Postet e Krishtit

Në Ç’kuptim Është Krishti Profet, prift dhe mbret?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Në Izraelin e Besëlidhjes së Vjetër, kishte tre poste kryesore: profeti (siç ishte për shembull Nathan, “2 Sam.” 7:2), prifti (siç ishte për shembull Abiathari, “1 Sam.” 30:7), si dhe mbreti (siç ishte për shembull Mbreti David “2 Sam.” 5:3). Këto tre poste ishin të ndara nga njëri-tjetri. Profeti u fliste njerëzve fjalët e Perëndisë; prifti ofronte flijime, lutje dhe lavde ndaj Perëndisë në emër të njerëzve; ndërsa mbreti mbretëronte mbi njerëzit duke qenë përfaqësuesi i Perëndisë. Këto tre poste ishin një pamje paraprake e veprës së Krishtit Vetë në mënyra të ndryshme. Për rrjedhojë, ne mund të shikojmë përsëri tek vepra e Krishtit, tani duke menduar rreth perspektivës së këtyre tre posteve apo kategorive.[124]1 Krishti i përmbush këto tre poste në mënyrat e mëposhtme: si profet, Ai na zbulon Perëndinë, si dhe na flet fjalët e Perëndisë; si prift Ai edhe ofron një flijim ndaj Perëndisë në emrin tonë, por edhe është Vetë flijimi që ofrohet; dhe si mbret, Ai mbretëron mbi kishë dhe mbi univers gjithashtu. Secilin prej këtyre posteve do ta diskutojmë tani në më shumë detaje.

        A. Krishti si Profet

Profetët e Besëlidhjes së Vjetër, folën fjalët e Perëndisë ndaj njerëzve. Moisiu ishte profeti i parë madhor, dhe ai shkroi pesë librat e parë të Biblës, të quajtura përmbledhtasi: Pesëlibërshi. Pas Moisiut, pati një varg profetësh të tjerë të cilët folën dhe shkruan fjalët e Perëndisë.[125]2 Megjithëkëtë, Moisiu parashikoi se dikur, një profet tjetër si Ai do të vinte.

ZOTI, Perëndia yt, do të ngrejë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar, në bazë të gjithë atyre gjërave që i kërkove Zotit, Perëndisë tënd.... Dhe ZOTI më tha...“ Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t'u thotë atyre të gjitha ato që unë do t'i urdhëroj.” (L. i P. 18:15–18)

Megjithëkëtë, kur shikojmë ungjijtë, vërejmë se Jezusi nuk shikohet mbi të gjitha si një profet apo si profeti që do të ishte si Moisiu, paçka se me raste ka referenca në këtë drejtim. Shpesh herë, ata të cilët e quajnë Jezusin “profet” dinë fare pak rreth Tij. Për shembull, qarkullonin mendime të ndryshme për Jezusin: “Disa (thonë se je) Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë Jeremia, ose një nga profetët” (Mat. 16:14; kr. Luka 9:8). Kur Jezusi ringjalli të birin e vejushës së Nainit prej së vdekurish, njerëzisht patën frikë dhe thanë: “Midis nesh u ngrit një profet i madh!” (Luka 7:16). Kur Jezusi i tha gruas samaritane tek pusi diçka rreth jetës së saj të kaluar, ajo menjëherë u përgjigj kështu: “Zot, po shoh se ti je profet” (Gjoni 4:19). Por ajo nuk dinte shumëçka rreth Tij. Reagimi i njeriut të lindur i verbër i cili u shërua në tempull, qe i ngjashëm: “Është një profet” (Gjoni 9:17; vini re që besimi tek Jezusi si Mesi dhe hyjni, lindi vetëm kur arrijmë tek v. 37, pas një bashkëbisedimi të mëtejshëm me Jezusin).[126]3 Për rrjedhojë, “profet” nuk është emërtimi kryesor i Jezusit, apo një i cili përdoret shpesh prej Tij apo për Të.

