Adhurim

Si mundet adhurimi ynë të përmbushë qëllimin e tij të madh në epokën e Besëlidhjes së Re? Çfarë do të thotë të adhurosh “në frymë dhe në të vërtetën”?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Termi adhurim nganjëherë gjen zbatim tek e tëra jeta e të krishterit, dhe me të drejtë është thënë se gjithçka në jetën tonë duhet të jetë një veprim adhurimi, dhe gjithçka që kisha bën, duhet të konsiderohet adhurim, sepse gjithçka që ne bëjmë, duhet të përlëvdojë Perëndinë. Sidoqoftë, në këtë kapitull, unë nuk po e përdor atë fjalë në atë kuptim të gjerë. Përkundrazi, unë po e përdor termin adhurim në një kuptim më specifik, për t’iu referuar muzikës dhe fjalëve që të krishterët i drejtojnë Perëndisë në lavdërim, bashkë me qëndrimet e zemrës të cilat e shoqërojnë atë lavdërim, veçanërisht kur të krishterët mblidhen bashkë. Përderisa kapitujt në këtë pjesë të librit merren me doktrinën e kishës, është e përshtatshme në këtë kapitull që ta përqendrojmë vëmendjen tek veprimtaritë e adhurimit të kishës së mbledhur.

A. Përkufizimi dhe qëllimi i adhurimit

Adhurimi është veprimtaria e përlëvdimit të Perëndisë në praninë e Tij me zërat dhe zemrat tona.

Në këtë përkufizim, vërejmë se adhurimi është veprimi i përlëvdimit të Perëndisë. Megjithëkëtë, të tëra aspektet e jetës tonë supozohet të përlëvdojnë Perëndinë, kështu që ky përkufizim specifikon që adhurimi është diçka që ne e bëjmë veçanërisht kur vijmë në praninë e Perëndisë, kur jemi të vetëdijshëm për adhurimin ndaj Tij në zemrat tona, dhe kur e lavdërojmë Atë me zërat tanë dhe flasim për Të në mënyrë që të tjerët të mund të dëgjojnë. Pali i inkurajon të krishterët në Kolos me këto fjalë: “Fjala e Krishtit të banojë në ju me begati; në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja” (Kol. 3:16).

Në fakt, arsyeja kryesore përse Perëndia na thirri në asamblenë e kishës është që si një asamble e përbashkët, ne të mund ta adhurojmë Atë. Edmund Clowney me mençuri thotë:

Perëndia i kishte kërkuar me doemos faraonit: “Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë në shkretëtirë” (Eks. 7:16b) ... Perëndia i nxjerr ata prej Egjiptit në mënyrë që të mund t’i fusë në asamblenë e Tij, tek shoqëria e madhe e atyre të cilët qëndrojnë përpara fytyrës së Tij....Asambleja e Perëndisë në malin Sinai, për rrjedhojë është qëllimi i parë i eksodit. Perëndia i sjell njerëzit e Tij në praninë e Tij në mënyrë që ata të mund t’ia dëgjojnë zërin e ta adhurojnë.

Por Clowney shpjegon që asambleja adhuruese në Malin Sinai, nuk mund të mbetej e grumbulluar përgjithnjë përpara Perëndisë. Për rrjedhojë, Perëndia caktoi edhe festivale të tjerë në të cilën i tërë kombi do të mblidhej përpara Tij tri herë në vit. Ai thotë që: “Izraelitët janë një komb i formuar për adhurim, i thirrur për t’u mbledhur në oborret e Zotit, si dhe për të lavdëruar së bashku emrin e Shumë të Lartit.”[69]1

Megjithëkëtë, Clowney vëren se në vend që të adhuronin Perëndinë në një asamble të unifikuar e të shenjtë, njerëzit u devijuan duke u shërbyer idhujve në vend që të mblidhnin njerëzit për të adhuruar përpara Tij, “si dënim, Perëndia e shpërndau popullin në mërgim të detyruar.”[70]2

Por Perëndia premtoi se qëllimet e Tij për njerëzit e Tij do të përmbusheshin gjithsesi, se përpara fronit të Tij, një ditë do të kishte një asamble të madhe jo vetëm prej Izraelit por prej të tëra kombeve (Isa. 2:2–4; 25:6–8; 49:22; 66:18–21; kr. Jer. 48:47; 49:6, 39). Clowney vëren se plotësimi i atij premtimi filloi vetëm kur Jezusi nisi të ndërtonte kishën e Tij:

Rrëshaja ishte koha e fryteve të para, fillimi i të korrës së madhe të shpengimit. Pjetri predikoi plotësimin e profecisë së Joelit. Fryma qe derdhur, adhurimi sipas epokës së re qe futur në kishë. Kisha, asambleja e mbledhur për adhurim, po lavdëronte Perëndinë ... Tani kishte filluar grumbullimi.

Thirrja e ungjillit është një thirrje për të adhuruar, për t’u larguar nga mëkati e për të thirrur emrin e Zotit ... Pamja e kishës si një asamble adhurimi nuk është paraqitur asgjëkund në mënyrë më të fuqishme sesa përmes autorit të letrës së Hebrenjve (Heb. 12:18–29) ... Në adhurimin tonë në kishën e Krishtit, ne i afrohemi fronit të Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve. Ne hyjmë në festivalin e asamblesë së shenjtorëve dhe të engjëjve. Ne mblidhemi në frymë me frymët e njerëzve të drejtë të bërë të përsosur. Ne hyjmë në asamblenë e lavdisë përmes Krishtit, ndërmjetësit tonë, dhe gjakut të vdekjes së Tij shpenguese....

