Rigjenerimi

Çfarë do të thotë të jesh i lindur sërish?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Rigjenerimin mund ta përkufizojmë si më poshtë: Rigjenerimi është një veprim i fshehtë i Perëndisë në të cilin Ai na tejçon jetë të re frymërore. Kjo nganjëherë quhet “të jesh i lindur sërish” (po të përdorim gjuhën e “Gjonit” 3:3–8).

A. Rigjenerimi është tërësisht vepër e Perëndisë

Në disa prej elementëve të zbatimit të shpengimit të cilat ne i diskutojmë në kapitujt vijues, ne luajmë një rol aktiv (kjo vlen të thuhet, për shembull, për kthimin në besim, shenjtërimin si dhe ngulmimin). Por në veprën e shpengimit ne nuk luajmë aspak rol aktiv. Përkundrazi, ajo është një punë tërësisht e Perëndisë. Për shembull, këtë e shikojmë kur Gjoni flet për ata të cilëve Krishti u dha pushtet që të bëhen fëmijët e Perëndisë—ata “të cilët nuk lindën as prej gjakut, as prej vullnetit të mishit, as prej vullnetit të burrit, por prej Perëndisë” (Gjoni 1:13). Këtu Gjoni specifikon që fëmijët e Perëndisë janë ata të cilët janë “lindur... prej Perëndisë” dhe vullneti ynë njerëzor (“vullneti i njeriut”) nuk e shkakton këtë lloj lindjeje.

Fakti që ne jemi pasivë në rigjenerim, është gjithashtu evident kur Shkrimi i referohet si të qenurit “lindur” apo “rilindur” (kr. Jakobi 1:18; 1 Pjetrit 1:3; Gjoni 3:3–8). Nuk zgjodhëm ne që të bëhemi të gjallë fizikisht dhe nuk zgjodhëm ne që të lindnim—kjo është diçka që na ndodhi; në mënyrë të ngjashme, këto analogji në Shkrim na sugjerojnë se ne jemi tërësisht pasivë në ringjenerim.

Kjo vepër sovrane e Perëndisë në rigjenerim, qe parashikuar gjithashtu tek profecia e Ezekielit. Përmes tij, Perëndia premtoi se dikur në të ardhmen, Ai do t’i jepte një jetë të re frymërore popullit të Tij:

Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t'ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia. (Eze. 36:26–27)

Cili pjesëtar i Trinisë është Ai që shkakton rigjenerimin? Kur Jezusi flet për të qenurin “lindur nga Fryma” (Gjoni 3:8), Ai lë të kuptohet se është veçanërisht Perëndia Frymë e Shenjtë Ai i Cili shkakton rigjenerimin. Por, vargje të tjera tregojnë gjithashtu përfshirjen e Perëndisë Atë në rigjenerim: Pali specifikon se është Perëndia Ai i Cili “na dha jetë bashkë me Krishtin” (Efe. 2:5; kr. Kol. 2:13). Gjithashtu, Jakobi thotë se është“Ati i dritave” Ai që na rilindi sërish: “Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi njëfarë fryti i parë i krijesave të ti” (Jakobi 1:17–18).[40]1 Së fundi, Pjetri thotë se Perëndia “sipas bollëkut të mëshirës së Tij na ka rilindur...përmes ringjalljes së Jezus Krishtit nga të vdekurit” (1 Pjetrit 1:3, përkthimi i autorit). Ne mund të dalim në përfundimin që si Perëndia Atë ashtu edhe Perëndia Frymë e Shenjtë shkaktojnë rigjenerimin.