Megjithëkëtë, kishte ende një pritshmëri sipas të cilës profeti i ngjashëm me Moisiun, do të vinte (L. i P. 18:15, 18). Për shembull, pasi Jezusi kishte shumëfishuar bukët dhe peshqit, disa njerëz ia britën: “Me të vërtetë, ky është profeti që duhet të vijë në botë!” (Gjoni 6:14; kr. 7:40). Edhe Pjetri e identifikoi gjithashtu Krishtin si profeti i parashikuar nga Moisiu (shiko Veprat 3:22–24, duke cituar L. i P. 18:15). Kështu, Jezusi është me të vërtetë profeti i parashikuar nga Moisiu.

Megjithëkëtë, është domethënëse që tek Letrat e Apostujve, Jezusi nuk quhet kurrë profet apo profeti. Kjo është veçanërisht domethënëse në kapitujt e parë të “Hebrenjve”, për shkak se atje ishte një mundësi e qartë për ta identifikuar Jezusin si një profet, po qe se autori do të kishte dashur që ta bënte këtë. Ai fillon duke thënë: “Në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, në këto ditët e fundit, na foli me anë të Birit” (Heb. 1:1–2). Pastaj, duke diskutuar madhështinë e Birit, në kapitujt 1–2, autori e përmbyll këtë seksion, jo duke thënë: “Prandaj, konsideroni Jezusin si profetin më të madh,” apo diçka të tillë, por përkundrazi, duke thënë: “Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit tonë, Krishtin Jezus” (Heb. 3:1).

Përse letrat e Besëlidhjes së Re e shmangin quajtjen e Jezusit profet? Me sa duket sepse, paçka se Jezusi është profeti që Moisiu parashikoi, gjithsesi Ai është shumë herë më i madh se cilido prej profetëve të Besëlidhjes së Vjetër, nga dy drejtime:

1. Ai është Ai për të Cilin u profetizua në Besëlidhjen e Vjetër. Kur Jezusi foli me dy dishepujt rrugës për në Emmaus, Ai u bëri një pasqyrë të të tërë Besëlidhjes së Vjetër, duke treguar se si profetët flisnin për Të: “Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat, që i takonin atij” (Luka 24:27). Këtyre dishepujve, Ai u tha se ishin “të ngathët në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët,” duke treguar se “duhej që Krishti të vuajë dhe të hyjë në lavdinë e tij” (Luka 24:25–26; kr. 1 Pjetrit 1:11, që thotë se profetët e Besëlidhjes së Vjetër, po “dëshmonin që më parë për vuajtjet e Krishtit dhe për lavditë”). Kështu, profetët e Besëlidhjes së Vjetër, shikonin përpara në kohë për tek Krishti në ato gjëra që shkruan, ndërsa apostujt e Besëlidhjes së Re, kthenin vështrimin prapa për tek Krishti, dhe e interpretuan jetën e Tij për të mirën e kishës.

2. Jezusi nuk ishte thjesht një lajmëtar zbulesash nga Perëndia (si të tërë profetët e tjerë), por ishte Vetë, burimi i zbulesës nga Perëndia. Ai nuk tha siç thanë të tërë profetët e Besëlidhjes së Vjetër, “Kështu thotë Zoti.” Jezusi mund ta niste këtë mësim që kishte autoritet hyjnor, me deklaratën mahnitëse: “Por unë po ju them” (Mat. 5:22; etj.). Fjala e Zotit erdhi tek profetët e Besëlidhjes së Vjetër, ndërsa Jezusi foli me autoritetin e Vet, si Fjala e përjetshme e Perëndisë (Gjoni 1:1) i Cili na e zbuloi në mënyrë të përsosur Atin (Gjoni 14:9; Heb. 1:1–2).

Në kuptimin më të përgjithshëm të termit profet si thjesht dikush i Cili na zbulon Perëndinë dhe që na flet fjalët e Perëndisë, Krishti është sigurisht me të vërtetë e plotësisht profet. Në fakt, Ai është Ai të Cilin të tërë profetët e Besëlidhjes së Vjetër parapanë në të folurën e tyre si dhe në veprimet e tyre.

B. Krishti si Prift

Në Besëlidhjen e Vjetër, priftërinjtë caktoheshin prej Perëndisë për të ofruar flijime. Ata ofronin gjithashtu lutje dhe lavde ndaj Perëndisë në emër të popullit. Duke vepruar kështu, ata “shenjtëronin” popullin ose e bënin atë të pranueshëm për të hyrë në praninë e Perëndisë, sado që në një mënyrë të kufizuar gjatë periudhës së Besëlidhjes së Vjetër. Në Besëlidhjen e Re, Jezusi bëhet kryeprifti ynë i madh. Kjo temë është trajtuar gjerësisht në letrën drejtuar “Hebrenjve”, ku shikojmë se Jezusi funksionoi si prift nga dy drejtime.

