Kapitulli 14: Perëndia në tri persona: Trinia

Perëndia në Tri Persona: Trinia

Si mundet që Perëndia të jetë tri persona, e megjithëkëtë një Perëndi?

Kapitulli pararendës ka diskutuar shumë atribute të Perëndisë, por nëse ne do të kuptonim vetëm ato atribute, nuk do të kuptonim aspak siç duhet Perëndinë sepse ne nuk do ta kuptonim që Perëndia, në qenien e Tij, ka ekzistuar gjithnjë si më shumë se një person. Faktikisht, Perëndia ekziston si tre persona, e megjithëkëtë, Ai është një Perëndi.

Është e rëndësishme të mbajmë mend doktrinën e Trinisë në lidhje me studimin e atributeve të Perëndisë. Kur mendojmë për Perëndinë si të përjetshëm, të gjithëpranishëm e kështu me radhë, ne mund të kemi prirjen që të mendojmë vetëm për Perëndinë At në lidhje me këto atribute, por mësimi biblik mbi Trininë, na thotë që të tëra atributet e Perëndisë janë të vlefshme për të tre personat, sepse Secili është plotësisht Perëndi. Kështu, Perëndia Bir dhe Perëndia Frymë e Shenjtë, janë gjithashtu të përjetshëm, të gjithëpranishëm, të gjithëfuqishëm, pafundësisht të mençur, pafundësisht të shenjtë, pafundësisht të dashur, të gjithëditur, e kështu me radhë.

Doktrina e Trinisë, është një nga doktrinat më të rëndësishme për besimin e krishterë. Të studiosh mësimet e Biblës mbi Trininë, na jep njohuri të thella të mëdha për çështjen e cila është në qendër të tërë kërkimit tonë pas Perëndisë: Si është Perëndia në Vetvete? Këtu mësojmë që në Vetvete, në vetë qenien e Tij, Perëndia ekziston në personat e Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, e megjithëkëtë, Ai është një Perëndi.

SHPJEGIMI DHE BAZA NGA SHKRIMET

Doktrinën e Trinisë ne mund ta përkufizojmë si vijon: Perëndia ekziston përjetësisht si tre persona, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, dhe secili person është plotësisht Perëndi, dhe ka vetëm një Perëndi.

A. Doktrina e Trinisë është zbuluar në mënyrë progresive në Shkrim

1. Zbulesa e pjesshme në Besëlidhjen e Vjetër. Fjala trini nuk gjendet kurrë në Bibël, paçka se ideja e paraqitur nga kjo fjalë, jepet mësim në shumë vende. Fjala trini do të thotë “tri-unitet” apo “tri në një”.” Ajo përdoret për të përmbledhur mësimin e Shkrimit sipas të cilit Perëndia është tre persona, e megjithëkëtë një Perëndi.

Nganjëherë njerëzit mendojnë se doktrina e Trinisë gjendet vetëm në Besëlidhjen e Re, jo në atë të Vjetrën. Nëse Perëndia ka ekzistuar përjetësisht si tre persona, do të ishte për t’u habitur po të mos gjenim tregues të kësaj në Besëlidhjen e Vjetër. Paçka se doktrina e Trinisë nuk gjendet e thënë shkoqitur në Besëlidhjen e Vjetër, një sërë pasazhesh sugjerojnë apo madje nënkuptojnë që Perëndia ekziston si më shumë se një person.

Për shembull, sipas “Zanafillës” 1:26, Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne.” Çfarë nënkupton folja në shumës (“ta bëjmë”) si dhe përemri në shumës (“tonë”)? Disa kanë sugjeruar që ky është një përdorim i shumësit mbretëror që është një formë e të folurit që një mbret përdorte, për shembull: “Ne dëshirojmë të ta plotësojmë kërkesën.”[48]1 Megjithëkëtë, në hebraishten e Besëlidhjes së Vjetër, nuk ka shembuj të tjerë të ndonjë monarku që përdor folje apo përemra të shumësit për veten e Tij në një “shumës mbretëror” të tillë, kështu që ky sugjerim nuk ka prova ku të mbështetet.[49]2 Një sugjerim tjetër është që Perëndia këtu është duke folur për engjëjt, por engjëjt nuk morën pjesë në krijimin e njeriut. Gjithashtu, njeriu nuk u krijua në shëmbëlltyrën apo ngjasim me engjëjt, kështu që as ky sugjerim nuk është bindës. Shpjegimi më i mirë është ai që gjendet tashmë në kapitullin e parë të “Zanafillës” për të cilin kemi tregues të një shumësi personash në Perëndinë Vetë.[50]3 Nuk na thuhet se sa persona janë, dhe nuk kemi asgjë që t’i qaset një doktrine të plotë Trinie, por nënkuptohet se më shumë se një person është i përfshirë. E njëjta gjë mund të thuhet për “Zanafillën” 3:22 (“Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen”), “Zanafilla” 11:7 (“Eja të zbresim, pra, atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre”), dhe “Isaia” 6:8 (“Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”). (Vëreni ndërthurjen e njëjësit dhe shumësit në të njëjtën fjali të pasazhit të fundit.)

Për më tepër, ka pasazhe ku një person quhet “Perëndi” apo “Zot” dhe është i dalluar nga një person tjetër për të cilin thuhet gjithashtu se është Perëndi. Tek “Psalmi” 45:6–7 psalmisti thotë: “Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi....Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.” Këtu psalmi kalon përtej përshkrimit të ndonjë gjëje që mund të jetë e vërtetë për ndonjë mbret tokësor, dhe e quan mbretin “Perëndi” (v. 6), froni i të Cilit do të zgjasë “në përjetësi.” Por pastaj, vazhdon t’i flasë personit të quajtur “Perëndi,” autori thotë që “Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu” (v. 7). Kështu që dy persona të veçantë janë quajtur “Perëndi” (Heb. אֱלֹהִים, H466). Në Besëlidhjen e Re, autori i “Hebrenjve” e citon këtë pasazh duke ia veshur atë Krishtit: “Froni yt, o Perëndi, është në jetë të jetëve” (Heb. 1:8).[51]4

Në mënyrë të ngjashme, tek “Psalmi” 110:1, Davidi thotë: “ZOTI i thotë Zotërisë tim:  «Ulu në të djathtën time, derisa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua».”. Jezusi me të drejtë e merr këtë që Davidi është duke iu referuar dy personave të veçantë me titullin “Zot” (Mat. 22:41–46), por kush është “Zoti” i Davidit nëse nuk është Perëndia Vetë? Dhe kush do mund t’i thoshte Perëndisë: “Ulu në të djathtën time” në mos dikush tjetër që është gjithashtu plotësisht Perëndi? Nga pikëpamja e Besëlidhjes së Re, ne mund ta parafrazojmë kështu këtë varg: “Perëndia Atë i tha Perëndisë Bir: “Ulu në të djathtën Time.”’ Por edhe pa mësimin e Besëlidhjes së Re mbi Trininë, duket e qartë që Davidi ishte i vetëdijshëm për një shumësi personash në një Perëndi të vetëm. Jezusi, sigurisht, e kuptoi këtë, por kur Ai u kërkoi farisenjve një shpjegim të këtij pasazhi, “asnjë nuk ishte në gjendje t`i përgjigjej atij qoftë edhe një fjalë; madje, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi më ta pyesë” (Mat. 22:46). Nëse ata nuk janë të gatshëm të pranojnë një shumësi personash në një Perëndi të vetëm, interpretuesit judenj të Shkrimit, deri sot e kësaj dite, nuk do të kenë shpjegim më bindës për “Psalmin” 110:1 (apo për “Zan.” 1:26, apo për pasazhet e tjerë të sapo diskutuar) nga ç’kishin në kohën e Jezusit.

“Isaia” 63:10 thotë se njerëzit e Perëndisë “u rebeluan dhe e trishtuan Frymën e tij të shenjtë”, duke sugjeruar me sa duket edhe që Fryma e Shenjtë është e veçantë nga Perëndia Vetë (është “Fryma e Shenjtë i Tij”), dhe që ky Frymë e Shenjtë mund të “trishtohet,” duke sugjeruar kësisoj aftësi emocionale të cilat janë karakteristike të një personi të veçantë. (Isa. 61:1 dallon gjithashtu “Frymën e Zotit” nga “Zoti,” paçka se asnjë cilësi personale nuk i është atribuuar Frymës së Zotit në atë varg.)

Prova të ngjashme me këtë, gjenden tek “Malakia” kur Zoti thotë: “Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me ëndje, ja, do të vijë", thotë ZOTI i ushtrive. Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet?” (Mal. 3:1–2). Këtu, përsëri, Ai që po flet (“ZOTI i ushtrive”) e dallon Veten nga “Zoti, që ju kërkoni,” duke sugjeruar kësisoj ekzistencën e dy personave të ndarë, që mund të quhen të dy “Zot.”

Tek “Osea” 1:7, Zoti po flet dhe thotë për shtëpinë e Judës, “do t`i shpëtoj me anë të Zotit, Perëndisë të tyre,” duke sugjeruar edhe një herë tjetër se më shumë se një person mund të quhet “Zot” (Heb. יהוה, H3378) dhe “Perëndi” (אֱלֹהִים, H466).

