lmgm dritez 7

Dhjetor 2021                                                                       


A e ke menduar ndonjëherë sa e mahnitshme është që Perëndia e caktoi më përpara që Mesia të lindte në Betlehem (ashtu si na tregon profecia e Mikeas 5)? A të ka mahnitur fakti që Ai i caktoi gjërat në atë mënyrë që kur të vinte koha, nëna e Mesias dhe babi i tij ligjor të mos jetonin në Betlehem, por në Nazaret? Po për faktin që për të përmbushur fjalën e Tij dhe për t’i sjellë këta dy njerëz të panjohur, të parëndësishëm dhe të vegjël në Betlehem atë Krishtlindje të parë, Perëndia vendosi në zemrën e Cezar Augustit që e gjithë Perandoria Romake të regjistrohej, secili në qytetin e tij? Një dekret për të gjithë botën që dy njerëz të bëjnë 110 kilometra rrugë!

A je ndier ndonjëherë si unë, i vogël dhe i parëndësishëm në një botë me shtatë miliardë njerëz, ku të gjitha lajmet janë vetëm për lëvizjet e mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe për njerëzit e jashtëzakonshëm, të famshëm për botën dhe me shumë pushtet e prestigj? Nëse je ndier kështu, mos u dekurajo dhe mos u mërzit. Në Shkrime nënkuptohet se të gjitha forcat gjigande politike dhe të gjithë komplekset e mëdha industriale, madje pa dijeninë e tyre, po drejtohen prej Perëndisë, jo për hir të tyre, por për hir të njerëzve të thjeshtë të Perëndisë—Marisë së vogël dhe Jozefit të vogël, që duhet të shkojnë nga Nazareti në Betlehem. Perëndia vë në lëvizje një perandori të tërë për të përmbushur fjalën e Tij dhe për të bekuar fëmijët e Tij.

Mos mendo se për shkak se përjeton armiqësi në botën e vogël të përvojave të tua, dora e Zotit është shkurtuar. Me gjithë zemrën e Tij, Ai po kërkon shenjtërinë tonë, jo begatinë apo famën tonë. Dhe me këtë synim në mendje, Ai e sundon gjithë botën. Ashtu si na thuhet te Fjalët e Urta 21:1: “Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.”

Ai është një Perëndi i madh për njerëz të vegjël dhe ne kemi një arsye të madhe për t’u ngazëlluar, që edhe pa e ditur ne, të gjithë mbretërit, presidentët, kancelarët dhe kryeministrat e botës ndjekin dekretet sovrane të Atit tonë në qiell, që ne, fëmijët e Tij, të mund të përshtatemi me shëmbëllimin e Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe më pas të hymë në lavdinë e Tij të përjetshme.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme

>