1. Jezusi ofroi një flijim të përsosur për mëkatin. Flijimi të cilin Jezusi ofroi për mëkatin nuk ishte gjaku i kafshëve të tilla si ai i demave ose cjepve: “sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatet” (Heb. 10:4). Përkundrazi, Jezusi e ofroi Veten si një flijim i përsosur: “Por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve, Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes” (Heb. 9:26). Ky ishte një flijim i plotë dhe përfundimtar, i cili nuk do të përsëritej kurrë, një temë kjo e theksuar shpesh herë në librin e “Hebrenjve” (shiko 7:27; 9:12, 24–28; 10:1–2, 10, 12, 14; 13:12). Për rrjedhojë, Jezusi i përmbushi të tëra pritshmëritë që ishin parademostruar, jo vetëm në flijimet e Besëlidhjes së Vjetër, por gjithashtu në jetën dhe veprimet e priftërinjve që i ofruan ato. Ai ishte edhe flijimi, edhe prifti i cili e ofroi flijimin. Jezusi është tani “një kryeprift i madh që ka përshkuar qiejt” (Heb. 4:14) dhe që është shfaqur “tani përpara Perëndisë për ne” (Heb. 9:24), përderisa Ai ka ofruar një flijim që i dha fund përgjithnjë nevojës për flijime të mëtejshme.

2. Jezusi në mënyrë të vazhdueshme na sjell më pranë Perëndisë. Priftërinjtë e Besëlidhjes së Vjetër, jo vetëm që ofruan flijime, por gjithashtu në një mënyrë përfaqësusese, ata hynë në praninë e Perëndisë hera herës në emër të popullit. Por, Jezusi, bën shumë më tepër se kaq. Si kryeprifti ynë i përsosur, Ai, në mënyrë të vazhdueshme na drejton në praninë e Perëndisë, në mënyrë që të mos kemi më nevojë për tempullin e Jerusalemit, apo për një priftëri të veçantë për të qëndruar mes nesh dhe Perëndisë. Gjithashtu, Jezusi nuk vjen në pjesën e brendshme (shenjtërores) së tempullit tokësor në Jerusalem, por Ai ka shkuar në të barasvlershmen e shenjtërores së qiellit, tek prania e Perëndisë Vetë në qiell (Heb. 9:24). Për rrjedhojë ne kemi një shpresë që e ndjek Atë atje: “Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur për shpirtin, e cila hyn deri në brendësinë e velit, ku ka hyrë Jezusi, si pararendës për ne, pasi u bë kryeprift në përjetësi” (Heb. 6:19–20). Kjo do të thotë se ne kemi një privilegj shumë më të madh sesa ata njerëz të cilët jetuan në kohën e tempullit të Besëlidhjes së Vjetër. Ata madje nuk mund të hynin as në dhomën e parë të tempullit, në vendin e shenjtë, sepse vetëm priftërinjtë mund të qaseshin atje. Pastaj në dhomën e brendshme të tempullit, në shenjtërore, mund të hynte vetëm kryeprifti, dhe edhe ai, mund të hynte atje vetëm një herë në vit (Heb. 9:1–7). Por, kur Jezusi ofroi një flijim të përsosur për mëkatet, perdja apo veli i tempullit që mbante mbyllur veli i tempullit u nda në mes (Luka 23:45), duke nënkuptuar kësisoj në mënyrë simbolike në tokë, që mënyra e aksesit të Perëndisë në qiell ishte hapur nëpërmjet vdekjes së Jezusit. Për rrjedhojë, autori i “Hebrenjve” mund të bënte këtë nxitje të mahnitshme ndaj të tërë besimtarëve:

Duke pasur, pra, o vëllezër, guxim për të hyrë në shenjtërore [fjalë për fjalë “vendet e shenjta,” që ka kuptimin edhe “vendi i shenjtë” si dhe “vendi më i shenjtë” vetë] me anë të gjakut të Jezusit... edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë, le t'i afrohemi me zemër të vërtetë, në siguri të plotë besimi. (Heb. 10:19–22)

Jezusi ka hapur për ne rrugën e arritjes tek Perëndia në mënyrë që ne vazhdimisht të “afrohemi” në vetë praninë e Perëndisë, pa frikë por me “guxim” dhe me “siguri të plotë besimi.”

