Bashkimi me Krishtin

Çfarë do të thotë të jesh “në Krishtin” apo “i bashkuar me Krishtin”?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET[220]1

Paçka se tani ne e kemi përfunduar studimin tonë të hapave në zbatimin e shpengimit, ka edhe një temë tjetër e cila përmendet shpesh herë në Shkrim e që është kaq e kudo-ndodhur në zbatimin e saj tek jeta jonë saqë e meriton një trajtim të posaçëm këtu. Bëhet fjalë për konceptin e bashkimit me Krishtin. Siç do ta shikojmë më poshtë, çdo aspekt i marrëdhënies së Perëndisë me besimtarët, është në një farë mënyre i lidhur me marrëdhënien tonë me Krishtin. Nga këshillat e Perëndisë në të kaluarën e përjetësisë përpara se bota të krijohej, e deri tek përbashkësia jonë me Perëndinë në qiell në të ardhmen e përjetshme, si dhe duke përfshirë çdo aspekt të marrëdhënies tonë me Perëndinë në këtë jetë, e gjitha kjo ka ndodhur në bashkim me Krishtin. Kështu, në një farë kuptimi, i tërë studimi i zbatimit të shpengimit mund të përfshihet në këtë subjekt. Sidoqoftë, në këtë kapitull ne mundet që thjesht të përmbledhim pasurinë e pabesueshme të idesë së Shkrimit për bashkimin me Krishtin. Xhon Mërrei (John Murray) thotë:

Bashkimi me Krishtin e ka burimin e tij në zgjedhjen e bërë prej Perëndisë Atë përpara themelimit të botës dhe frytshmërinë e tij e ka në përlëvdimin e bijve të Perëndisë. Perspektiva e njerëzve të Perëndisë nuk është e ngushtë; ajo është e gjerë dhe e gjatë. Ajo nuk është e kufizuar me hapësirën dhe kohën; ajo ka shtrirje në amshim. Orbita e saj ka dy fokuse, njëra: dashuria zgjedhëse e Perëndisë Atë në këshillat e përjetësisë; tjetra përlëvdimi me Krishtin në manifestimin e lavdisë së Tij. E para nuk ka fill, ndërsa e dyta nuk ka fund....Përse besimtari ushqen mendimin e këshillës së përcaktuar të Perëndisë me një gëzim të tillë? Përse mund të ketë durim ai në paqartësitë dhe vështirësitë e tanishme? Përse ne mund të kemi një siguri të plotë me referencë ndaj të ardhmes e të gëzohemi në shpresën e lavdisë së Perëndisë? Kjo është për shkak se ai nuk mund të mendojë për të kaluarën, të tashmen apo të ardhëm përveçse në bashkim me Krishtin.[221]2

Bashkimin me Krishtin, ne mund ta përkufizojmë si më poshtë: Bashkimi me Krishtin është një frazë e cila përdoret për të përmbledhur një sërë marrëdhëniesh të ndryshme mes besimtarëve dhe Krishtit, përmes të cilës të krishterët marrin çdo dobi të shpëtimit. Këto marrëdhënie, përfshijnë faktin që ne jemi në Krishtin, Krishti është në ne, ne jemi si Krishti, dhe ne jemi me Krishtin.

Ashtu siç e tregon ky përkufizim, katër aspekte të ndryshme të përbashkësisë tonë me Krishtin, mund të specifikohen nga materiali biblik. Secilën prej këtyre të katërtave, ne do t’i shqyrtojmë një e nga një:

1.     Ne jemi në Krishtin.

2.     Krishti është në ne.

3.     Ne jemi si Krishti.

4.     Ne jemi me Krishtin.[222]3



A. Ne jemi në Krishtin

Fraza “në Krishtin” nuk ka një kuptim të vetëm por i referohet një larmie marrëdhëniesh siç tregohet më poshtë.

1. Në planin e përjetshëm të Perëndisë. “Efesianëve” 1:4 na thotë se Perëndia na zgjodhi në Krishtin “përpara themelimit të botës.” Ishte “në Krishtin” që ne u “u zgjodhëm dhe paracaktuar  që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së tij” (vgj. 1:11–12). Më vonë, Ai “na shpëtoi dhe na thirri” për shkak të “qëllimit të tij” si dhe për shkak të hirit që Ai na dha “në Krishtin Jezus përpara kohërave të përjetshme” (2 Tim. 1:9).

Përderisa ne nuk ekzistonim përpara themelimit të botës, këto vargje tregojnë se Perëndia, duke hedhur vështrimin në të ardhmen e duke ditur se ne do të ekzistonim, na mendoi se ishim në një marrëdhënie të veçantë me Krishtin. Ai nuk është se na zgjodhi i pari e më vonë vendosi që të na lidhte me Krishtin. Përkundrazi, ndërkohë që na zgjodhi, njëkohësisht Ai na mendoi si njerëz që i përkasin Krishtit në një mënyrë të veçantë, si të qenë “në Krishtin.” Për rrjedhojë, Ai na mendoi faktikisht si njerëz që kanë të drejtën të kenë pjesë në bekimet e veprës së Krishtit.

