Vargje kyce biblike per martesen (martesa)

Qershor 2020                                      Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Udhëzime nga Fjala e Perëndisë

Shkrimi i jep burrave dhe grave udhëzime se si të trajtojnë njëri-tjetrin në martesë, gjithashtu jep një pamje të qartë të qëllimeve dhe planeve që Perëndia ka për popullin e Tij në këtë lidhje të veçantë. Inkurajohu nga Shkrimet e mëposhtme me komente nga Bibla e Studimit ESV.

Psalmi 86:15

Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t'u nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë. Ju, burra, t'i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.

Shembulli i parë i nënshtrimit (Efesianëve 5:21) ilustrohet në kërkesën që Pali i bën grave për t’iu nënshtruar burrave të tyre (Efesianëve 5:22-24, 33). Nga ana tjetër, burrave nuk u thuhet t’u nënshtrohen grave por t’i duan (Efesianëve 5:25-33). Shembulli i parë i Palit për nënshtrimin tek Efesianëve 5:21 është rendi i duhur në martesë (shiko gjithashtu Kolosianëve 3:18; 1 e Pjetrit 3:1-7). Nënshtrimi i grave nuk është njësoj si bindja që fëmijët duhet të tregojnë ndaj prindërve, as nuk thuhet se të gjitha gratë duhet t’u nënshtrohen të gjithë burrave (burrave tuaj, jo të tjerëve!). Të dyja gjinitë janë krijuar njësoj sipas imazhit të Perëndisë (Zanafilla 1:26-28) dhe janë bashkëtrashëgimtarë të jetës së përjetshme (Galatasve 3:28-29). Ky nënshtrim është nderimi ndaj drejtimit të burrit si kreu, në mënyrë që të ketë një marrëdhënie të shëndetshme dhe me harmoni në martesë.

Këto vargje përqendrohen te Krishti, sepse burri nuk mund të “shenjtërojë” apo të “lajë” gruan nga mëkatet, megjithëse ai duhet të bëjë gjithë sa ka në dorë për të përkrahur shenjtërinë e gruas së tij. “Të shenjtërojë” do të thotë “të kushtojë në shërbesë përmes pastrimit, në larjen me ujë.” Kjo mund t’i referohet pagëzimit, meqë në Bibël flitet zakonisht për gjëra të padukshme në aspektin shpirtëror (në këtë rast, për pastrimin shpirtëror) duke iu referuar një shenje fizike të jashtme të tyren (shiko Romakëve 6:3-4; dhe Gjoni 4:15). Mund të ketë lidhje edhe me Ezekielin 16:1-13, ku Zoti lan Izraelin fëmijë, e rrit, dhe më pas e ngre në lavdi dhe martohet me të. Kjo përkon me paraqitjen e kishës përpara Vetes, në shkëlqim, në darkën e dasmës së Tij (shiko Ezekieli 36:25; Zbulesa 19:7-9; 21:2, 9-11). “E paqortueshme”, shenjtëria e plotë e kishës dhe përsosmëria morale do të përmbushen në lavdinë e ringjalljes, por e gjitha rrjedh nga sakrifica shenjtëruese e Krishtit në kryq.

Zanafilla 2:18

Pastaj Zoti Perëndi tha: "Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t'i bëj një ndihmë që i leverdis".

Shprehja “Nuk është mirë” qëndron pak në kontrast me pohimin te Zanafilla 1:31; duket qartë se kjo situatë nuk ka arritur akoma në pikën “shumë mirë.” “Unë do t’i bëj” mund të përkthehet ndryshe “Unë do të bëj për të,” fjali që shpjegon edhe deklaratën e Palit te 1 e Korintasve 11:9. Për të gjetur një ndihmë të përshtatshme për të, Perëndia i sjell të gjithë gjënë e gjallë, zogjtë, dhe bishat e tokës. Por, asnjëra prej tyre, nuk dukej se ishte “e përshtatshme” për njeriun. “Një ndihmë” (hebraisht ‘ezer’) është dikush që furnizon me forcë “të ndihmuarin” aty ku ai është më i dobët. Ky term nuk nënkupton që ndihmuesi është më i fortë apo më i dobët se i ndihmuari. “Që i leverdis” apo “që e plotëson” nuk do të thotë “njësoj me të”: gruaja nuk është sozia e burrit, por ndihma që e plotëson.

Zanafilla 2:18

Pastaj Zoti Perëndi tha: "Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t'i bëj një ndihmë që i leverdis".

