Kapitulli 45: Dëlirësia dhe uniteti i kishës

Pastërtia dhe Uniteti i Kishës

Çfarë e bën një kishë më shumë apo më pak të kënaqshme për Perëndinë? Me çfarë lloj kishash duhet të bashkëpunojmë apo të bashkohemi?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

A. Kishat më të pastra dhe më pak të pastra

Në kapitullin e mëparshëm pamë se ka “kisha të vërteta” dhe “kisha të rreme.” Në këtë kapitull, një dallim i mëtejshëm duhet bërë: ka kisha më të pastra dhe kisha më pak të pastra.

Ky fakt është evident nga një krahasim i shkurtër i letrave të Palit. Kur shikojmë “Filipianëve” apo “1 Thesalonikasve”, gjejmë prova të gëzimit të madh të Palit në këto kisha si dhe mungesën relative të problemeve madhore doktrinare apo morale (shiko Fil. 1:3–11; 4:10–16; 1 Thes. 1:2–10; 3:6–10; 2 Thes. 1:3–4; 2:13; kr. 2 Kor. 8:1–5). Nga ana tjetër, pati gjithfarë problemesh të rënda doktrinare dhe morale në kishat e Galacisë (Gal. 1:6–9; 3:1–5) dhe Korintit (1 Kor. 3:1–4; 4:18–21; 5:1–2, 6; 6:1–8; 11:17–22; 14:20–23; 15:12; 2 Kor. 1:23–2:11; 11:3–5, 12–15; 12:20–13:10). Mund të jepen edhe shembuj të tjerë, por duhet të jetë e qartë se ndër kishat e vërteta, ka kisha më pak të pastra si dhe më shumë të pastra. Kjo mund të tregohet si në figurën 45.1.

Figura:

Kisha të Rreme                                                        Kisha të Vërteta

Më pak të pastra                        më shumë të pastra

                                                                                                           

Figura 45.1: Ndër kishat e vërteta, ka kisha më pak të pastra dhe kisha më shumë të pastra

B. Përkufizimet e Pastërtisë dhe Unitetit

Ne mund ta përkufizojmë pastërtinë e kishës si më poshtë: Pastërtia e kishës është shkalla e saj e lirisë nga doktrina dhe sjellja e gabuar, si dhe shkalla e saj e konformitetit me vullnetin e zbuluar të Perëndisë për kishën.

Siç do ta shikojmë në diskutimin e mëposhtëm, është e udhës që të lutemi e të punojmë për të patur më shumë pastërti në kishë. Por pastërtia nuk mund të jetë preokupimi ynë i vetëm, përndryshe të krishterët do të kishin një prirje që të ndaheshin në grupe të vogla të krishterësh shumë të “pastër” dhe të përjashtonin këdo që do të tregonte edhe devijimin më të vogël në doktrinë apo në drejtimin e jetës. Për rrjedhojë, Besëlidhja e Re flet gjithashtu shpesh për nevojën për t’u përpjekur për unitetin e kishës së dukshme. Kjo mund të përkufizohet në mënyrën e mëposhtme: Uniteti i kishës është shkalla e lirisë së saj prej ndasive ndër të krishterët e vërtetë.

Ky përkufizim specifikon “të krishterët e vërtetë” për shkak se ashtu sikurse e pamë në kapitullin e mëparshëm, ka nga ata të cilët janë të krishterë vetëm për nga emri, por që nuk kanë patur një përvojë të mirëfilltë rigjenerimi nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Gjithsesi, shumë prej këtyre njerëzve marrin emrin të “krishterë” dhe shumë kisha të cilat janë përplot me jobesimtarë të tillë, vazhdojnë ta quajnë veten kisha të krishtera. Ne nuk duhet të presim apo të punojmë për një unitet organizacional apo funksional që përfshin të tërë këta njerëz, dhe për rrjedhojë nuk do të jemi kurrë në unitet me të tëra kishat që e quajnë veten të “Krishtera.” Por, ashtu sikurse do ta shikojmë në diskutimin e mëposhtëm, Besëlidhja e Re padyshim që na inkurajon që të punojmë për unitetin e të tërë besimtarëve të vërtetë.

C. Shenjat e një kishe më të pastër

Ndër faktorët të cilët e bëjnë një kishë “më të pastër” janë edhe:

1.     Doktrina biblike (apo predikimi i duhur i Fjalës)

2.     Përdorimi i duhur i sakramenteve (apo ordinancave)

3.     Përdorim i duhur i disiplinimit kishtar

4.     Adhurim i mirëfilltë

5.     Lutje efikase

6.     Dëshmim efikas

7.     Përbashkësi efektive

8.     Drejtim biblik i kishës

9.     Fuqi frymërore në shërbesë

10.     Shenjtëri personale e jetës ndër pjesëtarët

11.     Kujdes për të varfrit

12.     Dashuri për Krishtin

Mund të ketë edhe shenja të tjera veç këtyre, por të paktën këto mund të përmenden si faktorë që e shtojnë konformitetin e kishës me qëllimet e Perëndisë. Sigurisht, kishat mund të jenë më të pastra në disa fusha e më pak të pastra në fusha të tjera sepse për shembull, një kishë mund të ketë një doktrinë të shkëlqyer si dhe predikim të shëndoshë por megjithatë të jetë e dështuar e për të të ardhur keq në dëshmimin ndaj të tjerëve apo në adhurimin kuptimplotë. Ose, një kishë mund të ketë një dëshmim dinamik dhe kohë Perëndi-nderuese adhurimi, por të jetë e dobët në kuptimin doktrinar dhe mësimin Biblik.

Pjesa më e madhe e kishave ka prirjen që të mendojë se fushat në të cilat ata janë të fortë, janë fushat më të rëndësishme, dhe fushat ku ata janë të dobët, janë më pak të rëndësishme. Por, Besëlidhja e Re na inkurajon që të punojmë për pastërtinë e kishës në të tëra këto fusha. Qëllimi i Krishtit për kishën është “që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efe. 5:26–27). Shërbesa e Palit ishte një e cila vepronte “duke e paralajmëruar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Krishtin Jezus” (Kol. 1:28). Për më tepër, Pali i tha Timoteut që një plak “mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjendje me doktrinën e shëndoshë të nxisë dhe të bindë ata që flasin kundër” (Titit 1:9), dhe ai tha se mësuesve të rremë “u duhet mbyllur goja” (Titit 1:11). Juda i nxit të krishterët duke u thënë: “luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve” (Juda 3). Një përdorim i duhur i sakramenteve urdhërohet tek “1 Korintasve” 11:17–34, dhe përdorimi siç duhet i disiplinimit kishtar për të mbrojtur pastërtinë e kishës, kërkohet tek “1 Korintasve” 5:6–7, 12–13.