2. Gjatë jetës së Krishtit në tokë. Përgjatë gjithë jetës së Krishtit në tokë, që prej kohës së lindjes së Tij deri në kohën e ngritjes së Tij në qiell, Perëndia na mendoi si njerëz që janë “në Krishtin.” Kjo do të thotë se çfarëdo gjëje që Krishti bëri si përfaqësuesi ynë, Perëndia e llogariti si diçka të bërë nga ne gjithashtu. Sigurisht, besimtarët nuk ishin të pranishëm në mënyrë të vetëdijshëm në Krishtin përderisa pjesa më e madhe e besimtarëve as që nuk ekzistonte ende kur Krishti qe në tokë. Gjithashtu besimtarët nuk ishin të pranishëm në Krishtin në një mënyrë misterioze e frymërore (a thua se për shembull, fryma e mijëra besimtarësh ishte njëfarësoj e pranishme në trupin e Krishtit gjatë jetës së Tij tokësore). Përkundrazi, besimtarët ishin të pranishëm në Krishtin vetëm në mendimet e Perëndisë. Perëndia na mendoi si njerëz që kalojnë gjithçka që Krishti kaloi, për shkak se Ai ishte përfaqësuesi ynë.

Kur Jezusi iu bind në mënyrë të përsosur Perëndisë për gjithë jetën e Tij, Perëndia na mendoi sikur ne të ishim bindur gjithashtu. “nëpërmjet bindjes së një të vetmi, të shumtët do të bëhen të drejtë” (Rom. 5:19). Kështu Krishti është burimi ynë i drejtësisë (1 Kor. 1:30; Fil. 3:9).

Për shkak se Perëndia na mendoi si “në” Krishtin, Ai mundej gjithashtu që mëkatet tona t’i mendonte sikur i takojnë Krishtit: “Atë, që nuk njihte mëkat, e bëri mëkat për ne,” (2 Kor. 5:21), dhe “ZOTI bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isa. 53:6). Këto ishin mëkate të cilat ne nuk i kishim kryer ende, por Perëndia i dinte paraprakisht ato dhe i mendoi sikur i takonin Krishtit. Kësisoj, ishte e drejtë që Krishti të vdiste për mëkatet tona. “Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin” (1 Pjetrit 2:24; shiko gjithashtu Rom. 4:25; 1 Kor. 15:3; Kol. 2:14; Heb. 9:28).

Por nuk ishin vetëm mëkatet tona që Perëndia mendoi se i takonin Krishtit, por edhe ne vetë. Kur Krishti vdiq, Perëndia na mendoi ne të vdekur. Vetja jonë e vjetër u “kryqëzua me të” (Rom. 6:6). “U kryqëzova bashkë me Krishtin” (Gal. 2:20). “një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur” (2 Kor. 5:14; shiko gjithashtu Rom. 6:4–5, 8; 7:4; Kol. 1:22; 2:12, 20; 3:3; 2 Tim. 2:11).

Po kështu, Perëndia na mendoi si të varrosur me Krishtin, të ngritur me Të, dhe të marrë në qiell me Të në lavdi. “Na ringjalli bashkë me të dhe na vuri të ulemi bashkë me të në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efe. 2:6; shiko gjithashtu Rom. 6:4–11; 1 Kor. 15:22; Kol. 2:12–13).

Kur Krishti u kthye në qiell, për rrjedhojë, të tëra bekimet e shpëtimit u merituan për ne. Perëndia i mendoi këto bekime si me të drejtë të tonat, njëlloj sikurse ne do t’i kishim merituar ato vetë. Megjithëkëtë, ato u grumbulluan për ne në qiell—në mendjen e Perëndisë, dhe në Krishtin, përfaqësuesin tonë—duke pritur të gjejnë zbatim tek ne personalisht (1 Pjetrit 1:3–5; Kol. 3:3–4; Efe. 1:3).

3. Gjatë jetës tonë tani. Sapo ne të lindim e të ekzistojmë si njerëz të vërtetë në botë, bashkimi ynë me Krishtin nuk mund të jetë më diçka thjesht në mendjen e Perëndisë. Edhe ne duhet të sillemi në një marrëdhënie aktuale me Krishtin përmes të cilës dobitë e shpëtimit mund të gjejnë zbatim në jetën tonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Pasuria e jetës tonë të tanishme në Krishtin, mund të shikohet nga katër pikëpamje pak të ndryshme:

1.     Ne kemi vdekur dhe jemi ringjallur me Krishtin.

2.     Ne kemi jetë të re në Krishtin.

3.     Të tëra veprimet tona mund të kryhen në Krishtin.

4.     Të tërë të krishterët bashkë janë një trup në Krishtin.

a. Të vdesësh e të ngrihesh me Krishtin: Vdekja, varrimi dhe ringjallja e Jezusit tani kanë ndikime reale në jetën tonë. “të varrosur bashkë me të nëpërmjet pagëzimit, ju edhe u ringjallët bashkë me të, përmes besimit në veprueshmërinë e Perëndisë, që e ka ringjallur prej së vdekurish” (Kol. 2:12). Këtu, referenca e Palit për pagëzimin dhe besimin tregojnë se vdekja dhe ringjallja me Krishtin në këtë jetë të tanishme, ndodhin në kohën kur ne bëhemi të krishterë.