Atëherë, adhurimi me përulësi në grup, nuk është opsional për kishën e Perëndisë ... Përkundrazi, ai sjell në shprehje pikërisht fillimin e kishës. Ajo manifeston në tokë realitetin e asamblesë qiellore.[71]3

Adhurimi është për rrjedhojë një shprehje e drejtpërdrejtë e qëllimit tonë më të lartë për jetesën: “të përlëvdojmë Perëndinë, dhe ta shijojmë atë përgjithnjë.”[72]4 Perëndia flet për “bij” dhe “bija” të Tij si “tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu” (Isa. 43:6–7). Edhe Pali përdor një gjuhë të ngjashme kur ai thotë se “që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së tij, ne që shpresuam qysh më parë në Krishtin” (Efe. 1:12). Shkrimi është i qartë këtu dhe në shumë pasazhe të tjera që Perëndia na krijoi për ta përlëvduar Atë.[73]5

Kur ne reflektojmë për qëllimin e adhurimit, kjo gjithashtu na kujton se Perëndia është i denjë për adhurim ndërsa ne nuk jemi. Edhe apostullit Gjon duhej t’i thuhej se ai nuk duhet të adhuronte asnjë krijesë, as madje një engjëll të fuqishëm në qiell. Kur ai tha: “rashë përmbys për ta adhuruar” në këmbët e engjëllit i cili i tregoi Atij vegime të mrekullueshme në qiell, engjëlli i tha atij: “Shiko se mos e bën!... Adhuro Perëndinë” (Zbu. 22:8–9).

Kjo është për shkak se Perëndia është xheloz për nderimin e Tij e Ai me të drejtë kërkon nderin e Tij. Ai thotë “Unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz” (Eks. 20:5) dhe “Nuk do t'ia jap lavdinë time asnjë tjetri” (Isa. 48:11). Diçka përbrenda nesh duhet të dridhet dhe të gëzohet me këtë fakt. Ne duhet të dridhemi me frikë se mos ia zhvatim lavdinë që i takon Perëndisë. Dhe ne duhet të gëzohemi se është gjë e duhur që Perëndia të kërkojë nderin e Tij e të jetë xheloz për nderin e tij, sepse Ai, pafundësisht më shumë se çfarëdo gjëje që Ai ka bërë, është i denjë për nderim. Njëzetekatër pleqtë në qiell ndjejnë këtë nderim dhe gëzim, sepse ata bien përpara fronit të Perëndisë dhe i hedhin kurorat e tyre përpara Tij duke kënduar: “I denjë je, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat, dhe për hir të vullnetit tënd janë dhe u krijuan” (Zbu. 4:11). Kur ne e ndjejmë drejtësinë absolute të kësaj thellë brenda nesh, atëherë ne kemi qëndrimin e duhur të zemrës për adhurim të mirëfilltë.

Për shkak se Perëndia është i denjë për adhurim e ngaqë Ai kërkon të adhurohet, gjithçka në shërbesat tona të adhurimit, duhet të projektohet dhe realizohet për të mos tërhequr vëmendjen tek vetja jonë apo për t’i sjellë lavdi vetes, por për të tërhequr vëmendjen tek Perëndia e për t’i bërë njerëzit të mendojnë rreth Tij. Do të ishte e përshtatshme për ne që shpesh herë të ri-vlerësojmë elementët e ndryshëm në shërbesat tona të të dielave—predikimin, lutjen publike, drejtimin e adhurimit, muzikën e veçantë, kremtimin e Darkës së Zotit, si dhe njoftimet dhe ofertën. A janë ata vërtetë duke i sjellë lavdi Perëndisë në mënyrën se si janë bërë?[74]6 Pjetri thotë se dhuratat frymërore duhen përdorur në një mënyrë të atillë që “në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 4:11).

B. Rezultatet e adhurimit të mirëfilltë

Kur ne adhurojmë Perëndinë në kuptimin e përshkruar më lart, duke i dhënë me të vërtetë Atij lavdi në zemrat tona si dhe me zërat tanë, si rezultat ndodhin një sërë gjërash:

1. Ne gjejmë kënaqësi tek Perëndia. Perëndia na krijoi jo vetëm për ta përlëvduar Atë por gjithashtu për ta shijuar Atë si dhe për të gjetur kënaqësi në shkëlqyeshmërinë e Tij.[75]7 Me shumë mundësi ne përjetojmë më plotësisht një kënaqësi të madhe në Perëndinë gjatë adhurimit sesa në çfarëdo veprimtarie tjetër në këtë jetë. Davidi pohon se “një gjë” që ai do të kërkojë më shumë se gjithçka tjetër, është “të banoj në Shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij” (Ps. 27:4). Ai gjithashtu thotë: “Ka plot gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Ps. 16:11). Po kështu, Asafi e di se vetëm Perëndia është plotësimi i të tëra shpresave dhe dëshirave: “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (Ps. 73:25). Edhe djemtë e Koreut thonë:

Oh, sa të dashura janë banesat e tua,

o Zot i ushtrive!

Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet

për oborret e Zotit;

zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi

Perëndisë të gjallë        ...

Lum ata që banojnë në Shtëpinë tënde,

dhe të lëvdojnë vazhdimisht....

një ditë në oborret e tua vlen më tepër

se një mijë gjetiu. (Ps. 84:1–2, 4, 10)

Kisha e hershme e njihte një gëzim të tillë në adhurim, sepse thuhet: “dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me ngazëllim dhe me thjeshtësi zemre duke lavdëruar Perëndinë dhe duke pasur hir përpara gjithë popullit” (Veprat 2:46-47). Në fakt, menjëherë pas ngritjes së Jezusit në qiell, dishepujt “u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh, dhe ishin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe duke bekuar Perëndinë.” (Luka 24:52–53)

Sigurisht, një veprimtari e tillë e një lavdie të vazhdueshme nuk mund të zgjasë përgjithnjë në këtë epokë, sepse jetesa në një botë të rënë kërkon që ne t’i japim shumë kohë përgjegjësive të tjera gjithashtu. Por, lavdërimi i zgjeruar na jep një parashije të atmosferës së qiellit, ku katër krijesat e gjalla “nuk pushojnë kurrë, as ditë, as natë, duke thënë: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, që ishte, që është dhe që vjen!”’ (Zbu. 4:8), dhe krijesat e tjera qiellore si dhe të shpenguarit të cilët kanë vdekur, bashkohen në adhurimin qiellor dhe ngrenë lart “Qengjin e therur” (Zbu. 5:12).