Besëlidhja e Re përmend gjithashtu një sërë faktorësh të tjerë: tek të cilët duhet që të përpiqemi për adhurim frymëror (Efe. 5:18–20; Kol. 3:16–17), dëshmi efikase (Mat. 28:19–20; Gjoni 13:34–35; Veprat 2:44–47; 1 Gjonit 4:7), drejtimin e duhur të kishës (1 Tim. 3:1–13), fuqi frymërore në shërbesë (Veprat 1:8; Rom. 1:16; 1 Kor. 4:20; 2 Kor. 10:3–4; Gal. 3:3–5; 2 Tim. 3:5; Jakobi 5:16), shenjtëri vetjake (1 Thes. 4:3; Heb. 12:14), kujdes për të varfrit (Veprat 4:32–35; Rom. 15:26; Gal. 2:10), si dhe dashuri për Krishtin (1 Pjetrit 1:8; Zbu. 2:4). Në fakt, të tërë të krishterëve u thuhet: “kërkoni që t'i keni të bollshme për ndërtimin e kishës” (1 Kor. 14:12), një nxitje kjo e cila gjen zbatim jo vetëm për të shtuar numrin e pjesëtarëve të kishës, por gjithashtu (dhe në fakt si gjë kryesore) për “ndërtimin” apo rritjen e kishës drejt një  pjekurie më të madhe të krishterë. Qëllimi i të tërë këtyre pasazheve është që të na kujtojë që ne duhet të punojmë për pastërtinë e kishës së dukshme.

Sigurisht, nëse ne duhet që të punojmë për pastërtinë e kishës, veçanërisht të kishës vendore pjesë e të cilës jemi, ne duhet të kuptojmë se ky është një proces dhe se cilado kishë pjesë e të cilës jemi, do të jetë njëfarësoj e papastër në fusha të ndryshme. Nuk ka patur kisha të përsosura në kohën e Besëlidhjes së Re dhe nuk do të ketë kisha të përsosura derisa Krishti të kthehet.[32]1 Kjo do të thotë se të krishterët nuk kanë detyrim që të kërkojnë kishën më të pastër që mund të gjejnë e pastaj ta lënë nëse një kishë edhe më e pastër u tërheq vëmendjen. Përkundrazi, ata duhet të gjejnë një kishë të vërtetë në të cilën ata mund të kenë një shërbesë efikase dhe në të cilën ata do të përjetojnë rritje të krishterë gjithashtu, e pastaj duhet të qëndrojnë atje dhe të shërbejnë, duke punuar vazhdimisht për pastërtinë e asaj kishe. Perëndia shpesh do të bekojë lutjet e tyre si dhe dëshminë e tyre besnike, dhe kisha do të rritet gradualisht në shumë fusha të pastërtisë.

Por ne duhet të kuptojmë se jo të tëra kishat do të reagojnë mirë ndaj ndikimeve që do t’u sjellin atyre pastërti më të madhe. Nganjëherë, pavarësisht pak të krishterëve besnikë përbrenda një kishe, drejtimi i saj kryesor do të caktohet nga të tjerët të cilët janë të vendosur për ta drejtuar në një rrjedhë tjetër. Nëse Perëndia me hir nuk ndërhyn për të sjellë reformim, disa prej këtyre kishave do të kthehen në kulte, ndërsa të tjera syresh thjesht do të shuhen e do t’i mbyllin dyert. Gjithsesi, më e zakonshmja është që këto kisha thjesht do të rrëshqasim në protestantizmin liberal.

Në këtë pikë është e nevojshme që të mos harrojmë se protestantizmi klasik liberal është humanistik dhe qasjet e tij janë kryesisht me në qendër njeriun e jo me në qendër Perëndinë.[33]2 Kur një kishë fillon të largohet nga besnikëria ndaj Krishtit, kjo do të jetë e dukshme jo vetëm në kalimin e saj në doktrina të papastra (të cilat nganjëherë mund të mbahen të fshehura nga pjesëtarët e kishës përmes një përdorimi të një gjuhe shmangëse) por gjithashtu në jetën e përditshme të kishës: veprimtaritë, predikimin, këshillimet e saj e madje edhe bisedat e thjeshta ndër pjesëtarët e saj do të kenë prirjen që të bëhen gjithnjë e më shumë me në qendër njeriun e gjithnjë e më pak me në qendër Perëndinë. Do të ketë një theksim të përsëritur mbi llojet tipike të këshillave vetë-ndihmuese që jepen në gazeta e njohura si dhe nga psikologët shekullarë. Do të ketë një orientim horizontal që bie ndesh me orientimin vertikal apo me në qendër Perëndinë, do të ketë gjithnjë e më pak kohë më të gjata në lutje e gjithnjë e më pak theks tek zbatimi i drejtpërdrejtë i Shkrimit në situatat e përditshme, por më shumë theks në thjesht të qenurit një person që kujdeset e që është i ndjeshëm si dhe në afirmimin e të tjerëve dhe në veprimin me dashuri ndaj tyre. Lidhja dhe veprimtaritë e kishës do të kenë një përmbajtje shumë pak të mirëfilltë frymërore, pak theksim mbi nevojën për lutje të përditshme për preokupime individuale si dhe për faljen e mëkateve, pak theksim në leximin vetjak të Shkrimit, si dhe pak theksim në mirëbesimin çast pas çasti në Krishtin si dhe në njohjen e realitetit të pranisë së Tij në jetën tonë. Atje ku ka qortime ndaj reformimit moral, këto shpesh herë do të shikohen si mangësi njerëzore të cilat njerëzit mund t’i korrigjojnë nëpërmjet disiplinës dhe përpjekjes së tyre, dhe ndoshta përmes inkurajimit nga të tjerët, por këto aspekte morale të jetës, nuk do të shikohen si kryesisht mëkate kundër një Perëndie të shenjtë që mund të tejkalohen me efektivitet, vetëm nëse tejkalohen nga fuqia e Frymës së Shenjtë që punon përbrenda. Kur një theksim i tillë humanist bëhet dominues në kishë, ajo ka shkuar larg drejt anës së të qenurit “më pak e pastër” të peshores në shumë prej fushave të renditura më lart, dhe po shkon drejt kthimit në një kishë të rreme.