Cila është lidhja mes thirrjes efektive[41]2 dhe rigjenerimit? Siç do ta shikojmë më pas në këtë kapitull, Shkrimi tregon që rigjenerimi duhet të vijë përpara se ne të mund të reagojmë ndaj thirrjes efektive me besimin shpëtues. Për rrjedhojë ne mund të themi se rigjenerimi vjen përpara rezultatit të thirrjes efektive (rezultat i cili është besimi ynë). Por është më e vështirë të specifikojmë marrëdhënien ekzakte në kohën mes rigjenerimit si dhe shpalljes njerëzore të ungjillit përmes të cilës Perëndia realizon thirrjen efektive. Ka të paktën dy pasazhe të cilat sugjerojnë se Perëndia na rigjeneron në të njëjtën kohë që Ai na flet me thirrjen efektive: Pjetri thotë: “të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet përjetë.... kjo është fjala që ju është shpallur si ungjill” (1 Pjetrit 1:23, 25). Ndërsa Jakobi thotë: “Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës” (Jakobi 1:18). Kur ungjilli vjen tek ne, Perëndia flet përmes tij për të na thirrur tek Vetja (thirrja efektive) si dhe për të na dhënë një jetë të re frymërore (rigjenerim) në mënyrë që ne të aftësohemi për të reaguar me besim. Thirrja efektive kësisoj është Perëndia Atë që flet në mënyrë të fuqishme ndaj nesh ndërsa rigjenerimi është Perëndia Atë dhe Perëndia Frymë e Shenjtë të Cilët punojnë fuqishëm tek ne për të na bërë të gjallë. Këto dy gjëra duhet të kenë ndodhur njëherësh ndërkohë që Pjetri po i predikonte ungjillin familjes së Kornelit, sepse ndërkohë që Ai ishte ende duke predikuar “Fryma e Shenjtë ra mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën” (Veprat 10:44).

Nganjëherë, termi hir i parezistueshëm[42]3 përdoret në këtë lidhje. Ai i referohet faktit që Perëndia në mënyrë efektive i thërret njerëzit dhe u jep atyre rigjenerim, dhe të dyja veprimet garantojnë se ne do të reagojmë me besim shpëtues. Termi hir i parezistueshëm sidoqoftë është pre keqkuptimesh, përderisa duket se ai nënkupton që njerëzit nuk bëjnë një zgjedhje të vullnetshme e me dëshirë për sa i takon reagimit ndaj ungjillit, por kjo është një ide e gabuar, si dhe një kuptim i gabuar i termit hir i parezistueshëm. Ky term sidoqoftë ruan diçka të çmueshme, për shkak se nënkupton që vepra e Perëndisë arrin tek zemrat tona për të shkaktuar aty një reagim i cili është absolutisht i sigurt, edhe nëse ne reagojmë në mënyrë vullnetare.[43]4

B. Natyra ekzakte e rigjenerimit, është e mistershme për ne

Se çfarë ekzaktësisht ndodh me rigjenerimin, është e mistershme për ne. Ne e dimë se njëfarësoj, ne që ishim të vdekur nga ana frymërore (Efe. 2:1) jemi bërë të gjallë ndaj Perëndisë dhe në një kuptim shumë real ne jemi “lindur përsëri” (Gjoni 3:3, 7; Efe. 2:5; Kol. 2:13). Por ne nuk e kuptojmë se si kjo gjë ndodh apo se çfarë ekzaktësisht na bën Perëndia për të na dhënë këtë jetë të re. Jezusi thotë: “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por nuk e di nga vjen dhe ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që është lindur nga Fryma” (Gjoni 3:8).

Shkrimi e shkon rigjenerimin si diçka që na prek ne në të tërë personin. Sigurisht, “Fryma është jetë” për Perëndinë pas ripërtëritjes (Rom. 8:10), por kjo është thjesht për shkak se ne si persona të plotë ndikohemi nga rigjenerimi. Nuk është se thjesht fryma jonë ishte e vdekur më përpara. Ne ishim të vdekur ndaj Perëndisë në shkelje dhe mëkate (shiko Efe. 2:1). Gjithashtu nuk është e saktë të thuash se e vetmja gjë që ndodh në rigjenerimin është që fryma jonë bëhet e gjallë (siç japin mësim disa),[44]5 sepse çdo pjesë e jona preket nga rigjenerimi: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, është një krijesë e re; të vjetrat shkuan; ja, të gjitha u bënë të reja” (2 Kor. 5:17).

