Lutja

Përse dëshiron Perëndia që ne të lutemi? Si mund të lutemi me efikasitet?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Karakteri i Perëndisë dhe marrëdhënia e Tij me botën, siç është diskutuar në kapitujt e mëparshëm, çojnë natyrshëm tek shqyrtimi i doktrinës së lutjes. Lutja mund të përkufizohet si vijon: Lutja është një komunikim personal me Perëndinë.

Ky përkufizim është shumë i gjerë. Ajo që ne quajmë “lutje” përfshin lutje me kërkesa për veten tonë apo për të tjerët (nganjëherë të quajtura lutje me peticione apo ndërmjetësuese), rrëfimi i mëkatit, admirim, lavdërim dhe mirënjohje, dhe gjithashtu Perëndia na komunikon tregues të përgjigjes së Tij.

A. Përse dëshiron Perëndia që të lutemi?

Lutja nuk është bërë që Perëndia të mësojë se për çfarë kemi nevojë ne, për shkak se Jezusi na thotë: “Ati juaj e di ç'nevoja keni, para se ju t'i kërkoni” (Mat. 6:8). Perëndia dëshiron që ne të lutemi për shkak se lutja shpreh mirëbesimin tonë tek Perëndia dhe është një mënyrë përmes të cilës mirëbesimi ynë tek Ai mund të rritet. Në fakt, ndoshta theksimi kryesor i mësimit të Biblës mbi lutjen, është që ne duhet të lutemi me besim, që do të thotë të kemi besim dhe të varemi nga Perëndia. Perëndia, si Krijuesi ynë, gjen kënaqësi kur ne, si krijesa të Tij kemi mirëbesim tek Ai, sepse një qëndrim varësie është më i përshtatshmi për marrëdhënien Krijues/krijesë. Lutja me një varësi me përulësi, tregon gjithashtu që ne jemi vërtetë të bindur për mençurinë, dashurinë, mirësinë dhe fuqinë e Perëndisë, e në fakt për të tëra atributet që përbëjnë karakterin e shkëlqyer të Tij. Kur ne lutemi me të vërtetë, ne si persona, në tërësinë e karakterit tonë, po krijojmë një raport me Perëndinë si një person, në tërësinë e karakterit të Tij. Kësisoj, gjithçka që ne mendojmë apo ndjejmë rreth Perëndisë, gjen shprehje në lutjen tonë. Është e natyrshme që Perëndia të gjejë kënaqësi në një veprimtari të tillë dhe t’i mëshojë rëndësisë së saj në marrëdhënien e Tij me ne.

Fjalët e para të Lutjes së Zotit: “Ati ynë që je në qiej” (Mat. 6:9), shprehin varësinë tonë nga Perëndia si një At i dashur dhe i mençur, dhe gjithashtu me to ne pranojmë që Ai sundon mbi të gjithë nga froni i Tij qiellor. Shkrimi thekson shpesh herë nevojën tonë për t’i besuar Perëndisë ndërkohë që lutemi. Për shembull, Jezusi krahason lutjet tona me një djalë që i kërkon të atit të vet për një peshk apo për një vezë (Luka 11:9–12) dhe pastaj del në përfundimin që: “Nëse ju, pra, që jeni të ligj, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati në qiell do t'u japë Frymën e Shenjtë atyre që ia lypin!” (Luka 11:13). Ashtu sikurse fëmijët presin për nga etërit e tyre që të sigurojnë jetesën për ta, po kështu Perëndia pret që ne të hedhim shikimin nga Ai në lutje. Përderisa Perëndia është Ati ynë, ne duhet të kërkojmë me besim. Jezusi thotë: “Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke besuar, do ta merrni” (Mat. 21:22; kr. Marku 11:24; Jakobi 1:6–8; 5:14–15).

Por Perëndia dëshiron që ne të mos mjaftohemi me vetëm mirëbesim tek Ai. Ai dëshiron gjithashtu prej nesh që ta duam Atë e të kemi bashkësi me Të. Kjo atëherë, është një arsye e dytë përse Perëndia dëshiron që ne t’i lutemi Atij dhe të kemi përbashkësi më të thellë me Të. Kjo për rrjedhojë është një arsye e dytë përse Perëndia dëshiron që ne të lutemi: Lutja na sjell në një bashkësi më të thellë me Perëndisë, dhe Ai na do dhe gjen kënaqësi në bashkësinë tonë me Të.

Një arsye e tretë përse Perëndia dëshiron që ne të lutemi, është se në lutje, Perëndia na lejon ne si krijesa që të përfshihemi në veprimtari të cilat janë përjetësisht të rëndësishme. Kur ne lutemi, vepra e mbretërisë përparon. Kësisoj, lutja na jep mundësinë për t’u përfshirë në një mënyrë të konsiderueshme në veprën e mbretërisë dhe kështu jep shprehje të madhështisë tonë si krijesa të bëra në shëmbëlltyrën e Perëndisë.

B. Efikasiteti i lutjes

Si funksionon ekzaktësisht lutja? Përveç faktit që lutja na bën mirë neve, a ka ajo ndikim edhe tek Perëndia dhe bota?

1. Lutja ndryshon mënyrën se si Perëndia vepron. “Jakobi” na thotë: “Nuk keni, sepse nuk lypni” (Jakobi 4:2). Ai nënkupton me këtë se moskërkimi na privon prej asaj që Perëndia përndryshe do të na kishte dhënë. Ne lutemi dhe Perëndia përgjigjet. Jezusi thotë gjithashtu, “Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet. Sepse kushdo që lyp, merr, kushdo që kërkon, gjen dhe do t'i hapet atij që troket” (Luka 11:9–10). Ai bën një lidhje të qartë mes kërkimit të gjërave nga Perëndia, dhe marrjes së tyre. Kur ne kërkojmë, Perëndia përgjigjet.

Këtë gjë ne e shikojmë të ndodhë shumë herë në Besëlidhjen e Vjetër. Zoti i deklaroi Moisiut se do të shkatërronte popullin e Izraelit për shkak të mëkatit të tyre (Eks. 32:9–10): “Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "O Zot.... Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t'i bërë keq popullit tënd”’ (Eks. 32:11–12). Pastaj lexojmë: “Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij” (Eks. 32:14). Kur Perëndia kërcënon se do ta ndëshkojë popullin e tij për shkak të mëkateve të tyre, Ai deklaron: “Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij” (2 Kron. 7:14). Nëse njerëzit e Perëndisë luten, dhe kur ata luten (me përulësi dhe pendesë), atëherë Ai do të dëgjojë dhe do t’i falë. Lutjet e njerëzve të Tij, ndikojnë dukshëm në mënyrën se si Perëndia vepron. Po kështu, “Po t'i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). Ne rrëfejmë, dhe pastaj ai fal.[197]1

Nëse ne jemi vërtetë të bindur që lutja ndryshon mënyrën se si Perëndia vepron, dhe se Perëndia shkakton ndryshime mbresëlënëse në botë si përgjigje ndaj lutjes, ashtu sikurse Shkrimi në mënyrë të përsëritur na mëson se Ai bën, atëherë ne do të luteshim shumë më tepër nga ç’bëjmë. Po qe se lutemi pak, kjo ka mundësi të ndodhë për shkak se ne nuk është se me të vërtetë besojmë që lutja ka ndopak dobi.

2. Lutja efikase, është bërë e mundur nëpërmjet ndërmjetësit tonë, Jezus Krishtit. Për shkak se ne jemi të mëkatshëm ndërsa Perëndia është i shenjtë, ne nuk kemi të drejtë që të hyjmë vetë në praninë e Tij. Neve na duhet një ndërmjetës që të futet mes nesh dhe Perëndisë, dhe të na sjellë në praninë e Perëndisë. Shkrimi në mënyrë të qartë na mëson: “Sepse një është Perëndia, dhe një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krishti Jezus” (1 Tim. 2:5).

Por, nëse Jezusi është i vetmi ndërmjetës mes Perëndisë dhe njeriut, a do t’i dëgjojë Perëndia lutjet e atyre të cilët nuk i besojnë Jezusit? Përgjigjja varet nga ajo që ne kuptojmë me “dëgjoj.” Përderisa Perëndia është i gjithëditur, ai gjithmonë “dëgjon” në kuptimin që Ai është i vetëdijshëm për lutjet që bëhen nga jobesimtarët të cilët nuk shkojnë tek Ai përmes Krishtit. Perëndia madje, mundet që hera-herës t’u përgjigjet lutjeve të tyre nga mëshira e Tij dhe me dëshirë për t’i sjellë ata në shpëtim përmes Krishtit. Megjithëkëtë, Perëndia nuk ka premtuar askund t’u përgjigjet lutjeve të jobesimtarëve. Të vetmet lutje të cilat Ai ka premtuar se do të “dëgjojë” në kuptimin e dëgjimit me një vesh simpatizues dhe të marrë përsipër t’u përgjigjet kur ato janë në përputhje me vullnetin e Tij, janë lutjet e të krishterëve të cilat ofrohen përmes një ndërmjetësi, Jezus Krishtit (kr. Gjoni 14:6).

Atëherë, çfarë mund të thuhet për besimtarët në Besëlidhjen e Vjetër? Si mund të shkojnë ata tek Perëndia përmes Jezus ndërmjetësit? Përgjigjja është se vepra e Jezusit si ndërmjetësi ynë, qe paratreguar nga sistemi i flijimeve dhe ofertave që bëheshin nga priftërinjtë në tempull (Heb. 7:23–28; 8:1–6; 9:1–14; etj.). Megjithëkëtë, në atë sistem flijimesh nuk kishte meritë shpëtuese të brendaqenësishme (Heb. 10:1–4). Përmes sistemit të flijimeve, besimtarët u pranuan nga Perëndia, vetëm mbi bazën e punës së ardhshme të Krishtit të paratreguar nga ai sistem (Rom. 3:23–26).

Veprimtaria e Jezusit si një ndërmjetës, shikohet veçanërisht në veprën e Tij si prift. Ai është “një kryeprift i madh që ka përshkuar qiejt,” një i Cili “u tundua në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat” (Heb. 4:14–15).