D. Mësimi i Besëlidhjes së Re rreth unitetit të kishës

Në Besëlidhjen e Re, unitetit të kishës i vihet një theks i fortë. Qëllimi i Jezusit është që “të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm” (Gjoni 10:16), dhe Ai lutet për të tërë besimtarët e ardhshëm që “ata të jenë një” (Gjoni 17:21). Ky unitet do të jetë një dëshmi për jobesimtarët sepse Jezusi lutet “që të jenë të përsosur në një dhe që bota të njohë që ti më dërgove dhe i deshe ata, ashtu si më deshe mua” (Gjoni 17:23).

Pali i kujton korintasit që ata janë “thirrur shenjtorë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend thërrasin emrin e Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonit” (1 Kor. 1:2). Pastaj, Pali i shkruan Korintit: “Por ju bëj thirrje vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një mendim” (1 Kor. 1:10; kr v. 13).

Ai i inkurajon filipianët: “e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njëjtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme” (Fil. 2:2). Ai u thotë efesianëve që të krishterët duhet të jenë “duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efe. 4:3), dhe se Zoti jep dhunti ndaj kishës “për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë, te një burrë i përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit” (Efe. 4:12–13).

Pali mund ta urdhërojë kishën që të jetojë në unitet sepse atje tashmë ka një unitet frymëror aktual në Krishtin i cili ekziston ndër besimtarët e mirëfilltë. Ai thotë: “Është një trup dhe një Frymë, sikurse ju u thirrët në një shpresë të thirrjes suaj. Një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, përmes të gjithëve dhe në ju të gjithë” (Efe. 4:4–6). Gjithashtu, paçka se trupi i Krishtit përbëhet nga shumë gjymtyrë, të tëra ato gjymtyrë janë “një trup” (1 Kor. 10:17; 12:12–26).

Për shkak se ata janë xhelozë që ta mbrojnë këtë unitet të kishës, shkruesit e Besëlidhjes së Re lëshojnë paralajmërime të forta kundër atyre të cilët shkaktojnë ndasi:

Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që sjellin përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata; sepse të tillë nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre. (Rom. 16:17–18)

Pali e kundërshtoi Pjetrin në sy për shkak se ai u nda nga të krishterët johebrenj dhe filloi të hante vetëm me të krishterët judenj (Gal. 2:11–14). Ata të cilët promovojnë “grindje... përçarje, tarafe... nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (Gal. 5:20–21). Gjithashtu Juda i paralajmëron se ata të cilët “shkëputen” janë “njerëz shpirtërorë, që s'kanë Frymën” (Juda 19).

E përputhshme me këtë theksim të Besëlidhjes së Re rreth unitetit të besimtarëve, është fakti se urdhëresat e drejtpërdrejta për t’u ndarë nga njerëzit e tjerë, janë gjithnjë urdhëresa për t’u ndarë nga jobesimtarët e jo nga të krishterët me të cilët ne mund të mos jemi dakord për diçka. Kur Pali thotë: “Prandaj ‘dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre’” (2 Kor. 6:17), kjo është në mbështetje të urdhëresës hapëse të atij seksioni: “Mos hyni në një zgjedhë bashkë me jobesimtarët” (2 Kor. 6:14). Gjithashtu, Pali i thotë Timoteut: “nga këta largohu” (2 Tim. 3:5), duke mos iu referuar besimtarëve por jobesimtarëve, ata të cilët janë “dëfrimdashës më shumë se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj” (2 Tim. 3:4–5). Ai thotë se këta njerëz “janë njerëz mendjeprishur, të paprovuar në besim” (2 Tim. 3:8). Sigurisht, ekziston një lloj disipline kishe e cila kërkon ndarje nga një individ i cili shkakton probleme përbrenda kishës (Mat. 18:17; 1 Kor. 5:11–13), gjithashtu, mund të ketë arsye të tjera për të cilat të krishterët dalin në përfundimin se nevojitet një ndarje,[34]3 por është e rëndësishme të vërejmë këtu, në diskutimin e unitetit të kishës, se nuk ka urdhëresa të drejtpërdrejta të Besëlidhjes së Re që të ndahemi nga të krishterët me të cilët mund të mos kemi dakordësi doktrinare (në mos këto mosdakordësi përfshijnë një herezi serioze aq sa vetë besimi i krishterë mohohet).[35]4

Këto pasazhe mbi unitetin e kishës na tregojnë se përveç punës për pastërtinë e kishës së dukshme, ne duhet të punojmë gjithashtu për unitetin e kishës së dukshme. Megjithëkëtë, ne duhet të kuptojmë se një unitet i tillë nuk kërkon faktikisht një qeverisje të përbotshme të kishës mbi të tërë të krishterët. Në fakt, uniteti i besimtarëve shpesh herë është demonstruar me mjaft efikasitet përmes bashkëpunimit dhe bashkimit vullnetarisht ndër grupet e krishtera. Për më tepër, llojet e ndryshme të shërbesave si dhe theksimet e ndryshme në shërbesë, mund të rezultojnë në organizata të ndryshme, e të tëra nën kryesimin universal të Krishtit si Zoti i kishës. Për rrjedhojë, ekzistenca e denominacioneve të ndryshme, bordeve të misionit, institucioneve arsimore të krishtera, shërbesave nëpër kolegje, e të tjera si këto, nuk është domosdoshmërisht një shenjë e mungesës së unitetit të kishës (paçka se në disa raste mund të jetë), sepse mund të ketë mjaft bashkëpunim si dhe demonstrime të shpeshta të unitetit ndër organizata kaq të larmishme sa këto. (Mendoj se termi bashkëkohor organizatë parakishtare është i pavend, për shkak se nënkupton se këto organizata janë disi “krahas” dhe për rrjedhojë “jashtë” kishës, ndërkohë që në realitet ato janë thjesht pjesë të ndryshme të së njëjtës kishë të përbotshme.) Për më tepër, shumë të krishterët thonë se nuk duhet të ketë një drejtim të përbotshëm të kishës për shkak se modeli i Besëlidhjes së Re i drejtimit të kishës, nuk tregon në asnjë rast që pleqtë kanë autoritet mbi apo më shumë sesa grigja e tyre vendore (shiko kapitullin 47 më poshtë). Në fakt, edhe në Besëlidhjen e Re, apostujt ishin të një mendjeje që Pali duhet të theksojë punën misionare ndaj paganëve ndërkohë që Pjetri do ta vinte theksin më shumë tek puna misionare ndaj judenjve (Gal. 2:7), dhe Pali e Barnaba punuan veçmas për një farë kohe për shkak të një mosmarrëveshje që kishte të bënte me nëse duhej ta merrnin apo jo Markun me vete (Veprat 15:39–40), paçka se padyshim ata kishin unitet në të gjitha anët e tjera.[36]5