Dhe tek “Isaia” 48:16, folësi (mesa duket shërbëtori i Zotit) thotë: “Dhe tani Zoti, Zoti, më kanë dërguar Mua dhe Frymën e Tij.”[52]5 Këtu, Fryma e Zotit, ashtu sikurse shërbëtori i Zotit, janë “dërguar” nga Zoti PERËNDI me një mision të caktuar. Paralelizmi midis dy objekteve të dërgimit “mua” dhe “Frymën e Tij”) do të ishte e përputhshme me shikimin e të dy atyre si persona të veçantë: duket se nënkupton më shumë se thjesht: “Zoti më ka dërguar mua dhe fuqinë e Tij.”[53]6 Në fakt, nga një pikëpamje e plotë e Besëlidhjes së Re (që njeh Jezusin, Mesinë, si shërbëtorin e vërtetë të Zotit të parashikuar në profecitë e Isaisë), “Isaia” 48:16 ka nënkuptim trinitarian: “Zoti, dhe Fryma e tij më kanë dërguar,” nëse është folur nga Jezusi, Biri i Perëndisë, i referohet të tre personave të Trinisë.

Për më tepër, një sërë pasazhesh të Besëlidhjes së Vjetër që flasin për “engjëllin e Zotit” sugjerojnë një shumës personash në Perëndinë. Fjala e përkthyer “engjëll” (Heb. מַלְאָךְ, H4855) nënkupton thjesht “lajmëtar.” Nëse ky engjëll i Zotit është një “lajmëtar” i Zotit, atëherë ai është veçantë Zotit Vetë. Megjithëkëtë, në disa raste, engjëlli i Zotit  quhet “Perëndi” apo “Zoti” (shiko Zan. 16:13; Eks. 3:2–6; 23:20–22 [shënim: “emri im gjendet në të” në v. 21]; Num. 22:35 me 38; Gjyq. 2:1–2; 6:11 me 14). Në raste të tjera të Besëlidhjes së Vjetër “Engjëlli i Zotit” i referohet thjesht një engjëlli të krijuar, por të paktën në këto tekste, engjëlli i veçantë (apo “lajmëtari”) i Zotit, duket se është një person i veçantë i cili është plotësisht hyjnor.

Një prej teksteve më të debatuara të Besëlidhjes së Vjetër i cili mund të tregojë personalitet të veçantë për më shumë se një person, është “F. e Urta” 8:22–31. Paçka se pjesa e parë e kapitullit mund të kuptohet si thjesht një personifikim i “mençurisë” për efekt letrar, duke treguar mençurinë që u bën thirrje të thjeshtëve e duke i ftuar ata që të mësojnë, vgj. 22–31, mund të thuhej se aty thuhen gjëra rreth “mençurisë” të cilat duket se shkojnë shumë përtej thjesht personifikimit. Duke folur për kohën kur Perëndia krijoi tokën, “mençuria” thotë: “unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij, gëzohesha në pjesën e banueshme të botës dhe kënaqesha me bijtë e njerëzve” (F. e Urta 8:30–31). Të punosh si një “arkitekt” pranë Tij në kohën e krijimit, sugjeron në vetvete idenë e një personi të veçantë, dhe frazat e mëposhtme mund të duken edhe më tepër bindëse sepse vetëm personat realë mund të jenë “duke u gëzuar çdo çast” dhe mund të gëzohen në botë dhe të gjejnë kënaqësi në racën njerëzore.[54]7

Por nëse mendojmë se “mençuria” këtu në të vërtetë i referohet Birit të Perëndisë përpara se Ai të bëhej njeri, lind një vështirësi. Vargjet 22–25 duket se flasin për krijimin e këtij personi i cili quhet “mençuri”:

ZOTI më zotëroi në fillim të rrugës së tij,

përpara veprave të tij më të lashta,

U vendosa nga amshimi,

që në krye, para se toka të ekzistonte

Qeshë krijuar kur nuk kishte ende humnera,

kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm

Qeshë krijuar para se themelet e maleve të përforcoheshin,

para kodrave

A nuk nënkupton kjo që kjo “mençuri” u krijua?

Në fakt, jo. Fjala hebraisht që përdoret zakonisht për të thënë “krijoj” (בָּרָא, H1343) nuk përdoret në vargun 22; por është fjala קָנָה, H7865, e cila haset tetëdhjetekatër herë në Besëlidhjen e Vjetër dhe që pothuajse gjithmonë nënkupton: “të marrësh, të përftosh.” Versioni [55]NASB i Biblës në anglisht është më i qarti këtu: “Zoti më zotëronte në fillim të rrugës së tij (e ngjashme me këtë është edhe ajo tek versioni [56]KJV). (Shënim: Ky kuptim i fjalës tek “Zan.” 39:1; “Eks.” 21:2; “F. e Urta” 4:5, 7; 23:23; “Pred.” 2:7; “Isa.” 1:3 [“të zotin”].) ky është një kuptim legjitim dhe, nëse mençuria kuptohet si një person real, do të nënkuptonte vetëm që Perëndia At filloi të drejtonte dhe përdorte punën e fuqishme krijuese të Perëndisë Bir, në kohën kur filloi krijimi [57]8: Ati ftoi Birin për të punuar bashkë me Të në veprimtarinë e krijimit. Shprehja “Qeshë krijuar” në vargjet 24 dhe 25 është një term tjetër por mund të mbartë një kuptim të ngjashëm: Ati filloi të drejtonte dhe përdorte punën e fuqishme krijuese të Birit në krijimin e universit.

2. Zbulesë më e plotë e Trinisë në Besëlidhjen e Re. Kur hapet Besëlidhja e Re, ne hyjmë në historinë e ardhjes së Birit të Perëndisë në tokë. Duhet pritur që kjo ngjarje madhështore të shoqërohet nga mësime më të shkoqura rreth natyrës trinitariane të Perëndisë, dhe faktikisht, kjo është ajo gjë që gjejmë. Përpara se ta shikojmë këtë në detaje, ne mundet që thjesht të renditim disa pasazhe në të cilat të tre personat e Trinisë janë përmendur me emër së bashku.

Kur Jezusi u pagëzua, “qiejt iu hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë të zbresë si një pëllumb e të vijë mbi të; dhe, ja, një zë prej qiellit që tha: ``Ky është Biri im i dashur, në të cilin gjeta pëlqim”’ (Mat. 3:16–17). Këtu, në një moment, kemi të tre pjesëtarët e Trinisë që kryejnë tre veprimtari të veçanta nga njëra tjetra. Perëndia Atë po flet nga qielli; Perëndia Bir është duke u pagëzuar; ndërsa Perëndia Frymë e Shenjtë, është duke zbritur nga qielli për t’u ndalur mbi Jezusin si dhe për ta fuqizuar Atë për shërbesë.

Në fund të shërbesës tokësore të Jezusit, Ai u thotë dishepujve se ata duhet që të shkojnë “dhe bëni dishepuj të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mat. 28:19). Vetë emrat “Atë ” dhe “Bir,” të renditur sikur t’i përkasin një familjeje që është institucioni më i njohur njerëzor, nënkuptojnë me forcë të qënurit persona të veçantë si të Atit ashtu edhe të Birit. Kur “Fryma e Shenjtë” vendoset në të njëjtën shprehje, si dhe në të njëjtin nivel me dy personat e tjerë, është e vështirë të shmangësh përfundimin që Fryma e Shenjtë shikohet gjithashtu si një person si dhe i një rangu të barabartë me atë të Atit dhe Birit.

Kur e kuptojmë që autorët e Besëlidhjes së Re në përgjithësi përdorin emrin “Perëndi” (Gk. θεός, G2536) për t’iu referuar Perëndisë Atë dhe emrin “Zot” (Gk. Κύριος, G3261) për t’iu referuar Perëndisë Bir, atëherë është e qartë që tek “1 Korintasve” 12:4–6 kemi një tjetër shprehje trinitariane: “Ka larmi dhuntish, por është i njëjti Frymë. Ka edhe larmi shërbimesh, por është i njëjti Zot; Dhe ka larmi veprueshmërish por është i njejti Perëndi i cili vepron të gjitha gjërat në të gjithë.”

Po kështu, vargu i fundit i “2 Korintasve” është trinitarian në shprehjen e tij: “Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë” (2 Kor. 13:13). Shikojmë tre personat e përmendur veçmas tek “Efesianëve” 4:4–6 gjithashtu: “Është një trup dhe një Frymë, sikurse ju u thirrët në një shpresë të thirrjes suaj. Një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, përmes të gjithëve dhe në ju të gjithë ”

Të tre personat e Trinisë janë përmendur së bashku në fjalinë hyrëse të “1 Pjetrit”: “Sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për bindje dhe për spërkatje me gjakun e Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 1:2). Dhe tek “Juda” 20–21, lexojmë: “Por ju, të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë, mbahuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë, Jezu Krisht, për jetën e përjetshme.”

Sidoqoftë, përkthimi që KJV i bën “1 Gjonit” 5:7 nuk duhet përdorur në këtë lidhje. Në të thuhet: “Sepse janë tre që dëshmojnë në qiell, Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë: dhe këta të tre janë një.”