Pali e shikon këtë vdekje dhe ringjallje të tanishme me Krishtin si një mënyrë të përshkrimit dhe shpjegimit të ndryshimit që Fryma e Shenjtë sjell në karakterin dhe personalitetin tonë kur ne bëhemi të krishterë. Është sikur Fryma e Shenjtë riprodhon vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit në jetën tonë kur ne besojmë në Krishtin. Ne bëhemi kaq joreagues ndaj presioneve, kërkesave dhe aspekteve tërheqëse të mënyrës së mëparshme e mëkatare tonë të jetesës, saqë Pali mund të thotë se ne jemi “të vdekur” ndaj këtyre ndikimeve, për shkak se ne kemi vdekur me Krishtin (Rom. 7:6; Gal. 2:20; 5:24; 6:14; Kol. 2:20). Nga ana tjetër, ne e gjejmë veten të mangët për t’i shërbyer Perëndisë shumë më tepër, si dhe në gjendje për t’i shërbyer Atij me fuqi dhe sukses më të madh, aq shumë saqë Pali thotë se ne jemi “të gjallë” për Perëndinë, për shkak se jemi ringjallur me Krishtin: “U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës” (Rom. 6:4). “Kështu edhe ju, llogariteni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Krishtin Jezus” (Rom. 6:11; shiko gjithashtu 1 Pjetrit 1:3; 2:24). Për shkak se ne vdiqëm dhe u ringjallëm me Krishtin, ne kemi fuqi për të tejkaluar mëkatin personal gjithnjë e më shumë (Rom. 6:12–14, 19); ne jemi “të mbushur” me Krishtin (Kol. 2:10–13); në fakt, ne jemi bërë një “krijesë e re” në Të (2 Kor. 5:17, me vgj. 14–15), dhe për rrjedhojë duhet ta vëmë mendjen tonë në gjërat që janë lart, atje ku është Krishti (Kol. 3:1–3).

b. Jetë e re në Krishtin: Këto vargjet e fundit sugjerojnë një pikëpamje të dytë në të qenurit tonë “në Krishtin.” Ne mund të mendojmë jo vetëm në lidhje me veprën e shkuar të Krishtit për shpengimin, por gjithashtu në lidhje me jetën e Tij të tanishme në qiell si dhe zotërimin e Tij të vazhdueshëm për të tëra burimet frymërore që na duhen për të jetuar jetën e krishterë. Përderisa çdo bekim frymëror u fitua prej Tij e i takon Atij, Besëlidhja e Re mund të thotë se këto bekime janë “në të.” Kësisoj ato janë të disponueshme vetëm për ata të cilët janë “në Krishtin,” dhe nëse ne jemi në Krishtin, këto bekime janë të tonat.

Gjoni shkruan: “Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij” (1 Gjonit 5:11), dhe Pali i referohet “premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus” (2 Tim. 1:1). Ne lexojmë se “në Krishtin” janë “besim dhe dashuri” (1 Tim. 1:14; 2 Tim. 1:13), “hiri” (2 Tim. 2:1), “shpëtimi” (2 Tim. 2:10), “ të gjitha thesaret e urtësisë dhe të njohjes” (Kol. 2:3) si dhe “pasurisë në lavdi” të Perëndisë (Fil. 4:19). Pali thotë se është për shkak të veprës së Perëndisë që të krishterët janë “në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne urtësi prej Perëndisë, drejtësi edhe shenjtërim dhe shpengim” (1 Kor. 1:30), dhe se “Perëndia ... na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore, në Krishtin” (Efe. 1:3).

Në fakt, çdo etapë e zbatimit të shpengimit na është dhënë për shkak se ne jemi “në Krishtin.” Është “në Krishtin” që ne jemi thirrur për shpëtim (1 Kor. 7:22), jemi rigjeneruar (Efe. 1:3; 2:10), dhe drejtësuar (Rom. 8:1; 2 Kor. 5:21; Gal. 2:17; Efe. 1:7; Fil. 3:9; Kol. 1:14). “në Krishtin” ne vdesim (1 Thes. 4:16; Zbu. 14:13) dhe “në të” trupat tanë do të ngjallen sërish (1 Kor. 15:22). Këto pasazhe sugjerojnë se për shkak se jetët tona janë të lidhura në mënyrë të pandashme me Krishtin Vetë, Fryma e Shenjtë na jep të tëra bekimet që Krishti ka fituar.

c. Të tëra veprimet tona mund të bëhen në Krishtin: Ndryshimet e përmendura më lart përbrenda jetës tonë individuale, shoqërohen nga një ndryshim dramatik në fushën në të cilën ne jetojmë. Të bëhesh i krishterë do të thotë të hysh në risinë e epokës që do të vijë, si dhe të përjetosh në një shkallë a tjetër fuqitë e reja të mbretërisë së Perëndisë që prekin çdo pjesë të jetës tonë. Të jesh “në Krishtin” do të thotë të jetosh në atë sferë të re që Krishti kontrollon.

Kjo do të thotë se çdo veprim në jetën tonë mund të bëhet “në Krishtin,” po qe se bëhet në fuqinë e mbretërisë së Tij si dhe në një mënyrë që i sjell Atij nderim. Pali flet për të vërtetën “në Krishtin” (Rom. 9:1; 2 Kor. 2:17; 12:19), është krenar për punën e Tij “në Krishtin” (Rom. 15:17; 1 Kor. 15:31), i kujton korintasit për rrugët e tij “në Krishtin” (1 Kor. 4:17), shpreson “në Zotin Jezus” të dërgojë Timoteun tek Filipi (Fil. 2:19), gëzohet shumë “në Zotin” (Fil. 4:10), si dhe “në Zotin” urdhëron, u përgjërohet dhe i nxit të krishterët e tjerë (1 Thes. 4:1; 2 Thes. 3:12; Fil. 8). Ai thotë: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më fuqizon” (Fil. 4:13).