E. Histori e shkurtër e ndarjes organizacionale në kishë

Nganjëherë ka arsye përse uniteti i jashtëm apo i dukshëm i kishës nuk mund të ruhet. Një vështrim i përgjithshëm e përmbledhtas i historisë se ndarjes organizacionale në kishë, mund të nxjerrë në pah disa prej këtyre arsyeve,[37]6 si dhe të ndihmojë të shpjegojë se prej nga ku burojnë këto ndasi të sotme denominacionale.

Gjatë mijëvjeçarit të parë të kishës, për pjesën më të madhe të kohës ka patur një unitet të jashtëm. Ka patur disa ndasi të parëndësishme gjatë mosmarrëveshje me grupe si Montanistët (shekulli i dytë dhe Donatistët (shekulli i katërt), dhe kishte një ndarje të vogël nga disa kisha Monofizite (shekujt e pestë dhe të gjashtë), por ndjenja mbizotëruese qe një e cila përmbante një kundërshti të fortë ndaj ndasive në trupin e Krishtit. Për shembull, Ireneu, një peshkop i shekullit të dytë, tha për ata të cilët shkaktojnë ndasi në kishë: “Asnjë reformim që mund të shkaktohet prej tyre nuk do të ketë një rëndësi aq të madhe sa nevojitet për të kompensuar dëmet që shkaktohen nga kjo ndarje e tyre” (Kundër Herezive 4.33.7).

Ndarja e parë kryesore në kishë erdhi në vitin 1054 mbas K. kur kisha Lindore (tani Ortodokse) u nda nga kisha Perëndimore (Katolike Romake). Arsyeja ishe që thjesht me autoritetin e vet, papa e kishte ndryshuar një besore kishe,[38]7 dhe kisha Lindore protestoi duke thënë se ai nuk kishte të drejtë ta bënte këtë.

Reformimi në shekullin e gjashtëmbëdhjetë më pas e ndau kishën Perëndimore në degët e Katolicizmit Romak dhe Protestantizmit, megjithëkëtë kishte shpesh herë një ngurrim të fortë për të shkaktuar një ndasi formale. Martin Luteri dëshironte ta reformonte kishën por pa e ndarë atë, por ai u shkishërua më 1521. Kisha Anglikane (Episkopaliane) nuk u nda nga Roma, por u shkishërua më 1570; kështu që ajo mund të thotë: “Ne e pësuam ndarjen, nuk është se e shkaktuam ne.” Nga ana tjetër, kishte shumë protestantë, veçanërisht ndër anabaptistët të cilët dëshironin të formonin kisha me vetëm besimtarë, dhe që nga viti 1525 filluan të formonin kisha të veçanta në Zvicër dhe pastaj në pjesë të tjera të Evropës.

Në shekujt që pasuan Reformimin, Protestantizmi u nda në qindra grupe më të vogla. Nganjëherë drejtuesit e këtyre grupeve të reja i shikonin me keqardhje ndarjet e tilla: Xhon Uesli (John Wesley), edhe pse qe themeluesi i Metodizmit, tha se kishte jetuar si pjesëtar i kishës Anglikane e se do të vdiste si i tillë. Shpesh ndodhi që çështjet e ndërgjegjes apo lirisë fetare ishin ato që shkaktuan ndasinë, ashtu sikurse me grupet Puritane si dhe shumë grupe Pietiste. Nga ana tjetër, nganjëherë ndryshimet gjuhësore ndër grupet emigrante në Amerikë, çuan në themelimin e kishave të veçanta.

A kanë qenë arsyet për ndarjen në organizata dhe denominacione të ndryshme gjithnjë të duhurat? Paçka se pothuajse gjithnjë ka patur mospërputhje të forta teologjike në ndarjet kryesore të kishës, mund të krijohet një frikë se shpesh herë, veçanërisht në historinë e kohëve të sotme, motivet reale për fillimin apo mbajtjen e ndarjes kanë qenë egoiste, dhe se Xhon Kalvini (John Calvin) mund të ketë patur të drejtë kur tha: “Krenaria apo përlëvdimi i vetës është shkaku dhe pikënisja e të tëra polemikave ku secili person që pretendon të ketë më tepër nga ç’ka të drejtë të ketë, bën çmos të ketë të tjerë nën autoritetin e vet.”[39]8 Për më tepër ai thotë: “Ambicia ka qenë dhe ende është, nëna e të tëra gabimeve, e të tëra trazirave dhe sekteve.”[40]9

Në mesin e shekullit të njëzet, lëvizja ekumenike kërkoi një unitet më të madh organizacional ndër denominacionet, por pa ndonjë sukses të përfillshëm. Kjo lëvizje sigurisht që gjeti një aprovim të përzemërt apo mbështetje nga ungjillorët. Nga ana tjetër, që prej viteve 1960, rritja e lëvizjes karizmatike duke kaluar pothuajse të tërë kufijtë denominacionalë, përhapja e grupeve të studimit të Biblës si dhe atyre të lutjes nëpër lagje, si dhe një zbehje (për të ardhur keq) e vetëdijes doktrinare ndër joklerikët, ka shkaktuar një rritje mbresëlënëse në unitetin aktual të bashkësisë, edhe mes protestantëve dhe katolikëve, në nivel vendor.