Si marrës të besëlidhjes së re, neve nuk na duhet të qëndrojmë “jashtë tempullit,” siç kërkohej nën besëlidhjen e vjetër për të tërë besimtarët me përjashtim të priftërinjve. Gjithashtu, nuk na duhet të qëndrojmë jashtë “Vendit shumë të shenjtë” (Heb. 9:3), asaj dhome të brendshme të tempullit ku Perëndia Vetë ishte në fron mbi arkën e besëlidhjes, dhe në të cilën vetëm kryeprifti mund të hynte, dhe edhe ai, vetëm një herë në vit. Por tani, përderisa Krishti ka vdekur si Kryeprifti ynë ndërmjetësues (Heb. 7:26–27), Ai ka fituar për ne guxim dhe të drejtë hyrje në vetë praninë e Perëndisë. Për rrjedhojë “Ne kemi guxim të hyjmë në vendet e shenjta me anë të gjakut të Jezusit” (Heb. 10:19, përkthimi fjalë për fjalë i autorit), që do të thotë, në vendin e shenjtë dhe në Vendin shumë të shenjtë, në pikërisht praninë e Perëndisë Vetë! Ne hyjmë “me anë të një udhe të re” (Heb. 10:20) që Krishti hapi për ne. Autori i “Hebrenjve” del në përfundimin se përderisa këto gjëra janë të vërteta, “duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë, le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi” (Heb. 10:21-22). Në këtë mënyrë, vepra ndërmjetësuese e Krishtit, na jep besim për t’iu qasur Perëndisë në lutje.

Ne nuk është se thjesht vijmë në praninë e Perëndisë si të huaj, apo si vizitorë apo si joklerikë, por si priftërinj, si njerëz që e kanë vendin në tempull dhe që kanë të drejtën e madje detyrën që të jenë në vendet më të shenjta të tempullit. Duke përdorur ilustrime të marra nga ceremonia për veshjen (caktimin) e priftërinjve (shiko Eks. 29:4, 21), autori i “Hebrenjve” i paraqet të tërë besimtarët si të caktuar priftërinj për Perëndinë, dhe për rrjedhojë në gjendje për të hyrë në praninë e Tij, sepse Ai thotë se ne avitemi “duke i pasur zemrat tona të spërkatura domethënë të pastruara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të pastër” (Heb. 10:22; kr. 1 Pjetrit 2:9). A ka e gjitha kjo kuptim për një të krishterë të sotëm? Askush sot nuk shkon në Jerusalem për të hyrë në tempull dhe atje t’i “avitet” Perëndisë. Edhe po të shkonim në Jerusalem, nuk do të gjenim tempull në këmbë, përderisa ai u shkatërrua në vitin 70 mbas K. Çfarë nënkupton atëherë autori i hebrenjve kur thotë që ne hyjmë në “vendet e shenjta”? Ai po flet për një realitet në rrafshin e padukshëm shpirtëror: Me Krishtin si Ndërmjetës, ne nuk hyjmë në tempullin tokësor në Jerusalem, por në shenjtëroren e vërtetë, në “qiellin vetë,” ku Krishti ka shkuar “për t'u shfaqur tani përpara Perëndisë për ne” (Heb. 9:24).

3. Çfarë do të thotë të lutesh “në emrin e Jezusit”? Jezusi thotë: “Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj” (Gjoni 14:13–14). Po kështu, Ai thotë gjithashtu se i zgjodhi dishepujt e Tij që “çfarëdo që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai t'jua japë” (Gjoni 15:16). Në mënyrë të ngjashme, Ai thotë: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t'jua japë. Deri tani ju nuk kërkuat asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 16:23–24; kr. Efe. 5:20). Por ç’kuptim ka kjo?

Padyshim që nuk është se nënkupton thjesht të shtojmë frazën “në emrin e Jezusit” pas çdo lutjeje, për shkak se Jezusi nuk tha: “Nëse kërkoni ndonjë gjë dhe shtoni fjalët “në emrin e Jezusit’ pasi të luteni, atëherë Unë do do t’jua plotësoj lutjen.” Jezusi nuk është thjesht duke folur për të shtuar disa fjalë të caktuara a thua se këto janë një lloj formule magjike e cila do t’i jepte fuqi lutjeve tona. Në fakt, asnjë prej lutjeve të dokumentuara në Shkrim, nuk përmban frazën “në emrin e Jezusit” në fund (shiko Mat. 6:9–13; Veprat 1:24–25; 4:24–30;[198]2 7:59; 9:13–14; 10:14; Zbu. 6:10; 22:20).

Të vish në emër të dikujt, do të thotë që një person tjetër na ka autorizuar që të shkojmë me autoritetin e tij, jo me të tonin. Kur Pjetri e urdhëron personin e çalë: “në emër të Jezu Krishtit nazarenas, ngrihu dhe ec” (Veprat 3:6), ai po flet me autoritetin e Jezusit, e jo me autoritetin e vet. Kur Sinedri pyet dishepujt: “Në cilën fuqi ose në emër të kujt e bëtë ju këtë?” (Veprat 4:7), ata po pyesin: “Me autoritetin e kujt e bëtë këtë?” Kur Pali qorton një frymë të papastër “në emër të Jezu Krishtit” (Veprat 16:18), ai e bën të qartë se ai e bën këtë me autoritetin e Jezusit, jo me atë të vetin. Kur Pali shpall gjykim “Në emër të Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Kor. 5:4) mbi një pjesëtar të kishës i cili është fajtor për imoralitet, ai është duke vepruar me autoritetin e Zotit Jezus. Të luturit në emrin e Jezusit, është për rrjedhojë lutje e bërë me autorizimin e Tij.

Në një kuptim më të gjerë, “emri” i një personi në botën e lashtë, përfaqëson personin vetë dhe për rrjedhojë të tërë karakterin e tij. Të kishe një “emër të mirë” (F. e Urta 22:1; Pred. 7:1) do të thoshte të kishe një reputacion të mirë. Kësisoj, emri i Jezusit përfaqëson gjithçka që Ai është, të tërë karakterin e Tij. Kjo do të thotë se të luturit “në emrin e Jezusit” nuk është vetëm lutje nën autoritetin e Tij, por gjithashtu lutje në një mënyrë që është e përputhshme me karakterin e Tij, që e përfaqëson me të vërtetë Atë dhe që reflekton mënyrën e Tij të jetës, si dhe vullnetin e Tij të shenjtë.[199]3 Në këtë kuptim, të lutesh në emrin e Jezusit i afrohet idesë së lutjes “sipas vullnetit të tij” (1 Gjonit 5:14–15).[200]4

A do të thotë kjo gjë se është gabim të shtosh “në emër të Jezusit” në fund të lutjeve tona? Padyshim që nuk është gabim, për aq kohë sa ne kuptojmë se ç’domethënie kjo gjë ka, dhe se nuk është e domosdoshme që ta themi. Megjithëkëtë, mund të ekzistojë një farë rreziku që nëse e shtojmë këtë frazë në çdo lutje publike apo private, nuk do të kalojë shumë dhe për njerëzit, ajo do të kthehet në thjesht një formulë të cilës ata do t’i bashkëngjisin shumë pak kuptim e që do ta thonë pa u menduar për të. Madje ajo mund të fillojë të shikohet, të paktën nga besimtarët që janë më të rinj, si një farë formule magjike e cila e bën lutjen edhe më efikase. Për të parandaluar një keqkuptim të tillë, me shumë mundësi do të ishte gjë e zgjuar që të vendosnim të mos e përdornim shpesh këtë formulë,  por që po këtë mendim ta shprehnim me të tjera fjalë, apo me thjesht qëndrimin dhe qasjen tonë të përgjithshme ndaj lutjes. Për shembull, lutjet mund të fillojnë me: “Atë, ne vijmë tek Ti nën autoritetin e Zotit Jezus, Birit tënd...” apo, “Atë, ne nuk vijmë me meritat tona, por me meritat e Jezus Krishtit, i Cili na ka ftuar që të vijmë përpara Teje...” ose, “Atë, ne të falënderojmë që na i ke falur mëkatet, dhe na ke dhënë liri hyrjeje tek froni Yt nëpërmjet veprës së Jezusit, Birit Tënd....” Herë të tjera, këto pranime formale nuk duhen të mendohen si të domosdoshme, për aq kohë sa zemrat tona në mënyrë të vazhdueshme e kuptojnë se është Shpëtimtari ynë Ai i Cili na bën të aftë që t’i lutemi Atit tek e fundit. Lutjet e mirëfillta janë një bashkëbisedim me një Person të Cilin e njohim mirë, dhe i Cili na njeh. Një bashkëbisedim i tillë i mirëfilltë mes personash të cilët e njohin njëri tjetrin, nuk varet kurrë nga përdorimi i disa formulave të caktuara apo fjalësh të domosdoshme, por ka lidhje me një sinqeritet në të folmen tonë si dhe në zemrën tonë, është një çështje qëndrimi i duhur si dhe një çështje e gjendjes së frymës tonë.

4. A duhet t’i lutemi Jezusit si dhe Frymës së Shenjtë? Një analizim i lutjeve të Besëlidhjes së Re tregon që ato zakonisht nuk i adresohen as Perëndisë Bir, e as Frymës së Shenjtë, por Perëndisë Atë. Megjithëkëtë, një numërim i thjesht i lutjeve të tilla, mund të jetë keqorientues sepse pjesa më e madhe e lutjeve të cilat ne kemi të dokumentuara në Besëlidhjen e Re, janë ato të Jezusit Vetë i Cili u lut pa ndërprerje ndaj Perëndisë Atë, por sigurisht që nuk iu lut Vetes si Perëndia Bir. Për më tepër, në Besëlidhjen e Vjetër, natyra trinore e Perëndisë nuk u zbulua qartësisht, dhe nuk është për t’u habitur që ne nuk gjejmë shumë prova të lutjes që t’i jenë drejtuar drejtpërsëdrejti Birit apo Perëndisë Frymë e Shenjtë përpara kohës së Krishtit.