Problemi me këtë përkthim është se ai bazohet në një numër shumë të vogël dorëshkrimesh jo të besueshme greke, më i hershmi i të cilëve i përket shekullit të katërmbëdhjetë mbas K. Asnjë përkthim modern (me përjashtim të versionit [58]NKJV) nuk përmban këtë përkthim të KJV, por të tëra e lënë të pa përfshirë, njëlloj si edhe pjesa më e madhe e dorëshkrimeve greke nga të tëra traditat e teksteve kryesore, përfshi këtu disa dorëshkrime shumë të besueshme nga shekulli i katërt dhe i pestë mbas K., duke përfshirë gjithashtu citime nga etërit e kishës të tillë si Ireneu (vd. rreth 202 mbas K.), Klementi i Aleksandrisë (vd. rreth 212 mbas K.), Tertuliani (vdiq pas vitit 220 mbas K.), si dhe mbrojtësi i madh i Trinisë, Athanasi (vd. më 373 mbas K.).

B. Tre deklarata përmbledhin mësimin biblik

Nga njëra anë, doktrina e Trinisë, është një mister të cilin ne kurrë nuk do të jemi në gjendje që ta kuptojmë plotësisht. Megjithëkëtë, ne mund të kuptojmë diçka rreth të vërtetës së tij duke përmbledhur mësimin e Shkrimit në tre deklarata:

1.     Perëndia është tre persona.

2.     Secili person është plotësisht Perëndi.

3.     Ka një Perëndi.

Seksioni i mëposhtëm do të shtjellojë secilën prej këtyre deklaratave në më shumë hollësi.

1. Perëndia është tre persona. Fakti që Perëndia është tre persona nënkupton që Ati nuk është Biri; Ata janë persona të veçantë. Kjo gjithashtu do të thotë që Ati nuk është Fryma e Shenjtë, por që Ata janë persona të veçantë Do të thotë gjithashtu që Biri nuk është Fryma e Shenjtë. Këto dallime vërehen në një sërë pasazhesh të cituara në seksionin e mëparshëm, si dhe në shumë pasazhe të tjerë të Besëlidhjes së Re.

“Gjoni” 1:1–2 na thotë: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (Fjala) ishte në fillim me Perëndinë.” Fakti që “Fjala” (i cili është parë se është Krishti tek vgj. 9–18) është “me” Perëndinë, tregon dallim nga Perëndia At. Tek “Gjoni” 17:24, Jezusi i flet Perëndisë At për “ lavdinë time që ti më dhe, sepse ti më deshe para themelimit të botës,” duke treguar kësisoj dallueshmëri mes personave, përbashkësinë në lavdi, si dhe një marrëdhënie dashurie mes Atit dhe Birit përpara se bota të krijohej.

Na thuhet që Jezusi vazhdon si Kryeprifti dhe Avokati ynë përpara Perëndisë At: “në qoftë se ndokush ka mëkatuar, kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin” (1 Gjonit 2:1). Krishti është Ai i Cili “mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Heb. 7:25). Megjithëkëtë, me qëllim që të ndërmjetësojë për ne përpara Perëndisë At, është e domosdoshme që Krishti të jetë një person veçantë Atit.

Për më tepër, Ati nuk është Fryma e Shenjtë, dhe Biri nuk është Fryma e Shenjtë. Mes tyre bëhet dallim në disa vargje. Jezusi thotë: “Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t`ju mësojë çdo gjë dhe do t`ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26). Fryma e Shenjtë lutet apo “ndërmjetëson” gjithashtu për ne (Rom. 8:27), duke treguar një dallim mes Frymës së Shenjtë dhe Perëndisë Atë tek i Cili bëhet ky ndërmjetësim.

Së fundi, fakti që Biri nuk është Fryma e Shenjë, është nënkuptuar gjithashtu në një sërë pasazhesh trinitariane të përmendura më herët, të tilla si Porosia e Madhe (Mat. 28:19), si dhe në pasazhe të cilat nënkuptojnë që Krishti u kthye në qiell dhe pastaj dërgoi Frymën e Shenjtë në kishë. Jezusi tha: “është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t`jua dërgoj” (Gjoni 16:7).

Disa e kanë vënë në pikëpyetje nëse Fryma e Shenjtë është me të vërtetë një person i veçantë, e jo thjesht “fuqia” apo “forca’ e Perëndisë në veprim në botë. Por provat që ofron Besëlidhja e Re janë mjaft të qarta dhe të forta.[59]9 Së pari, janë një sërë vargjesh të përmendura më përpara ku Fryma e Shenjtë është vënë në një marrëdhënie të bashkërenduar me Atin dhe Birin (Mat. 28:19; 1 Kor. 12:4–6; 2 Kor. 13:14; Efe. 4:4–6; 1 Pjetrit 1:2): përderisa edhe Ati edhe Biri janë të dy persona, shprehja bashkërenduar tregon me forcë që edhe Fryma e Shenjtë është gjithashtu një person. Pastaj ka vende ku përemri i gjinisë mashkullore ἥ (Gk. ἐκεῖνος, G1697) i vishet Frymës së Shenjtë (Gjoni 14:26; 15:26; 16:13–14), gjë të cilën nuk mund ta pritnim bazuar tek rregullat e gramatikës greke, sepse fjala “frymë” (Gk. πνεῦμα, G4460) është e gjinisë asnjanëse, jo mashkullore, dhe normalisht do t’i referoheshim me përemrin asnjanës ἐκεῖνο. Për më tepër, emri këshilltar apo ngushëllues (Gk. παράκλητος, G4156) është një term i cili përdoret rëndom për të folur për një person i cili ndihmon apo jep ngushëllim ndaj një personi apo personave të tjerë, por ja që ai përdoret për Frymën e Shenjtë në ungjillin e Gjonit (14:16, 26; 15:26; 16:7).

Edhe veprimtari të tjera personale i janë atribuuar Frymës së Shenjtë, si për shembull mësimdhënia (Gjoni 14:26), dëshmimi (Gjoni 15:26; Rom. 8:16), ndërmjetësimi apo lutja në emër të të tjerëve (Rom. 8:26–27), hulumtimi i të thellave të Perëndisë (1 Kor. 2:10), njohja e mendimeve të Perëndisë (1 Kor. 2:11), Gatishmëri për të shpërndarë disa dhurata ndaj disave si dhe dhurata të tjera të tjerëve (1 Kor. 12:11), ndalimi apo mos lejimi i disa veprimtarive të caktuara (Veprat 16:6–7), e folura (Veprat 8:29; 13:2; dhe shumë herë, si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe në atë të Renë), duke vlerësuar dhe aprovuar një linjë të mençur veprimi (Veprat 15:28), dhe të qenurit i pikëlluar nga mëkati në jetët e të krishterëve (Efe. 4:30).

Së fundi, nëse Fryma e Shenjtë merret vetëm si fuqia e Perëndisë, e jo si një person më vete, atëherë një sërë pasazhesh thjesht nuk do të kishin më kuptim sepse në to, Fryma e Shenjtë dhe fuqia e Tij apo fuqia e Perëndisë përmenden të dyja. Për shembull, “Luka” 4:14, “Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile,” do duhej që të kishte këtë kuptim: “Jezusi u kthye me fuqinë e fuqisë së Perëndisë në Galile.” Tek “Veprat” 10:38, “Perëndia vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin prej Nazareti,” do të thoshte: “Perëndia e shuguroi Jezusin me fuqinë e Perëndisë dhe me fuqi” (shiko gjithashtu “Rom.” 15:13; “1 Kor.” 2:4).

Paçka se ka kaq shumë pasazhe të cilat bëjnë një dallim të qartë mes Frymës së Shenjtë, nga pjesëtarët e tjerë të Trinisë, një varg i vështirë ka qenë “2 Korintasve” 3:17: “Por Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje ka liri.” Interpretuesit shpesh herë supozojnë që “Zoti” këtu duhet të nënkuptojë Krishtin, për shkak se Pali shpesh përdor fjalën “Zot” për t’iu referuar Krishtit. Por me shumë mundësi, nuk është ky rasti i këtushëm, sepse mund të argumentohet mirë nga gramatika dhe konteksti për të thënë që ky varg përkthehet më mirë me Frymën e Shenjtë si kryefjalë, “Zoti është Fryma ....”[60]10 Në këtë rast, Pali do të ishte duke thënë që Fryma e Shenjtë është gjithashtu “Jahve” (apo “Jehova”), Zoti i Besëlidhjes së Vjetër (vini re sfondin e qartë të Besëlidhjes së Vjetër në këtë kontekst, duke filluar nga v. 7). Teologjikisht, kjo do të ishte mjaft e pranueshme, sepse me të vërtetë do të mund të thuhej se ashtu sikurse Perëndia Atë është “Zot” dhe Perëndia Bir është “Zot” (në kuptimin e plotë të Besëlidhjes së Vjetër të emrit “Zot” si emër i Perëndisë), po kështu edhe Fryma e Shenjtë është Ai i quajtur “Zot” në Besëlidhjen e Vjetër, dhe është Fryma i Shenjtë i Cili manifeston veçanërisht praninë e Zotit tek ne në epokën e besëlidhjes së re.[61]11

2. Secili Person është plotësisht Perëndi. Përmbi faktin që të tre personat janë të veçantë, dëshmia e bollëkshme e Shkrimit, është që secili person është plotësisht Perëndi gjithashtu.