Paçka se paragrafët e mëparshëm folën për ndarjen në kuptimin e (1) formimit të organizatave të veçanta, ka dy lloje të tjera më të prera ndarjeje që duhen përmendur: (2) “Mos bashkëpunim”: në këtë rast, një kishë apo organizata e krishterë, refuzon të bashkëpunojë në veprimtari të përbashkëta me kisha të tjera (veprimtari të tilla si fushata ungjillore apo shërbesa të përbashkëta adhurimi apo një njohje e ndërsjellët e caktimit në detyrë të klerit). (3) “Mos miqësi personale”: kjo përfshin shmangien ekstremisht rigoroze të të tërë bashkësisë personale me pjesëtarët e një kishe tjetër, dhe ndalon çfarëdo lutjeje të përbashkët apo studim Bible, dhe nganjëherë edhe kontakte të zakonshme sociale me pjesëtarët e një grupi tjetër kishtar. Në seksionin vijues do të diskutojmë arsyet e mundshme për këtë lloj ndarjeje.

F. Arsyet për ndarje

Ndërkohë që shqyrtojmë motivet që njerëzit kanë patur për ndarjen e kishës përgjatë historisë, dhe ndërkohë që i krahasojmë ato motive me kërkesat e Besëlidhjes së Re që ne kërkojmë si unitetin ashtu edhe pastërtinë e kishës së dukshme, mund të shikojmë arsye si të duhura ashtu edhe të gabuara për ndarjen. Arsyet e gabuara do të përfshinin gjëra të tilla si për shembull ambicia dhe krenaria personale apo dallime mbi doktrinat apo praktikat e parëndësishme (modele doktrinarë apo të sjelljes të cilat nuk do të ndikojnë tek ndonjë doktrinë tjetër e të cilat nuk do të kenë një efekt të ndjeshëm tek mënyra se si personi jeton jetën e krishterë).[41]10

Nga ana tjetër, ka disa arsye për ndarjen të cilat ne mund t’i konsiderojmë të duhura (ose me gjasa të drejta, në varësi të rrethanave specifike). Në pjesën më të madhe të rasteve, këto arsye do të burojnë nga nevoja për të punuar për pastërtinë e kishës si dhe për unitetin e saj. Këto arsye për ndarjen mund të shqyrtohen në tre kategori: (1) arsye doktrinare; (2) arsye të ndërgjegjes; (3) faktorë praktikë. Në seksionin e mëposhtëm unë kam renditur disa situata ku mua më duket se të krishterëve do t’u kërkohej të largoheshin nga një kishë e caktuar. Pastaj kam renditur disa situata të tjera në të cilat mua më duket më pak e qartë, në të cilat disa të krishterë mund ta gjykojnë të udhës që të largohen nga një kishë, ndërkohë që të tjerë do ta gjykojnë këtë si jo të mençur. Në këto raste më pak të qarta, përgjithësisht nuk kam formuluar përfundime, por thjesht kam renditur llojet e faktorëve që të krishterët do të donin të merrnin në konsideratë.

1. Arsye doktrinare. Mund të krijohet një nevojë për ndarje kur pozita doktrinarë e një kishe devijon nga standardet biblike në mënyrë të konsiderueshme. Ky devijim mund të shfaqet në deklaratat zyrtare apo në besimet apo praktikat aktuale, me sa kjo gjë mund të përcaktohet. Por kur devijimi doktrinar bëhet aq i rëndë saqë kërkon tërheqjen nga një kishë apo formimin e një kishe tjetër? Siç kemi vërejtur më lart, në Besëlidhjen e Re nuk ka urdhëresa për t’u ndarë nga ndonjë kishë e vërtetë, për sa kohë që ajo vazhdon të jetë pjesë e trupit të Krishtit. Përgjigja e Palit edhe ndaj njerëzve në kishat që ishin në gabim (edhe në kisha si ajo e Korintit të cilat toleronin gabime serioze doktrinare dhe morale, dhe të cilat për një farë kohe toleruan disa të cilët e refuzuan autoritetin apostolik të Palit) nuk është që t’u tregojë të krishterëve besnik që të ndahen nga ato kisha, por që t’i paralajmërojë kishat, të përpiqet për pendesën e tyre e që të lutet për to. Sigurisht që ka urdhëresa për t’i disiplinuar ata të cilët shkaktojnë telashe brenda kishës, nganjëherë duke i përjashtuar ata nga përbashkësia e kishës (1 Kor. 5:11–13; 2 Thes. 3:14–15; Titit 3:10–11), por nuk ka udhëzime për t’u larguar nga kisha e për të shkaktuar ndasi nëse kjo nuk mund të kryhet menjëherë (shiko Zbu. 2:14–16, 20–25; kr. Luka 9:50; 11:23).

“2 Gjoni” 10–11, që ndalon marrjen e mësimeve të rreme, përbën ndoshta deklaratën më të fortë në të gjithë Besëlidhjen e Re: “Mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet, bëhet pjesëtar i veprave të tij të liga”. Por duhet vërejtur se një vizitor i tillë është duke dhënë mësim një herezi të rëndë për personin Krisht, një herezi e cila i pengon njerëzit të kenë besim shpëtues. (Gjoni po flet për cilindo që “nuk qëndron në doktrinën e Krishtit” si dhe që “nuk ka Perëndi” [v. 9].) Për më tepër, ky varg i referohet mësuesve të rremë, e jo të tërë individëve të cilët kanë besime të rreme, për shkak se flet për dikë që vjen tek ti dhe “nuk sjell këtë doktrinë” (v. 10; kr. v. 7, “Shumë mashtrues dolën në botë, të cilët nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në mish”). Gjoni madje përdor fjalën antikrisht për mësues të tillë. Si përfundim, përshëndetja që Gjoni ka në mendje, i referohet ose një përshëndetjeje zyrtare të kishës, apo njërës që do të krijonte në pamje të parë një përkrahje të kësaj doktrine, për shkak se ky ndalim ka të bëjë me dikë i cili “vjen te ju dhe nuk sjell këtë doktrinë” (v. 10), gjë që sugjeron se personi në fjalë është një mësues shëtitës i cili nuk shkon në një shtëpi individuale por vjen për t’iu drejtuar të tërë kishës bashkë.[42]11