2. Perëndia gjen kënaqësi në ne. Çfarë bën Perëndia kur ne e adhurojmë? E vërteta e mahnitshme e Shkrimit është se ndërkohë që krijimi përlëvdon Perëndinë, Ai gjithashtu gjen kënaqësi në të. Kur Perëndia krijoi në fillim universin, ai e shikoi të tërë atë me kënaqësi, dhe pa se “ishte shumë mirë” (Zan. 1:31). Perëndia gjen një kënaqësi të veçantë tek qeniet njerëzore të cilët Ai i krijoi dhe i shpengoi. Isaia e kujtoi popullin e Zotit,

Do të jesh një kurorë e shkëlqyer në dorën e Zotit...

do të të quajnë ``Kënaqësia ime është tek ajo''...

sepse Zoti gjen kënaqësi te ti...

ashtu si i martuari gëzohet për nusen,

kështu Perëndia do të gëzohet për ty. (Isa. 62:3–5)

Sofonia i bën jehonë të njëjtës temë kur thotë:

Zoti, Perëndia yt, në mes teje,

është i fuqishmi që shpëton;

Ai do të mbushet me gëzim për ty,

në dashurinë e tij do të qëndrojë në heshtje;

do të gëzohet për ty me britma gëzimi. (Sof. 3:17)

Kjo e vërtetë duhet të na sjellë një inkurajim të madh, sepse ashtu sikurse ne e duam Perëndinë dhe e lavdërojmë Atë, po ashtu ne e kuptojmë se po i sjellim gëzim dhe kënaqësi zemrës së Tij. Gjithashtu, gëzimi më i thellë i dashurisë, është gëzimi që të sjell kur i ke kënaqur zemrën dikujt të cilin e do.

3. Ne i afrohemi Perëndisë: Realiteti i mahnitshëm i pashikueshëm i adhurimit sipas besëlidhjes së re. Në besëlidhjen e vjetër, besimtarët e besëlidhjes së vjetër mundeshin vetëm t’i afroheshin Perëndisë në një mënyrë të kufizuar përmes ceremonive të tempullit. Në fakt, pjesa më e madhe e popullit të Izraelit, nuk mund të hynte në tempullin vetë, por duhej të vazhdonte të qëndronte tek oborri. Edhe priftërinjtë mund të shkonin vetëm në oborrin e jashtëm të tempullit, ndërsa tek “Vendi shumë i shenjtë,” askush nuk mund të shkonte me përjashtim të kryepriftit, dhe ai vetëm një herë në vit (Heb. 9:1–7).

Tani, nën besëlidhjen e re, besimtarët kanë privilegjin e mahnitshëm të të qenurit në gjendje për të hyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek Vendi shumë i shenjtë në qiell kur ata adhurojnë. “Ne kemi guxim për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit” (Heb. 10:19).[76]8 Përderisa ne e kemi atë bindje të fortë për të hyrë në vetë praninë e Perëndisë, autori i “Hebrenjve” na inkurajon: “le t'i afrohemi me zemër të vërtetë, në siguri të plotë besimi” (Heb. 10:22). Adhurimi në kishën e Besëlidhjes së Re, nuk është thjesht praktikë për një përvojë të mëvonshme qiellore adhurimi të mirëfilltë, nuk është thjesht shtirje apo kalimi përmes disa veprimtarive të jashtme. Është adhurim i mirëfilltë në praninë e Perëndisë Vetë, dhe kur ne adhurojmë, ne hymë përpara fronit të Tij.

Ky realitet shprehet më plotësisht nga autori i “Hebrenjve” në kapitullin 12, kur ai u thotë të krishterëve që ata nuk kanë ardhur në një vend si Mali tokësor Sinai ku populli i Izraelit mori Dhjetë Urdhëresat prej Perëndisë, por ata kanë ardhur tek diçka shumë herë më e mirë, tek Jerusalemi qiellor:

Sepse ju nuk iu afruat malit që mund të kapet me dorë dhe që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë, as tingullit të borisë, as zërit të fjalëve, të cilin ata që e dëgjuan u lutën që atyre të mos u drejtohej më asnjë fjalë ... Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor, edhe morisë së engjëjve,  kuvendit të përgjithshëm dhe kishës së të parëlindurve që janë shkruar në qiej, dhe Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe frymërave të të drejtëve që u bënë të përsosur, dhe Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit. (Heb. 12:18–24)

Ky është realiteti i adhurimit të besëlidhjes së re: është aktualisht adhurim në praninë e Perëndisë, paçka se nuk e shikojmë Atë me sytë tanë fizike, e gjithashtu nuk i shikojmë engjëjt të mbledhur rreth fronit të Tij apo frymët e besimtarëve të cilët kanë shkuar përpara e tani janë duke adhuruar në praninë e Perëndisë. Por është gjithçka atje, dhe është e gjitha reale, më reale e më e qëndrueshme sesa krijimi fizik që shikojmë përreth nesh, i cili një ditë do të shkatërrohet në gjykimin përfundimtar. Gjithashtu, nëse ne besojmë se Shkrimi është i vërtetë, atëherë ne duhet që gjithashtu të besojmë se aktualisht është i vërtetë që ne vetë vijmë në atë pikë dhe bashkojmë zërat tona me ata të cilët tashmë adhurojnë në qiell kurdoherë që ne vijmë tek Perëndia në adhurim. E vetmja përgjigje e përshtatshme e jona, është kjo: “Le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë sepse Perëndia ynë është një zjarr gllabërues” (Heb. 12:28–29).