Pali u shkruan gjithashtu besimtarëve rreth veprimeve të tyre “në Krishtin.” Ai i kujton korintasit, “mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Kor. 15:58). Është “në Zotin” që fëmijët duhet t’u binden prindërve të tyre (Efe. 6:1), gratë duhet t’u nënshtrohen burrave të tyre (Kol. 3:18), dhe të tërë besimtarët duhet të forcohen (Efe. 6:10), ngushëllohen (Fil. 2:1), gëzohen (Fil. 3:1; 4:4), të jenë të një mendjeje (Fil. 4:2), të qëndrojnë të palëkundur (Fil. 4:1; 1 Thes. 3:8), të rrojnë me perëndishmëri (2 Tim. 3:12) dhe kanë sjellje të mirë (1 Pjetrit 3:16). “në Zotin” ata mundohen (Rom. 16:12), kanë marrë më shumë guxim (Fil. 1:14) si dhe dalin të provuar (Rom. 16:10). Ajo që Pali shpreson për të krishterët është që ata të jetojnë në Krishtin: “Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të” (Kol. 2:6–7). Pastaj Pali do të arrijë qëllimin e jetës së Tij, që të “paraqesim çdo njeri të përsosur në Krishtin Jezus” (Kol. 1:28). Gjoni, në mënyrë të ngjashme i inkurajon besimtarët që të “qëndrojnë në të” (1 Gjoni 2:28; 3:6, 24), duke u bërë jehonë fjalëve të Jezusit: “Kush qëndron në mua dhe unë në të, ai jep shumë fryt” (Gjoni 15:5).

d. Një trup në Krishtin: Ne nuk jemi thjesht në Krishtin si persona të izoluar individualë. Përderisa Krishti është kreu i trupit, që është kisha (Efe. 5:23), të tërë ata që janë në bashkim me Krishtin, janë gjithashtu të lidhur me njëri-tjetrin në trupin e Tij. Ky bashkim mes tyre na bën të “jemi një trup në Krishtin dhe secili gjymtyrë të njëri-tjetrit” (Rom. 12:5; 1 Kor. 10:17; 12:12–27). Kësisoj, “nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë bashkë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të” (1 Kor. 12:26). Lidhjet e përbashkësisë janë kaq të forta saqë të Krishterët mund të martohen vetëm “në Zotin” (1 Kor. 7:39). Në këtë trup të Krishtit, armiqësitë e vjetra zhduken, ndasitë e mëkatshme ndër njerëzit janë shoshitur, si dhe kriteri i botës për statuset e personave, nuk gjen më zbatim, sepse “Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse ju të gjithë jeni një në Jezu Krishtin” (Gal. 3:28; kr. Efe. 2:13–22).

Për shkak se ne jemi një trup në Krishtin, kisha të tëra mund të jenë “në Krishtin” (Gal. 1:22; 1 Thes. 2:14). Edhe kisha universale, kisha e përbërë nga të tërë besimtarët e vërtetë, është e bashkuar në mënyrë të përgjithshme me Krishtin ashtu sikurse një bashkëshort është i bashkuar me gruan e Tij (Efe. 5:31–32; 1 Kor. 6:17). Qëllimi i Krishtit është të përsosë dhe lajë e pastrojë kishën, në mënyrë që ajo të mund të pasqyrojë më plotësisht atë që Ai është dhe për rrjedhojë t’i sjellë Atij lavdi (Efe. 5:25–27).

Megjithëkëtë, një metaforë tjetër është përdorur tek “1 Pjetrit” 2:4–5, ku besimtarët, duke ardhur tek Krishti, thuhet se janë si gurë të gjallë të ndërtuar në një shtëpi frymërore (shiko gjithashtu “Efe.” 2:20–22). Kësisoj ata janë bashkuar dhe janë përgjithnjë të varur tek njëri tjetri, ashtu sikurse gurët e një ndërtese janë të bashkuar me njëri tjetrin si dhe mbështeten mbi njëri tjetrin.

Por, analogjia më e guximshme e të tërave është ajo e përdorura nga Jezusi, i Cili lutet për besimtarët “që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, në mua dhe unë në ty që edhe ata të jenë një në ne” (Gjoni 17:21). Këtu, Jezusi lutet që uniteti ynë të jetë ashtu sikurse uniteti i përsosur mes Atit dhe Birit në Trini. Kjo është një kujtesë për ne që uniteti ynë duhet të jetë i përjetshëm dhe përsosmërisht harmonik (ashtu sikurse është uniteti i Perëndisë).

Por kjo analogji me pjesëtarët e Trinisë, është shumë e rëndësishme për një arsye tjetër: ajo na paralajmëron kundër mendimit që bashkimi me Krishtin do të përpihet ndonjëherë në personalitetet tona individuale. Edhe pse Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë kanë një unitet të përsosur e të përjetshëm, megjithëkëtë ata mbeten persona të veçantë. Në po të njëjtën mënyrë, edhe pse ne një ditë do të arrijmë unitet të përsosur me besimtarët e tjerë si dhe me Krishtin, megjithëkëtë ne do të mbetemi përgjithnjë persona të veçantë gjithashtu, me dhuratat, aftësitë, interesat, përgjegjësitë tona individuale si dhe me qarqet personale të marrëdhënieve, me preferencat dhe dëshirat tona.