Paçka se ka një model të qartë të lutjes së bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj Perëndisë Atë përmes Birit (Mat. 6:9; Gjoni 16:23; Efe. 5:20) ka tregues që lutja e folur drejtpërsëdrejti ndaj Jezusit është gjithashtu me vend. Fakti që ishte Jezusi Vetë i Cili caktoi të tërë apostujt e tjerë, sugjeron që lutja tek “Veprat” 1:24 i adresohet Atij: “Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur....” Stefani, duke vdekur, lutet kështu: “Zot Jezus, pranoje frymën time” (Veprat 7:59). Biseda mes Ananias dhe “Zotit” tek “Veprat” 9:10–16 është me Jezusin, për shkak se në vargun 17 Ananiasi i thotë Saulit: “Zoti më dërgoi, Jezusi...që të shikosh përsëri .” Lutja: “Maran-athaa!” (1 Kor. 16:22) i adresohet Jezusit, njëlloj sikurse edhe lutja tek “Zbulesa” 22:20, “Po, eja, Zoti Jezus!” Gjithashtu, Pali iu lut “Zotit” tek “2 Korintasve” 12:8 në lidhje me gjembin në mish që kishte.[201]5

Për më tepër, fakti që Jezusi është “ kryeprift i mëshirshëm e besnik” (Heb. 2:17) i Cili është në gjendje që të “të vuajë bashkë me dobësitë tona” (Heb. 4:15), është konsideruar inkurajim për ne që të vijmë me guxim përpara “fronit të hirit” në lutje “që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohën e duhur” (Heb. 4:16). Këto vargje duhet të na inkurajojnë që të vijmë drejtpërsëdrejti tek Jezusi në lutje, duke pritur që Ai do të simpatizohet me dobësitë tona kur ne lutemi.

Për rrjedhojë mund të themi se ka përligjje të mjaftueshme nga Shkrimi për të na inkurajuar që t’i lutemi jo vetëm Perëndisë Atë (gjë që duket modeli primar dhe që padyshim është në linjë me shembullin që Jezusi na mësoi në Lutjen e Zotit), por gjithashtu që t’i lutemi drejtpërsëdrejti Perëndisë Bir, Zotit tonë Jezus Krisht. Të dyja janë të sakta dhe ne mund t’i lutemi si Atit ashtu edhe Birit.

Por, a bën t’i lutemi Frymës së Shenjtë? Paçka se në Besëlidhjen e Re nuk është dokumentuar asnjë lutje e adresuar drejtpërdrejtë ndaj Frymës së Shenjtë, nuk ka asgjë atje që t’i ndalojë lutje të tilla, sepse Fryma e Shenjtë, ashtu sikurse Ati dhe Biri, është plotësisht Perëndi dhe i denjë për lutje, dhe është i fuqishëm për t’iu përgjigjur lutjeve tona. (Vini re gjithashtu ftesën e “Ezekielit” ndaj “frymës” apo “shpirtit” tek “Ezek.” 37:9.) Të thuash që ne nuk mund t’i lutemi Frymës së Shenjtë, është me të vërtetë si të thuash që ne nuk mund t’i flasim Atij apo të krijojmë personalisht raport me të, gjë që si zor se duket e drejtë. Ai gjithashtu krijon një raport personal me ne përderisa Ai është një “Ngushëllues” apo një “Këshilltar” (Gjoni 14:16, 26), besimtarët “e njohin Atë” (Gjoni 14:17), dhe ai na mëson (kr. Gjoni14:26), dëshmon për ne që ne jemi fëmijë të Perëndisë (Rom. 8:16), dhe se mund të trishtohet nga mëkati ynë (Efe. 4:30). Për më tepër, Fryma e Shenjtë ushtron vullnet vetjak në shpërndarjen e dhuratave shpirtërore, sepse Ai “i ndan gjithsecilit dhunti veç e veç, ashtu si do vetë” (1 Kor. 12:11, përkthimi i autorit). Për rrjedhojë, nuk duket e gabuar që t’i lutemi drejtpërsëdrejti Frymës së Shenjtë nganjëherë, veçanërisht kur i kërkojmë Atij që të bëjë diçka që lidhet me fushat e Tij të veçanta të shërbesës apo përgjegjësisë.[202]6 Faktikisht, përmes historisë së kishës, një sërë himnesh të mirë-përdorura kanë qenë lutje ndaj Frymës së Shenjtë (shiko dy syresh në fund të këtij kapitulli 30, fq. 655–656; një në kapitullin 52, fq. 1047–1048; dhe një në kapitullin 53, fq. 1087–1088). Por kjo nuk është në modelin e Besëlidhjes së re, dhe nuk duhet të bëhet mbizotëruese në jetën tonë të lutjes.

5. Roli i Frymës së Shenjtë në lutjet tona. Tek “Romakëve” 8:26–27 Pali thotë:

Po ashtu, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.

Interpretuesit kanë mendime të ndryshme për nëse këto“psherëtima të patregueshme” janë psherëtima që Fryma e Shenjtë Vetë lëshon apo janë psherëtima dhe rënkimet tona në lutje, të cilat Fryma e Shenjtë i kthen në lutje efikase përpara Perëndisë. Duket sikur ka më tepër gjasa që “psherëtima” apo “rënkimet” këtu të jenë rënkimet tona. Kur Pali thotë: “Fryma na ndihmon në dobësitë tona” (v. 26), fjala e përkthyer “ndihmon” (Gk. συναντιλαμβάνομαι, G5269) është po ajo që përdoret tek “Luka” 10:40, ku Marta dëshiron që Maria të vijë e ta ndihmojë atë. Fjala e përdorur këtu nuk nënkupton që Fryma e Shenjtë lutet në vendin tonë, por që Fryma e Shenjtë merr pjesë bashkë me ne dhe i bën efikase lutjet tona të dobëta.[203]7 Kësisoj, një psherëtimë apo rënkim i tillë në lutje, kuptohet më mirë si psherëtima apo rënkime që lëshojmë ne, duke shprehur dëshirat e zemrës tonë të cilat Fryma e Shenjtë pastaj i kthen në lutje efikase.[204]8

E lidhur me këtë është çështja e asaj që nënkuptohet me lutje “në Frymën.” Pali thotë: “duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lutje dhe përgjërim në Frymë” (Efe. 6:18), ndërsa Juda thotë: “duke u lutur në Frymën e Shenjtë” (Juda 20).[205]9 Me qëllim për ta kuptuar këtë frazë, ne duhet të kuptojmë që Besëlidhja e Re na thotë që shumë veprimtari të ndryshme mund të bëhen “në Frymën e Shenjtë.” Është e mundshme që thjesht të jemi “në Frymën” ashtu sikurse Gjoni ishte në ditën e Zotit (Zbu. 1:10; kr. 4:2). Dhe, është e mundshme që të gëzohemi në Frymën e Shenjtë (Luka 10:21), të ndajmë mendjen apo të vendosim diçka në Frymën e Shenjtë (Veprat 19:21), të kemi ndërgjegjen duke dëshmuar në Frymën e Shenjtë (Rom. 9:1), të kemi liri hyrjeje tek Perëndia në Frymën e Shenjtë (Efe. 2:18), dhe që të duam të tjerët në Frymën e Shenjtë (Kol. 1:8). Siç do ta shpjegojmë më plotësisht në kapitullin 30, më poshtë (shiko fq. 647, 651–652), këto shprehje duket se i referohen banimit të pandërprerë të vetëdijshëm në praninë e Vetë Frymës së Shenjtë, një prani kjo e karakterizuar nga cilësi të ngjashme me të Perëndisë në fuqi, dashuri, gëzim, të vërtetë, shenjtëri, drejtësi dhe paqe. Të lutesh “në Frymën e Shenjtë,” atëherë, do të thotë të lutesh me vetëdijen e plotë rreth pranisë së Perëndisë që na rrethon e na shenjtëron si ne personalisht, ashtu edhe lutjet tona.

C. Disa aspekte të rëndësishme për sa i takon lutjes efikase

Shkrimi lë të kuptohen një sërë aspektesh të cilat duhen marrë parasysh nëse ne do të ofronim atë lloj lutjeje që Perëndia dëshiron prej nesh.

1. Të luturit në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Gjoni na thotë: “Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, na dëgjon. Dhe nëse dimë se na dëgjon për atë që i kërkojmë, ne dimë se marrim kërkesat që i kemi kërkuar” (1 Gjonit 5:14–15). Jezusi na mëson të lutemi kështu: “U bëftë vullneti yt” (Mat. 6:10), dhe Ai Vetë na jep një shembull, duke u lutur në kopshtin e Gjetsemanit, “megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mat. 26:39).

Por nga ta dimë se cili është vullneti i Perëndisë kur lutemi? Nëse çështja për të cilën ne po lutemi është trajtuar në një pasazh të Shkrimit në të cilin Perëndia na ka dhënë një urdhër apo një deklarim të drejtpërdrejtë të vullnetit të Tij, atëherë përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është e lehtë: Vullneti i Tij është që ne t’i bindemi Fjalës së Tij, dhe t’u përmbahemi urdhëresave të Tij. Ne duhet të kërkojmë bindje të përsosur ndaj vullnetit moral të Perëndisë në tokë, në mënyrë që vullneti i Perëndisë të bëhet “në tokë si në qiell” (Mat. 6:10). Për këtë arsye, njohuria e Shkrimit është një ndihmë e jashtëzakonshme në lutje, duke na bërë të aftë që të ndjekim modelin e të krishterëve të parë të cilët citonin Shkrimin kur luteshin (shiko Vep.” 4:25–26). Leximi dhe mësimi rregullisht përmendësh i Shkrimit, i kultivuar përgjatë shumë viteve të jetës së një të krishteri, do të shtojë thellësinë, fuqinë dhe mençurinë e lutjeve të tij apo të saj. Jezusi na inkurajon që ndërkohë që lutemi, t’i kemi fjalët e Tij përbrenda nesh, sepse Ai thotë: “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju bëhet” (Gjoni 15:7).