4. Perëndia na afrohet. Jakobi na thotë: “Afrojuni Perëndisë dhe ai do t'ju afrohet juve” (Jakobi 4:8). Ky ka qenë modeli se si Perëndia është marrë me popullin e Tij përgjatë gjithë Biblës, dhe ne duhet të kemi bindje të plotë se ai vlen edhe për sot.

Në Besëlidhjen e Vjetër, kur populli i Perëndisë filloi ta lavdëronte me rastin e kushtimit të tempullit, Ai zbriti dhe e bëri Veten të njohur në mesin e tyre:

Kur trumbetarët dhe këngëtarët si një njeri i vetëm bënë të dëgjohet bashkërisht zëri i tyre për të lëvduar dhe për të kremtuar Zotin dhe e ngritën zërin në tingullin e borive, të cembaleve dhe të veglave të tjera muzikore dhe lëvduan Zotin: "Sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetësi", ndodhi që Shtëpia, Shtëpia e Zotit, u mbush me një re, dhe priftërinjtë nuk mundën të rrinin për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Zotit mbushte Shtëpinë e Perëndisë. (2 Kron. 5:13–14)

Paçka se kjo flet vetëm për një incident specifik, nuk duket e gabuar të supozojmë që Perëndia do ta bëjë të njohur praninë e Tij në një kohë tjetër ndër njerëzit e Tij, kurdoherë që Ai kënaqet me lavdërimin që ata ofrojnë (edhe nëse ai nuk vjen në formën e një reje të dukshme). Davidi thotë: “Megjithatë ti je i Shenjti që banon në lëvdimet e Izraelit” (Ps. 22:3).

5. Perëndia na shërben. Paçka se qëllimi kryesor i adhurimit është përlëvdimi i Perëndisë, Shkrimi na mëson se në adhurim, diçka na ndodh edhe neve: edhe ne vetë ndërtohemi. Deri në një farë mase, kjo ndodh sigurisht kur ne mësojmë nga mësimet e Biblës që janë dhënë apo fjalët inkurajuese që të tjerët na i thonë—Pali thotë: “Të gjitha le të bëhen për ndërtim” (1 Kor. 14:26), dhe ai thotë se ne duhet që “në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin” (Kol. 3:16), dhe që të jemi “duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore” (Efe. 5:19; kr. Heb. 10:24–25).

Por përveç ndërtimit që shkaktohet nga shtimi i kuptimit të Biblës dhe dëgjimi i fjalëve inkurajuese nga të tjerët, ka edhe një lloj tjetër ndërtimi që ndodh në adhurim: kur ne adhurojmë Perëndinë, Ai takohet me ne dhe na shërben drejtpërsëdrejti, duke forcuar besimin tonë, duke intensifikuar vetëdijen tonë për praninë e Tij si dhe duke realizuar rifreskimin e frymës tonë. Pjetri thotë se ashtu sikurse të krishterët janë vazhdimisht duke ardhur tek Krishti (në adhurim dhe lutje e besim), ata atëherë “ndërtohen për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 2:5). Kur ne vijmë për të adhuruar, ne hyjmë në praninë e Perëndisë në një mënyrë të veçantë, dhe mund të presim që Ai të takohet me ne atje e të na shërbejë: ndërkohë që ne “afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit” ne do “të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohën e duhur” (Heb. 4:16).[77]9 Gjatë adhurimit të mirëfilltë, ne shpesh do të përjetojmë një intensifikim të punës shenjtëruese të Frymës së Shenjtë, i Cili punon vazhdimisht duke na ndryshuar në ngjashmëri me Krishtin “nga lavdia në lavdi” (2 Kor. 3:18).[78]10

6. Armiqtë e Zotit ia mbathin. Kur populli i Izraelit filloi të adhuronte, Perëndia do të luftonte për ta kundër armiqve të tyre. Për shembull, kur moabitët, edomitët dhe sirët u mblodhën kundër Judës, mbreti Jozafat nxori korrin që të lavdëronte Perëndinë përpara ushtrisë:

... caktoi ata që duhet t'i këndonin Zotit dhe duhet ta lëvdonin për shkëlqimin e shenjtërisë së tij ndërsa ecnin përpara ushtrisë ... Kur ata filluan të këndojnë dhe të lëvdojnë, Zoti ngriti një pritë kundër bijve të Amonit dhe të Moabit dhe atyre të malit të Seirit, që kishin ardhur kundër Judës, dhe mbetën të mundur. (2 Kron. 20:21–22)

Në mënyrë të ngjashme, kur populli i Perëndisë i ofron Atij adhurim sot, ne mund të presim që Zoti do të luftojë kundër forcave demonike të cilat e kundërshtojnë ungjillin dhe që Ai do t’i bëjë ato t’ia mbathin.