B. Krishti është në ne

Jezusi foli për një lloj të dytë marrëdhënieje kur tha: “Kush qëndron në mua dhe unë në të, ai jep shumë fryt” (Gjoni 15:5). Jo vetëm që është e vërtetë që ne jemi në Krishtin; Ai është gjithashtu në ne, për të na dhënë fuqinë për të jetuar jetën e krishterë. “U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua” (Gal. 2:20). Faktori i cili përcakton nëse dikush është i krishterë apo jo, është nëse Krishti është në të apo jo (Rom. 8:10; 2 Kor. 13:5; Zbu. 3:20). Plani i mençur i Perëndisë, i fshehur si një mister për breza me radhë, ishte t’i shpëtonte johebrenjtë ashtu sikurse edhe judenjtë. Për rrjedhojë, Pali mundet t’u thotë lexuesve të vet johebrenj se misteri i Perëndisë është: “Krishti në ju, shpresa e lavdisë” (Kol. 1:27).

Është e rëndësishme që të theksojmë mbi bazën e këtyre vargjeve se ka një banim real, personal të Krishtit në ne, dhe se kjo nuk do të thotë se ne thjesht biem dakord me Krishtin apo se idetë e Tij janë në ne. Përkundrazi Ai është në ne dhe mbetet në ne përmes besimit (Efe. 3:17; 2 Kor. 13:5).[223]4 Nënvlerësimi i kësaj të vërtetë do të ishte neglizhencë e burimit të madh të forcës frymërore që ne kemi përbrenda (1 Gjonit 4:4). Mjafton të mos e harrojmë këtë e krenaria jonë do të marrë fund, sepse kjo na krijon një ndjenjë të pandërprerë varësie të thellë në Krishtin, si dhe na jep besim të madh jo tek vetja por tek Krishti i Cili punon në ne (Gal. 2:20; Rom. 15:18; Fil. 4:13).

Ky banim përbrenda i Krishtit ndikon tek reagimi ynë ndaj atyre që janë në nevojë. Çfarëdo gjëje që ne bëjmë për ta ndihmuar një vëlla apo motër të Krishterë, ne ia bëjmë Krishtit (Mat. 25:40). Mbajtja e urdhëresave të Jezusit është një tregues që Ai është në ne, dhe se Fryma e Shenjtë gjithashtu na dëshmon që Krishti është në ne (1 Gjonit 3:24).

C. Ne jemi si Krishti

Një aspekt i tretë i bashkimit me Krishtin është imitimi prej nesh i Tij. “Jini imitues të mi, ashtu si unë jam i Krishtit,” shkruan Pali (1 Kor. 11:1). Gjoni na kujton: “Ai që thotë se rri në të, duhet të ecë edhe vetë ashtu si ka ecur ai” (1 Gjonit 2:6). Kështu që bashkimi me Krishtin nënkupton se ne duhet të imitojmë Krishtin. Jeta jonë duhet të reflektojë atë se si ishte jeta e Tij që ne ta nderojmë Atë në gjithçka që bëjmë (Fil. 1:20).

Kështu, Besëlidhja e Re e paraqet jetën e krishterë si një përpjekje për ta imituar Krishtin në të tëra veprimet tona. “Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti” (Rom. 15:7). “Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën” (Efe. 5:25). “Sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju” (Kol. 3:13). “Ai e dha jetën e tij për ne; dhe ne kemi për detyrë të japim jetën tonë për vëllezërit” (1 Gjonit 3:16). Përgjatë gjithë jetës tonë, ne duhet të garojmë garën që kemi përpara, “duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Heb. 12:2; shiko gjithashtu “Efe.” 5:2; “Fil.” 2:5–11; “1 Thes.” 1:6; “1 Gjonit” 3:7; 4:17). Në kontrast me këtë, mosbindja ndaj Krishtit e turpëron Atë (Heb. 6:6).

Imitimi ynë i Krishtit është veçanërisht i dukshëm në vuajtje. Të krishterëve u bëhet thirrje që vuajtjet t’i kalojnë me durim, “sepse edhe Krishti vuajti për ne, duke na lënë një shembull, që të ndiqni gjurmët e tij” (1 Pjetrit 2:21). Qëllimi i Palit është që të bëhet pjesë në “bashkësinë në vuajtjet e Krishtit, duke u barazuar me vdekjen e tij” (Fil. 3:10; shiko gjithashtu 2 Kor. 1:5; 4:8–11; Heb. 12:3; 1 Pjetrit 4:13).

Për më tepër, vuajtja jonë është e lidhur me ndarjen e lavdisë së Krishtit kur Ai të kthehet: “vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë” (Rom. 8:17). Kjo me shumë mundësi ndodh për shkak se është përmes vuajtjeve dhe vështirësive që Perëndia na bën më shumë si Krishti dhe bën që ne të bëhemi më të pjekur në Krishtin (Jakobi 1:2–4; Heb. 5:8–9). Gjithashtu, përderisa Krishti në mënyrë të përsosur iu bind Atit të Tij edhe përballë vuajtjesh të mëdha, po kështu edhe bindja, besimi dhe durimi ynë në vuajtje portretizon më plotësisht atë që Krishti ishte e kështu e nderon më shumë Atë. Është një ngushëllim i madh për ne të dimë se po përjetojmë vetëm atë që Ai tashmë ka përjetuar, dhe se për rrjedhojë Ai e kupton atë që ne po kalojmë e dëgjon me simpatizim lutjet tona (Heb. 2:18; 4:15–16; 12:11). Si rezultat i një jete me bindje, ne jemi në gjendje që të bëjmë pjesë në lavdinë e Krishtit: “Atij që fiton do t'i jap të ulet me mua në fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim në fronin e tij” (Zbu. 3:21).