Kjo do të thotë për shembull, se nëse po kërkojmë mençuri në marrjen e një vendimi të rëndësishëm, nuk na duhet të jemi në mëdyshje nëse është apo jo vullneti i Perëndisë që ne të marrim mençuri për të vepruar siç duhet. Shkrimi e ka sheshuar tashmë këtë çështje për ne, për shkak se ka një premtim në Shkrim i cili gjen zbatim këtu:

Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtësia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, edhe atij do t'i jepet. Por le të kërkojë në besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era. Dhe ai njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti, sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në të gjitha rrugët e veta. (Jakobi 1:5–8).

Ne duhet të kemi një bindje të fortë që Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve tona kur ne i kërkojmë Atij diçka e cila është në harmoni me një premtim apo urdhëresë specifike të Shkrimit. Në raste të tilla, ne e dimë se cili është vullneti i Perëndisë, për shkak se Ai na ka thënë, dhe ne thjesht kemi nevojë që të lutemi duke besuar se Ai do të përgjigjet.

Megjithëkëtë, ka edhe shumë situata të tjera në jetë, në të cilat ne nuk e dimë se cili është vullneti i Perëndisë. Ne mund të mos jemi të sigurt, për shkak se asnjë premtim apo urdhëresë e Shkrimit nuk gjen zbatim, nëse është vullneti i Perëndisë që ta fitojmë vendin e punës për të cilin kemi aplikuar, apo të fitojmë garën atletike në të cilën po marrim pjesë (një lutje e zakonshme kjo veçanërisht ndër fëmijët), apo që të zgjidhemi për të mbajtur një post të caktuar në kishë, e kështu me radhë. Në të tëra këto raste, ne duhet të parashtrojmë sa më tepër Shkrime që ne kuptojmë se ndoshta mund të na sigurojnë disa parime të përgjithshme brenda të cilave lutjet tona mund të bëhen. Por përtej kësaj, ne shpesh herë duhet ta pranojmë se thjesht nuk e dimë se cili është vullneti i Perëndisë. Në raste të tilla, ne duhet t’i kërkojmë Atij për një kuptim më të thellë, e pastaj të lutemi për atë që neve na duket më e mira, duke i parashtruar Zotit arsyet përse sipas asaj që ne kuptojmë tani për situatën në fjalë, ajo gjë për të cilën ne po lutemi, duket si gjëja më e mirë. Por, është gjithnjë e përshtatshme që të shtojmë, qoftë në mënyrë të shkoqitur, apo të paktën në qëndrimin e zemrës tonë: “Megjithëkëtë, nëse po gabohem që e kërkoj këtë gjë, dhe nëse kjo nuk është e kënaqshme për Ty, atëherë bëj ashtu siç të duket Ty më mirë,” apo, më thjesht akoma, “Po qe se është vullneti Yt.” Nganjëherë Perëndia na e jep atë që i kërkojmë. Nganjëherë, Ai do të na japë një arsyetushmëri më të thellë, apo do t’i ndryshojë zemrat tona në mënyrë që ne të drejtohemi për të kërkuar diçka ndryshe. Nganjëherë, Ai nuk do ta plotësojë aspak kërkesën tonë, por thjesht do të tregojë që ne duhet t’i nënshtrohemi vullnetit të Tij (shiko 2 Kor. 12:9–10).

Disa të krishterë kundërshtojnë duke thënë se po t’u shtosh lutjeve tona frazën “po të jetë vullneti Yt” kësisoj “besimi shkatërrohet.” Kjo frazë faktikisht shpreh pasiguri për nëse ajo gjë për të cilën ne lutemi është apo jo vullneti i Perëndisë, dhe është e përshtatshme për t’u përdorur kur nuk e dimë vullnetin e Tij. Por, herë të tjera, do të ishte e përshtatshme që: t’i kërkonim Perëndisë të na japë mençuri për të marrë një vendim dhe pastaj të themi: “Po të jetë vullneti Yt, më jep mençuri në këtë gjë” do të ishte e papërshtatshme, sepse kjo do të ishte njësoj sikur të thoshe që ne nuk besojmë se Perëndia e kishte me tërë mend atë që tha tek “Jakobi” 1:5–8 kur na tha të kërkojmë me besim që Ai do të na e plotësojë këtë kërkesë.[206]10

Edhe kur një urdhëresë apo premtim i Shkrimit, gjen zbatim, mund të ketë forma të ndryshme aplikimi të cilat nuk është se ne i kuptojmë fillimisht plotësisht. Për rrjedhojë, është e rëndësishme në lutjen tonë që jo vetëm t’i flasim Perëndisë por edhe që ta dëgjojmë Atë. Ne duhet që shpesh herë të sjellim një kërkesë ndaj Perëndisë, dhe pastaj të presim në heshtje përpara Tij. Në ato kohë pritjeje të Zotit (Psa. 27:14; 38:15; 130:5–6), Perëndia mund ta ndryshojë dëshirën e zemrës tonë, të na japë njohuri të thella shtesë për situatën për të cilën po lutemi, të na japë një kuptim më të madh të Fjalës së Tij, të na sjellë në mendje një pasazh nga Shkrimi i cili do të na bënte të aftë që të luteshim me më shumë efikasitet, të tejçojë një ndjenjë sigurie për se cili është vullneti i Tij, apo të rritë ndjeshëm besimin tonë në mënyrë që të mund të jemi në gjendje të lutemi me më tepër guxim.

2. Lutja me besim. Jezusi thotë: “Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke u lutur, besoni se do t'i merrni dhe ju do t'i merrni” (Marku 11:24). Disa përkthime variojnë nga njëri tjetri, por teksti greqisht, faktikisht thotë: “besoje se e ke marrë atë.” Më vonë, skribët të cilët kopjuan dorëshkrimet greke si dhe disa komentues të mëvonshëm, e kanë marrë me kuptimin “beso se do ta marrësh.” Megjithëkëtë, nëse e pranojmë tekstin ashtu sikurse është në dorëshkrimet më të hershme e më të mira (“besoje se e ke marrë”), Jezusi duket se po thotë që kur ne kërkojmë për diçka, lloji i besimit i cili do sjellë rezultate, është një siguri e palëkundur që kur ne u lutëm për diçka (apo ndoshta pasi jemi lutur për një periudhë kohore), Perëndia pranoi të na e plotësonte kërkesën tonë specifike. Në përbashkësinë personale me Perëndinë që ndodh në lutjen e mirëfilltë, ky lloj besimi nga ana jonë, mund të vijë vetëm ndërkohë që Perëndia na jep një ndjenjë sigurie që Ai ka pranuar të na e plotësojë kërkesën. Sigurisht që ne nuk mund të “krijojmë” këtë lloj besimi të mirëfilltë nga asnjë soj lutjeje të papushimtë apo përpjekjesh të mëdha emocionale, në përpjekje për ta bërë veten të besojmë, e as nuk mund ta imponojmë atë tek vetja duke thënë fjalë të cilat ne nuk mendojmë se janë të vërteta. Kjo është diçka që vetëm Perëndia mund të na e japë, dhe Ai mund ose jo të na e japë për çdo herë që ne lutemi. Ky besim i siguruar shpesh herë do të vijë kur ne i kërkojmë Perëndisë diçka dhe pastaj në heshtje presim për Të për një përgjigje.

Në fakt, “Hebrenjve” 11:1 na thotë se “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen, bindja e gjërave që nuk shihen.” Besimi biblik nuk është kurrë një lloj ëndrre në diell apo një shpresë e vakët e cila nuk ka një themel të fortë mbi të cilin të mbështetet. Përkundrazi, është mirëbesimi tek një person, tek Perëndia Vetë, bazuar në faktin që ne marrim për të mirëqenë fjalën e Tij dhe besojmë atë gjë që Ai ka thënë. Ky mirëbesim apo varësi nga Perëndia, kur ka një element sigurie apo bindjeje, është besimi i mirëfilltë biblik.

Një sërë pasazhesh të tjerë na inkurajojnë që të ushtrojmë besim kur ne lutemi. “Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke besuar, do ta merrni,” me këto fjalë i mëson Jezusi dishepujt e Vet (Mat. 21:22). Gjithashtu, Jakobi na thotë se ne duhet që të “kërkojmë në besim, pa dyshuar” (Jakobi 1:6). Lutja nuk është kurrë një ëndërr në diell, sepse ajo buron nga mirëbesimi në një Perëndi vetor i Cili do që ne ta marrim për të mirëqenë fjalën e Tij.

3. Bindje. Përderisa lutja është një marrëdhënie me Perëndinë si person, çfarëdo gjëje në jetën tonë që shkakton pakënaqësi tek Ai, do të jetë një pengesë ndaj lutjes. Psalmisti thotë: “Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar” (Psa. 66:18). Paçka se “Flijimi i të pabesëve është një neveri për ZOTIN” në kontrast me këtë, “lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.” (F. e Urta 15:8). Përsëri ne lexojmë se “Zoti...dëgjon lutjen e të drejtit” (F. e Urta 15:29). Por Perëndia nuk është i predispozuar në mënyrë favorizuese ndaj atyre të cilët i refuzojnë ligjet e Tij: “Nëse dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një neveri” (F. e Urta 28:9).

Apostulli Pjetër citon “Psalmin” 34 për të pohuar se “sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre” (1 Pjetrit 3:12). Përderisa vargjet e mëparshme inkurajojnë një sjellje të mirë në jetën e përditshme, në të folurin dhe në largimin nga e keqja si dhe në bërjen e gjësë së duhur, Pjetri po thotë se Perëndia me gatishmëri i dëgjon lutjet e atyre të cilët jetojnë një jetë në bindje ndaj Tij. Po kështu, Pjetri i paralajmëron bashkëshortët duke u thënë: “jetoni me dituri me gratë tuaja” në raport me bashkëshortet e tyre, “që të mos pengohen lutjet tuaja” (1 Pjetrit 3:7). Po kështu, Gjoni na kujton për nevojën për të patur një ndërgjegje të pastër përpara Perëndisë kur lutemi, sepse ai thotë: “nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë; dhe ç'të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse mbajmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera përpara tij” (1 Gjonit 3:21–22).