3. Jezusi si prift lutet në mënyrë të vazhdueshme për ne. Një tjetër funksion priftëror në Besëlidhjen e Vjetër, ishte lutja në emër të të gjithë popullit. Autori i “Hebrenjve” na thotë se Jezusi e përmbushi edhe këtë funksion: Ai “mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Heb. 7:25). Pali pohon të njëjtën gjë kur thotë se Krishti Jezus “ndërmjetëson për ne” (Rom. 8:34).

Disa kanë argumentuar që kjo vepër ndërmjetësimi prej kryeprifti, është vetëm akti i qëndrimit në praninë e Atit, si një kujtues i vazhdueshëm që Ai Vetë ka paguar ndëshkimin për të tëra mëkatet tona. Sipas kësaj pikëpamjeje, Jezusi nuk është se faktikisht bën lutje specifike ndaj Perëndisë Atë rreth nevojave individuale në jetën tonë, por “ndërmjetëson” vetëm në kuptimin e qëndrimit në praninë e Perëndisë si përfaqësuesi ynë kryepriftëror.

Megjithëkëtë, kjo pikëpamje nuk duket se përshtatet me gjuhën aktuale të përdorur tek “Romakëve” 8:34 dhe “Hebrenjve” 7:25. Në të dyja rastet, fjala ndërmjetëson është përkthim i termit greqisht ἐντυγχάνω (G1961). Kjo fjalë nuk nënkupton thjesht “të jesh përfaqësuesi i dikujt përpara dikujt tjetër,” por ka qartësisht kuptimin e bërjes së kërkesave apo peticioneve specifike përpara dikujt. Për shembull, Festus-i përdor këtë fjalë për t’i thënë mbretit Agripa: “Ju po shihni atë, kundër të cilit gjithë turma e judenjve m'u drejtua mua” (Veprat 25:24). Edhe Pali e përdor gjithashtu për Elijën kur ai “i drejtohet Perëndisë kundër Izraelit” (Rom. 11:2). Në të dy këto raste, kërkesat janë shumë specifike, jo thjesht parashtrime të përgjithshme.[127]4

Për rrjedhojë, ne mund të dalim në përfundimin se si Pali ashtu edhe autori i “Hebrenjve” janë duke thënë se Jezusi jeton në mënyrë të vazhdueshme në praninë e Perëndisë, për të bërë kërkesa specifike, si dhe për të parashtruar peticione specifike përpara Perëndisë për ne. Ky është një rol të cilin Jezusi, si Perëndia-njeri, është i kualifikuar në mënyrë unikale për ta përmbushur. Paçka se Perëndia është në gjendje që të kujdeset për të tëra nevojat tona, si reagim ndaj vëzhgimit të drejtpërdrejtë të Tij (Mat. 6:8), megjithëkëtë, Perëndia e ka patur për kënaqësi në marrëdhënien e Tij me racën njerëzore, që të vendosë të veprojë në vend të kësaj, si përgjigje ndaj lutjes, me sa duket, në mënyrë që besimi i treguar përmes lutjes, të mund ta përlëvdojë Atë. Janë veçanërisht lutjet e burrave dhe grave të krijuara në shëmbëlltyrën e Tij ato që janë të kënaqshme në sytë e Perëndisë. Në Krishtin, ne kemi një njeri të vërtetë, një njeri të përsosur, që lutet dhe që ndërkohë, në mënyrë të  vazhdueshme përlëvdon Perëndinë përmes lutjes. Kësisoj, natyra njerëzore është ngritur në një pozitë shumë të lartë: “Një është Perëndia, dhe një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krishti Jezus” (1 Tim. 2:5).