7. Jobesimtarët e dinë se janë në praninë e Perëndisë. Edhe pse Shkrimi nuk e thekson ungjillëzimin si një qëllim primar kur kisha takohet për adhurim, Pali u thotë korintasve që të kenë parasysh jobesimtarët dhe të jashtmit të cilët vijnë në shërbesat e tyre, për t’u siguruar që të krishterët flasin në mënyra të kuptueshme (shikoni 1 Kor. 14:23). Ai gjithashtu u thotë atyre se nëse dhurata e profecisë është duke funksionuar siç duhet, jobesimtarëve, hera herës do t’u dalin të fshehtat e zemrës së tyre sheshit, dhe ata do të bien përmbys dhe do të “adhurojnë Perëndinë, duke deklaruar se Perëndia është me të vërtetë midis jush” (1 Kor. 14:25; kr. Veprat 2:11). Por ungjillëzimi nuk shikohet si një qëllim primar kur kisha mblidhet për adhurim, dhe për rrjedhojë nuk do të ishte mirë të kishim të vetmen mbledhje të përjavshme të besimtarëve të projektuar kryesisht me një qëllim ungjillëzues. Meraku i Palit është më shumë që vizitorët të kuptojnë se çfarë po ndodh (dhe të mendojmë se të krishterët janë të “çmendur,” 1 Kor. 14:23), dhe se ata e kuptojnë se “Perëndia është me të vërtetë midis jush” (1 Kor. 14:25).

C. Vlera e përjetshme e adhurimit

Për shkak se adhurimi përlëvdon Perëndinë dhe përmbush qëllimin për të cilin Perëndia na krijoi, ai është një veprimtari me rëndësi të përjetshme dhe me vlerë të madhe. Kur Pali i paralajmëron efesianët që të mos e çojnë dëm kohën e tyre por ta përdorin mirë, ai e vë këtë në kontekstin e të jetuarit si njerëz të mençur: “Shikoni, pra, si të ecni me kujdes, jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfrytëzuar kohën, sepse ditët janë të liga” (Efe. 5:15–16).

Pali pastaj shpjegon se çfarë do të thotë të jesh i mençur e të shfrytëzosh në maksimum kohën tënde:

Prandaj, mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit. Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymën, duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar vazhdimisht për gjithçka Perëndinë, Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. (Efe. 5:17–20)

Për rrjedhojë në kontekstin e përdorimit të kohës me mençuri dhe shfrytëzimit të saj në maksimum, Pali përfshin si këndimin e psalmeve frymërore ndaj njëri-tjetrit, ashtu dhe këndimin ndaj Zotit me zemrat tona.

Kjo do të thotë se adhurimi është të bërit e vullnetit të Perëndisë! Adhurimi është rezultat i kuptimit se “cili është vullneti i Zotit.” Do të thotë “të shfrytëzosh në maksimum kohën.” Për më tepër, për shkak se Perëndia është i përjetshëm dhe i gjithë-ditur, lavdërimi që ne i japim Atij nuk do të zbehet kurrë në vetëdijen e Tij, por do të vazhdojë t’i sjellë kënaqësi zemrës së Tij në përjetësi (kr. Juda 25: “Të vetmit Perëndi të urtë, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi dhe madhështi, sundim dhe pushtet, edhe tani, edhe në përjetësi”).

Fakti që adhurimi është një veprimtari me rëndësi të madhe dhe vlerë të përjetshme, është gjithashtu e dukshme në faktin që ajo është veprimtaria kryesore e zbatuar prej atyre që janë tashmë në qiell (kr. Zbu. 4:8–11; 5:11–14).

D. Si mund të hyjmë në adhurim të mirëfilltë?

Si përfundim, adhurimi është një veprimtari frymërore dhe duhet fuqizuar nga Fryma e Shenjtë që punon përbrenda nesh. Kjo do të thotë se ne duhet të lutemi që Fryma e Shenjtë të na bëjë të aftë që të adhurojmë në mënyrën e duhur.

Fakti që adhurimi i mirëfilltë duhet kryer në lëmin e padukshëm, frymëror, është evident në fjalët e Jezusit:

Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse Ati kërkon të tillë si adhurues të tij. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën. (Gjoni 4:23–24)

Të adhurosh “në frymë dhe në të vërtetën” do ishte më e qartë me kuptimin “në Frymën e Shenjtë,” por më tepër “në lëmin frymëror, në lëmin e veprimtarisë frymërore.”[79]11 Kjo do të thotë se adhurimi i vërtetë përfshin jo vetëm trupat tanë fizikë por gjithashtu frymën tonë, aspektin jomaterial të ekzistencës tonë si dhe kryesisht ushtron veprimtari në lëmin e padukshëm. Maria e dinte se ajo po adhuronte në atë mënyrë sepse ajo ia briti: “Shpirti im e madhëron Zotin, dhe fryma im ngazëllen në Perëndinë, Shpëtimtarin tim” (Luka 1:46–47).

Ne duhet të kuptojmë gjithashtu se Perëndia në mënyrë të vazhdueshme “kërkon” (Gjoni 4:23) ata të cilët do ta adhurojnë Atë në lëmin frymëror dhe për rrjedhojë ata fryma si dhe trupi dhe mendja e të cilëve është duke adhuruar Perëndinë. Një adhurim i tillë nuk është opsional për shkak se ata të cilët adhurojnë Perëndinë “duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (v. 24). Nëse fryma jonë nuk është duke e adhuruar Perëndinë, ne nuk jemi duke e adhuruar Atë me të vërtetë.

Një qëndrim adhurimi na kaplon kur ne fillojmë ta shikojmë Perëndinë ashtu sikurse Ai është dhe pastaj t’i përgjigjemi pranisë së Tij. Edhe në qiell, serafimët të cilët kundrojnë lavdinë e Perëndisë, thërrasin: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij” (Isa. 6:3). Kur dishepujt panë Jezusin që ecte mbi ujë, dhe pastaj panë erën të pushojë kur Ai hipi në varkë, “ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: «Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!”’ (Mat. 14:33). Autori i “Hebrenjve” e di që kur ne hyjmë në praninë e Perëndisë (Heb. 12:18–24), reagimi i duhur është që t’i “shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë, sepse Perëndia ynë është një zjarr gllabërues” (Heb. 12:28–29). Për rrjedhojë, adhurimi i mirëfilltë nuk është diçka e cila është e vetë-krijuar apo e cila mund të gatuhet përbrenda vetes tonë. Duhet që përkundrazi ajo të jetë derdhja e zemrave tona si përgjigje ndaj kuptimi të asaj se kush është Perëndia.