Tani, ky mësim nuk duhet keqkuptuar. Ne nuk kemi përse të jemi tërësisht të lirë nga mëkati përpara se të mund të presim që Perëndia t’u përgjigjet lutjeve tona. Nëse Perëndi do t’u përgjigjej lutjeve të vetëm njerëzve që nuk kanë mëkat, atëherë, në tërë Biblën, askush përveç Jezusit nuk do të kishte marrë përgjigje për lutjet e veta. Kur ne vijmë përpara Perëndisë nëpërmjet hirit të Tij, ne vijmë të pastruar përmes gjakut të Krishtit (Rom. 3:25; 5:9; Efe. 2:13; Heb. 9:14; 1 Pjetrit 1:2). Megjithëkëtë, ne nuk duhet të shpërfillim theksin biblik mbi shenjtërinë personale të jetës. Lutja dhe jetesa e shenjtë, shkojnë krah për krah. Në jetën e krishterë ka shumë hir, por rritja në shenjtërinë personale është gjithashtu një rrugë drejt një bekimi shumë më të madh, dhe kjo vlen edhe në lidhje me lutjen gjithashtu. Pasazhet e cituara na mësojnë se, duke qenë se të tëra gjërat e tjera janë të barabarta, një bindje më ekzakte do të çojë në një efikasitet më të madh në lutje (kr. Heb. 12:14; Jakobi 4:3–4).

4. Rrëfimi i mëkateve. Për shkak se ne këtë jetë, bindja jonë ndaj Perëndisë nuk është kurrë e përsosur, ne në mënyrë të vazhdueshme varemi nga falja prej Tij e mëkateve tona. Rrëfimi i mëkateve është i domosdoshëm me qëllim që Perëndia të “na falë” në kuptimin e rimëkëmbjes së marrëdhënies së Tij të përditshme me ne (shiko Mat. 6:12; 1 Gjonit 1:9). Është mirë që kur lutemi, ne të rrëfejmë të tëra mëkatet e njohura ndaj Zotit, dhe të kërkojmë për faljen e Tij. Nganjëherë, kur ne presim për Të, Ai do të na kujtojë edhe për mëkate të tjera të cilat ne duhet t’i rrëfejmë. Në lidhje me ato mëkate të cilat ne nuk i kujtojmë apo për të cilat nuk jemi të vetëdijshëm, është e përshtatshme që të bëjmë lutjen e përgjithshme të Davidit: “Pastromë nga ato që nuk i shoh” (Psa. 19:12).

Nganjëherë, rrëfimi i mëkateve tona ndaj të krishterëve të tjerë të besuar, do të sjellë një siguri për faljen dhe gjithashtu inkurajim për ta mposhtur mëkatin. Jakobi tregon për një rrëfim të ndërsjellët në lutje, sepse në një pasazh ku diskuton lutjen e fuqishme, Jakobi na inkurajon duke na thënë: “Rrëfejani shkeljet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni” (Jakobi 5:16).

5. Të falim të tjerët. Jezusi thotë: “Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'jua falë juve gabimet tuaja” (Mat. 6:14–15). Po kështu, Jezusi thotë: “Dhe kur qëndroni duke u lutur, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiej t'ju falë mëkatet tuaja” (Marku 11:25). Me këtë, Zoti nuk ka ndërmend përvojën fillestare të faljes që ne përjetojmë kur drejtësohemi nëpërmjet besimit, sepse kjo nuk ka vend në një lutje të cilën ne e bëjmë çdo ditë (shiko “Mat.” 6:12 me vgj. 14–15). Ai i referohet më shumë marrëdhënies së ditë për ditshme me Perëndinë, të cilën ne duhet ta rimëkëmbim kur kemi mëkatuar dhe krijuar pakënaqësi tek Ai. Faktikisht, Jezusi na urdhëron që të ndërkallim tek lutjet tona një kërkesë që Perëndia të na falë në të njëjtën mënyrë se si ne kemi falur të tjerët të cilët na kanë dëmtuar (në të njëjtën kuptim “marrëdhënieje personale” të “faljes”—që është, të mos mbajmë mëri apo qëndrojmë në hidhësi ndaj një personi tjetër apo të mbajmë përbrenda ndonjë dëshirë për t’u bërë dëm atyre): “Dhe na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë” (Mat. 6:12, përkthimi i autorit). Nëse ka nga ata të cilët ne nuk i kemi falur kur bëjmë këtë lutje, atëherë ne po i kërkojmë Perëndisë që të mos mëkëmbë një marrëdhënie të duhur me ne pasi mëkatojmë në po të njëjtën mënyrë se si ne kemi refuzuar për vete që ta bëjmë këtë me të tjerët.

Përderisa lutja presupozon një marrëdhënie me Perëndinë si një person, kjo nuk është për t’u habitur. Nëse ne kemi mëkatuar kundër Tij dhe e kemi pikëlluar Frymën e Shenjtë (kr. Efe. 4:30), dhe mëkatari nuk është falur, kjo gjë e ndërpret marrëdhënien tonë me Perëndinë (kr. Isa. 59:1–2). Derisa mëkati falet dhe marrëdhënia rimëkëmbet, sigurisht që lutja do të jetë e vështirë. Për më tepër, nëse në zemrat tona kemi mosfalje kundër dikujt tjetër, atëherë ne nuk jemi duke vepruar në një mënyrë e cila është e kënaqshme për Perëndinë apo e dobishme për ne. Kështu që Perëndia deklaron (Mat. 6:12, 14–15) që Ai do të distancohet prej nesh derisa ne të falim të tjerët.

6. Përulësia. Jakobi na thotë se “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve” (Jakobi 4:6; gjithashtu 1 Pjetrit 5:5). Prandaj ai thotë: “Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t'ju lartësojë” (Jakobi 4:10). Kësisoj, përulësia është qëndrimi i duhur që duhet pasur në lutjet ndaj Perëndisë, ndërsa krenaria është tërësisht e papërshtatshme.

Shëmbëlltyra e Jezusit rreth fariseut si dhe e tagrambledhësit, e ilustron këtë. Kur fariseu u ngrit në këmbë që të lutej, ai ishte duke u mburrur: “O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ky tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithçkaje që kam” (Luka 18:11–12). Në kontrast me këtë, tagrambledhësi i përulur “as që guxonte t'i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: ``O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj meje mëkatarit!”’ (Luka 18:13). Jezusi tha se Ai “u kthye në shtëpinë e vet i drejtësuar,” e jo fariseu, “sepse kushdo që lartësohet do të përulet, dhe kush përulet, do të lartësohet” (Luka 18:14). Kjo është arsyeja përse Jezusi i dënoi ata të cilët “për t'u dukur, bëjnë lutje të gjata” (Luka 20:47) dhe ata hipokritë të cilëve “u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, që njerëzit t'i shohin” (Mat. 6:5).

Perëndia është me të drejtë xheloz për nderimin që i takon Atij.[207]11 Për rrjedhojë Ai nuk dëshiron t’u përgjigjet lutjeve të krenarëve, të cilët e marrin për vete atë nderim në vend që t’ia japin Atij. Përulësia e vërtetë përpara Perëndisë, e cila do të pasqyrohet gjithashtu në një përulësi të mirëfilltë përpara të tjerëve, është e domosdoshme për një lutje efikase.

7. Vazhdimi në lutje gjatë një periudhe kohore. Ashtu sikurse Moisiu dy herë qëndroi në mal për dyzet ditë përpara Perëndisë, për hir të popullit izraelit (L. i P. 9:25–26; 10:10–11), dhe ashtu sikurse Jakobi i tha Perëndisë: “Nuk do të të lë të shkosh në rast se nuk më bekon më parë” (Zan. 32:26), po kështu, ne shikojmë në jetën e Jezusit një vazhdë të një kohe të madhe të kushtuar lutjes. Kur turma të mëdha e ndiqnin, “ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej” (Luka 5:16, përkthimi i autorit).[208]12 Një herë tjetër, “e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë” (Luka 6:12).

Nganjëherë, ashtu sikurse në rastin e Moisiut dhe Jakobit, lutja për një periudhë të gjatë kohore mund të bëhet për një çështje specifike (kr. Luka 18:1–8). Kur ne jemi duke kërkuar me zell Perëndinë për një përgjigje ndaj një lutjeje specifike, ne në fakt mund të përsërisim të njëjtën kërkesë disa herë. Pali i kërkoi Zotit “tri herë” (2 Kor. 12:8) që t’i hiqej gjembi nga mishi. Jezusi Vetë, kur ishte në kopshtin e Gjetsemanit, i kërkoi Atit:“largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti” (Marku 14:36). Pastaj, pasi ai erdhi dhe i gjeti dishepujt e vet në gjumë, Jezusi u lut sërish, duke bërë të njëjtën kërkesë me të njëjtat fjalë: “U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë” (Marku 14:39). Këto janë raste përsëritjeje të zellshme në lutje për një nevojë të ndjerë thellësisht. Ato nuk janë shembuj të asaj që Jezusi ndalon, konkretisht: mbledhjen tog “frazash boshe” me besimin e gabuar që për shkak të “fjalëve të shumta” lutja do mund të dëgjohet prej Perëndisë (Mat. 6:7).

Ka gjithashtu një element të një bashkësie të vazhdueshme me Perëndinë në lutje gjatë një periudhe kohore. Pali na bën thirrje me fjalët: “Lutuni pa pushim” (1 Thes. 5:17), dhe ai i inkurajon kolosianët duke u thënë: “Ngulmoni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderim” (Kol. 4:2). Një përkushtim i tillë i vazhdueshëm ndaj lutjes, edhe ndërkohë që jemi duke kryer detyrat tona të përditshme, duhet të karakterizojë jetën e cilitdo besimtar. Apostujt janë një shembull i dukshëm në këtë drejtim. Ata e çliruan veten nga përgjegjësitë e tjera që kishin me qëllim që t’i kushtonin më shumë kohë lutjes: “Kurse ne do të qëndrojmë duke iu kushtuar lutjes dhe shërbesës së fjalës” (Veprat 6:4).