Shprehja “Nuk është mirë” qëndron pak në kontrast me pohimin te Zanafilla 1:31; duket qartë se kjo situatë nuk ka arritur akoma në pikën “shumë mirë.” “Unë do t’i bëj” mund të përkthehet ndryshe “Unë do të bëj për të,” fjali që shpjegon edhe deklaratën e Palit te 1 e Korintasve 11:9. Për të gjetur një ndihmë të përshtatshme për të, Perëndia i sjell të gjithë gjënë e gjallë, zogjtë, dhe bishat e tokës. Por, asnjëra prej tyre, nuk dukej se ishte “e përshtatshme” për njeriun. “Një ndihmë” (hebraisht ‘ezer’) është dikush që furnizon me forcë “të ndihmuarin” aty ku ai është më i dobët. Ky term nuk nënkupton që ndihmuesi është më i fortë apo më i dobët se i ndihmuari. “Që i leverdis” apo “që e plotëson” nuk do të thotë “njësoj me të”: gruaja nuk është sozia e burrit, por ndihma që e plotëson.

Mateu 19:4-6

Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: ''A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër? Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm". Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.”

“Atë që Perëndia ka bashkuar” nënkupton se martesa nuk është thjesht një marrëveshje njerëzore, por një marrëdhënie në të cilën Perëndia e ndryshon statusin e një burri dhe një gruaje nga beqarë (nuk janë më dy) në të martuar (një mish i vetëm). Që nga çasti që martohen, ata bashkohen në një mënyrë të mistershme si në asnjë marrëdhënie tjetër njerëzore, duke pasur të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e dhëna nga Perëndia në martesë, që nuk i kishin më parë. Të qenët “një mish i vetëm” ka të bëjë me bashkimin seksual të një burri dhe një gruaje (shiko Zanafilla 2:24). Megjithatë ajo mbart më shumë se kaq, sepse do të thotë gjithashtu se ata kanë lënë shtëpinë e prindërve të tyre (njeriu do të lërë atin dhe nënën e vet, Zanafilla 2:24) dhe kanë nisur një familje të re. Dhe besnikëria e tyre kryesore në planin njerëzor, përpara çdokujt tjetër, është tashmë ndaj njëri-tjetrit. “Njeriu të mos e ndajë”, Jezusi shmang argumentin e farisenjve rreth arsyeve për divorc dhe kthehet në fillim, te krijimi, për të treguar qëllimet e Perëndisë për institucionin e martesës. Do të jetë një lidhje e përhershme midis një burri dhe një gruaje, një lidhje që i vendos në një bashkësi të përkushtuar përmes marrëdhënies fikize (Zanafilla 2:24).

Kolosianëve 3:18-19

Ju gratë, jini të nënshtruara burrave tuaj, ashtu si ka hije në Zotin. Ju burrat, duajini gratë tuaja dhe mos u bëni të hidhur ndaj tyre.

Në vend që t’u thotë grave të “binden” (greqisht hypakouo), siç ishte tipike në një shtëpi romake, Pali u thotë të “nënshtrohen” (greqisht hypotasso), duke u bazuar në bindjen e tij se burrat kanë rolin drejtues, të dhënë nga Perëndia, në familje. Termi sugjeron rendin në shoqëri, ku gratë duhet të respektojnë dhe të nderojnë udhëheqësinë e burrave të tyre (shiko Efesianëve 5:22-33). Pali nuk po u kërkon grave të ndjekin modelet mbizotëruese të kohës në kulturë, por të jetojnë siç u ka hije në Zotin. Shtatë herë në këto nëntë vargje (Kolosianëve 3:18-4:1) Pali rrënjos fjalët “në Zotin”, ose një term të barazvlefshëm me të, duke dashur të theksojë se sa e rëndësishme është që gjithçka të shihet dhe të vlerësohet nën pasqyrimin e mësimeve të Krishtit.

1 e Pjetrit 3:7

Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.