Imitimi unë i Krishti nuk duhet menduar si një thjesht imitacion i veprimeve të Jezusit, gjithsesi. Qëllimi shumë më i thellë është se duke imituar Atë ne jemi duke u bërë gjithnjë e më shumë si Ai: kur veprojmë si Krishti, ne bëhemi si Krishti. Ne bëhemi më të pjekur në Krishtin (Efe. 4:13, 15) ndërkohë që “shndërrohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi” (2 Kor. 3:18). Rezultati përfundimtar është se ne do të bëhemi në mënyrë të përsosur si Krishti, sepse Perëndia i ka paracaktuar të krishterët që “të jenë njësoj me shëmbëllimin e Birit të tij” (Rom. 8:29; 1 Kor. 15:49), dhe “kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të” (1 Gjonit 3:2). Kur kjo ndodh, Krishti do të jetë plotësisht i përlëvduar tek ne (2 Thes. 1:10–12; Gjoni 17:10).

Megjithëkëtë, në të gjithë këtë ne nuk e humbasim kurrë personshmërinë individuale. Ne bëhemi në mënyrë të përsosur si Krishti, por nuk bëhemi Krisht dhe nuk jemi përthithur në Krishtin e as të humbur përgjithnjë si individë. Përkundrazi, jemi ne si individë realë të cilët ende nuk njohin ashtu sikurse njihen (1 Kor. 13:12). Jemi ne që do ta shohim Atë ashtu sikurse Ai është (1 Gjoni 3:2). Jemi ne ata që do ta adhurojnë Atë, që do të shohim fytyrën e Tij, e që emrin e Tij do ta kemi në ballin tonë e do të mbretërojmë me Të përgjithnjë (Zbu. 22:3–5).

Ashtu sikurse Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë ekzaktësisht si Njëri-Tjetri në karakter (Gjoni 14:7, 9), megjithëkëtë mbeten persona të veçantë, në mënyrë që ne të bëhemi gjithnjë e më shumë si Krishti e megjithëkëtë ata mbeten individë të veçantë me dhurata të ndryshme si dhe me funksione të ndryshme (Efe. 4:15–16; 1 Kor. 12:4–27). Në fakt, sa më shumë të bëhemi si Krishti, aq më tepër do të bëhemi vërtetë si vetja jonë (Mat. 10:39; Gjoni 10:3; Zbu. 2:17; Ps. 37:4). Po ta harrojmë këtë, do të kemi prirjen që të shpërfillim larmishmërinë e dhuratave në kishë dhe do të duam t’i bëjmë të gjithë si veten tonë. Ne do të kemi gjithashtu prirjen të mohojmë çfarëdo rëndësie që tek e fundit ne kemi si individë. Një perspektivë e përshtatshme biblike do ta lejojë secilin besimtar të thotë jo vetëm, “Ne të krishterët jemi të rëndësishëm për Krishtin,” por gjithashtu, “Unë jam i rëndësishëm për Krishtin: Unë jam i rëndësishëm për Krishtin: Ai ma di emrin, Ai më thërret në emër, Ai më jep një emër të ri që është vetëm i imi” (Gjoni 10:3; Zbu. 2:17).

D. Ne jemi me Krishtin

1. Përbashkësi personale me Krishtin. Një aspekt tjetër i bashkimit me Krishtin ka të bëjë me përbashkësinë tonë personale me Të. Pak ndryshim ka nëse ne themi se jemi me Krishtin apo se Krishti është me ne, sepse të dyja këto fraza përfaqësojnë të njëjtën të vërtetë. Krishti premtoi: “Kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mat. 18:20), dhe: “Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mat. 28:20). Edhe njëherë, përderisa trupi njerëzor i Krishtit u ngrit në qiell (Gjoni 16:7; 17:11; Veprat 1:9–11), këto vargje duhet të flasin për natyrën e Tij hyjnore që është e pranishme tek ne. Megjithëkëtë është ende një prani shumë personale në të cilën ne punojmë bashkë me Krishtin (2 Kor. 6:1), ne e njohim Atë (Fil. 3:8, 10), ne ngushëllohemi prej Tij (2 Thes. 2:16–17), ne mësohemi prej Tij (Mat. 11:29), dhe ne e jetojmë jetën tonë në praninë e Tij (2 Kor. 2:10; 1 Tim. 5:21; 6:13–14; 2 Tim. 4:1). Të bëhesh i krishterë do të thotë të jesh “thirrur në bashkësinë e Birit të tij [të Perëndisë] Jezu Krishtit, Zotit tonë” (1 Kor. 1:9). Megjithëkëtë, kjo përbashkësi mund të variojë në intensitet përderisa bekimi i Palit mbi të krishterët: “Zoti qoftë me ju të gjithë” (2 Thes. 3:16; kr. 2 Tim. 4:22) mund të shprehë vetëm një shpresë për një përbashkësi edhe më të afërt me Krishtin si dhe një vetëdije më të thellë të pranisë së Tij.

Për më tepër, nga një farë kuptimi ende të paperceptueshëm për ne, kur ne vijmë për të adhuruar, ne tani vijmë në vetë qiellin, dhe dalim përpara “morisë së engjëjve, kuvendit të përgjithshëm dhe kishës së të parëlindurve që janë shkruar në qiej, dhe Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe frymërave të të drejtëve që u bënë të përsosur, dhe Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re” (Heb. 12:22–24). Kjo pjesëmarrje në adhurimin qiellor është ajo që Besorja e Apostujve e quan “përbashkësia e shenjtorëve,” dhe ajo që një himn i mirënjohur e quan “përbashkësia mistike dhe e ëmbël me atë pushimi i të cilëve është siguruar.”[224]5 “Hebrenjve” 12 nuk duket se sugjeron që ne kemi një vetëdije koshiente që jemi në praninë e asamblesë qiellore, por kjo mund të nënkuptojë se ata të cilët janë tani në qiell, dëshmojnë adhurimin tonë dhe gëzohen në të, dhe kjo padyshim nënkupton që ne mund të kemi një vetëdije të gëzueshme që lavdërimi ynë është dëgjuar në tempullin e Perëndisë në qiell.