Së pari, Perëndia Atë është qartësisht Perëndi. Kjo është e dukshme që prej vargut të parë të Biblës, ku Perëndia krijoi qiellin dhe tokën. Është e dukshme përgjatë gjithë Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re, ku Perëndia At, shikohet qartësisht si Zoti sovran mbi të tërë dhe ku Jezusi i lutet Atit të Tij në qiell.

Pastaj, Biri është tërësisht Perëndi. Paçka se kjo pikë do të trajtohet në më shumë hollësi në kapitullin 26, “Personi i Krishtit,” ne mund të vërejmë shkurtimisht një sërë pasazhesh të qarta në këtë pikë. “Gjoni” 1:1–4 pohon qartësisht hyjninë e plotë të Krishtit:

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (Fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha u bënë me anë të tij (Fjalës) dhe pa atë nuk u bë as edhe një nga ato që janë bërë. Në të ishte jeta; dhe jeta ishte drita e njerëzve.

Krishtit këtu iu është referuar me emrin “Fjala,” dhe Gjoni thotë edhe që Ai ishte “me Perëndinë” e edhe që Ai “ishte Perëndi.” Teksti greqisht i bën jehonë fjalëve hapëse të “Zanafillës” 1:1 (“Në fillim...”) dhe na kujton që Gjoni po flet rreth diçkaje që ishte e vërtetë që përpara se të bëhej bota. Perëndia Bir ishte gjithnjë tërësisht Perëndi.

Përkthimi i “Fjala ishte Perëndi” është sfiduar nga Dëshmitarët e Jehovait, të cilët e përkthejnë atë: “Fjala ishte një perëndi” duke nënkuptuar që Fjala ishte thjeshtë një qenie qiellore, por jo plotësisht hyjnor. Ata e justifikojnë këtë përkthim duke treguar për nga fakti që nyja shquese (Gr. ὁ, G3836,) nuk shfaqet përpara fjalës greke θεός (G2536, “Perëndi”). Për pasojë ata thonë se θεός duhet përkthyer “një perëndi.” Sidoqoftë, interpretimi i tyre nuk është ndjekur nga asnjë studiues i njohur i greqishtes ngado janë, sepse dihet gjerësisht që kjo fjali ndjek një rregull të zakonshëm të gramatikës greke, dhe mungesa e nyjës shquese tregon thjesht që “Perëndia” është kallëzuesi e jo kryefjala e fjalisë.[62]12 (Një botim i kohëve të fundit nga Dëshmitarët e Jehovait, tani e pranon rregullin gramatikor përkatës, por vazhdon t’i qëndrojë gjithsesi pozitës së tyre për sa i takon “Gjonit” 1:1.)[63]13

Papërputhshmëria e pozitës së Dëshmitarëve të Jehovait, mund të shikohet më tej në përkthimin e tyre të pjesës tjetër të kapitullit. Për arsye të ndryshme të tjera gramatikore, fjalës θεός (G2536) i mungon gjithashtu nyja shquese në vende të tjera të këtij kapitulli, si për shembull në vargun 6 (“Qe një njeri i dërguar nga Perëndia”), vargu 12 (“pushtet të bëhen bij të Perëndisë”), vargu 13 (“prej Perëndisë”), si dhe vargu 18 (“Askush s`e pa Perëndinë kurrë”). Nëse Dëshmitarët e Jehovait do të tregoheshin të njëtrajtshëm në argumentin e tyre rreth mungesës së nyjës shquese, do t’u duhej që të tëra këto raste t’i përkthenin me frazën “një perëndi,” por ja që në çdo rast e përkthejnë “Perëndi”.

“Gjoni” 20:28 në kontekstin e vet, është gjithashtu një provë e fortë e hyjnisë së Krishtit. Thomai kishte dyshuar për raportet e dhëna nga dishepujt e tjerë që ata e kishin parë Jezusin të ringjallur, dhe tha se nuk do të besonte nëse nuk do mund të shikonte shenjat e gozhdëve në duart e Jezusit dhe të vinte dorën në plagën në brinjën e Tij (Gjoni 20:25). Më vonë Jezusi iu shfaq dishepujve kur Thomai ishte me ta. Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin tënd këtu dhe shiko duart e mia; dhe shtrije dorën tënde dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!»” (Gjoni 20:27). Në përgjigje ndaj kësaj, lexojmë: “Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: «Zoti im dhe Perëndia im!»!”’ (Gjoni 20:28). Këtu Thomai e quan Jezusin “Perëndia im.” Tregimi këtu tregon që si Gjoni që shkruan ungjillin e Tij ashtu edhe Jezusi Vetë, e aprovojnë atë që Thomai ka thënë dhe i inkurajojnë të tërë ata që dëgjojnë rreth Thomait që të besojnë të njëjtat gjëra që besoi edhe Thomai. Jezusi i përgjigjet aty për aty Thomait: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe besuan” (Gjoni 20:29). Për sa i takon Gjonit, kjo është pika e tij kulmore e ungjillit, sepse ai menjëherë u thotë lexuesve të vet—në pikërisht vargun tjetër—që kjo ishte arsyeja përse ai e shkroi këtë:

Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera para dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër. Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emër të tij. (Gjoni 20:30–31)

Jezusi flet për ata që nuk do ta shikojnë Atë e megjithëkëtë do të besojnë tek Ai, dhe Gjoni menjëherë pas kësaj u thotë lexuesve të tij që ai i dokumentoi ngjarjet e shkruara në ungjillin e tij, me qëllim që ata të mund të besojnë në pikërisht këtë mënyrë, duke nënkuptuar në këtë mënyrë Thomain në rrëfimin e besimit të tij. Me fjalë të tjera, i gjithë ungjilli është shkruar për t’i bindur njerëzit për të imituar Thomain, i cili me sinqeritet e quajti Jezusin: “Zoti im dhe Perëndia im.” Duke qenë se kjo është paraqitur nga Gjoni si qëllimi i ungjillit të tij, kjo fjali merr një forcë edhe më të madhe.[64]14

Pasazhe të tjerë që e tregojnë Jezusin si plotësisht hyjnor, përfshijnë “Hebrenjve” 1, ku autori thotë që Krishti është “vula e qenies së tij” (v. 3, Gr. χαρακτήρ, G5917, “kopja ekzakte”) e natyrës apo e qenies (Gr. ὑπόστασις, G5712) së Perëndisë—që do të thotë se Perëndia Bir, është kopja ekzakte e qenies apo e natyrës së Perëndisë Atë nga çdo pikëpamje: çfarëdo  atributesh apo fuqie që Perëndia Atë ka, Perëndia Bir i ka ato gjithashtu. Autori vazhdon duke iu referuar Birit si “Perëndi” në vargun 8 (“Ndërsa për të Birin thotë: ‘Froni yt, o Perëndi, është në jetë të jetëve”’), dhe Ai ia atribuon krijimin e qiejve Krishtit kur thotë për Të: “Ti, o Zot, në fillim themelove tokën; dhe qiejt janë vepër e duarve të tua” (Heb. 1:10, duke cituar Psa. 102:25). “Titit” 2:13 i referohet “të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht,” ndërsa “2 Pjetrit” 1:1 flet për “drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht:.”[65]15 “Romakëve” 9:5, duke folur për judenjtë, thotë: “Të tyret janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen”.[66]16

Në Besëlidhjen e Vjetër, “Isaia” 9:5 parashikon:

“Sepse na ka lindur një fëmijë,

një djalë na është dhënë;

Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria,

dhe do të quhet,

Këshilltar i Admirueshëm, Perëndi i fuqishëm”

Me aplikimin e kësaj profecie ndaj Krishtit, ajo i referohet Atij si “Perëndi i fuqishëm.” Vini re zbatimin e ngjashëm të titujve “Zot” dhe “Perëndi” në profecinë e ardhjes së Mesisë tek “Isaia” 40:3, “Shtroni udhën e ZOTIT, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë,” cituar nga Gjon Pagëzori në përgatitje për ardhjen e Krishtit tek “Mateu” 3:3.

Ka edhe shumë pasazhe të tjerë të cilët do të diskutohen në kapitullin 26 më poshtë, por këto duhet të jenë të mjaftueshme për të demonstruar që Besëlidhja e Re i referohet qartësisht Krishtit si plotësisht Perëndi. Ashtu sikurse Pali thotë tek “Kolosianëve” 2:9, “sepse në të banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.”