Megjithëkëtë, vetëm në natyrën e Tij njerëzore, Jezusi sigurisht që nuk mund të ishte një kryeprift i tillë i madh për të tërë njerëzit e Tij në botën mbarë. Ai nuk do mund t’i dëgjonte lutjet e personave larg Tij, e as nuk do mund të dëgjonte lutjet të cilat thuheshin vetëm me mëndje nga ndokush. Ai nuk mund t’i dëgjonte njëherësh të tëra kërkesat (sepse në botë, në çdo çast, ka miliona njerëz që i luten Atij). Për rrjedhojë, me qëllim për të qenë kryeprifti i përsosur i Cili ndërmjetëson për ne, Ai duhet të jetë Perëndi si dhe njeri. Ai duhet të jetë dikush i Cili në natyrën e Tij hyjnore edhe mundet të dijë gjithçka, edhe t’i sjellë të gjitha ato në praninë e Atit. Megjithëkëtë, për shkak se Ai u bë dhe vazhdon të jetë njeri, Ai ka të drejtën që të na përfaqësojë përpara Perëndisë dhe Ai mund t’i shprehë peticionet e Tij nga pikëpamja e një kryeprifti të dhembshur, një i Cili i kupton nga përvoja e Vet ato që ne kalojmë.

Për rrjedhojë, Jezusi është i vetmi person në të tërë universin e për jetë të jetëve i Cili mund të jetë një kryeprift i tillë qiellor, një i Cili është me të vërtetë Perëndi dhe me të vërtetë njeri, i përlartësuar përgjithmonë përmbi qiejt.

Mendimi që Jezusi është duke u lutur vazhdimisht për ne, duhet të përbëjë një inkurajim të madh. Ai lutet për ne në përputhje me vullnetin e Atit, kështu që ne mund ta dimë që kërkesat e Tij do të realizohen. Berkhofi thotë:

Fakti që Krishti lutet për ne, është një mendim ngushëllues, edhe atëherë kur ne e neglizhojmë jetën tonë të lutjes; që Ai është duke i parashtruar Atit ato nevoja shpirtërore të cilat nuk ishin të pranishme për mendjet tona, dhe të cilat ne shpesh herë neglizhojmë t’i përfshijmë në lutjet tona; dhe se Ai lutet për mbrojtjen tonë nga rreziqet për të cilat ne nuk jemi as të vetëdijshëm, si dhe kundër armiqve të cilët na kërcënojnë, edhe pse ne nuk e vëmë re këtë. Ai është duke u lutur që besimi ynë të mos meket, dhe që në fund ne të dalim fitimtarë.[128]5

C. Krishti si Mbret

Në Besëlidhjen e Vjetër, mbreti ka autoritet për të mbretëruar mbi kombin e Izraelit. Në Besëlidhjen e Re, Jezusi u lind për të qenë Mbreti i Judenjve (Mat. 2:2), por Ai refuzoi çfarëdolloj përpjekjeje nga njerëzit që u përpoqën që ta bënin Atë një mbret tokësor, me pushtet ushtarak dhe politik (Gjoni 6:15). Ai i tha Pilatit: “Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote; po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej” (Gjoni 18:36). Megjithëkëtë, Jezusi e kishte një mbretëri, mbërritjen e të cilës Ai e shpalli në predikimin e Vet (Mat. 4:17, 23; 12:28, etj.). Ai në fakt është mbreti i vërtetë i popullit të ri të Perëndisë. Kësisoj, Jezusi refuzoi t’i qortonte dishepujt e Tij të cilët thërritën gjatë hyrjes së Tij ngadhënjimtare në Jerusalem, “I bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit!” (Luka 19:38; kr. vgj. 39–40; gjithashtu Mat. 21:5; Gjoni 1:49; Veprat 17:7).

Pas ringjalljes së Tij, Jezusit iu dha nga Perëndia Atë, një autoritet shumë herë më i madh mbi kishën si dhe mbi universin. Perëndia e ngriti “duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë botë, por edhe në atë të ardhme, dhe vuri gjithçka nën këmbët e tij, edhe përmbi çdo gjë ia dha për krye kishës” (Efe. 1:20–22; Mat. 28:18; 1 Kor. 15:25). Ky autoritet mbi kishën si dhe mbi universin, do të njihet më shumë nga njerëzit kur Jezusi të kthehet në botë me fuqi dhe me lavdi të madhe për të mbretëruar (Mat. 26:64; 2 Thes. 1:7–10; Zbu. 19:11–16). Ditën në të cilën Ai do të pranohet si “MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE” (Zbu. 19:16) dhe kur të përkulet çdo gju (Fil. 2:10).