Për shkak se rigjenerimi është një vepër e Perëndisë përbrenda nesh, në të cilën Ai na jep një jetë të re, do të ishte e drejtë të dilnim në përfundimin se ajo është një ngjarje e menjëhershme. Ajo ndodh vetëm një herë. Në një moment ne ishim të vdekur nga ana frymërore, dhe pastaj në momentin tjetër kemi jetë të re frymërore nga Perëndia. Gjithsesi, ne nuk është se e dimë gjithnjë se kur saktësisht do të ndodhë ky ndryshim i menjëhershëm. Veçanërisht për fëmijët që rriten në një shtëpi të krishterë, apo për njerëzit që marrin pjesë në një kishë ungjillore apo në një studim Bible përgjatë një periudhe kohore, dhe që gradualisht zgjerojnë kuptimin e tyre të ungjillit, mund të mos ketë një moment dramatik me një ndryshim radikal të sjelljes nga “mëkatarë të ngurtësuar” tek “shenjtorë të pamëkat,” por do të ketë një ndryshim të menjëhershëm gjithsesi, kur Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë, në një mënyrë të padukshme, e zgjon jetën frymërore përbrenda nesh. Ndryshimi do të bëhet i dukshëm me kalimin e kohës tek mënyra e sjelljes si dhe tek dëshirat të cilat janë të kënaqshme për Perëndinë.

Në raste të tjera (në fakt, me shumë mundësi në pjesën më të madhe të rasteve, kur të rriturit bëhen të krishterë) rigjenerimi ndodh në një kohë të dallueshme në mënyrë të qartë në të cilën personi e kupton se më përpara, ai apo ajo qe i ndarë nga Perëndia dhe i vdekur nga ana frymërore, por menjëherë më pas, pati qartësisht një jetë të re frymërore përbrenda. Rezultatet mundet që zakonisht të vërehen menjëherë: një mirëbesim me gjithë zemër në Krishtin për shpëtim, një siguri për faljen e mëkateve, një dëshirë për ta lexuar Biblën si dhe për t’u lutur (si dhe një ndjesi që këto janë veprimtari kuptimplota frymërore), një dëshirë e madhe për adhurim, një dëshirë për miqësi të krishterë, një dëshirë e sinqertë për të qenë të bindur ndaj Fjalës së Perëndisë në Shkrim, si dhe një dëshirë për t’u treguar të tjerëve për Krishtin. Njerëzit mund të thonë diçka të tillë si: “Unë nuk e di se çfarë ndodhi ekzaktësisht, por përpara atij momenti unë nuk i besoja Krishtit për shpëtimin tim. Isha ende duke pyetur veten me mëndje, por pas atij momenti, e kuptova se i besoja Krishtit dhe se Ai ishte Shpëtimtari im. Diçka ndodhi në zemrën time.”[45]6 Megjithatë, edhe në këto raste, ne nuk jemi të sigurt me të vërtetë për atë që ka ndodhur në zemrat tona. Është tamam ashtu sikurse Jezusi tha në lidhje me erën: ne e dëgjojmë zhurmën e saj dhe shikojmë pasojat e saj, por erën vetë ne nuk mund ta shikojmë. Po kështu është edhe me punën e Frymës së Shenjtë në zemrat tona.

C. Në këtë kuptim, “Rigjenerimi,” vjen përpara besimit shpëtues

Duke përdorur vargjet e cituara më lart, ne e kemi përkufizuar rigjenerimin si veprimin e Perëndisë që zgjon jetën frymërore përbrenda nesh, duke na nxjerrë nga vdekja frymërore tek jeta frymërore. Mbi këtë përkufizim, është e natyrshme që të kuptojmë se rigjenerimi vjen përpara besimit shpëtues. Ai në fakt është kjo vepër e Perëndisë e cila na jep aftësinë frymërore për t’iu përgjigjur Perëndisë me besim. Sidoqoftë, kur ne themi se ajo vjen “përpara” besimit shpëtues, është e rëndësishme që të mbajmë mend se këto të dyja zakonisht vijnë aq pranë bashkë saqë zakonisht do të na duken se ato po ndodhin njëherësh. Ndërkohë që Perëndia adreson thirrjen efektive të ungjillit ndaj nesh, Ai na ripërtërin dhe ne reagojmë me besim dhe pendesë ndaj kësaj thirrjeje. Kështu nga pikëpamja jonë, është e vështirë të dallojmë ndonjë ndryshim në kohë, veçanërisht për shkak se rigjenerimi është një vepër frymërore të cilën ne nuk mund ta perceptojmë me sytë tonë, e as madje ta kuptojmë me mendjet tona.