Mbi parimin e ndarjes nga jobesimtarët apo nga gabimi themelor që do të përfshinte mohimin e besimit të krishterë, të krishterëve duket se do t’u kërkohej mbi baza doktrinarë që të largoheshin nga një kishë e të bashkoheshin apo të formonin një organizatë të re vetëm kur gabimi doktrinar të jetë aq i rëndë e aq i përhapur saqë kisha mëmë të jetë kthyer në një kishë të rreme e cila nuk është më pjesë e trupit të Krishtit. Kjo do të ishte një kishë e cila nuk është më një bashkësi besimtarësh të vërtetë, e cila nuk është më pjesë e vërtetë e trupit të Krishtit, apo që nuk është më pjesë e një vendi ku do të gjejnë shpëtim ata të cilët besojnë mësimet e saj.[43]12 Në rastin e largimit prej një kishe të rreme, ata të cilët ndahen, do të pretendojnë se në fakt ata nuk janë larguar nga kisha e vërtetë por që ata janë vetë kisha e vërtetë dhe se organizata mëmë është larguar për shkak të gabimit të saj. Në fakt, si Luteri ashtu edhe Kalvini si përfundim thanë se Kisha Katolike Romake nuk ishte kishë e vërtetë.

Sidoqoftë, edhe kur largimi apo ndarja nuk kërkohet detyrimisht, shumë të krishterë mund të shikojnë se është mençuri apo e leverdisshme të largohen përpara se kisha të kthehet në një kishë të rreme, që kur ndodhin devijime të rënda doktrinare. Për shembull, disa do të thonin se devijimet doktrinare janë kthyer në të patolerueshme kurdoherë që pikëpamjet heretike mbi doktrinat madhore (si për shembull Trinia, personi Krisht, shlesa, ringjallja, etj.) mund të mbrohen nga një drejtues kishe dhe të kalojnë pa bërë që ai apo ajo të jetë subjekt i disiplinës kishtare apo përjashtimit nga bashkësia e kishës. Në raste të tjera, shumëkush do të thotë se ndarja duhet të ndodhë kur kisha si një trup i vetëm do të aprovonte publikisht disa gabime të rënda doktrinare apo morale (si për shembull përkrahja e një gabimi doktrinar në një besore të kishës apo në deklaratën e besimit të saj). Sidoqoftë, të krishterët e tjerë nuk do të mendonin se ndarja është veprim i zgjuar apo i leverdisshëm në raste të tilla, por do të mbronin tezën sipas të cilës lutja dhe puna për ripërtëritje dhe reformim brenda kishës, si dhe bërja e deklaratave të qarta publike për mospajtim me çfarëdo gabimi doktrinar që është toleruar. Në raste të tilla, ata të cilët vendosin të qëndrojnë dhe ata të cilët vendosin se duhet të largohen, duhet që të dy të kuptojnë se Perëndia mund t’i thërrasë të krishterë të ndryshëm në role dhe shërbesa të ndryshme, dhe për rrjedhojë në vendime të ndryshme, dhe ne do të bënim mirë t’i jepnim një liri të konsiderueshme të tjerëve për të kërkuar mençurinë e Perëndisë në një rast të tillë dhe t’i binden ashtu sikurse ata e kuptojmë më mirë në jetën e tyre.

2. Çështjet e ndërgjegjes. Në fushën e ndërgjegjes, nëse një i krishterë nuk ka lirinë për të predikuar apo për të dhënë mësim ashtu siç i thotë ndërgjegjja e tij apo saj e bazuar tek Shkrimi, mund të mendohet se ndarja është e domosdoshme apo të paktën të jetë një gjë e mençur për t’u bërë. Por një kujdes dhe përulësi e madhe duhen treguar këtu: gjykimi individual mund të shtrembërohet, veçanërisht nëse nuk bazohet tek konsensusi i besimtarëve besnikë përgjatë gjithë historisë si dhe nëpërmjet këshillës së besimtarëve në të tanishmen.

Për më tepër, urdhëresa tek “2 Korintasve” 6:14 për të mos hyrë në një zgjedhë bashkë me jobesimtarët, mund të kërkojë gjithashtu që personi të ndahet po qe se kisha mëmë do të bëhej aq e dominuar nga ata të cilët nuk kanë treguar prova të besimit shpëtues aq sa një “hyrje në një zgjedhë bashkë” e tillë nuk mund të shmanget. Në këtë pasazh, ndalimi kundër të qenurit i “hyrë në një zgjedhë bashkë” me jobesimtarët ndalon jo shoqërimin e thjesht apo madje pranimin e ndihmës (kr. “Luka” 9:50, por gjithashtu “3 Gjonit” 7), por më tepër kalimin e kontrollit mbi veprimtaritë e dikujt si dhe humbjen e lirisë për të vepruar në bindje ndaj Perëndisë sepse këto kufizime janë ajo që nënkuptohet nga metafora e të qenurit “të hyrë në një zgjedhë” së bashku. Disa njerëz mund ta shikojnë gjithashtu të domosdoshme apo të paktën mençuri që të largohen nga një kishë mbi bazën e ndërgjegjes po qe se qëndrimi në të do të nënkuptonte aprovimin e një doktrine apo praktike jobiblike përbrenda kishës, dhe kësisoj do t’i inkurajonte të tjerët që të ndiqnin atë doktrinë apo praktikë të gabuar. Por të tjerë mund ta mendojnë të arsyeshme që të qëndrojnë në kishë dhe të artikulojnë mosdakordësinë e qartë të doktrinës së gabuar.