Është e udhës që të pyesim nëse ka adhurim të mirëfilltë, të thellë, të ndjerë në kishat tona. Në shumë kisha ungjillore, njerëzit nuk adhurojnë me të vërtetë Perëndinë në zemrën e tyre derisa vjen himni i fundit, pasi predikimi e ka përqendruar vëmendjen e tyre tek kush është Perëndia në mënyrë që ata të fillojnë të gëzohen në Perëndinë me një zemër plot me lavdërime. Por pastaj, pikërisht kur një adhurim i ndjerë nga zemra ka filluar, shërbesa ndalon krejt papritur. Ky duhet të jetë pikërisht fillimi! Nëse në kishat tona po mungon adhurimi i mirëfilltë, ne duhet të pyesim se si do mund ta sjellim veten në atë pikë që të përjetojmë gjithnjë e më shumë thellësi dhe pasuri në adhurim, që është reagimi natyror i zemrës së besimit me një vetëdije të qartë të pranisë dhe karakterit të Perëndisë.[80]12

A ka ndonjë gjë tjetër që ne mund të bëjmë për ta bërë adhurimin më efikas? Ne duhet që të mos harrojmë se adhurimi është një çështje frymërore (Gjoni 4:21–24), si dhe që zgjidhjet parësore do të ishin për rrjedhojë ato frymëroret. Do duhet të ketë shumë lutje si pjesë e përgatitjes për adhurim, veçanërisht nga ana e atyre që janë në pozitë drejtuese, duke i kërkuar Perëndisë që të bekojë kohët e adhurimit e që të na e bëjë Veten e Tij të njohur. Gjithashtu, grigjat do të kenë nevojë për mësime rreth natyrës frymërore të adhurimit dhe kuptimit të Besëlidhjes së Re për sa i takon adhurimit në praninë e Perëndisë (shiko Heb. 12:22–24). Plus kësaj, të krishterët kanë nevojë të inkurajohen për të ndrequr çfarëdo marrëdhënieje ndërpersonale të thyer. Pali thotë se burrat duhet që të ngrenë duar të shenjta lart “pa zemërim dhe pa dyshime” (1 Tim. 2:8), dhe po ashtu, Jezusi na kujton që ne fillimisht duhet që të “pajtohemi” me vëllain tonë, dhe pastaj të vijmë përpara altarit të Perëndisë e të ofrojmë një dhuratë (Mat. 5:24). Në fakt, Gjoni thotë se kushdo që thotë: “Unë e dua Perëndinë” por e urren të vëllanë “është gënjeshtar” (1 Gjonit 4:20). Bashkëshortëve në veçanti u duhet që të sigurohen se po jetojnë “me dituri” me bashkëshortet e tyre e se po i nderojnë ato, me qëllim që lutjet e tyre “të mos pengohen.” (1 Pjetrit 3:7). Gjithashtu, e gjithë kisha ka përgjegjësi që të bëjë kujdes “se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t'ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz” (Heb. 12:15)—një tregues ky që mëkati dhe marrëdhëniet e thyera ndër disa vetë mund të përhapen tek shumë të tjerë e të çojnë në mosdhënien e bekimit të Perëndisë ndaj të tërë grigjës.

Për më tepër, nëse ne me të vërtetë do t’i afroheshim Perëndisë në adhurim, duhet të ketë patjetër një përpjekje për shenjtëri personale në jetën tonë. Autori i “Hebrenjve” i kujton besimtarët që të përpiqen për “shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Heb. 12:14), dhe Jezusi thotë se janë ata të cilët janë të “pastër në zemër” ata të cilët do ta “shohin Perëndinë” (Mat. 5:8)—një premtim ky i cili është përmbushur pjesërisht në këtë jetë dhe plotësisht në epokën që do të vijë. Veçanërisht, në lidhje me lutjen, Gjoni thotë: “Nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë” (1 Gjonit 3:21), por ky parim padyshim që gjen zbatim edhe tek adhurimi pasi ne kemi guximin për të hyrë në praninë e Perëndisë për t’i ofruar Atij lavde. Jakobi nënkupton një preokupim të ngjashëm, kur menjëherë pasi thotë: “Afrojuni Perëndisë dhe ai do t'ju afrohet juve,” shton: “pastroni duart, o mëkatarë, dhe shenjtëroni zemrat, o njerëz me dy mendje” (Jakobi 4:8).[81]13