Pastaj, Fryma e Shenjtë është gjithashtu plotësisht Perëndi. Sapo kuptojmë që Perëndia At dhe Perëndia Bir, janë tërësisht Perëndi, atëherë shprehja trinitariane në vargje të tillë si “Mateu” 28:19 (“duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”) merr rëndësi sepse doktrina e Frymës së Shenjtë, për shkak se tregon që Fryma e Shenjtë është e klasifikuar në një nivel të barabartë me Atin dhe Birin. Kjo mund të shikohet nëse kuptojmë se sa e paimagjinueshme do të kishte qenë për Jezusin që të thoshte diçka të tillë si: “duke i pagëzuar ata në emrin e Atit dhe të Birit dhe të krye-engjëllit Mikael, kjo do të thoshte që një qenieje të krijuar t’i jepej një status tërësisht i papërshtatshëm, edhe kur këtu bëhet fjalë për një krye-engjëll. Përgjatë shekujve, besimtarët janë munduar të pagëzohen në emër (dhe kësisoj me marrjen përsipër të karakterit) të Perëndisë Vetë.[67]17 (Vini re gjithashtu, pasazhet e tjera të trinisë të përmendura më lart: “1 Kor.” 12:4–6; “2 Kor.” 13:14; “Efe.” 4:4–6; “1 Pjetrit” 1:2; “Juda” 20–21.)

Tek “Veprat” 5:3–4, Pjetri pyet Ananian: “Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë...? Ti nuk gënjeve njerëzit, por Perëndinë.” Sipas fjalëve të Pjetrit, t’i gënjesh Frymës së Shenjtë, do të thotë t’i gënjesh Perëndisë. Pali thotë tek “1 Korintasve” 3:16, “A nuk e dini se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” Tempulli i Perëndisë është vendi ku Perëndia Vetë banon, gjë të cilën Pali e shpjegon me faktin që “Fryma e Perëndisë” banon në të, duke barasvlerësuar dukshëm Frymën e Perëndisë me Perëndinë Vetë.

Tek “Psalmi” 139:7–8 Davidi pyet: “Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje!” Ky pasazh atribuon karakteristikën hyjnore të gjithëpranisë ndaj Frymës së Shenjtë, gjë kjo që nuk vlen për asnjë nga krijesat e Perëndisë. Duket që Davidi është duke e barasvlerësuar Frymën e Perëndisë me praninë e Perëndisë. Të largohesh nga Fryma e Perëndisë do të thotë të largohesh prej pranisë së Tij, por nëse Davidi nuk mund të largohet asgjëkund prej Frymës së Perëndisë, atëherë ai e di që kudo që të shkojë, do t’i duhet të thotë: “Ti je atje.”

Pali e atribuon karakteristikën hyjnore të gjithëdijes ndaj Frymës së Shenjtë tek “1 Korintasve” 2:10–11: “Sepse Fryma heton gjithçka, edhe të thellat e Perëndisë.  Sepse cili nga njerëzit njeh gjërat e njeriut, përveç frymës së njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë [Gr., fjalë për fjalë “gjërat e Perëndisë] përveç Frymës së Perëndisë.”

Për më tepër, veprimtaria e lindjes së re për të gjithë ata që janë lindur sërish, është vepër e Frymës së Shenjtë. Jezusi tha “Kush nuk lind nga uji dhe nga Fryma, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç’ka lindur nga mishi, është mish; dhe ç’ka lindur nga Fryma, është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri”’ (Gjoni 3:5–7). Por puna e dhënies së një jete të re shpirtërore ndaj njerëzve kur ata bëhen të krishterë, është diçka të cilën vetëm Perëndia mund ta bëjë (kr. “1 Gjonit” 3:9, “lindi prej Perëndisë”). Për rrjedhojë, ky pasazh jep edhe një tregues tjetër që Fryma e Shenjtë është plotësisht Perëndi.

Deri në këtë pikë, kemi dy përfundime, të dyja të dhëna shpesh herë mësim përgjatë gjithë Shkrimit:

1.     Perëndia është tri persona.

2.     Secili person është plotësisht Perëndi.

Nëse Bibla do të jepte mësim vetëm këto dy fakte, nuk do të kishte problem logjik fare në përshtatjen e tyre me njëri tjetrin, sepse zgjidhja e dukshme do të ishte që ka tre Perëndi. Ati është plotësisht Perëndi, Biri është plotësisht Perëndi, dhe Fryma e Shenjtë është plotësisht Perëndi. Ne do të kishim një sistem ku ka tre qenie njerëzore njëlloj hyjnorë. Një sistem i tillë gjërash të besuara do të quhej politeizëm, apo më specifikisht, “triteizëm,” apo një besim në tre Perëndi, por kjo është larg prej asaj që Bibla na mëson.

3. Ka një Perëndi. Shkrimi është shumë i qartë për faktin që ka një dhe vetëm një Perëndi. Tre personat e ndryshëm të Trinisë, nuk janë një vetëm në qëllim dhe në marrëveshje për atë që ata mendojnë, por ata janë një në esencë, një në natyrën e Tyre thelbësore. Me fjalë të tjera, Perëndia është vetëm një Qenie. Nuk ka tre Perëndi. Ka vetëm një Perëndi.

Një nga pasazhet më të njohura të Besëlidhjes së Vjetër, është “Ligji i Përtëtirë” 6:4–5: “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është Zot i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.”

Kur Moisiu këndon:

“Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot?

Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri,

i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?” (Eks. 15:11)

përgjigjja dukshëm është: “Askush.” Perëndia është unikal, dhe nuk ka asnjë si Ai, dhe as nuk mund të ketë si Ai. Faktikisht Salomoni lutet kështu: “me qëllim që tërë popujt e dheut të pranojnë që Zoti është Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër veç tij” (1 Mbretërve 8:60).

Kur Perëndia flet, Ai e bën të qartë në mënyrë të përsëritur që Ai është i vetmi Perëndi i vërtetë. Ideja që ka tre Perëndi që duhen adhuruar e jo një, do të ishte e pamendueshme në dritën e këtyre deklaratave skajshmërisht të forta. Vetëm Perëndia është Perëndia i vetëm e i vërtetë, dhe si Ai nuk ka asnjë tjetër. Kur Ai flet, po flet vetëm Ai. Ai nuk po flet si një Perëndi ndër tre syresh të cilët duhen adhuruar të tre. Ai thotë:

“Unë jam ZOTI dhe nuk ka asnjë tjetër,

jashtë meje nuk ka Perëndi;

Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje,

me qëllim që nga lindja në perëndim

të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje;

Unë jam ZOTI dhe nuk ka asnjë tjetër.” (Isa. 45:5–6)

Po kështu, Ai u bën thirrje të gjithë njerëzve në tokë, që të kthehen tek Ai:

Nuk ka Perëndi tjetër veç meje,

një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar;

nuk ka asnjë veç meje.

“Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni,

ju mbarë skaje të tokës!

Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.”

(Isa. 45:21–22; kr. 44:6–8)

Besëlidhja e Re pohon gjithashtu se ka një Perëndi. Pali shkruan: “Sepse një është Perëndia, dhe një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krishti Jezus” (1 Tim. 2:5). Pali pohon se: “ka vetëm një Perëndi” (Rom. 3:30), dhe se është “një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të” (1 Kor. 8:6).[68]18 Në fund, Jakobi e pranon që edhe demonët e dinë që ka një Perëndi, paçka se pranimi i tyre nga ana intelektuale i këtij fakti, nuk mjafton për t’i shpëtuar ata: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen” (Jakobi 2:19). Por në mënyrë të qartë, Jakobi pohon se njeriu “bën mirë” të besojë që “Perëndia është një.”

4. Zgjidhjet e thjeshtëzuara duhet që të tëra të mohojnë një fill të mësimit biblik. Tanimë kemi tre deklarata, të cilat janë të treja të dhëna mësim në Shkrimin:

1.     Perëndia është tri persona.

2.     Secili person është plotësisht Perëndi.

3.     Ka një Perëndi.

Përgjatë gjithë historisë së kishës, ka patur përpjekje për të gjetur një zgjidhje të thjeshtë ndaj doktrinës së Trinisë, duke mohuar njërën apo tjetrën e këtyre deklaratave. Nëse dikush mohon deklaratën e parë atëherë na mbetet vetëm fakti që secili prej personave të quajtur në Shkrim (Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë) është Perëndi, dhe që ka një Perëndi. Por nëse nuk na duhet të themi që ata janë persona të veçantë, atëherë ka një zgjidhje të lehtë: këto janë thjesht emra të ndryshëm për një person i cili vepron ndryshe në kohë të ndryshme. Nganjëherë, ky person e quan veten Atë, nganjëherë e quan Veten Bir, dhe nganjëherë e quan Veten Frymë.[69]19 Këtë ne nuk e kemi të vështirë ta kuptojmë, sepse nga përvoja jonë i njëjti person mund të veprojë në një kohë si avokat (për shembull), në një kohë tjetër si baba ndaj fëmijës së vet, dhe në një kohë tjetër si bir në lidhje me prindërit e vet. Po i njëjti person është avokat, baba dhe bir. Por një zgjidhje e tillë do të mohonte faktin që të tre personat janë individë të veçantë, që Perëndia Atë dërgon Perëndinë Bir në botë, që Biri i lutet Atit e që Fryma e Shenjtë ndërmjetëson tek Ati për ne.

Një zgjidhje tjetër e thjeshtë mund të gjendet duke mohuar deklaratën e dytë që është, mohimi që disa persona të përmendur me emër në Shkrim janë me të vërtetë plotësisht Perëndi. Nëse ne thjesht i përmbahemi idesë që Perëndia është tri persona, dhe se ka vetëm një Perëndi, atëherë ne mund të tundoheshim të thoshim se disa prej “personave” në këtë një Perëndi, nuk janë plotësisht Perëndi, por vetëm të nënshtruar Perëndisë apo pjesë të krijuara të Tij. Kjo zgjidhje do të pranohej për shembull prej atyre të cilët e mohojnë hyjninë e plotë të Birit (dhe të Frymës së Shenjtë).[70]20 Por, siç e pamë, kjo zgjidhje do duhej të mohonte një kategori të tërë të mësimit biblik.