Në raste të tjera, disa kanë argumentuar duke thënë se kërkohet që të largohemi nga një denominacion kur një autoritet më i lartë drejtues në atë denominacion, të cilit dikush i ka premtuar t’i bindet, urdhëron të kryhet diçka e cila është padyshim e mëkatshme (d.m.th., një veprim i cili është qartësisht në kundërshtim me Shkrimin). Në një rast të tillë, ka nga ata të cilët do të thonin se largimi nga ky denominacion është mënyra e vetme për të shmangur qoftë aktin e mëkatshëm që është urdhëruar të kryhet, qoftë aktit e mëkatshëm të mosbindjes ndaj atyre që janë në autoritet. Por kjo nuk duket se është një kërkesë e domosdoshme sepse shumë pasazhe nga Shkrimi mund të citohen ku tregohet se mosbindja ndaj një autoriteti më të lartë nuk është e gabuar kur prej tyre merren urdhra për të mëkatuar (shiko Vep. 5:29; Dan. 3:18; 6:10), dhe që personi mund të mos bindet por ndërkohë të qëndrojë në kishën mëmë derisa ta detyrojnë të dalë prej saj.

3. Aspekte praktike. Të krishterët mund të vendosin që të ndahen nga një kishë mëmë po qe se pas një shqyrtimi në lutje e sipër, rezulton se qëndrimi në kishën mëmë me shumë mundësi do të çojë në më tepër dëm sesa të mirë. Kjo mund të jetë për shkak se puna e tyre për Zotin do të pengohej dhe do të bëhej joefektive në sajë të kundërshtisë që do të ngrihej ndaj saj nga kisha mëmë apo për shkak se ata do të gjenin pak apo aspak bashkësi me të tjerët në atë kishë. Për më tepër, ka nga ata të cilët mund të vendosin se qëndrimi në kishë do ta dëmtonte besimin e besimtarëve të tjerë apo se do t’i pengonte jobesimtarët të vinin në besimin e vërtetë për shkak se lidhja e tyre e vazhduar me kishën mëmë do dukej të nënkuptonte aprovimin e mësimeve të rreme përbrenda kishës. Përsëri, të krishterët mund ta gjejnë veten në situata kur ata janë lutur dhe kanë punuar për ndryshim për një farë kohe, por duket se nuk ka një shpresë të arsyeshme për ndryshim në kishën mëmë, ndoshta për shkak se grupi i tanishëm i drejtuesve i reziston ndreqjes mbi bazën e Shkrimit, është ngulitur fort në mendimin e tyre dhe i jep të drejtën të qëndrojë në atë pozitë përherë. Në të tëra këto situata mund të kërkohen shumë lutje dhe gjykim me pjekuri për shkak se largimi nga një kishë, veçanërisht nga njerëzit të cilët kanë qenë për një kohë të gjatë atje apo që kanë patur funksione drejtuese në kishë, është një veprim serioz.

4. A ka raste kur bashkëpunimi dhe përbashkësia personale janë të ndaluara? Si përfundim, kur duhet që të krishterët të hedhin hapa më të fortë sesa ato që përmenden më lart dhe që të angazhohen në atë lloj ndarjeje të cilën më përpara ne e quajtëm “mos bashkëpunim” apo “përbashkësi jo personale”? Pasazhet biblike që ne kemi parë, duket se kërkojnë që të krishterët të praktikojnë “jo bashkëpunimin” në disa veprimtari të caktuara me një grup tjetër vetëm kur grupi tjetër është një grup jobesimtarësh, dhe atëherë, duket, vetëm kur grupi i jobesimtarëve ka pjesë në kontrollin e veprimtarisë (kjo është ajo që nënkuptohet në metaforën e të qenurit “të hyrë në një zgjedhë bashkë” tek “2 Kor.” 6:14). Sigurisht, mund të gjykohet si veprim i mençur apo i leverdisshëm mbi të tjera baza që të vendosësh të mos bashkëpunosh në një funksion të caktuar, por mos-bashkëpunimi nuk do të duket se kërkohet me përjashtim kur grupi tjetër është jobesimtar. Padyshim që kundërshtia ndaj veprimtarive të tilla si fushatat ungjillëzuese nga besimtarë të tjerë të vërtetë do të konsideroheshin nga autorët e Besëlidhjes së Re si ndasi si dhe një dështim në lidhje me demonstrimin e unitetit të trupit të Krishtit.[44]13

Lloji i tretë dhe më i skajshëm i ndarjes, shmangia e të tërë bashkësisë personale me pjesëtarët e një grupi të tërë kishtar, nuk urdhërohet kurrë në Besëlidhjen e Re. Një masë e tillë e skajshme “jo bashkësie” nënkuptohet vetëm në rastet e rënda të disiplinës kishtare ndaj individëve, e jo në rastet e mosmarrëveshjeve mes kishash të tëra.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Në cilat fusha është kisha jote “më e pastër”? Në cilat fusha mendon se ajo është “më pak e pastër”?

2.     Në një shkallë nga 1 deri 10 (1 është e barabartë me më pak të pastër; 10 është e barabartë me më shumë të pastër), në ç’nivel do ta rendisje kishën tënde në secilën prej kategorive që karakterizojnë një kishë më të pastër?

3.     Çfarë mendon se duhet të bësh me qëllim që të punosh për një pastërti më të madhe në kishën tënde? Fakti që ju dalloni një nevojë specifike në kishë a do të thotë që Perëndia po të thërret (ty dhe jo dikë tjetër) për ta plotësuar atë nevojë?

4.     A di për ndonjë kishë tjetër në zonën tënde të cilën do ta konsideroje më të pastër sesa e jotja? Cilat janë arsyet që mund t’ju dukej e drejtë të qëndroje në kishën tënde edhe pse ajo mund të mos jetë kisha më e pastër që ti njeh?

5.     A ka shenja të një kishe më të pastër të cilat ungjillorët në përgjithësi në këtë shekull kanë neglizhuar t’i vënë theksin?

6.     Që prej shekullit të parë, a mendon se në përgjithësi kisha ka vazhduar të bëhet gjithnjë e më e pastër me kalimin e kohës? A mund të japësh arsye specifike për të mbështetur përgjigjen tënde?

7.     Gjatë jetës tënde, çfarë shenjash inkurajuese shikon që kisha është duke u bërë gjithnjë e më e pastër? Çfarë shenjash inkurajuese ke vënë re që tregojnë se kisha po bëhet gjithnjë e më e bashkuar?