Megjithëkëtë, ka një sërë pasazhesh të cilat na tregojnë se kjo vepër e fshehtë e Perëndisë në frymën tonë, faktikisht vjen përpara se ne t’i përgjigjemi Perëndisë me besim shpëtues (paçka se shpesh herë ajo mund të jetë vetëm disa sekonda përpara se ne të përgjigjemi). Duke folur me Nikodemin për rigjenerimin, Jezusi tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kush nuk lind nga uji dhe nga Fryma, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Tani ne hyjmë në mbretërinë e Perëndisë kur ne bëhemi të Krishterë me kthimin tonë në besim. Por, Jezusi thotë se ne duhet të lindemi “nga Fryma” përpara se të mund ta bëjmë këtë.[46]7 Paaftësia jonë për të ardhur vetë tek Krishti, pa një punë paraprake të Perëndisë përbrenda nesh, theksohet gjithashtu kur Jezusi thotë: “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (Gjoni 6:44), si dhe “Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im” (Gjoni 6:65). Ky akt i brendshëm rigjenerimi, përshkruhet shumë bukur kur Luka thotë për Lidian, “Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar ato që thoshte Pali” (Veprat 16:14). Së pari Zoti ia hapi zemrën, pastaj ajo qe në gjendje t’i kushtonte vëmendje predikimit të Palit dhe të reagonte me besim.

Në kontrast me këtë, Pali na thotë: “The man ëithout the Spirit (fjalë për fjalë, “njeriu natyror”) nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t'i njohë; sepse ato hetohen frymërisht” (1 Kor. 2:14). Ai gjithashtu thotë për njerëzit që nuk e kanë Krishtin, “Nuk ka asnjë që të kuptojë, nuk ka asnjë që të kërkojë Perëndinë” (Rom. 3:11).

Zgjidhja për këtë vdekje dhe paaftësi frymërore për të reaguar, vjen vetëm kur Perëndia na jep një jetë të re përbrenda. “Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, ndonëse ne ishim të vdekur nëpërmjet shkeljeve, na dha jetë bashkë me Krishtin” (Efe. 2:4–5). Pali thotë gjithashtu: “Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë juve, që ishit të vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet” (Kol. 2:13).[47]8

Ideja që rigjenerimi vjen përpara besimit shpëtues, nuk është se kuptohet gjithnjë nga ungjilltarët sot. Nganjëherë njerëzit madje thonë diçka të tillë: “Po qe se ti i beson Krishtit si Shpëtimtari yt, atëherë (pasi të besosh) do të rilindësh.” Por, Shkrimi vetë nuk thotë kurrë ndonjë gjë të këtillë. Kjo lindje e re shikohet nga Shkrimi si diçka që Perëndia e bën përbrenda nesh, me qëllim që të na bëjë të aftë për të besuar.

Arsyeja që ungjillorët shpesh herë mendojnë se rigjenerimi vjen pas besimit shpëtues, është se ata shikojnë rezultatet (dashurinë për Perëndinë si dhe për Fjalën e Tij si dhe largimin nga mëkati) pasi njerëzit besojnë, dhe ata mendojnë se rigjenerimi për rrjedhojë duhet të ketë ardhur pas besimit shpëtues. Megjithëkëtë, këtu ne duhet të vendosim mbi bazën e asaj që Shkrimi na thotë, për shkak se rigjenerimi vetë nuk është diçka që ne shikojmë apo dimë në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por nuk e di nga vjen dhe ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që është lindur nga Fryma” (Gjoni 3:8).