Në të tëra lutjet tani, ne jemi dëgjuar nga Jezusi dhe kemi përbashkësi me Të (1 Gjonit 1:3), kryeprifti ynë i madh, i Cili ka hyrë “në vetë qiellin për t'u shfaqur tani përpara Perëndisë për ne” (Heb. 9:24; 4:16). Përbashkësia jonë me Të do të jetë edhe më e madhe kur të vdesim (2 Kor. 5:8; Fil. 1:23; 1 Thes. 5:10), dhe edhe më e madhe sapo Jezusi të kthehet (1 Thes. 4:17; 1 Gjonit 3:2). Na përjetojmë gëzim të madh kur mësojmë se Krishti faktikisht dëshiron që të na ketë me Vete (Gjoni 17:24).

Përbashkësia jonë me Krishtin gjithashtu na kthen në përbashkësi me njëri tjetrin. Gjoni Shkruan: “Atë që kemi parë dhe kemi dëgjuar, po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu” (1 Gjonit 1:3).

2. Përbashkësi me Atin si dhe me Frymën e Shenjtë. Ky varg i fundit sugjeron një aspekt përfundimtar të përbashkësisë me Krishtin. Për shkak se ne jemi në përbashkësi me Krishtin në këto marrëdhënie të ndryshme, ne gjithashtu vijmë në përbashkësi me Atin si dhe me Frymën e Shenjtë. Ne jemi në Atin (Gjoni 17:21; 1 Thes. 1:1; 2 Thes. 1:1; 1 Gjonit 2:24; 4:15–16; 5:20) dhe në Frymën e Shenjtë (Rom. 8:9; 1 Kor. 3:16; 6:19; 2 Tim. 1:14). Ati është tek ne (Gjoni 14:23) dhe Fryma e Shenjtë është në ne (Rom. 8:9, 11). Ne jemi si Ati (Mat. 5:44–45, 48; Efe. 4:32; Kol. 3:10; 1 Pjetrit 1:15–16) dhe si Fryma e Shenjtë (Rom. 8:4–6; Gal. 5:22–23; Gjoni 16:13). Ne kemi përbashkësi me Atin (1 Gjonit 1:3; Mat. 6:9; 2 Kor. 6:16–18) si dhe me Frymën e Shenjtë (Rom. 8:16; Vep. 15:28; 2 Kor. 13:14; Efe. 4:30).

Këto marrëdhënie shtesë nuk janë mjegulluar në një ekstazë të padallueshme e mistike. Si tani, ashtu edhe në përjetësi, ne lidhemi me Atin në rolin e Tij të veçantë si Ati ynë qiellor ndaj Birit, në rolin e tij të veçantë si Shpëtimtari dhe Zoti ynë, si dhe ndaj Frymës së Shenjtë në rolin e Tij të veçantë si Frymë që na fuqizon e që vazhdimisht na jep të tëra dobitë e shpëtimit tonë.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Përpara se të lexojmë këtë kapitull, a e ke menduar veten si të bashkuar me Krishtin që nga pika e zgjedhjes prej Perëndisë përpara themelimit të botës deri në pikën e vajtjes për të qenë me Të në qiell përgjithnjë? Si e ndryshon kjo ide mënyrën se si ti e mendon veten si dhe jetën tënde? Si e ndikon kjo gjë mënyrën se si ti mendon për vështirësitë që ti mund të jesh duke përjetuar këto kohë? Në ç’mënyrë mundet që ideja e të vdekurit me Krishtin dhe e ringjalljes me Të mund të ishte një inkurajim në përpjekjet e tua të tanishme për të tejkaluar mëkatin që mbetet në jetën tënde?

2.     A ke menduar më përpara që veprimet që t’i bën përditë, t’i bësh “në Krishtin” (shiko Fil. 4:13)? Nëse mendove se je duke bërë leximin që je duke bërë tani “në Krishtin,” si do mund të ndryshonte kjo gjë qëndrimin apo pikëpamjen tënde? Çfarë dallimi do të bënte po të mendoje të bëje punën tënde të përditshme “në Krishtin”? Po për vazhdimin e bisedave me miq apo pjesëtarë të familjes. Apo me ngrënien, apo me fjetjen?

3.     Si do mundet ideja e bashkimit me Krishtin të rrisë dashurinë dhe përbashkësinë tënde për të krishterët e tjerë, si ata në kishën tënde ashtu dhe ata në kishat e tjera?

4.     A ke ndonjë vetëdije në jetën tënde të përditshme për Krishtin që jeton tek ti (Gal. 2:20)? Çfarë do të ndryshonte në jetën tënde nëse ke një vetëdije më të fortë të Krishtit që banon tek ti përgjatë gjithë ditës?

5.     Për një apo dy ditë, përpiqu të lexosh disa seksione të ungjijve dhe të pyesësh se si do mund të imitosh më mirë Krishtin në jetën tënde. Çfarë efekti do të ketë në jetën tënde ideja e ecjes në gjurmët e Krishtit (1 Pjetrit 1:21) dhe ecja ashtu sikurse eci Ai (1 Gjonit 2:6)?