D. Rolet tona si profetë, priftërinj dhe mbretër

Po të shikojmë prapa në kohë tek situata e Adamit përpara rënies dhe përpara në kohë tek gjendja jonë e ardhshme me Krishtin në qiell për tërë përjetësinë, ne do të mund të shikojmë se këto role të profetit, priftit dhe mbretit, kishin paralelet e tyre në përvojën që Perëndia fillimisht kishte synuar për njerëzit, dhe që do të përmbushet në jetën tonë në qiell.

Në Kopshtin e Edenit, Adami ishte një “profet” në atë që Ai kishte njohuri të vërtetë të Perëndisë dhe që gjithnjë fliste me vërtetësi rreth Perëndisë si dhe rreth krijimit të Tij. Ai ishte një “prift” në atë që Ai qe në gjendje që të ofronte falas dhe haptas lutje dhe lavdërime ndaj Perëndisë. Nuk kishte nevojë për një flijim për të paguar për mëkatet, por në një kuptim tjetër të flijimit, vepra e Adamit dhe Evës do t’i ishte ofruar Perëndisë me mirënjohje dhe falënderim, dhe kështu do të kishte qenë një “flijim” i një tjetër lloji (kr. Heb. 13:15). Adami dhe Eva ishin gjithashtu “sundues” (apo mbret dhe mbretëreshë) në kuptimin që i ishin dhënë dominim si dhe sundim mbi krijimin (Zan. 1:26–28).

Pasi mëkati hyri në botë, qëniet e rëna njerëzore, nuk funksionuan më si profetë, sepse ata besonin informacione të rreme rreth Perëndisë dhe folën me falsitet rreth Tij ndaj të tjerëve. Ata nuk kishin më liri hyjnore si priftërinj tek Perëndia për shkak se mëkati i ndau ata nga prania e Tij. Në vend që të mbretëronin si mbretër mbi krijimin që Perëndia kishte bërë, ata iu nënshtruan ashpërsisë së forcave natyrore të krijimit dhe u tiranizuan nga përmbytje, thatësira dhe nga toka joproduktive, si dhe nga sundimtarë tiranë njerëzorë. Fisnikëria e njeriut siç e kishte krijuar Perëndia, për të qenë një profet, prift dhe mbret i vërtetë, u humb për shkak të mëkatit.

Pati një rifitim të pjesshëm të pastërtisë së këtyre tre roleve, në caktimin e tre posteve të profetit, priftit dhe mbretit në mbretërinë e Izraelit. Hera-herës, njerëz të perëndishëm i zinin këto poste, por kishte gjithashtu edhe profetë të rremë, priftërinj të pandershëm si dhe mbretër të paperëndishëm, dhe pastërtia dhe shenjtëria fillestare me të cilën Perëndia synonte që njeriu t’i përmbushte këto poste, nuk u realizua kurrë plotësisht.

Kur Krishti erdhi, ne pamë për herë të parë plotësimin e këtyre tre roleve, përderisa Ai ishte profeti i përsosur, i cili deklaroi më plotësisht fjalët e Perëndisë për ne, kryeprifti i përsosur, i Cili ofroi flijimin suprem për mëkatet dhe i Cili i solli njerëzit e Tij më afër me Perëndinë, si dhe mbreti i vërtetë dhe i merituar i universit, i Cili do të mbretërojë përgjithnjë me një skeptër drejtësie mbi qiejt e rinj dhe tokën e re.

Por, është për t’u habitur se ne si të krishterë, edhe tani fillojmë ta imitojmë Krishtin në secilin prej këtyre roleve, paçka se në një mënyrë të nënshtruar Atij. Ne kemi një rol “profetik” ndërkohë që shpallim ungjillin ndaj botës, dhe kësisoj u sjellim njerëzve Fjalën shpëtuese të Perëndisë. Faktikisht, kurdoherë që ne flasim me vërtetësi rreth Perëndisë ndaj besimtarëve apo jobesimtarëve, ne jemi duke përmbushur kështu një funksion “profetik” (dhe fjalën profetik po e përdor në një kuptim shumë të gjerë).