8.     Në ç’mënyrë mendon se kisha jote vendore rritet në unitet ndër pjesëtarët e saj?

9.     Në çfarë mënyrash mundet kisha jote të demonstrojë unitet më të madh me kishat e tjera të vërteta në të njëjtën zonë gjeografike? Cilat mendon se janë pengesat ndaj atij uniteti (nëse ka ndonjë)? Në ç’mënyrë mund të shprehet ai unitet? Cilat mund të jenë dobitë e shprehjeve të tilla uniteti?

10.     A je në një kishë ku ke pyetur veten nëse Perëndia do që t’i të largohesh prej andej e të bëhesh pjesë e një tjetre? Pas leximit të këtij kapitulli, a mendon tani se duhet të qëndrosh në kishën ku je apo të largohesh prej saj? A ka patur ndonjë ndryshim të rëndësishëm për mirë në kishën tënde gjatë dhjetë viteve të fundit? Nëse do ta dije se kisha do të mbetej në thelb e njëjta për dhjetë vitet e ardhshme, a do të vendosje të qëndroje tani apo të largoheshe prej saj?

11.     Cilat janë disa mënyra në të cilat uniteti mbarë-botëror i besimtarëve të vërtetë është tashmë duke u shprehur dhe demonstruar? Si do të ishte në dukje kisha nëpër tërë botën nëse do të ekzistonte një demonstrim shumë më i madh i unitetit të saj? Cili do të ishte rezultati në botë në tërësi?

12.     Nëse një komunitet tashmë ka një sërë kishash aktive dhe efikase ungjillore, a ka ndonjë shfajësim për një denominacion tjetër ungjillor për t’u përpjekur që të mbjellë kishën e tij në atë komunitet?

13.     A mendon se kjo e pengon ungjillëzimin dhe dëshmimin në përgjithësi kur kultura popullore i mendon si kishat e rreme ashtu edhe kishat e besimtarëve si të dyja të “Krishtera”? A mund të bëhet ndonjë gjë për ta ndryshuar atë përshtypje?

14.     Çfarë lloj unitetesh dhe bashkëpunimi mund të demonstrohet me të drejtë me besimtarët përbrenda Kishës Katolike Romake sot? Cilat janë kufijtë e një bashkëpunimi të tillë?

TERMA TË VEÇANTË

kisha lindore

pastërtia e kishës

ndarja

uniteti i kishës

kisha perëndimore

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 380–386, 413–418

2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:267–279

1940 Wiley, 3:112–113

1983 Carter, 2:594–595

3. Baptiste

1983–1985 Erickson, 1129–1146

4. Dispensacionale

(pa trajtim të hollësishëm)

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 3:423–427

1934 Mueller, 556–562

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 2:1011–1053 (4.1–2)

1861 Heppe, 670–672

1887–1921 Warfield, SSW 1:299–307

1937–1966 Murray, CW 1:269–291; CW 2:321–336

1962 Buswell, 1:421–424

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 3:25–35

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 290–309

2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II

1980 McBrien, 2:854–58

Vepra të Tjera

Bromiley, G.W. “Unitet (Unity).” Tek FUT ([45]EDT) fq. 1127–1128.

Carson, Donald A. “Ungjillorët, Ekumenizmi dhe Kisha (Evangelicals, Ecumenism and the Church).” Tek Afirmimet Ungjillore (Evangelical Affirmations). Red. nga Kenneth S. Kantzer dhe Carl F.H. Henry. Grand Rapids: Zondervan, 1990, fq. 347–385.

Konferenca Puritane dhe e Reformuar (Puritan and Reformed Studies Conference). Qasje ndaj Reformimit të Kishës (Approaches to Reformation of the Church). London: Revista Ungjillore (The Evangelical magazine), 1965. Përmban kumtesa nga D.W. Marshall, D.P. Kingdon, J.I. Packer, G.S.R. Cox, S.M. Houghton, and D.M. Lloyd-Jones.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Efesianëve” 4:14–16: Që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këndej dhe të çuar aty-këtu nga çdo erë e doktrinës, nëpërmjet mashtrimit të njerëzve dhe dinakërisë së tyre që me dredhi çojnë në gabim, por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. Prej të cilit gjithë trupi i bashkuar dhe i lidhur mirë, me anë të bashkimit të ndihmesës sipas masës së veprueshmërisë së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri.

HIMN

“I BEKUAR QOFTË URA LIDHËSE (BLEST BE THE TIE THAT BINDS)”

Ky himn flet për unitetin apo “lidhësen” që lidh së bashku zemrat e të krishterëve me dashuri. Ai vazhdon të flasë për bashkësinë si përbashkësia e qiellit: është “e ngjashme me atë më sipër.” Ajo flet gjithashtu për ndarjen në lutje dhe preokupimin për njëri tjetrin si dhe për mbajtjen e barrave të njëri tjetrit. Ky himn më tej flet për shpresën tonë e që një ditë ne do të jemi të bashkuar në “dashuri dhe miqësi të përsosur” gjatë gjithë përjetësisë në qiell.

E bekuar qoftë lidhësja që bashkon

Zemrat tona në dashuri të krishterë:

Bashkësia e mendjeve në unison

Si ajo e epërmja është përherë

Tek froni i Atit tonë, aty përpara

lutjet tona të zjarrta ne i derdhim;

Aty e vëmë frikën, shpresën, synimet tona,

Ngushëllimet dhe shqetësimet ia paraqesim.

Të njëjtat pikëllime syri na shikon,

Njëri-tjetrit barrën i mbajmë,

Dhe shpesh për njëri-tjetrin pikon

Loti i dhembshur për vëllezërit tanë.

Kur për ca kohë ndahemi,

Dhimbje të brendshme kjo na shkakton;

Por gjithsesi të bashkuar në zemër jemi,

Të takohemi sërish secili kërkon.

Kjo shpresë e lavdishme ripërtërin

Kurajën tonë rrugës ndërkohë që vemi,

Ndërkohë që secili jeton me pritshmërin’,

Me zor pret ditën, kur prapë bashkë të jemi.

Nga pikëllimi, mundimi dhe dhimbja,

Dhe nga mëkati ne do të jemi të lirë;

Miqësia e përsosur mbizotëron dhe po ashtu dashuria

Sa përjetësia të zgjasë gjithë e gjithë.

Autori: John Fawcett, 1782

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>