Ngaqë të krishterët shpesh herë kanë prirjen për t’u përqendruar tek rezultatet e rigjenerimit, e jo tek veprimi i fshehtë frymëror i Perëndisë Vetë, disa deklarata ungjillore të besimit kanë patur një renditje të atillë fjalësh të cilat sugjerojnë se rigjenerimi vjen pas besimit shpëtues. Kështu, për shembull, deklarata e besimit të Kishës së Lirë Ungjillore të Amerikës (Evangelical Free Church of America) (e cila është pranuar nga një sërë organizatash të tjera ungjillore), thotë:

Ne besojmë se Kisha e vërtetë përbëhet nga të tërë personat të cilët përmes besimit shpëtues në Jezus Krishtin, janë rigjeneruar nga Fryma e Shenjtë si dhe janë bashkuar në trupin e Krishtit, Kreu i të cilit është Ai Vetë (paragrafi 8).

Këtu, fjala “rigjenerim” me sa duket do të thotë prova e jashtme e rigjenerimit e cila shikohet në një jetë të ndryshuar, provë kjo e cila padyshim që vjen pas besimit shpëtues. Kështu, “të qenurit i rilindur” nuk mendohet në lidhje me tejçimin fillestar të jetës së re, por në lidhje me ndryshimin tërësor të jetës që vjen si rezultat i atij tejçimi. Nëse termi “rigjenerim” kuptohet në këtë mënyrë, atëherë do të ishte e vërtetë që rigjenerimi vjen pas besimit shpëtues.

Gjithsesi, nëse do të përdornim një gjuhë e cila ndjek ngushtësisht radhitjen aktuale të fjalëve të Shkrimit, do të ishte më mirë që fjalën “rigjenerim” ta kufizonim tek vepra e menjëhershme fillestare e Perëndisë në të cilën Ai na tejçon jetë frymërore. Atëherë ne mund të theksojmë se nuk e shikojmë rigjenerimin vetë, por vetëm rezultatet e tij në jetën tonë, si dhe që besimi në Krishtin për shpëtim, është rezultati i parë që ne shikojmë. Në fakt, ne nuk mund ta dimë kurrë se jemi rigjeneruar derisa të besojmë tek Krishti, pasi kjo është prova e jashtme e kësaj pune të fshehur e të brendshme të Perëndisë. Sapo ne të vijmë tek besimi shpëtues në Krishtin, ne e dimë se kemi rilindur.

Përmes zbatimit, ne do të kuptojmë se shpjegimi i mesazhit të ungjillit në Shkrim, nuk merr formën e një urdhërese, “Rilindu sërish dhe do të shpëtohesh,” por përkundrazi, “Believe in Jesus Christ and you will be saved.”[48]9 Ky është modeli i pandryshuar në predikimin e ungjillit përgjatë gjithë librit të Veprave, dhe gjithashtu në përshkrimet e ungjillit që jepen tek Letrat.

D. Rigjenerimi i mirëfilltë duhet të sjellë rezultate në jetë

Në një seksion të mëparshëm, pamë një shembull të bukur të rezultatit të parë të rigjenerimit në jetën e një personi, kur Pali foli mesazhin e ungjillit ndaj Lidias, dhe “Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar ato që thoshte Pali” (Veprat 16:14; kr. Gjoni 6:44, 65; 1 Pjetrit 1:3). Në mënyrë të ngjashme, Gjoni thotë: “Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur prej Perëndisë” (1 Gjonit 5:1).[49]10 Por ka edhe rezultate të tjera të rigjenerimit, shumë prej të cilave janë specifikuar në letrën e parë të Gjonit. Për shembull, Gjoni thotë: “Kush lindi prej Perëndisë nuk bën mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse ka lindur prej Perëndisë” (1 Gjonit 3:9). Këtu, Gjoni shpjegon se një person i cili është lindur sërish, ka atë “farë” frymërore (atë fuqi jetë-prodhuese dhe në rritje) përbrenda tij, dhe se kjo e mban personin në jetesën e një jete të lirë nga mëkati i vazhdueshëm. Kjo pa dyshim që nuk do të thotë se personi në fjalë do të ketë një jetë të përsosur, por vetëm që vazhda e jetës nuk do të jetë një e vazhdimit të ecjes në mëkat. Kur njerëzve u kërkohet të karakterizojnë jetën e një personi të rigjeneruar, mbiemri që vjen në mendje nuk duhet të jetë “mëkatar,” por më tepër diçka si: “i bindur ndaj Krishtit” apo “i bindur ndaj Shkrimit.” Ne duhet të vërejmë se Gjoni thotë se kjo vlen të thuhet për këdo që është me të vërtetë i rilindur: “Kush lindi prej Perëndisë nuk bën mëkat.” Një mënyrë tjetër e shikimit të kësaj, është të themi se “kushdo, që bën drejtësinë, ka lindur prej tij” (1 Gjonit 2:29).