Ne jemi gjithashtu priftërinj për shkak se Pjetri na quan “priftëri mbretërore” (1 Pjetrit 2:9). Ai na fton që të ndërtohemi duke u bërë një tempull shpirtëror, që të jemi: “një priftëri e shenjtë” si dhe “për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 2:5). Autori i “Hebrenjve” na shikon gjithashtu si priftërinj që janë në gjendje që të hyjnë tek shenjtërorja (Heb. 10:19, 22) si dhe në gjendje që “t'i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij” (Heb. 13:15). Ai na thotë gjithashtu se veprat tona të mira janë flijime të kënaqshme për Perëndinë: “Dhe mos harroni të bëni bamirësi dhe t'u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla” (Heb. 13:16). Edhe Pali ka një rol priftëror në mendje për ne kur shkruan: “Ju lutem, pra, o vëllezër, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, t'i paraqitni trupat tuaj si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, që është shërbesa juaj e mençur” (Rom. 12:1).

Ne gjithashtu kemi pjesë në mbretërimin si mbret të Krishtit, pasi jemi ngritur për t’u ulur me Të në vendet qiellore (Efe. 2:6), duke ndarë kësisoj të njëjtën shkallë në autoritetin e Tij mbi forcat e liga shpirtërore të cilat mund të jenë rreshtuar kundër nesh (Efe. 6:10–18; Jakobi 4:7; 1 Pjetrit 5:9; 1 Gjoni 4:4). Perëndia edhe tani na ka dhënë autoritet mbi fusha të ndryshme në këtë botë apo në kishë, duke u dhënë disave autoritet mbi shumëçka ndërsa të tjerëve autoritet mbi pakgjë. Por, kur Zoti të kthehet, ata të cilët kanë qenë besnik në gjëra të vogla, atyre do t’u jepet autoritet mbi shumëçka (Mat. 25:14–30).

Kur Krishti të kthehet dhe të sundojë mbi qiejt e rinj si dhe mbi tokën e re, ne do të jemi përsëri “profetë” të vërtetë” për shkak se njohuria jonë atëherë do të jetë e përsosur dhe do të njoh thellë, ashtu sikurse njihem (1 Kor. 13:12). Pastaj ne do të flasim vetëm të vërteta rreth Perëndisë si dhe botës së Tij, dhe tek ne do të përmbushet qëllimi fillestar profetik të cilin Perëndia kishte për Adamin. Ne do të jemi përgjithnjë priftërinj, sepse në përjetësi do të adhurojmë dhe do t’i ofrojmë lutje Perëndisë ndërkohë që shikojmë fytyrën e Tij dhe ndërkohë që banojmë në praninë e Tij (Zbu. 22:3–4). Ne do t’ia ofrojmë vazhdimisht veten bashkë me gjithçka që bëjmë apo që kemi, si flijim ndaj mbretit tonë më të denjë.

Megjithëkëtë, ne gjithashtu, në nënshtrim ndaj Perëndisë, do të kemi pjesë në sundimin mbi universin, sepse me Të, ne do të “mbretërojnë në jetë të jetëve” (Zbu. 22:5). Jezusi thotë: “Atij që fiton do t'i jap të ulet me mua në fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim në fronin e tij” (Zbu. 3:21). Faktikisht, Pali u thotë korintasve: “A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën?... A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj?” (1 Kor. 6:2–3). Për rrjedhojë, përgjatë gjithë përjetësisë, ne do të funksionojmë përgjithnjë si profetë, priftërinj dhe mbretër, por të nënshtruar dhe subjekte të Zotit Jezus që është profeti, prifti dhe mbreti më i lartë.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A mund të shikoni disa mënyra në të cilat një kuptim i rolit të Krishti si profet, prift dhe mbret, do të të ndihmojë të kuptosh më plotësisht funksionet e profetëve, priftërinjve dhe mbretërve në Besëlidhjen e Vjetër? Lexo përshkrimin e mbretërisë së Salomonit tek “1 Mbretërit” 4:20–34 si dhe “1 Mbretërve” 10:14–29. A shikoni tek mbretëria e Salomonit ndonjë paratregim të tre posteve të Krishtit? Ndonjë paratregim të mbretërisë së përjetshme të Krishtit? A mendon se ke privilegje më të mëdha apo më të vogla që jeton tani si pjesëtar i kishës në epokën e besëlidhjes së re?