Së fundi, siç është vërejtur edhe më lart, një zgjidhje e thjeshtë mund të vijë nga mohimi që ka vetëm një Perëndi. Por kjo do të çonte në një besim në tri Perëndi, diçka kjo që bie qartësisht në kundërshtim me Shkrimin.

Paçka se gabimi i tretë nuk ka qenë i përhapur, siç do ta shikojmë më poshtë, secili prej dy gabimeve të para është shfaqur hera herës në historinë e kishës, dhe vazhdojnë të hasen edhe sot e kësaj dite në disa grupe.

5. Të tëra analogjitë kanë mangësi. Nëse nuk mund të adoptojmë ndonjë prej këtyre zgjidhjeve të thjeshta, atëherë si do mund t’i vëmë bashkë të vërtetat e Shkrimit dhe ndërkohë të mbajmë doktrinën e Trinisë? Nganjëherë, njerëzit kanë përdorur një sërë analogjish të marra nga natyra apo përvoja njerëzore, në përpjekje për ta shpjeguar këtë doktrinë. Paçka se këto analogji janë të dobishme në një nivel elementar të fjalës, të tëra ato dalin të jenë të pamjaftueshme apo ç’orientuese kur reflekton më tej për to, Të thuash për shembull që Perëndia është si një tërfil me tre gjethe, që ka tre pjesë e megjithëkëtë mbetet një tërfil, dështon për shkak se secila gjethe, është vetëm pjesë e tërfilit, dhe se asnjë gjethe nuk mund të thuhet se është tërfil i tërë. Por në Trini, secili person, nuk është thjeshtë një pjesë e veçantë e Perëndisë, por secili person është plotësisht Perëndi. Për më tepër, gjethja e një tërfil është jovetore dhe nuk ka personalitet të veçantë dhe kompleks ashtu siç ka secili person i Trinisë.

Të tjerë kanë përdorur analogjinë e një peme me tre pjesë: rrënjët, trungu dhe degët përbëjnë të tëra një pemë të vetme. Por këtu ngrihet një problem i ngjashëm, pasi këto janë vetëm pjesë të një peme, dhe për asnjë prej pjesëve nuk mund të thuhet se është një pemë e tërë. Për më tepër, në këtë analogji, pjesët kanë cilësi të ndryshme, ndryshe nga personat e Trinisë ku të tërë zotërojnë të tëra atributet e Perëndisë në masë të njëjtë, dhe mungesa e personalitetit në secilën pjesë është gjithashtu një mangësi.

Analogjia me tre format e ujit (avull, lëng dhe akull) është gjithashtu e papërshtatshme sepse (a) asnjë sasi uji nuk është ndonjëherë të tri këto gjëra njëherësh,[71]21 (b) ato kanë cilësi apo karakteristika të ndryshme, (c) analogjia nuk ka asgjë që i korrespondon faktit që ka vetëm një Perëndi (nuk ka një gjë të tillë si “një ujë” apo “i gjithë uji në univers”), dhe (d) elementi i personalitetet inteligjent mungon.

Analogji të tjera janë marrë nga përvoja njerëzore. Mund të thuhet se Trinia është diçka e tillë si një njeri që është edhe fermer, edhe kryebashkiaku i qytezës së vet, dhe plak në kishën e vet. Ai funksionon në role të ndryshme në kohë të ndryshme, por është një njeri i vetëm. Sidoqoftë, kjo analogji është shumë e mangët sepse ka vetëm një person që po i bën të tre këto veprimtari në kohë të ndryshme, dhe kjo analogji nuk mund të prekë edhe ndërveprimin personal ndër pjesëtarët e Trinisë. (Në fakt, kjo analogji thjesht jep mësim herezinë e quajtur modalizëm të diskutuar më poshtë.)

Një analogji tjetër e marrë nga jeta njerëzore, është bashkimi i intelektit, emocioneve dhe i vullnetit në një person njerëzor. Megjithëse këto janë pjesë e një personaliteti, sidoqoftë, asnjë faktor më vete nuk përbën të tërë personin, dhe pjesët nuk janë identike në karakteristikat e tyre por kanë aftësi të ndryshme.

Atëherë çfarë analogjie të përdorim për të dhënë mësim Trininë? Paçka se Bibla përdor shumë analogji nga natyra dhe jeta për të na mësuar aspekte të ndryshme të karakterit të Perëndisë (Perëndia është si një shkëmb në besnikërinë e Tij, Ai është si një bari në kujdesin që tregon, etj.), është interesante që Shkrimi nuk përdor askund ndonjë analogji për të dhënë mësim doktrinën e Trinisë. Ajo që i afrohet më shumë një analogjie, gjendet në vetë titujt “Atë” dhe “Bir”, tituj këto që tregojnë qartësisht për persona të veçantë nga njëri-tjetri si dhe për marrëdhënien e ngushtë që ekziston mes tyre në një familje njerëzore. Por në nivel njerëzor, sigurisht që kemi dy qenie njerëzore të veçanta, e jo një qenie të përbërë nga tre persona të veçantë nga njëri-tjetri. Më e mira do ishte të dilnim në përfundimin që asnjë analogji nuk na mëson në mënyrë adekuate rreth Trinisë, dhe të tëra ato të shpien në rrugë shumë të gabuara.

6. Perëndia përjetësisht dhe domosdoshmërisht ekziston si Trini. Kur u krijua universi, Perëndia Atë foli fjalët e fuqishme krijuese që e sollën universin në ekzistencë, Perëndia Bir qe faktori hyjnor që zbatoi këto fjalë (Gjoni 1:3; 1 Kor. 8:6; Kol. 1:16; Heb. 1:2), dhe Perëndia Frymë e Shenjtë qe aktiv “lëvizte mbi sipërfaqen e ujërave.” (Zan. 1:2). Kështu është ashtu sikurse do të pritnim: nëse të tre pjesëtarët e Trinisë janë në mënyrë të barabartë dhe plotësisht hyjnorë, atëherë Ata kanë ekzistuar që të tre në amshim dhe Perëndia ka ekzistuar përjetësisht si Trini (kr. gjithashtu “Gjoni” 17:5, 24). Për më tepër, Perëndia nuk mund të jetë tjetër gjë nga ç’është, sepse Ai është i pandryshueshëm (shiko kapitullin 11 më lart). Për rrjedhojë, duket e drejtë të dalim në përfundimin që Perëndia domosdoshmërisht ekziston si një Trini. Ai nuk mund të jetë ndryshe nga ç’është.

C. Gabime janë shfaqur duke mohuar cilëndo prej tre deklaratave që përmbledhin mësimin biblik

Në seksionin e mëparshëm, e pamë se si Bibla kërkon që ne të pranojmë tre deklaratat e mëposhtme:

1.     Perëndia është tre persona.

2.     Secili person është tërësisht Perëndi.

3.     Ka vetëm një Perëndi.

Përpara se të diskutojmë më tej dallimet mes Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, si dhe raportin që Ata kanë me Njëri-Tjetrin, është e rëndësishme që të kujtojmë disa prej gabimeve doktrinare rreth Trinisë që janë bërë përgjatë historisë së kishës. Në këtë vështrim të përgjithshëm historik, ne do të shikojmë disa prej gabimeve të cilat edhe ne vetë duhet të shmangim në të menduarit e mëtejshëm rreth kësaj doktrine. Në fakt, gabimet kryesore trinitariane që kanë dalë, kanë ardhur përmes një mohimi të njërës apo tjetrës prej këtyre tri deklaratave kryesore.[72]22

1. Modalizmi pretendon se Perëndia është një person i Cili na shfaqet në tre forma (apo “moda”) të ndryshme. Në kohë të ndryshme, njerëzit kanë dhënë mësim që Perëndia nuk është në të vërtetë tre persona të veçantë, por vetëm një person i Cili u shfaqet njerëzve në “forma” të ndryshme në kohë të ndryshme. Për shembull, në Besëlidhjen e Vjetër, Perëndia u shfaq si “Atë.” Përgjatë ungjijve, po Ky person hyjnor u shfaq si “Bir” siç u pa në jetën dhe shërbesën njerëzore të Jezusit. Pas Rrëshajave, po Ky person më pas e zbuloi Veten si “Frymë” duke luajtur një rol aktiv në kishë.

Ky mësim njihet gjithashtu edhe me dy emra të tjerë. Nganjëherë ai është quajtur sabellianizëm, duke e marrë emrin nga Sabelli i cili jetoi në Romë në fillim të shekullit të tretë mbas K. Një term tjetër për modalizmin është “monarkianizmi modalist,” për shkak se ky mësim jo vetëm që thotë se Perëndia e zbuloi veten në “forma (apo modalitete)” të ndryshme por gjithashtu thotë se ka vetëm një sundimtar suprem (“monark”) në univers dhe se Ai është Perëndia Vetë, i Cili përbëhet nga vetëm një person.