6.     A mund të identifikosh disa raste në jetën tënde kur ke ndjerë një përbashkësi veçanërisht të ngushtë me Krishtin? Si kanë qenë ato kohë? A mund të mendosh për ndonjë gjë që shkaktoi atë mirësi të ngushtë me Krishtin? Çfarë mund të bëjmë për ta shtuar intensitetin e përbashkësisë tonë të përditshme me Krishtin?

7.     Bazuar tek përvoja jote personale, a lidhesh ndryshe me Perëndinë Atë , me Jezus Krishtin, si dhe me Frymën e Shenjtë? A mund t’i përshkruar këto dallime (po qe se ka të tilla?)

TERMA TË VEÇANTË

të qenurit i ringjallur me Krishtin

përbashkësia e shenjtorëve

të vdekurit me Krishtin

“në Krishtin”

bashkimi mistik

një trup në Krishtin

bashkimi me Krishtin

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Shënim: Kjo temë nuk ka marrë një trajtim të hollësishëm në shumë prej teologjive sistematike, por subjektet e përmendur në këtë kapitull janë trajtuar në një larmi mënyrash nën tema të ndryshme.

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 328–330

2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)

(pa trajtim të hollësishëm)

3. Baptiste        

1907 Strong, 795–809

1917 Mullins, 409–416

1983–1985 Erickson, 948–954

4. Dispensacionale

1949 Thiessen, 278–282

5. Luteriane

(pa trajtim të hollësishëm)

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1878 Dabney, 612–617

1937–1966 Murray, RAA 161–173

1938 Berkhof, 447–453

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

(pa trajtim të hollësishëm)

Vepra të Tjera

Baker, J.P. “Bashkimi me Krishtin (Union With Christ).” Tek FRT ([225]NDT) fq. 697–699.

Gordon, Adoniram Judson. Në Krishtin; apo Bashkimi i Besimtarit me Zotin e Tij (In Christ; or the Believer’s Union with His Lord). 1872; ribotim, Grand Rapids: Baker, 1964. (botuar fillimisht më 1872.)

Murray, John. “Bashkimi me Krishtin (Union with Christ)” Tek Shpengimi i Realizuar dhe i Zbatuar (Redemption Accomplished and Applied). Grand Rapids: Eerdmans, 1955, fq. 161–173.

Poythress, Vern. “Përdorimi i Qendrave të Shumëfishta Tematike në Sintezat Teologjike: Shenjtëria si një Rast Prove në Zhvillimin e Teologjisë së Palit (Using Multiple Thematic Centers in Theological Synthesis: Holiness as a Test Case in Developing a Pauline Theology).” Dorëshkrim i pabotuar i disponueshëm nga the Campus Bookstore, Westminster Theological Seminary, P.O. Box 27009, Philadelphia, PA 19118.

Smedes, Lewis B. Bashkimi me Krishtin: Një Pikëpamje Biblike e Jetës së Re në Jezus Krishtin (Union With Christ: A Biblical View of the New Life in Jesus Christ). Bot. i 2të Grand Rapids: Eerdmans, 1983.

Walvoord, J.F. “Identifikimi me Krishtin (Identification With Christ).” Tek FUT ([226]EDT) f. 542.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Galatasve” 2:20: U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua; por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.

HIMN

“JEZUS O GËZIM I ZEMRAVE TONA PLOT DASHURI (JESUS, THOU JOY OF LOVING HEARTS)”

Ky himn i është atribuuar Bernard of Clairvaux (1090–1153), një murg i njohur për dashurinë e Tij për Perëndinë si dhe për përshpirtshmërinë e Tij të madhe. Himne të tjera të atribuuara atij, janë: “Jezus, Vetë mendimi për Ty (Jesus, the Very Thought of Thee)” dhe “O Kokë e Shenjtë Tani e Plagosur (O Sacred Head Now Wounded).” Paçka se është shkruar tetëqind vjet më përpara, ky himn mbetet një nga shprehjet më të bukura të dashurisë për Krishtin në historinë e kishës.

Jezus, zemrat tona plot dashuri, ky gëzimi ynë na i mbulon,

Ti o burim i jetës, Ti o dritë e njerëzimit mbarë,

Edhe begatia më e madhe që toka dhuron

Tek Ti kthehemi sërish të pa ngopur si edhe më parë.

E vërteta Jote e pandryshuar, e patundur ka mbetur gjithnjë;

Ti i shpëton ata që të thërrasin atje ku janë;

Të tregohesh i mirë me ata që të kërkojnë, veç kënaqësi Ty kjo të lë,

Me ata që Ty gjithçka në gjithçka të kanë.

Ne të shijojmë, O bukë e gjallë,

E me zor presim të gostitemi me Ty përsëri;

Ne pimë prej Teje, gurra e burimit tonë,

Dhe shpirti ynë digjet që me Ty të ngopet në lavdi.

Të dëshiron fryma jonë e trazuar,

Kurdoherë që fati i ynë i ndryshueshëm hidhet;

Të gëzuar jemi kur shikojmë buzëqeshjen Tënde të uruar,

Të bekuar kur besimi ynë mund fort tek Ti të mbahet.

O Jezus, gjithnjë me ne qëndro,

Bëje jetën tonë të shndritshme e të qetë;

Natën e errët të mëkatit largo,

Derdhe mbi botën dritën Tënde të shenjtë.

Autor: Bernardi i Kleirvauksit, rreth vitit 1150

        

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>