Këshilla e Pjetrit për burrat është e përmbledhur, ndoshta sepse më gjatë i drejtohet atyre që janë nën autoritet dhe keqtrajtohen (skllevërve dhe grave). Fjala “gjithashtu” është thjesht një lidhëz (1 e Pjetrit 3:1; 5:5), ajo nuk nënkupton se burrat duhet t’u nënshtrohen grave, duke qenë se Shkrimi nuk e mëson kurrë këtë (Efesianëve 5:21-33). Fjalët “jetoni me urtësi” ndoshta përqendrohen në të jetuarit sipas vullnetit të Perëndisë, ku përfshihet të kuptosh nevojat e grave. Ka mendime të ndryshme nga interpretuesit, nëse “enë më të dobëta” i referohet dobësisë në aspektin e autoritetit të dhënë, emocioneve apo fuqisë fizike. Me shumë mundësi Pjetri po flet për një të vërtetë të përgjithshme, që burrat janë fizikisht më të fortë se gratë dhe mund të tundohen që t’i kërcënojnë përmes abuzimit verbal ose fizik. Burrat dhe gratë ndajnë një të drejtë të përbashkët si “bashkëtrashëgimtarë të hirit të jetës.” Pjetri nuk mendon se gratë janë inferiore ndaj burrave, sepse të dy janë krijuar njësoj sipas imazhit të Perëndisë (Galatasve 3:28). Nëse burrat nuk i trajtojnë gratë në mënyrë të perëndishme, Perëndia nuk do t’i kushtojë vëmendje lutjeve të tyre.

Hebrenjve 13:4

Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.

Martesa duhet nderuar, pastërtia në martesë duhet ruajtur. Kjo vjen me paralajmërimin se Perëndia do të gjykojë këdo që është seksualisht i pamoralshëm (greqisht pornos, një term i përgjithshëm që i referohet kujtdo që përfshihet në një marrëdhënie jashtëmartesore me një burrë apo grua) ose kurorëshkelës (greqisht moichos, referuar kujtdo që nuk është besnik ndaj bashkëshortit/bashkëshortes). Ky paralajmërim i bëhet anëtarëve të kishës, dhe nëse janë vërtetë besimtarë të krishterë, ky gjykim nuk do të jetë dënim në ferr (Romakëve 8:1) por do të sjellë gjykim disiplinor në këtë jetë (Hebrenjve 12:5-11) ose humbjen e shpërblimit në ditën e fundit, ose të dyja. Megjithatë, duke marrë parasysh pasazhet e mëparshme paralajmëruese (Hebrenjve 3;12-14; Hebrenjve 6:4-8; Hebrenjve 10:26-31; Hebrenjve 12:14-17), me shumë mundësi një imoralitet i tillë seksual është tregues se ky person nuk është besimtar i vërtetë dhe nuk është i rilindur.

Predikuesi 4:9-10

Dy vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Në fakt në se rrëzohen, njëri ngre tjetrin; por mjerë ai që është vetëm dhe rrëzohet, sepse nuk ka njeri që ta ngrejë!

Një njeri i mençur punon krah për krah me një tjetër, duke shijuar një shpërblim të mirë dhe duke gjetur ndihmë në kohë nevoje. Njeriu i mençur do të kërkojë të bëjë sipërmarrje bashkëpunuese dhe nuk do t’i japë vend xhelozisë dhe orvatjes për të qenë i pari (Predikuesi 4:8, 10, 11), orvatje e cila e izolon atë nga të tjerët.

Zanafilla 2:23-24

Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri". Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.

Kur nuk u gjet asnjë shoqëri e përshtatshme mes qenieve të gjalla, Perëndia formoi gruan nga vetë mishi i burrit. Teksti thekson njëjësimin që ekziston ndërmjet burrit dhe gruas. Adami shpall me gëzim: “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim.” E njëjta terminologji përdoret edhe në lidhjet farefisnore të gjakut (Zanafilla 29:14). Kjo fjali dhe historia e krijimit të Evës theksojnë se martesa krijon marrëdhënien më të afërt njerëzore. Është gjithashtu e rëndësishme të vërejmë se Perëndia krijon vetëm një Evë nga Adami, jo disa Eva apo një Adam tjetër. Kjo na çon në monogaminë heteroseksuale si përcaktimi hyjnor i martesës që Perëndia themeloi në krijim.

Për më tepër, lidhja burrë e grua ka detyrime, të cilat ia kalojnë dhe detyrimeve ndaj prindërve (Për këtë arsye burri do të lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, Zanafilla 2:24). Në Izraelin e vjetër, djemtë nuk largoheshin nga shtëpia kur martoheshin, por jetonin pranë prindërve dhe trashëgonin tokën e babait. Ata “linin” prindërit duke vënë mirëqenien e gruas mbi atë të prindërve. Termi “do të bashkohet” përdoret edhe në vende të tjera për zbatimin e besnikërisë ndaj besëlidhjes (p.sh. Ligji i Përtërirë 10:20; shiko se si Pali përmbledh këto tekste te 1 e Korintasve 6:16-17); gjithashtu disa tekste të tjera nga Bibla e quajnë martesën një “besëlidhje” (p.sh. Fjalët e Urta 2:17; Malakia 2:14).