Një dashuri e mirëfilltë, si ajo e Krishtit do të jetë një rezultat specifik në jetë: “kushdo që do, ka lindur prej Perëndisë dhe e njeh Perëndinë” (1 Gjonit 4:7). Një efekt tjetër i lindjes së re është e mundi botën: “Urdhërimet e tij nuk janë të rënda. Sepse gjithçka që ka lindur prej Perëndisë e mund botën” (1 Gjonit 5:3–4). Këtu, Gjoni shpjegon që rigjenerimi jep aftësinë për të fituar mbi presionet dhe tundimet e botës të cilat përndryshe nuk do të na linin t’i bindeshim urdhërimeve të Perëndisë dhe që të ndiqnim udhët e Tij. Gjoni thotë se këto presione do t’i kapërcejmë dhe për rrjedhojë, nuk ka për të qenë e “rëndë” t’i bindemi urdhëresave të Perëndisë, por, ai nënkupton se do të jetë përkundrazi, e gëzueshme. Ai vazhdon më tej duke shpjeguar që procesi përmes të cilit ne mund të korrim fitore mbi botën, është të vazhdojmë në besim: “kjo është fitorja, që e mundi botën: besimi ynë” (1 Gjonit 5:4).

Si përfundim, Gjoni vëren se një rezultat tjetër i rigjenerimit, është mbrojtja nga Satani vetë: “Ne dimë se kushdo që ka lindur prej Perëndisë nuk mëkaton, madje ai që ka lindur prej Perëndisë [që është, Jezusi] e ruan veten e tij, dhe i ligu nuk e prek atë” (1 Gjonit 5:18). Paçka se mund të ketë sulme nga Satani, Gjoni i siguron lexuesit e tij se “ai në ju është më i madh se ai në botë” (1 Gjonit 4:4), dhe kjo fuqi më e madhe e Frymës së Shenjtë përbrenda nesh, na mban të sigurt nga dëmi i madh frymëror nga i ligu.

Ne duhet të kuptojmë se Gjoni i thekson këto si rezultate të domosdoshme në jetën e atyre të cilët janë rilindur. Nëse ka një rigjenerim të mirëfilltë në jetë e dikujt, ai apo ajo do të besojë se Jezusi është Krishti, do ta frenojë veten nga një vazhdë jete në mëkat të vazhdueshëm si dhe do ta dojë vëllanë e vet, dhe do t’i mposhtë tundimet e botës, si dhe do të mbahet i paprekur nga dëmi përfundimtar i shkaktuar nga i ligu. Këto pasazhe tregojnë se është e pamundur që një person të rigjenerohet e të mos kthehet me të vërtetë në besim.[50]11

Rezultate të tjera të rigjenerimit janë renditur nga Pali ku ai flet për “frytin e Frymës,” d.m.th, rezultatet në jetë të cilat prodhohen nga fuqia e Frymës së Shenjtë që punon përbrenda çdo besimtari: “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja.” (Gal. 5:22–23). Nëse ka një rigjenerim të vërtetë, atëherë këto elemente të frytit të Frymës do të jenë gjithnjë e më të dukshme në jetën e personit. Por në kontrast me këtë, atyre të cilët janë jobesimtarë, përfshi këtu ata të cilët pretendojnë se janë besimtarë por që në të vërtetë nuk janë, padyshim që do t’u mungojnë këto tipare karakteri në jetën e tyre. Jezusi u tha dishepujve të vet:

Por ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju me të veshur delesh, por përbrenda janë ujqër grabitqarë. Do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat? Kështu çdo pemë e mirë jep fruta të mira; por pema e kalbur jep fruta të këqija. Një pemë e mirë nuk mund të japë fruta të këqija, as një pemë e kalbur të japë fruta të mira. Çdo pemë që nuk jep frutë të mirë pritet dhe hidhet në zjarr. Prandaj do t'i njihni ata nga frytet e tyre . (Mat. 7:15–20)

As Jezusi, as Pali dhe as Gjoni nuk tregojnë për veprimtarinë në kishë apo mrekulli si prova të rigjenerimit. Ato më tepër tregojnë për nga tiparet e karakterit në jetë. Në fakt, menjëherë pas vargjeve të cituara më lart, Jezusi na paralajmëron se ditën e gjykimit, shumë do t’i thonë Atij, “ Zot, Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd dhe i dëbuam demonët në emrin tënd dhe kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?''. Dhe atëherë do t'u rrëfej atyre: ``S'ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi” (Mat. 7:22–23). Profecia, dëbimi i demonëve dhe shumë mrekulli e vepra të fuqishme të kryera në emrin e Jezusit (për të mos thënë asgjë për lloje të tjera veprimtarish intensive të kishës në forcën e mishit mbi ndoshta dekada të tëra të jetës së një personi) nuk sigurojnë prova bindëse që një person është me të vërtetë i rilindur. Me sa duket të tëra këto mund të prodhohen në njeriun natyror apo me forcën e vetë njeriut, apo qoftë edhe me ndihmesën e të ligut, por dashuria e mirëfilltë për Perëndinë si dhe për popullin e Tij, bindja e ndjerë nga zemra ndaj urdhëresave të Tij si dhe tiparet e një karakteri të ngjashëm me Krishtin që Pali e quan fryti i Frymës, të demonstruara në mënyrë të vazhdueshme në jetën e dikujt, thjesht nuk mund të prodhohen nga Satani apo nga njeriu natyror që punon me forcën e tij apo të saj. Këto mund të shkaktohen vetëm nga Fryma e Perëndisë që punon përbrenda nesh e që na jep një jetë të re.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A je rilindur? A ka prova të lindjes sërish në jetën tënde? A të kujtohet një kohë specifike kur rigjenerimi ndodhi në jetën tënde? A mund të përshkruash se nga e dije që kishte ndodhur diçka?

2.     Nëse ti (apo miqtë që vijnë tek ti) nuk janë shumë të sigurt nëse je rilindur apo jo, çfarë do të të inkurajonte Shkrimi që të bëje me qëllim për të fituar një siguri më të madhe (apo që me të vërtetë të rilindeshe për herë të parë)? (Shënim: një diskutim i mëtejshëm i pendesës dhe besimit shpëtues, jepet në kapitullin tjetër.)

3.     A ke menduar më përpara se rigjenerimi vjen përpara besimit shpëtues? A je i bindur për të tani, apo ke ende ndonjë pyetje në mendje?

4.     Çfarë mendon për faktin që rigjenerimi yt qe tërësisht vepër e Perëndisë, dhe se ti nuk ke kontribuar fare për të? Si të bën kjo të ndihesh në lidhje me veten? Si të bën të ndjehesh në raport me Perëndinë? Me analogji, si të bën të ndjehesh rreth faktit se kur ke lindur fizikisht, ti nuk ke patur zgjedhje në këtë çështje?

5.     A ka fusha në të cilat rezultatet e rigjenerimit nuk shikohen shumë qartë në jetën tënde? A mendon se është e mundshme për një person që të rigjenerohet e pastaj të jetë vendnumëro nga ana frymërore aq sa rritja e tij të jetë e vogël apo të mos ketë rritje fare? Në çfarë rrethanash mund të jetojë një person të cilat do të çonin në një vendnumëro të tillë frymërore si dhe në një mungesë rritjeje (po qe se kjo është e mundshme), edhe pse personi ishte me të vërtetë i rilindur sërish? Në ç’masë ndodh që lloji i kishës në të cilën merr pjesë dikush, mësimi që dikush merr, lloji i bashkësisë së krishterë që dikush ka, si dhe rregullshmëria e kohës personale të një personi në leximin e Biblës si dhe në lutje, ndikon tek jeta dhe rritja personale e ndokujt?