Modalizmi bëhet tërheqës bazuar nga dëshira për të theksuar qartë faktin që ka vetëm një Perëndi. Ai mund të gjejë mbështetje jo vetëm nga pasazhet që flasin rreth një Perëndie të vetëm, por gjithashtu nga pasazhe të tillë si “Gjoni” 10:30 (“Unë dhe Ati jemi një”) dhe “Gjoni” 14:9 (“Kush më ka parë mua, ka parë Atin”). Sidoqoftë, pasazhi i fundit mundet që vetëm të nënkuptojë se Jezusi e zbuloi plotësisht karakterin e Perëndisë Atë, dhe pasazhi i mëparshëm (Gjoni 10:30), në një kontekst në të cilin Jezusi pohon se do të kryejë gjithçka që Ati i ka dhënë Atij për të bërë, dhe për të shpëtuar të gjithë ata që Ati i ka dhënë Atij, duket se nënkupton që Jezusi dhe Ati janë një në qëllim (paçka se kjo mund të nënkuptojë njëjësi në esencë).

Mangësia fatale e modalizmit, është fakti që ai duhet të mohojë marrëdhënien personale brendapërbrenda Trinisë e cila haset në kaq shumë vende të Shkrimit (apo duhet të pohojë që këto ishin thjesht një iluzion e jo realitet). Kësisoj, kjo duhet të mohojë tre persona të veçantë në pagëzimin e Jezusit, ku Ati flet nga qielli dhe Fryma zbret mbi Jezusin në formën e një pëllumbi. Kjo duhet të thotë që të tëra ato raste ku Jezusi i lutet Atit, janë një iluzion apo një pretendim i pavlerë. Ideja që Biri apo Fryma e Shenjtë ndërmjetëson për ne përpara Perëndisë Atë, humbet. Së fundi, modalizmi në fund humbet thelbin e doktrinës së shlesës, që është ideja që Perëndia dërgoi Birin e Tij si një flijim zëvendësues, dhe që Biri mbajti mbi Vete zemërimin e Perëndisë në vendin tonë, dhe që Ati, përfaqësues i interesave të Trinisë, i pa vuajtjet e Krishtit dhe u kënaq (Isa. 53:11).

Për më tepër, modalizmi mohon pavarësinë e Perëndisë, sepse n.q.se Perëndia është vetëm një person, atëherë Ai nuk ka asnjë aftësi për të dashur dhe komunikuar pa persona të tjerë në krijimin e Tij. Për rrjedhojë, qe e domosdoshme për Perëndinë që ta krijonte botën, dhe Perëndia nuk do të ishte më i pavarur nga krijimi (shiko kapitullin 12 më lart, mbi pavarësinë e Perëndisë).

Një denominacion i tanishëm përbrenda Protestandizmit (i përkufizuar gjerësisht), i quajtur Kisha e Bashkuar Pentekostale, është modaliste në pozitën e saj doktrinare.[73]23

2. Arianizmi mohon hyjninë e plotë të Birit dhe të Frymës së Shenjtë. 

a. Polemika Ariane: Termi Arianizëm është marrë nga Ariusi, një peshkop i Aleksandrisë pikëpamjet e të cilit u dënuan në këshillin e Nicesë në vitin 325 mbas K., dhe që vdiq më 336 mbas K. Ariusi mësonte që Perëndia Bir u krijua në një kohë të caktuar nga Perëndia Atë, dhe se përpara asaj kohe, Biri nuk ekzistonte, e as Fryma e Shenjtë, por vetëm Ati. Kësisoj, paçka se Biri është një qenie qiellore që ekzistonte përpara pjesës tjetër të krijimit, dhe që është shumë më i madh se tërë pjesa tjetër e krijimit, Ai megjithëkëtë nuk është i barabartë me Atin në të gjitha atributet e Tij. Për Të madje mund të thuhet se është “si Ati” apo “i ngjashëm me Atin” në natyrën e Vet, por nuk mund të thuhet se është “i të njëjtës natyre” me Atin.

Arianët vareshin shumë tek ato tekste ku Krishti quhet “i vetmëlinduri” Bir i Perëndisë (Gjoni 1:14; 3:16, 18; 1 Gjoni 4:9). Nëse Krishti qe “lindur” nga Perëndia Atë, arsyetonin ata, kjo duhet medoemos të nënkuptojë që Ai u soll në jetë nga Perëndia Atë (sepse fjala “lind” në përvojën njerëzore i referohet rolit të babait në ngjizjen e një fëmije). Një mbështetje e mëtejshme për pikëpamjen ariane, u gjet tek “Kolosianëve” 1:15, “Ai është shëmbëllimi i Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese.” A nuk nënkupton i “parë-linduri” këtu që Biri në një pikë të caktuar u soll në ekzistencë nga Ati?[74]24 Dhe nëse kjo vlen me të vërtetë të thuhet për Birin, duhet me doemos të jetë e vërtetë edhe për Frymën e Shenjtë gjithashtu.

Por këto tekste nuk kërkojnë prej nesh të marrim pozicionin arianist. “Kolosianëve” 1:15, që e quan Krishtin “ i parëlinduri i çdo krijese,” kuptohet më mirë me kuptimin që Krishti ka të drejtat apo privilegjet e të “parëlindurit, që do të thotë se në përputhje me përdorimin dhe zakonin biblik, e drejta e drejtimit apo autoriteti në familje për atë brez i takon atij. (Vini re “Heb.” 12:16 ku për Esaun thuhet se e shiti “statusin e tij të të parëlindurit” apo “të drejtën e lindjes—fjala në greqisht πρωτοτόκια, G4757, është e afërt me termin πρωτότοκος, G4758, “i parëlindur” tek “Kol.” 1:15.) Kështu, “Kolosianëve” 1:15 do të thotë që Krishti ka privilegjet e autoritetit dhe sundimit, privilegjet e përkatësisë ndaj të “parëlindurit,” por në lidhje me të tërë krijimin. Versioni i Biblës në anglisht i titulluar NIV, e përkthen këtë në një mënyrë ndihmuese, “i parëlinduri mbi gjithë krijesën.”

Sa për tekstet të cilat thonë se Krishti qe i vetmëlinduri Bir” i Perëndisë, kisha e hershme e ndjeu kaq të fortë forcën e shumë teksteve të tjera të cilat tregojnë që Krishti ishte plotësisht dhe tërësisht Perëndi, saqë doli në përfundimin që çfarëdo domethënie të kishte termi “i vetmëlindur” një gjë ishte e sigurt: që ai term nuk nënkuptonte “i krijuar.” Për rrjedhojë, besorja e Nicesë më 325 pohoi se Krishti qe “i lindur, jo i bërë”:

Ne besojmë në një Perëndi, Ati i plotfuqishëm, Bërësi i të gjitha gjërave të dukshme e të padukshme, dhe në një Zot Jezus Krisht, Biri i Perëndisë, lindur nga Ati, i vetmëlindur; d.m.th. i esencës së Atit, Perëndi prej Perëndisë, Dritë prej Dritës, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i lindur, jo i bërë, duke qenë i të njëjtës substancë (ὁμοούσιον) me Atin....[75]25

Po kjo frazë u ripohua në Këshillin e Konstantinopojës më 381. Plus kësaj, fraza “përpara tërë epokave” u shtua pas “i lindur prej Atit,” për të treguar që kjo “lindje” qe e përjetshme. Ajo nuk filloi kurrë të ndodhë, por është diçka që ka qenë përjetësisht e vërtetë për sa i takon marrëdhënies mes Atit dhe Birit. Sidoqoftë, natyra e asaj “lindjeje” nuk është përkufizuar kurrë shumë qartë, përveçse aq sa për të shprehur se ka të bëjë me marrëdhënien mes Atit dhe Birit, dhe që në një farë kuptimi, Ati ka patur përjetësisht një parësi në atë marrëdhënie.