8. Të lutesh me zell. Jezusi Vetë, i Cili është modeli ynë për lutjet, u lut me zell. “i cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të forta dhe me lot, i ofroi lutje dhe përgjërime atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia” (Heb. 5:7). Në disa prej lutjeve të Shkrimit, ne gati mund ta dëgjojmë intensitetin e madh me të cilin shenjtorët hapën zemrën e tyre përpara Perëndisë. Danieli thërret: “O Zot, dëgjo; Zot, fal; Zot, kushtoji kujdes dhe vepro. Mos mëno, për hir të vetvetes, o Perëndia im, sepse emri yt thirret mbi qytetin tënd dhe mbi popullin tënd” (Dan. 9:19). Kur Perëndia i tregon Amosit gjykimin që do të sillte mbi njerëzit e Tij, Amosi përgjërohet me këto fjalë: “Zot, Zot, oh, na fal, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël!” (Amosi 7:2).

Në marrëdhënie personale, nëse përpiqemi të krijojmë me gjoja një intensitet emocional dhe të japim një shfaqje të jashtme emocionesh të cilat nuk janë të përputhshme me ndjenjat e zemrave tona, të tjerët që janë të përfshirë, zakonisht do ta ndjejnë hipokrizinë tonë aty për aty dhe do të largohen për këtë arsye. Sa më shumë vlen kjo gjë në lidhje me Perëndinë, i Cili e njeh plotësisht zemrat tona. Për rrjedhojë, intensiteti dhe thellësia emocionale e përfshirë në lutje, nuk duhet të jetë kurrë e shtirur: ne nuk mund t’ia hedhim dot Perëndisë. Megjithëkëtë, nëse ne me të vërtetë fillojmë t’i shikojmë situatat ashtu sikurse i shikon Perëndia, nëse fillojmë të shikojmë nevojat e një bote të lënduar e që po vdes, ashtu sikurse ato janë në të vërtetë, atëherë do të jetë e natyrshme që të lutemi me një përfshirje intensive emocionale dhe të presim që Perëndia si një At i mëshirshëm, të përgjigjet ndaj lutjes së ndjerë nga zemra, dhe kur një lutje e tillë intensive dhe e ndjerë nga zemra, gjen shprehje në takimet e lutjeve në grup, të krishterët duhet padyshim që të presin dhe të jenë mirënjohës për të, sepse shpesh herë ajo tregon një punë të thellë të Frymës së Shenjtë në zemrën e personit që lutet.

9. Të presësh në Zotin. Pasi i thërret Perëndisë për ta ndihmuar në kohë vështirësie, Davidi thotë: “Prit me ngulm Zotin; ji i fortë, ki zemër; pra, prit me ngulm Zotin!” (Psa. 27:14). Po kështu, ai thotë: “Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im” (Psa. 38:15). Psalmisti, në mënyrë të ngjashme thotë:

Unë pres Zotin, shpirti im e pret;

unë kam shpresë në fjalën e tij;

Shpirti im pret Zotin,

më tepër se rojat mëngjesin;

po, më tepër se rojat mëngjesin (Psa. 130:5–6)

Një analogji e marrë nga përvoja njerëzore, mund të na ndihmojë që të vlerësojmë dobitë që ka pritja përpara Zotit për një përgjigje ndaj lutjes. Po të dëshiroja të ftoja në shtëpi për darkë dikë, ka mënyra të ndryshme se si të mund ta bëja këtë. Së pari, unë mund të bëj një ftesë jo specifike e të përgjithshme si: “Do ishte mirë të vije për darkë ndonjëherë.” Pothuajse askush nuk do të vinte për darkë bazuar vetëm në atë lloj ftese. Kjo është më shumë si lutja e paspecifikuar dhe e përgjithshme: “Perëndi, beko të tëra hallat dhe xhajat e mi si dhe të tërë misionarët. Amen.” Së dyti, unë mund të bëja një lloj ftese specifike por të nxituar si: “Fred, a mundsh të vish për darkë të premten mbrëma në orën 8:00?—por sapo këto fjalë të më kenë dalë prej goje, do largohesha nxitimthi duke e lënë Fredin me një shprehje të habitur në fytyrë ngaqë nuk i lashë kohë që të përgjigjej. Kjo i përngjan shumë prej kërkesave tona për lutje. Ne thjesht i themi fjalë Perëndisë a thua se vetë akti i shqiptimit të tyre, pa përfshirë aspak zemrën në atë që po themi, do të sjellë në vetvete një përgjigje nga Perëndia. Por kjo lloj kërkese, harron faktin që lutja është një marrëdhënie mes dy personash: mua vetë dhe Perëndisë.

Ka edhe një lloj të tretë ftese, një që bëhet me gjithë zemër, që është personale dhe specifike. Pasi pres derisa të bindem se Fredi po më kushton vëmendje të plotë, unë mund ta shikoj drejt e në sy dhe të them: “Fredi, mua dhe bashkëshortes time do të na bëhej shumë qejfi po të na vije për darkë në shtëpi këtë të premte në orën 8:00. A e ke të mundur?—dhe pastaj, duke vazhduar ta shikoja në sy, unë pres në heshtje dhe me durim ndërkohë që ai vendos se ç’të më thotë si përgjigje. Ai e di që nga shprehja ime e fytyrës dhe toni im i zërit, koha dhe vendi në të cilin unë zgjodha të flisja me të, që këtë kërkesë po ia bëj me gjithë zemër si njeri dhe si shok. Pritja me durim për një përgjigje, tregon sinqeritetin tim, pritshmërinë time dhe respektin për të si person. Lloji i tretë i kërkesave të mësipërme, i përngjan asaj të një të krishteri të sinqertë i cili vjen përpara Perëndisë, ka ndjesinë se është në praninë e Tij, me sinqeritet i drejton një kërkesë Atij, dhe pastaj pret në heshtje për një ndjesi sigurie për përgjigjen nga Perëndia.

Me këtë nuk dua të them se të tëra kërkesat tona duhet të jenë të kësaj natyre, apo se dy llojet e para të kërkesave, janë të gabuara. Me të vërtetë që në disa situata, ne lutemi me shpejtësi për shkak se kemi pak kohë përpara se të na duhet përgjigjja (shiko Neh. 2:4). Gjithashtu, nganjëherë ne lutemi gradualisht për shkak se nuk kemi më shumë informacion specifik rreth një situate të caktuar, apo për shkak se ajo është tepër e largët prej nesh apo për shkak të kohës së paktë në dispozicion, por materiali në Shkrim mbi lutjet e zellshme dhe mbi pritjen për Zotin, si dhe fakti që lutja është një komunikim personal mes nesh dhe Perëndisë, të lënë të kuptosh se lutjet e llojit të  tretë të ftesës së mësipërme, janë shumë më të thella dhe që padyshim sjellin shumë më tepër përgjigje nga Perëndia.

10. Lutja privatisht. Danieli shkoi në dhomën e tij të epërme dhe “tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falënderonte Perëndinë e tij” (Dan. 6:10).[209]13 Jezusi shpesh doli në vende të vetmuara për të qenë vetëm dhe për t’u lutur (Luka 5:16 etj.). Dhe Ai gjithashtu na mëson që : “Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas” (Mat. 6:6). Kjo deklaratë bëhet në kontekstin e shmangies së gabimit të hipokritëve të cilët parapëlqenin shumë të luteshin në sheshet e rrugëve “që njerëzit t'i shohin” (Mat. 6:5). Ka mençuri në inkurajimin që Jezusi na bën për t’u lutur në fshehtësi, jo vetëm që të mund të shmangim hipokrizinë, por gjithashtu që të mos shpërqendrohemi nga prania e njerëzve të tjerë, dhe për rrjedhojë t’i modifikojmë lutjet tona në mënyrë që t’i përshtatim me atë që mendojmë se ata presin të dëgjojnë. Kur jemi me të vërtetë vetëm me Perëndinë, në privacinë e një dhomë të cilës ia kemi “mbyllur derën” (Mat. 6:6), atëherë do mund t’ia zbrazim zemrën Atij.[210]14

Nevoja për t’u lutur privatisht, mund të ketë gjithashtu rrjedhoja për takimet e grupeve të vogla apo të lutjeve të kishës: kur besimtarët mblidhen për të kërkuar me zell Zotin rreth një çështjeje specifike, shpesh herë është e dobishme nëse ata mund të jenë në privacinë e një shtëpie ku dera është e mbyllur dhe ku ata së bashku mund t’i thërrasin Perëndisë. Me sa duket, kjo qe mënyra se si të krishterët e hershëm u lutën kur po i bënin pa ndërprerë kërkesë Perëndisë për lirimin e Pjetrit nga burgu (shiko Veprat 12:5, 12–16).

11. Lutja me të tjerët. Besimtarët gjejnë forcë në lutjen së bashku me të tjerët. Faktikisht, Jezusi na mëson duke na thënë: “Përsëri po ju them se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t'u jepet atyre nga Ati im në qiej. Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mat. 18:19–20).[211]15

Ka edhe shumë shembuj të tjerë në Shkrim, ku një grup besimtarësh u lut së bashku, apo ku një person drejton të tërë grigjën në lutje (vini re lutjen e Salomonit “përballë tërë asamblesë së Izraelit” me rastin e kushtimit të tempullit, tek “1 Mbretërve” 8:22–53 apo lutjen e të krishterëve të hershëm në Jerusalem kur “ata me një mendje e ngritën zërin te Perëndia” tek “Veprat” 4:24). Edhe Lutja e Zotit është shprehur në shumës: Ajo nuk thotë: “Give me this day my daily bread” por “Bukën tonë të përditshme na e jep sot” si dhe “na i fal fajet tona” dhe “Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu” (Mat. 6:11–13, përkthimi i autorit). Lutja me të tjerët, pastaj, është gjithashtu e përshtatshme, dhe shpesh herë një gjë që e shton besimin tonë si dhe efikasitetin e lutjeve tona.

