëhen një kishë.

Si e krijon një kishë Darka e Zotit? Bashkë me pagëzimin, Darka e Zotit është mënyra sesi njerëzit e ungjillit formojnë një qeverisje të ungjillit. Darka e Zotit është mënyra sesi të krishterët vijnë së bashku, përkushtohen ndaj njëri-tjetrit, dhe e kalojnë pragun nga “shumë” në “një.” Në Darkën e Zotit, bashkësia jonë me Krishtin krijon bashkësi me njëri-tjetrin. Darka e Zotit bën nga shumë një.

Ekziston një thjeshtësi e mahnitshme në projektimin e Perëndisë për kishën. Çfarë kërkohet për të bërë një kishë? Predikimi i ungjillit i cili krijon njerëz të ungjillit, të cilët marrin pjesë në porositë e ungjillit. Kisha është forma që ungjilli dhe porositë e tij i japin popullit të Perëndisë. Pagëzimi e bashkon një me shumë, dhe Darka e Zotit i bashkon shumë në një.

Pagëzimi dhe Darka e Zotit e skalitin ungjillin në vetë formën dhe strukturën e kishës. Ato që i bën shumë një janë shenjat e ungjillit. Kur të krishterët vijnë së bashku për të formuar një kishë, nuk po shkojnë përtej ungjillit por edhe më thellë në të.

Shënim i redaktorit: Ky artikull u përshtat nga libri i ri i Bobby Jamieson Understanding the Lord’s Supper [Të Kuptojmë Darkën e Zotit], në serinë Bazat e Kishës (B&H, 2016). Botuar sërish me leje nga B&H.

Text for test

Click to Tweet
__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
I mëparshmi
__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
Pasuesi

Postime të ngjashme

>