Në këtë tekst bazohen mësimet e Palit mbi martesën tek Efesianëve 5:25-32. Fakti që janë krijuar për njëri-tjetrin reflektohet edhe më vonë në përdorimin e një loje fjalësh ku përfshihen termat “burrë” dhe “grua”; në hebraisht janë “ish” dhe “ishshah”. Për shkak të kësaj lidhjeje, Zanafilla 2:24 tregon se kur një burrë të lërë prindërit dhe të marrë gruan, ata do të bëhen një mish, me fjalë të tjera një bashkësi (një bashkim i burrit me gruan, që plotësohet me marrëdhënien seksuale). Jezusi apelon për këtë varg dhe Zanafillën 1:27 duke dhënë kështu këndvështrimin e Tij për martesën (Mateu 19:4-5). 

Isaia 62:5

Prandaj, ashtu si një i ri martohet me një të virgjër, bijtë e tu do të martohen me ty; dhe ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.

“Bijtë e tu” janë banorët besnikë të Sionit (këtu qyteti i përjetshëm i Perëndisë; Psalmi 87). “Do të martohen” është një imazh poetik që tregon se banorët e Jeruzalemit do të duan dhe do të gëzohen me qytetin e tyre: banorët e Sionit do t`i kushtohen përjetë dhe do të kënaqen me vendin e përjetshëm të banesës së tyre, sepse populli i Zotit është aty, dhe vetë Zoti është me ta. Ky përfytyrim kaq i bukur nga Isaia na jep ndjesinë e gëzimit, kënaqësisë, drejtësisë, bukurisë, sigurisë dhe paqes. “Kështu Perëndia do të gëzohet për ty”, duke sjellë me guxim një pamje të njohur njerëzore të një gëzimi dhe kënaqësie të papërshkrueshme, Perëndia thotë se kënaqësia e Tij në popullin e vet do të jetë si ajo e dhëndrit për nusen e tij. Isaia shpjegon se në planin e madh të shpëtimit, Perëndia jo vetëm fal njerëzit por, i mbron, i shëron, siguron për ta, i kthen në shtëpinë e tyre, sjell pajtim mes tyre, i transformon që të jenë të drejtë, i nderon, i ngre mbi të gjitha kombet dhe i bën bekim për to, sipas thirrjes së Tij. Por mbi të gjitha, Ai gjen kënaqësi në popullin e Tij.

1 e Korintasve 7:2-5

Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet. Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja. Mos ia privoni njëri-tjetrit, përveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t'i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetëkontrollit tuaj.

Korintasit urdhërohen të jenë besnikë në martesat e tyre, të shmangin divorcin, dhe të jenë të kënaqur me thirrjen e tyre. Pali përdor frazën “lidhur me” për herë të parë në këtë kapitull, për të lajmëruar ndryshimin e temës nga çështje që dalin prej raportimit gojor të njerëzve të Kloes (1 e Korintasve 1:10-11) për çështje të ngritura në një letër nga Korinti. E njëjta shprehje përsëritet disa herë gjatë letrës së parë të Korintasve (shiko 1 e Korintasve 7:25; 8:1; 12:1; 16:1, 12), ku ajo prezanton tema shtesë nga letra e Korintasve. “Mirë është…”, duket se disa korintas të krishterë kanë përvetësuar këndvështrimin se duhet shmangur çfarëdolloj marrëdhënieje seksuale, madje dhe ajo brenda martesës. Pali kërkon të hedhë poshtë këtë mendim me shumë kujdes gjatë këtij kapitulli (shiko 1 e Korintasve 7:2, 5, 9, 10, 28, 36).

Perëndia e krijoi martesën si vendin e shprehjes së seksualitetit njerëzor. Seksi brenda martesës ka përfitime afërsie dhe shpirtërore (Zanafilla 2:24; Efesianëve 5:31; shiko gjithashtu 1 e Korintasve 6:17). Gjithashtu ka dhe përfitim praktik duke qenë se redukton tundimin e kryerjes së mëkatit seksual (shiko 1 e Korintasve 7:9).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-marriage/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Martesa

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
10 vargje kyç mbi lakminë
>