12. Agjërimi. Në Bibël, lutja shpesh herë tregohet e lidhur me agjërimin. Nganjëherë, këto janë raste peticionesh intensive përpara Perëndisë, si në rastin kur Nehemia, pasi dëgjoi për rrënimin e Jerusalemit, tha: “agjërova dhe u luta përpara Perëndisë të qiellit” (Neh. 1:4), apo kur judenjtë mësuan për dekretin e Asueros sipas të cilit ata do të vriteshin të tërë, dhe “pati një keqardhje të madhe për judenjtë, me agjërime, me të qara dhe vajtime” (Est. 4:3), apo kur Danieli kërkoi Zotin “me lutje e përgjërime, me agjërim, me thes dhe me hi” (Dan. 9:3). Herë të tjera, agjërimi është lidhur me pendesën, sepse Perëndia u thotë njerëzve të cilët kanë mëkatuar kundër Tij: “Prandaj tani", thotë ZOTI, "kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime” (Joeli 2:12).

Në Besëlidhjen e Re, Ana qe “duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje” (Luka 2:37) në tempull, dhe besimtarët në kishën e Antiokut “po kryenin shërbesën e Zotit dhe agjëronin,” në kohën kur Fryma e Shenjtë, tha: “M'i ndani veç Barnaban dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur” (Veprat 13:2). Kisha u përgjigj me më shumë agjërime dhe lutje përpara se të dërgonte Barnabën dhe Saulin në udhëtimin e tyre të parë misionar: “Atëherë, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën” (Veprat 13:3). Në fakt, agjërimi qe një pjesë rutinë e kërkimit për udhëzime nga Zoti në lidhje me nëpunësit e kishës, sepse në udhëtimin e parë misionar të Palit, lexojmë se ai dhe Barnaba, ndërkohë që marrin rrugën e kthimit duke kaluar nëpër kishat që kishin themeluar, “u caktuan atyre pleqtë sipas kishave, u lutën me agjërime” (Veprat 14:23).

Kështu, agjërimi shoqëronte me të drejtë lutjet në shumë situata të ndryshme: në raste lutjesh intensive ndërmjetësuese, pendese, adhurimi dhe kërkimi për udhëzime. Në secilën prej këtyre situatave, nga agjërimi rrodhën një sërë dobish, ku të gjitha ndikojnë tek marrëdhënia jonë me Perëndinë: (1) Agjërimi rrit ndjenjën tonë të përulësisë si dhe të varësisë nga Zoti (sepse uria dhe dobësia jonë fizike, na kujton vazhdimisht se si ne nuk jemi me të vërtetë të fortë në vetvete, por që kemi nevojë për Zotin). (2) Agjërimi na bën të mundur t’i kushtojmë më shumë vëmendje lutjes (sepse nuk jemi duke kaluar kohë në të ngrënë), dhe (3) është një kujtesë e vazhdueshme që, njëlloj sikurse sakrifikojmë diçka prej kënaqësisë personale për Zotin duke mos ngrënë, po kështu ne duhet të sakrifikojmë në mënyrë të vazhdueshme të tërë veten tonë për Të.[212]16 Për më tepër, (4) agjërimi është një ushtrim i mirë vetë-disipline, pasi ndërkohë që ne e frenojmë veten nga ngrënia e ushqimit, të cilin normalisht do ta dëshironim, kjo gjithashtu forcon aftësinë tonë që të frenohemi nga mëkati, në lidhje me të cilin tundohemi që t’i dorëzohemi. Nëse e ushtrojmë veten tonë që të pranojmë “vuajtjet” e vogla të agjërimit me dëshirë, ne do të jemi më shumë në gjendje që të pranojmë edhe vuajtje të tjera për hir të drejtësisë (kr. Heb. 5:8; 1 Pje. 4:1–2). (5) Agjërimi gjithashtu rrit vigjilencën shpirtërore dhe mendore si dhe një ndjesi të pranisë së Perëndisë ndërkohë që ne përqendrohemi më pak në gjërat materiale të kësaj bote (si për shembull ushqimi) dhe ndërkohë që energjitë e trupit tonë janë të lira tani që të mos shpenzohen për tretjen dhe përpunimin e ushqimit. Kjo na bën të mundur që të përqendrohemi tek realitetet e përjetshme shpirtërore të cilat janë shumë herë më të rëndësishme.[213]17 Së fundi, (6) agjërimi shpreh zell dhe urgjencë në lutjet tona: nëse ne vazhdojmë të agjërojmë, në fund do të vdesim. Për rrjedhojë, në një mënyrë simbolike, agjërimi i thotë Perëndisë që ne jemi të përgatitur për ta lënë jetën tonë vetëm e vetëm që ajo situatë e caktuar të ndryshohet e të mos vazhdojë më ashtu si është. Në këtë kuptim, agjërimi është veçanërisht i përshtatshëm kur gjendja shpirtërore e kishës është e ulët.

“Prandaj tani", thotë ZOTI,

“kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj,

me agjërime, me lot dhe me vajtime;

grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja.” (Joeli 2:12–13a)

Paçka se Besëlidhja e Re nuk është se na kërkon specifikisht që të agjërojmë apo që të caktojmë një kohë të veçantë në të cilën na duhet të agjërojmë me patjetër, Jezusi padyshim supozon se ne do të agjërojmë, sepse Ai u thotë dishepuje të Vet: “Dhe kur të agjëroni” (Mat. 6:16). Për më tepër, Jezusi thotë gjithashtu: “Por do të vijnë ditë kur do të hiqet dhëndri nga ata dhe atëherë do të agjërojnë” (Mat. 9:15). Ai është Dhëndri, ne jemi dishepujt e Tij, dhe gjatë kësaj epoke të tanishme të kishës, Ai për kaq kohë ka qenë “hequr” larg nesh deri ditën që Ai do të kthehet. Pjesa më e madhe e të krishterëve perëndimore nuk agjërojnë, por nëse do të ishim të gatshëm që të agjëronim më rregullisht—qoftë edhe për një apo dy vakte—do të habiteshim edhe vetë se sa më shumë fuqi dhe forcë shpirtërore do të kishim në jetën tonë si dhe në kishat tona.

13. Çfarë mund të thuhet për lutjet të cilat nuk marrin përgjigje? Ne duhet të fillojmë të kuptojmë që për sa kohë Perëndia është Perëndi dhe ne krijesat e Tij, do duhet të ketë disa lutje që nuk marrin përgjigje. Kjo ndodh për shkak se Perëndia e mban të fshehtë planin e Tij të mençur për të ardhmen, dhe paçka se njerëzit luten, shumë ngjarje nuk kanë për të ndodhur derisa të vijë koha e dekretuar prej Perëndisë. Judenjtë u lutën për shekuj me radhë që Mesia të vinte, dhe me të drejtë, por vetëm kur “kur erdhi plotësimi i kohës” ndodhi që “Perëndia dërgoi Birin e tij” (Gal. 4:4). Shpirtrat e martirëve në qiell, të çliruar nga mëkati, i thërrasin Perëndisë që ta gjykojë tokën (Zbu. 6:10), por Perëndia nuk u përgjigjet aty për aty; përkundrazi, Ai u thotë që të prehen edhe pak më shumë (Zbu. 6:11). Është e qartë se mund të ketë periudha të gjata vonese gjatë të cilave lutjet mund të mos marrin përgjigje, për shkak se njerëzit që luten nuk e dinë kohën e programuar me mençuri të Perëndisë.

Lutja do të mbetet gjithashtu pa përgjigje për shkak se ne nuk është se e dimë gjithnjë se si të lutemi ashtu siç duhet (Rom. 8:26), ne nuk lutemi gjithnjë në përputhje me vullnetin e Perëndisë (Jakobi 4:3), dhe nuk kërkojmë gjithnjë me besim (Jakobi 1:6–8). Gjithashtu, nganjëherë ne mendojmë se një zgjidhje e caktuar është më e mira, por Perëndia ka një plan më të mirë që madje të përmbushë qëllimin e Tij përmes vuajtjesh dhe vështirësish. Jozefi padyshim që u lut me zell që të shpëtohej nga gropa e që të mos e çonin skllav në Egjipt (Zan. 37:23–36), por shumë vite më vonë, ai zbuloi se si në të tëra këto ngjarje “Perëndia ka dashur që t'i shërbejë së mirës” (Zan. 50:20).

Kur përballemi me mospërgjigje të lutjeve, ne bashkohemi me grupin e Jezusit i cili u lut kështu: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Luka 22:42). Ne bashkohemi gjithashtu me grupin e Palit, i cili i kërkoi Zotit “tri herë” që gjembi në mishin e tij t’i hiqej, por nuk iu hoq; përkundrazi Zoti i tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 Kor. 12:8–9). Ne bashkohemi me grupin e Davidit, i cili u lut që jeta e birit të tij të shpëtohej, por kjo nuk ndodhi, kështu që ai “shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys” dhe tha në lidhje me të birin: “Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë” (2 Sam. 12:20, 23). Ne bashkohemi me grupin e martirëve të cilët përgjatë gjithë historisë u lutën për çlirim i cili si përfundim nuk erdhi, sepse ata “nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje” (Zbu. 12:11).

Kur lutja mbetet pa përgjigje, ne duhet të vazhdojmë t’i besojmë Perëndisë i Cili sepse “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë” (Rom. 8:28) dhe që gjithë merakun tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju. (1 Pjetrit 5:7). Ne duhet të vazhdojmë të mos harrojmë që Ai do të japë forcë të mjaftueshme për çdo ditë (L. i P. 33:25) dhe që Ai ka premtuar: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Heb. 13:5; kr. Rom. 8:35–39).

Ne duhet që gjithashtu të vazhdojmë që të lutemi. Nganjëherë një përgjigje e shumëpritur, befas do të na jepet, siç iu dha Anës shumë vite pasi ajo lindi një fëmi (1 Sam. 1:19–20), apo kur Simoni pa me sytë e vet, Mesinë e shumëpritur tek vinte në tempull (Luka 2:25–35).

Por nganjëherë lutjet do të mbeten pa përgjigje në këtë jetë. Nganjëherë Perëndia do t’u përgjigjet atyre lutjeve pasi besimtari të vdesë. Herë të tjera, Ai nuk do të përgjigjet, por edhe atëherë besimi i shprehur në ato lutje si dhe shprehjet e përzemërta të tyre për dashurinë për Perëndinë dhe njerëzit që Ai ka bërë, do të vazhdojnë të ngrihen si një temjan erëmirë përpara fronit të Perëndisë (Zbu. 5:8; 8:3–4) dhe do të rezultojë “për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 1:7).