Megjithëkëtë konteksti fizik si dhe struktura e shërbesave të adhurimit, ka rëndësi, sepse ka tregues që Jezusi mendoi se atmosfera në adhurim qe shumë e rëndësishme. Ai “hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.” Për të shpjeguar këtë veprim, Jezusi këmbënguli që tempulli duhet të ishte një shtëpi lutjeje, sepse Ai tha: «Është shkruar: ``Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje'', por ju e bëtë shpellë kusarësh» (Mat. 21:12–13). Ai u tha gjithashtu besimtarëve, “kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi” (Mat. 6:6), jo vetëm sepse në dhomat tona ne nuk do të shikohemi prej njerëzve, e nuk do të lutemi në atë mënyrë që të marrim lavdi prej njerëzve, por gjithashtu sepse njohuria që të tjerët po na shikojnë në lutjet tona, e shpërqendron shumë lehtë vëmendjen tonë, kështu që pjesërisht ne lutmi për t’u dëgjuar prej të tjerëve apo të paktën në një mënyrë për të mos i skandalizuar ata. Kjo nuk do të thotë se adhurimi i përbashkët dhe lutja janë të ndaluara (sepse të dyja janë shumë evidente si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe në Besëlidhjen e Re), por me këtë duhet thënë se ne duhet të zgjedhim një ambient për lutje apo për adhurim që shmang shpërqendrimet me sa të jetë e mundur. Kjo është e përputhshme me faktin që adhurimi duhet kryer në një mënyrë të rregullt, sepse “Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi” (1 Kor. 14:33; kr. v. 40). Atmosfera dhe mënyra e adhurimit janë të rëndësishme, sepse ne duhet t’i “shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë” (Heb. 12:28). Kjo do të thotë se është e përshtatshme të mblidhemi si kishë në një ambient që është ndihmues për të adhuruar, një që është zakonisht privat dhe pa shpërqendrime, e që të jep mundësi për t’u përqendruar tek Zoti.[82]14

Të kënduarit është veçanërisht i rëndësishëm për adhurimin si në Besëlidhjen e Vjetër ashtu edhe në Besëlidhjen e Re. Në kohën tonë ka patur një ndryshim të madh si në anglishten standarde që flitet prej njerëzve ashtu dhe në formën muzikore me të cilën njerëzit janë të familjarizuar, dhe kishat kanë nevojë të flasin e të planifikojnë haptas dhe me sinqeritet me qëllim që të gjejnë një larmi këngësh të cilat mund të këndohen mirë nga e tërë grigja, dhe që njerëzit do munden që në mënyrë të mirëfilltë të identifikohen si një mjet për shprehjen e lavdërimit të tyre ndaj Perëndisë. Këngët të cilat i adresohen Perëndisë drejtpërdrejtë në vetën e dytë (d.m.th. duke iu drejtuar Perëndisë me “Ti” e jo duke folur rreth Tij si “ai”) shpesh herë do të jetë veçanërisht efikase si këngë adhurimi—paçka se Psalmet tregojnë se të dyja llojet e këngëve janë të kënaqshme për Perëndinë.

Plus kësaj, është e rëndësishme që të lejosh kohë të mjaftueshme për aspektet e ndryshme të adhurimit të përbashkët. Lutja e mirëfilltë padyshim që do mund të marrë kohë (shiko Luka 6:12; 22:39–46; Veprat 12:12; 13:2). Mësimi solid i Biblës shpesh herë mund të marrë shumë kohë gjithashtu (Mat. 15:32; Veprat 20:7–11). Për më tepër, një adhurim i mirëfilltë dhe i ndjerë nga zemra si dhe lavdërimi do të zërë gjithashtu mjaft kohë po qe se ka për të qenë efikas.

Kjo vlen pjesërisht të thuhet për shkak se aspekte të ndryshme të një shërbese adhurimi kërkojnë qëndrime të ndryshme dhe gjendje të ndryshme mendore. Dëgjimi i mësimit biblik kërkon vëmendje ndaj tekstit dhe mësuesit. Lavdërimi kërkon gëzim dhe një fokus tek Zoti dhe shkëlqyeshmëria e Tij. Lutjet me peticione kërkojnë një përqendrim tek nevojat si dhe tek një preokupim i thellë për të tjerët. Koha kur jepen ofertat, kërkon një fokus tek flijimi i vetes tonë ndaj Zotit si dhe që t’i japim Atij nga të mirat materiale tonat e t’i besojmë Atij për sa i takon plotësimit të nevojave tona. Darka e Zotit kërkon një kohë reflektimi, vetë-shqyrtimi dhe ndoshta pendese, bashkë me falënderim, por ne nuk mund t’i kemi të tëra këto qëndrime njëherësh, sepse ne jemi qenie të fundme. Qëndrime të ndryshme mendore kërkojnë kohë për t’u arritur e për të bluajtur. Për këtë arsye është e pamundur që të përmbushim të tëra detyrat e nevojshme për një grigjë të mbledhur, thjesht në një orë të dielën në mëngjes, dhe është e dëmshme edhe që ta provojmë një gjë të tillë. Ata të cilët përpiqen që të bëjnë gjithçka, e ngarkojnë tepër shumë kohën e tyre dhe nuk arrijnë të bëjnë asgjë siç duhet.[83]15 Nëse grigjat duhet të përmbushin qëllimet e ndryshme për të cilat Perëndia dëshiron që ata të mblidhen bashkë, dhe veçanërisht për të patur kohë të konsiderueshme për adhurim përnderues, ata me shumë mundësi kanë nevojë të gjejnë zgjidhje krijuese të cilat i mundësojnë atyre të takohen për periudha më të gjata kohore, si dhe të lënë pa bërë apo të riprogramojnë në kohë disa veprimtari të cilat janë bërë zakone apo tradicionale të të dielave në mëngjes, por që në të vërtetë nuk janë të domosdoshme.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A përjeton adhurim të mirëfilltë, përmbushës në kishën tënde çdo të dielë? Sa kohë i caktohet specifikisht adhurimit (përkufizuar ngushtësisht)—që do të thotë, kohës së lavdërimit dhe mirënjohjes ndaj Perëndisë? A do të doje që kjo kohë të ishte më e gjatë? Çfarë aspektesh të kohës së adhurimit i shikon si më domethënëset? Cilat aspekte janë më pak domethënëse? Si do mundej kisha jote të ndërmerrte hapa për të forcuar dhe thelluar përvojën e saj të adhurimit (po qe se kjo gjë është e nevojshme)?

2.     A ke ndjerë ndonjëherë një ndjenjë të fortë të pranisë së Perëndisë në adhurimin e përbashkët? Kur ka ndodhur? A mundesh ta përshkruash? A e di se cilët ishin faktorët që kontribuuan në këtë ndjesi?