6.     Nëse rigjenerimi është një vepër tërësisht e Perëndisë dhe qeniet njerëzore nuk mund të bëjnë asgjë për ta shkaktuar atë, atëherë ç’të mirë kemi nëse u predikojmë ungjillin njerëzve tek e fundit? Është disi absurde e madje mizore po qe se predikojmë ungjillin dhe kërkojmë për një reagim nga njerëzit të cilët nuk mund të reagojnë për shkak se ata janë të vdekur nga ana shpirtërore? Ç’përgjigje i jep ti kësaj pyetjeje?

TERMA TË VEÇANTË

i rilindur

i lindur nga Fryma

i lindur nga uji

hiri i parezistueshëm

rigjenerimi

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 320–328

2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)

1847 Finney, 282–364

1892–1894 Miley, 2:327–336

1960 Purkiser, 292–297

3. Baptiste

1767 Gill, 2:107–121

1887 Boyce, 373–382

1907 Strong, 809–829

1917 Mullins, 385–389

1983–1985 Erickson, 932–933, 942–946

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 6:104–121

1949 Thiessen, 271–276

1986 Ryrie, 325–326

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 2:498–501

1934 Mueller, 363–364

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:592–621 (3.3)

1724–1758 Edwards, 543–565, 849–855

1861 Heppe, 518–527

1871–1873 Hodge, 2:682–732; 3:3–40

1878 Dabney, 579–599

1887–1921 Warfield, BTS 351–74; SSW 2:321–324

1889 Shedd, 2b, 490–528

1937–1966 Murray, CW 2:167–201; RAA 95–105

1938 Berkhof, 465–479

1962 Buswell, 2:168–175

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 2:35–59

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 219–249

2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II

1980 McBrien, 2:991–1005

Vepra të Tjera

Hoekema, Anthony A. “Rigjenerimi (Regeneration).” Tek I Shpëtuar Nëpërmjet Hirit (Saved by Grace). Grand Rapids: Eerdmans, and Exeter: Paternoster, 1989, fq. 93–112.

Kevan, E.F. Shpëtim (Salvation). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1973.

Packer, J.I. “Rigjenerim (Regeneration).” Tek FUT (EDT) fq. 924–926.

Toon, Peter. I Rilindur: Një Studim Biblik dhe Teologjik i Rigjenerimit (Born Again: A Biblical and Theological Study of Regeneration). Grand Rapids: Baker, 1987.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Gjoni” 3:5–8: Jezusi u përgjigj: «Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kush nuk lind nga uji dhe nga Fryma, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç'ka lindur nga mishi, është mish; dhe ç'ka lindur nga Fryma, është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: ``Duhet të lindni përsëri''. Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por nuk e di nga vjen dhe ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që është lindur nga Fryma.”

HIMN

“E KËRKOVA ZOTIN DHE MË PAS E KUPTOVA (I SOUGHT THE LORD, AND AFTERWARD I KNEW)”

Ky himn shpreh me mjaft bukuri falënderime ndaj Perëndisë për faktin që edhe pse ne nuk e dinim, Ai na kërkoi, punoi në zemrat tona në një mënyrë të mistershme si dhe na bëri të aftë që të besojmë, përpara se t’i zinim besë Atij.

E kërkova Zotin dhe më pas e kuptova

Ndërkohë që Ai më kërkonte, bëri shpirtin tim Atë ta kërkonte;

O Shpëtimtar, vërtetë që nuk është se unë të gjeta

Por Ti nuk pushove derisa më zbulove.

Dorën e Vet zgjati dhe e imja prej Tij u mbulua;

Unë eca dhe nuk u zhyta në detin e stuhishëm dhe të trazuar,

Nuk është se isha unë që tek Ti u zura,

Por Ti o Zot i dashur, më more në duar.

Unë gjej, eci, dua, por, pavarësisht të gjitha këtyre

Prej dashurisë vjen përgjigja ime, o Zot ndaj Teje;

Sepse Ti që më përpara me shpirtin tim shumë punove,

Ti gjithmonë dashuri tregove ndaj meje.

Anon., rreth vitit 1904

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>