D. Lavdërimi dhe Falënderimi

Lavdërimi dhe falënderimi ndaj Perëndisë, të cilat do të trajtohen më plotësisht në kapitullin 51, janë një element thelbësor i lutjes. Lutja model që Jezusi na la, fillon me një fjalë lavdërimi: “U shenjtëroftë emri yt” (Mat. 6:9). Gjithashtu, Pali u thotë filipianëve, “Në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim” (Fil. 4:6), dhe kolosianëve, “Ngulmoni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderim” (Kol. 4:2). Falënderimi, ashtu sikurse çdo aspekt tjetër i lutjes, nuk duhet të jetë një belbëzim mekanik i një “shumë faleminderit” drejtuar Perëndisë, por shprehja e fjalëve të cilat pasqyrojnë besnikërinë e zemrave tona. Për më tepër, ne nuk duhet të mendojmë kurrë që falënderimi ndaj Perëndisë për përgjigjen ndaj diçkaje që ne kërkojmë, mundet që disi ta detyrojë Perëndinë të na e japë atë neve sepse kjo e kthen lutjen nga një kërkesë e mirëfilltë dhe e sinqertë, në një kërkesë me doemos që supozon se ne mund ta bëjmë Perëndinë që të bëjë atë gjë që ne duam që Ai të bëjë. Një frymë e tillë në lutjet tona, me të vërtetë që mohon natyrën thelbësore të lutjes si varësi nga Perëndia.

Në kontrast me këtë, lloji i falënderimit që shoqëron në mënyrë të përshtatshme lutjen, duhet të shprehë mirënjohje ndaj Perëndisë për të tëra rrethanat, për çdo ngjarje të jetës që Ai lejon të na ndodhë. Kur ne i bashkojmë lutjet tona me një falënderim të përulur e si të fëmijëve ndaj Perëndisë “Në gjithçka” (1 Thes. 5:18), ato do të jenë të pranueshme për Perëndinë.

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     A ke shpesh herë vështirësi në lutje? Çfarë gjërash të këtij kapitulli të kanë ndihmuar në këtë drejtim?

2.     Kur ke patur kohët më efikase të lutjes në jetën tënde? Cilët faktorë kontribuuan në bërjen më efikase të atyre kohëve? Cilët faktorë të tjerët kanë nevojë më shumë për vëmendje në jetën tënde të lutjes? Çfarë mund të bësh për të forcuar secilën prej këtyre fushave?

3.     Si të ndihmon dhe të inkurajon (nëse) kur lutesh bashkë me të krishterë të tjerë?

4.     A ke provuar ndonjëherë të presësh në heshtje përpara Zotit dhe të bësh një kërkesë lutjeje të zellshme? Nëse po, ç’rezultat ka patur ajo?

5.     A shpenzon për çdo ditë rregullisht një kohë për lexim Bible dhe lutje? A shpërqendrohesh ndonjëherë lehtësisht dhe merresh me të tjera veprimtari? Nëse po, si mund të kapërcehen shpërqendrimet?

6.     A të pëlqen të lutesh? Përse po ose përse jo?

TERMA TË VEÇANTË

besim

“në emrin e Jezusit”

lutje

pritje për Zotin

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 431–432

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1940 Wiley, 3:40–44, 153

1960 Purkiser, 421–424

1983- Cottrell, 2:353–708

3. Baptiste

1907 Strong, 433–439

1917 Mullins, 119, 192, 224, 274, 348

1983–1985 Erickson, 405–406

4. Dispensacionaliste

1947 Chafer, 5:220–231; 7:252–254

1949 Thiessen, 298–301

1986 Ryrie, 381–382

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 3:215–219

1934 Mueller, 428–434, 467–469

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 2:850–920 (3.20)

1724–1758 Edwards, 2:74–88, 113–118

1871–1873 Hodge, 3:692–709

1878 Dabney, 713–725

1937–1966 Murray, CW 3:168–171

7. Ripërtëritëse (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 2:295–298, 3:95–98

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 91

2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II

1980 McBrien, 1:331–332; 2:1057–1099

Veprat të tjera

Bennett, Arthur, red. Lugina e Vegimit: Një Përmbledhje Lutjesh dhe Devocionesh Puritane (The Valley of Vision: A Collection of Puritan Prayer and Devotions). Edinburgh and Carlisle, Pa.: Banner of Truth, 1975.

Bounds, E.M. Fuqi Përmes Lutjes (Power Through Prayer). Grand Rapids: Baker, 1963.

Vëlla Lorenci. Praktikimi në Praninë e Perëndisë (The Practice of the Presence of God). New York: Revell, 1895.

Carson, D.A., red. Na Mëso të Lutemi: Lutja në Bibël dhe në Botë (Teach Us To Pray: Prayer in the Bible and the World). Grand Rapids: Baker, and Exeter: Paternoster, 1990.

Clowney, Edmund. Përsiatje e Krishterë (Christian Meditation). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1979.

_______. “Lutja, Teologjia e (Prayer, Theology of.)” Tek FRT (NDT) fq. 526–527.

Forsyth, P.T. Shpirti i Lutjes (The Soul of Prayer). Grand Rapids: Eerdmans, 1967 (rishtypur).

Foster, Richard J. Kremtim i Disiplinës: Shtegu për në Rritjen Shpirtërore (Celebration of Discipline: The Path to Spiritual Growth). San Francisco: Harper and Row, 1988.

Hallesby, O. Lutja (Prayer). Përkthyer nga Clarence J. Carlsen. Minneapolis: Augsburg, 1959 (rishtypur).

Houston, James. Miqësi Transformuese (The Transforming Friendship). Oxford and Batavia, Ill.: Lion, 1989.

Hunter, W. Bingham. Perëndia që Dëgjon (The God Who Hears). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1986.

Kelly, Thomas R. Një Dhiatë Devocioni (A Testament of Devotion). New York: Harper, 1941.

Law,William. Një Thirrje Serioze për një Jetë në Devotshmëri dhe Shenjtëri (A Serious Call to a Devout and Holy Life). Philadelphia: Westminster, 1948 (rishtypur).

M’Intyre, D.M. Jeta e Fshehur e Lutjes (The Hidden Life of Prayer). Minneapolis: Bethany Fellowship Press, 1962 (rishtypur). (Emri i autorit nganjëherë germëzohet MacIntyre në botime të tjera të këtij libri.)

Murray, Andrew. Shërbesa e Lutjeve Ndërmjetësuese (The Ministry of Intercessory Prayer). Minneapolis: Bethany House, 1981 (rishtypur; botuar fillimisht më 1897 nën titullin: Shërbesa e Ndërmjetësimit [The Ministry of Intercession]).

Ortlund, Raymond C., Jr. Një Pasion për Perëndinë: Lutjet dhe Përsiatjet mbi Librin e Romakëve (A Passion for God: Prayers and Meditations on the Book of Romans). Wheaton, Ill.: Crossway, 1994.

Prince, Derek. Dhënia Formë e Historisë Përmes Lutjes dhe Agjërimit (Shaping History Through Prayer and Fasting). Old Tappan, N.J.: Fleming H. Revell, 1973.

Smith, David R. Agjërimi: Një Disiplinë e Shpërfillur (Fasting: A Neglected Discipline). Fort Washington, Pa.: Christian Literature Crusade, 1969.

Spear, Wayne. Teologjia e Lutjes (The Theology of Prayer). Grand Rapids: Baker, 1979.

Thomas a Kempis. Imitimi i Krishtit (The Imitation of Christ). Grand Rapids: Baker, 1973 (rishtypur).

I Krishterë Anonim. I Krishteri që Gjunjëzohet (The Kneeling Christian). Grand Rapids: Zondervan, 1945.

Wallis, Arthur. Agjërimi i Zgjedhur prej Perëndisë: Një Udhëzues Shpirtëror dhe Praktik rreth Agjërimit (God’s Chosen Fast: A Spiritual and Practical Guide to Fasting). Fort Washington, Pa.: Christian Literature Crusade, 1987.

White, John. Të Guxosh të Afrohesh (Daring to Draw Near). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1977.

Willard, Dallas. Fryma e Disiplinës (The Spirit of the Disciplines). San Francisco: Harper and Row, 1988.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Hebrenjve” 4:14–16: Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë. Sepse ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë bashkë me dobësitë tona, por që u tundua në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat. Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohën e duhur.

HIMN

“NGA ÇDO ERË E STUHISHME”

Nga çdo erë e stuhishme që fryn,

Nga çdo baticë fatkeqësish që brigjet i shtyn,

Ka një zbaticë të sigurt e të qetë;

Kjo poshtë Pajtuesit gjendet në të vërtetë.

Jezusi Vetë në atë vend na dha

Vajin e gëzimit mbi kokat tona,

Se cilido tjetër më i ëmbël është ky vend;

Është një Pajtues me gjurmë gjaku që na pret.

Është një vend ku njerëzit takohen,

Ku shoku me shokun për miqësi bashkohen,

Paçka se të ndarë; përmes besimit ata piqen

Përreth Pajtuesit të përbashkët kur mblidhen.

Ku do rendnim ne për ndihmë,

Kur jemi të tunduar, të vetmuar e plot frikë,

Apo, si ushtritë e ferrit do mposhtnin

Po të mos kishin shenjtorët e përvuajtur Pajtuesin?

Për atje, me krahë shqiponje vrik ngrihemi,

Dhe koha dhe ndjeshmëritë duket se më nuk i kemi,

Dhe parajsa shpirtin tonë të përshëndesë zbret,

Dhe lavdia kurorëzon Pajtuesin vet’.

Zotësinë e saj dora ime le ta harrojë,

Goja m’u mbylltë, e ftohtë dhe e palëvizur të qëndrojë,

Kjo zemër që hov le pa rrahur të qëndroj’,

po qe se unë Pajtuesin do të harroj.

Autori: Hugh Stowell, 1828, 1831

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>