2.     A mund të shikosh ndonjë plotësim të rolit të profetit në jetën tënde tani? Po të rolit të priftit? Po të rolit të mbretit? Si mundet secili prej këtyre funksioneve të zhvillohet në jetën tënde?

TERMA TË VEÇANTË

ndërmjetësim

mbret

prift

profet

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 219–238

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 2:197–262

1940 Wiley, 2:187–216

1983 Carter, 1:363–364

3. Baptiste

1767 Gill, 1:602–644

1887 Boyce, 291–295

1907 Strong, 710–776

1917 Mullins, 303–304

1983–1985 Erickson, 762–763

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 3:17–30

1986 Ryrie, 254–259

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 2:330–396

1934 Mueller, 301–318

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:494–503 (2.15)

1871–1873 Hodge, 2:455–490, 592–609

1878 Dabney, 475–477, 483–487

1937–1966 Murray, CW 1:44–58

1938 Berkhof, 356–366, 406–412

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 179–191

2. Katolike Romake: Post-Vatikanit II

1980 McBrien (pa trajtim të hollësishëm)

Vepra të Tjera

Baker, J.P. “Postet e Krishtit (Offices of Christ).” Tek FRT ([129]NDT) fq. 476–477.

Clowney, Edmund P. Misteri që Shpaloset: Zbulimi i Krishtit në Besëlidhjen e Vjetër (The Unfolding Mystery: Discovering Christ in the Old Testament). Phillipsburg, New Jersey: Presbyterian and Reformed, 1988.

Letham, Robert. Vepra e Krishtit (The Work of Christ). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1993.

Reymond, R.L. “Postet e Krishtit (Offices of Christ).” Tek FUT ([130]EDT) f. 793.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“1 Pjetrit” 2:9–10: Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull i fituar nga Perëndia, që të shpallni lavdinë e atij, që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme; ju që dikur nuk ishit një popull, kurse tani populli i Perëndisë; dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.

HIMN

“GËZOHU, ZOTI ËSHTË MBRET (REJOICE THE LORD IS KING)”

Ky himn i fuqishëm, na inkurajon që të gëzohemi me mbretërimin e tanishëm si dhe atë të ardhshëm të Krishtit. (Një himn i shkëlqyer rreth rolit të Krishtit si prift, është “Ngrihu Shpirti im Ngrihu (Arise, My Soul, Arise),” shkruar edhe ky nga Çarlls Ueslli (Charles Wesley), dhe që mund të përdoret si një himn alternativ. Një alternativë tjetër, është: “Sa i Ëmbël Tingëllon Emri Jezus (How Sweet the Name of Jesus Sounds),” shkruar nga Xhon Njutën (John Newton), veç. v. 4.)

Gëzohu, Zoti është Mbret, Zotin dhe Mbretin tënd adhuro;

Përgjithnjë gëzohu dhe ngadhënje, falëndero dhe këndo,:

Zërin tënd ngrije, zemrës tënde thuaji ngrihu;

Gëzohu, përsëri të them, gëzohu.

Perëndia i të vërtetës dhe i dashurisë, mbretëron Jezusi, Shpëtimtari;

Kur njollat tona kish pastruar, vendin e Vet lart e zuri:

Zërin tënd ngrije, zemrës tënde thuaji ngrihu;

Gëzohu, përsëri të them, gëzohu.

Mbretëria e Tij nuk mund të bjerë, mbi tokë e qiell Ai mbretëron;

Çelësat e vdekjes dhe ferrit, Jezusit tonë i janë dhën’:

Zërin tënd ngrije, zemrës tënde thuaji ngrihu;

Gëzohu, përsëri të them, gëzohu.

Ai ulet në të djathtë të Perëndisë, derisa tërë armiqtë e Tij të nënshtrohen,

Dhe përulen me urdhër të Tij dhe poshtë këmbëve të Tij bien:

Ngrije zemrën tënde, ngrije zërin tënd;

Gëzohu, përsëri të them, gëzohu.

Autori: Charles Wesley, 1746

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>