3.     Gjatë kohës së adhurimit, a mund të përshkruash emocionet të cilat janë më mbizotërueset në ndërgjegjen tënde? A është kjo përvojë e ngjashme me përvojat e tjera në jetën e përditshme, apo këto ndjenja janë unike për sa i takon kohës së adhurimit? A ke ndjerë ndonjëherë që Perëndia është duke i shërbyer frymës tënde ndërkohë që ti e adhuron? Çfarë të bëri të vetëdijshëm për këtë gjë?

4.     A mendon se ka një adhurim të mjaftueshëm e të mirëfilltë në një javë të zakonshme në jetën tënde? Nëse jo, cilat janë pengesat ndaj një adhurimi të tillë?

5.     Si ndjehesh për faktin që Perëndia është xheloz për nderin e Tij dhe që kërkon të nderohet? A mund të mendosh ndonjë gjë në univers e cila do të ishte më e drejtë sesa fakti që Perëndia të kërkonte të nderohej? A mund të mendosh për ndonjë gjë tjetër sesa adhurimi i Perëndisë që do të të bënte të ndjeje më thellë se je duke bërë atë gjë për të cilën je krijuar?

TERMA TË VEÇANTË

adhurim

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton (pa trajtim të hollësishëm)

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:287–294

1940 Wiley, 3:138–150

1960 Purkiser, 415–420

1983 Carter, 2:614–615

3. Baptiste

1767 Gill, 2:341–352, 558, 682–729

1987–1994 Lewis/Demarest

4. Dispensacionale

1986 Ryrie, 428–430

5. Luteriane

(pa trajtim të hollësishëm)

6. E reformuar (apo Presbiteriane)

1724–1758 Edwards, 2:913–918

1937–1966 Murray, CW 1:165–168

7. Ripërtëritëse (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

(pa trajtim të hollësishëm)

Vepra të tjera

Allen, Ronald, dhe Borror, Gordon. Adhurim: Rigjetja e Margaritarit të Humbur (Worship: Rediscovering the Missing Jewel). Portland, Ore.: Multnomah, 1982.

Carson, Herbert M. Haleluja! Adhurim i Krishterë (Hallelujah! Christian Worship). Welwyn, Hertfordshire, England: Evangelical Press, 1980.

Engle, Paul E. Zbulimi i Plotësisë së Adhurimit (Discovering the Fullness of Worship). Philadelphia: Great Commission, 1978.

Harrison, E.F. “Adhurim (Worship).” Tek FUT ([84]EDT). fq. 1192–1193.

Kraueter, Tom. Çelësa për t’u Bërë një Drejtues Efikas Adhurimi (Keys to Becoming an Effective Worship Leader). I disponueshëm nga Psalmist Resources, 9820 E. Watson Rd., St. Louis, MO 63126. 1991.

Manson, P.D. “Adhurimi (Worship).” Tek FUT (EDT) fq. 730–732.

Martin, Ralph P. Adhurimi në Kishën e Hershme (Worship in the Early Church). Westwood, N.J.: Revell, 1964.

_______. Adhurimi i Perëndisë (The Worship of God). Grand Rapids: Eerdmans, 1982.

Moule, C.F.D. Adhurimi në Besëlidhjen e Re (Worship in the New Testament). Richmond, Va.: John Knox, 1961.

Peterson, David. Reagimi ndaj Perëndisë: Një Teologji Biblike e Adhurimit (Engaging With God: A Biblical Theology of Worship). Leicester: Inter-Varsity Press, and Grand Rapids: Eerdmans, 1992.

Rayburn, Robert G. O Ejani të Adhurojmë (O Come, Let Us Worship). Grand Rapids: Baker, 1980.

Taylor, Jack R. Faktori Haleluja (The Hallelujah Factor). Nashville, Tenn.: Broadman, 1983.

Wainwright, Geoffrey. Doksologji: Lavdërimi i Perëndisë në Adhurim, Doktrinë dhe në Jetë (Doxology: The Praise of God in Worship, Doctrine, and Life). New York: Oxford University Press, 1980.

Webber, Robert E. Adhurimi i Vjetër dhe i Ri (Worship Old and New). Grand Rapids: Zondervan, 1982.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Zbulesa” 4:11:

I denjë je, o Zot,

të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë,

sepse ti i krijove të gjitha gjërat,

dhe për hir të vullnetit tënd janë dhe u krijuan.

HIMN

“I SHENJTË, I SHENJTË, I SHENJTË (HOLY, HOLY, HOLY)”

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë, Zoti Perëndia i Plotfuqishëm!

Herët në mëngjes kënga jonë do ngrihet tek Ti;

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! I mëshirshëm dhe i fuqishëm!

Perëndia në tri persona, i bekuar Trinitet!

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! Të tërë shenjtorët të adhurojnë,

Hedhin kurorat e tyre të arta tek deti i qelqtë;

Kerubim dhe serafim, përmbys bien përpara Teje,

Që ishe, që je e që do të jesh përgjithmonë.

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! Edhe pse errësira të fsheh,

Edhe pse syri i njeriut mëkatar lavdinë Tënde mund të mos e shikojë,

Vetëm Ti je i shenjtë; nuk ka asnjë përveç Teje

I përsosur në fuqi, dashuri dhe pastërti.

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! Zoti Perëndi i Plotfuqishëm!

Tërë veprat e Tua do ta lavdërojnë emrin Tënd, në tokë dhe qiell dhe det;

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! I mëshirshëm dhe i fuqishëm!

Perëndi në tri persona, i bekuar Trinitet!

Autor: Reginald Heber, 1826

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>