Si një mospranim i mëtejshëm i mësimit të Ariusit, Besorja e Nicesë këmbëngulte që Krishti ishte “i të njëjtës substancë me Atin.” Polemika me Ariusin ishte në lidhje me dy fjalët që janë bërë ta famshme në historinë e doktrinës së krishterë, ὁμοούσιος (“i të njëjtës natyrë”) dhe ὁμοιούσιος (“i një natyre të ngjashme”).[76]26 Ndryshimi varet nga kuptimi i ndryshëm i dy parashtesave në greqisht, ὁμο- që ka kuptimin “e njëjtë,” dhe ὁμοι- që ka kuptimin “e ngjashme.” Ariusi thoshte me kënaqësi që Krishti ishte një qenie qiellore mbinatyrore dhe se Ai qe krijuar nga Perëndia përpara krijimit të pjesës tjetër të universit, dhe madje që Ai qe i “ngjashëm” me Perëndinë në natyrën e Tij. Kësisoj, Ariusi do të binte dakord me fjalën ὁμοιούσιος. Megjithëkëtë, Këshilli i Nicesë më 325 si dhe Këshilli i Konstantinopojës më 381 e kuptoi që kjo nuk shkonte aq thellë sa duhej, sepse nëse Krishti nuk është i ekzaktësisht të njëjtës natyre me Atin, atëherë Ai nuk është plotësisht Perëndi. Kështu, të dyja këshillet këmbëngulën që të krishterët ortodoksë ta pranojnë Jezusin si ὁμοούσιος i të njëjtës natyrë me Perëndinë Atë. Dallimi mes këtyre dy fjalëve, qe vetëm një germë, konkretisht germa greke iota, dhe disa e kanë kritikuar kishën që ka lejuar një mosmarrëveshje doktrinare mbi një germë të vetme që të tërheqë kaq shumë vëmendje për pjesën më të madhe të shekullit të katërt mbas K. Disa kanë pyetur: “A mund të ketë ndonjë gjë më të pamend sesa të debatosh për një germe të vetme në një fjalë?” Por dallimi mes dy fjalëve qe i thellë, dhe prania apo mungesa e iotës, vërtetë që shënonte dallimin mes krishterimit biblik me një doktrinë të vërtetë të Trinisë nga njëra anë, dhe një herezie e cila nuk pranon hyjninë e plotë të Krishtit, dhe për rrjedhojë qe jotrinitariane dhe si përfundim shkatërrimtare e të tërë besimit të krishterë.

b. Vartësia: Në pohimin që Biri ishte i të njëjtës natyrë me Atin, kisha e hershme gjithashtu përjashtoi një doktrinë të rreme të lidhur me këtë: vartësinë. Ndërkohë që arianizmi besonte që Biri qe krijuar dhe nuk qe hyjnor, ideja e vartësisë thoshte se Biri qe i përjetshëm (jo i krijuar) dhe hyjnor, por gjithsesi jo i barabartë me Atin qoftë në qenie, qoftë në atribute. Biri qe inferior apo “i varur” në qenie ndaj Perëndisë Atë.[77]27 Një nga etërit e hershëm të kishës, Origjeni (l. rreth 185 – v. rreth 254 mbas K.) mbrojti një formë të vartësisë së Birit duke thënë se Biri qe inferior ndaj Atit në qenie, dhe që Biri në përjetësi e derivon qenien e Tij nga Ati. Origjeni po përpiqej të mbronte dallimin e Personave dhe po shkruante përpara se doktrina e Trinisë të qe formuluar qartësisht në kishë. Pjesa tjetër e kishës, nuk e ndoqi atë, por e refuzoi qartësisht mësimin e tij në Këshillin e Nicesë.

Paçka se shumë drejtues të kishës së hershme kontribuan në formulimin gradual të një doktrine të saktë të Trinisë, ajo më ndikuesja deri atëherë qe ajo e Athanasit. Ai qe vetëm njëzetenëntë vjeç kur erdhi në Këshillin e Nicesë në vitin 325, jo si një pjesëtar zyrtar, por si sekretar i Aleksandrit, Peshkopit të Aleksandrisë. Megjithëkëtë, mendja e tij e mprehtë dhe aftësia e tij për të shkruar, e lejoi atë që të kishte një ndikim të rëndësishëm tek rezultati i Këshillit, dhe ai vetë u bë Peshkopi i Aleksandrisë më 328. Edhe pse arianistët qenë dënuar në Nice, ata refuzuan të reshtnin së dhëni mësim të pikëpamjeve të tyre, dhe përdorën pushtetin e tyre të konsiderueshëm politik nëpër tërë kishën, për ta zgjatur edhe më tej polemikën në pjesën më të madhe të vazhdimit të shekullit të katërt. Athanasi u kthye në pikën qendrore të sulmit të Arianit, dhe ai i kushtoi të tërë jetën shkrimeve dhe mësimeve kundër herezisë ariane. “Ai u përndoq e u syrgjynos pesë herë brenda një periudhe shtatëmbëdhjetë vjeçare arratisjesh dhe fshehjesh,” por, në sajë të përpjekjeve të tij të palodhura, “pothuajse i vetëm, Athanasi e shpëtoi kishën nga intelektualizmi pagan.”[78]28 “Besorja e Athanasit” që mban emrin e tij, sot nuk besohet se e ka burimin nga Athanasi vetë, por është një afirmim shumë i qartë i doktrinës trinitariane që fitoi një përdorim gjithnjë e më të madh në kishë, aty rreth vitit 400 mbas K. e më tutje, dhe që vazhdon të përdoret në kishat protestante dhe katolike sot. (Shiko shtojcën 1.)

c. Adoptionizmi: Përpara se të lëmë pas diskutimin rreth arianizmit, duhet përmendur një mësim i rremë i lidhur me të. “Adoptonizmi” është pikëpamja sipas të cilës Jezusi jetoi si një njeri i zakonshëm derisa u pagëzua, por pastaj Perëndia e “adoptoi” Jezusin si “Birin” e Tij dhe i akordoi Atij fuqi mbinatyrore. Adoptionistët nuk besojnë se Krishti ekzistonte që përpara se Ai të lindte si njeri; për rrjedhojë, ata nuk e mendojnë Krishtin si të përjetshëm, dhe as si një qenie të lartësuar e të mbinatyrshme të krijuar nga Perëndia siç besojnë arianistët. Edhe pas “adoptimit” të Jezusit si “Biri” i Perëndisë, ata nuk e mendonin Atë si hyjnor në natyrën e Vet, por vetëm si një njeri të lartësuar të Cilin Perëndia e quajti “Biri” i Tij në një kuptim të pashoq.

Adoptionizmi nuk fitoi kurrë forcën e një lëvizjeje, ndryshe nga ç’ndodhi me arianizmin, por ka patur herë pas here njerëz të cilët kanë patur pikëpamje adoptoniste në kishën e hershme, paçka se pikëpamjet e tyre nuk janë pranuar kurrë si ortodokse. Shumë njerëz të kohëve të sotme të cilët e mendojnë Jezusin si një njeri të shkëlqyer dhe si dikush të fuqizuar veçanërisht prej Perëndisë, por jo me të vërtetë hyjnor, do të bien në kategorinë adoptoniste. E kemi vënë këtu në lidhje me arianizmin për shkak se edhe kjo mohon hyjninë e Birit (dhe në mënyrë të ngjashme, hyjninë e Frymës së Shenjtë).

Polemika mbi arianizmin u mbyll nga Këshilli i Konstandinopojës në vitin 381 mbas K. Ky këshill riafirmoi deklaratat e Nicesë dhe shtoi një deklaratë të hyjnisë së Frymës së Shenjtë, e cila ishte nën sulm në periudhën që prej Nicesë. Pas frazës: “Dhe në Frymën e Shenjtë,” Konstandinopoja shtoi: “Zoti dhe Dhënësi i Jetës; i Cili del nga Ati; i Cili me Atin dhe Birin së bashku adhurohet dhe përlëvdohet; i Cili foli nëpërmjet profetëve.” Versioni i besores i cili përfshin shtesat që u bënë në Kostandinopojë, është ajo që sot njihet rëndom si Besorja e Nicesë (Shiko f. 1169 për tekstin e Besores së Nicesë.)

d. Fraza Filioque (lat. dhe [nga] Biri): E lidhur me Besoren e Nicesë, një kapitull i trishtueshëm në historinë e kishës duhet vërejtur shkurtimisht. Konkretisht, polemika mbi ndërkalljen e fjalisë së nënrenditur filioque në Besoren e Nicesë, një ndërkallje kjo e cila si përfundim çoi në ndarjen mes krishterimit perëndimor (Katolik Romak) dhe krishterimit lindor (i cili sot përbëhet nga degë të ndryshme të krishterimit ortodoks lindor, si për shembull Kisha Ortodokse Greke, Kisha Ortodokse Ruse, etj.) në vitin 1054 mbas K..

Fjala filioque është një term latin që do të thotë “dhe nga Biri.” Ajo nuk qe përfshirë në Besoren e Nicesë as në versionin e parë të vitit 325 mbas K. e as në versionin e vitit 381 mbas K. Këto versione thoshin thjesht që Fryma e Shenjtë “del nga Ati.” Por në vitin 589 mbas K., në një këshill krahinor kishtar në Toledo (në zonën ku tani është Spanja), u shtua fraza “dhe Biri”, kështu, që atëherë besorja thoshte që Fryma e Shenjtë “del nga Ati dhe Biri (filioque).” Në dritën e “Gjonit” 15:26 dhe 16:7, Ku Jezusi tha se Ai do të dërgonte Frymën e Shenjtë në botë, duket se nuk mund të kishte kundërshtim ndaj një deklarate të tillë nëse ajo i referohej Frymës së Shenjtë që del nga Ati dhe Biri në një pikë kohore (veçanërisht në festën e Rrëshajave). Por kjo ishte një deklaratë rreth natyrës së Trinisë, dhe fraza kuptohej se fliste për marrëdhënien e përjetshme mes Frymës së Shenjtë dhe Birit, diçka kjo që Shkrimi nuk e diskuton kurrë shkoqur.[79]29 Forma e Besores së Nicesë e cila kishte këtë frazë shtesë, gradualisht fitoi një përdorim të përgjithshëm dhe mori një pranim zyrtar në vitin 1017 mbas K. E tërë polemika u ndërlikua nga politikat kishtare si dhe betejat për pushtet, dhe kjo pikë doktrinare mesa duket shumë e parëndësishme, qe çështja më kryesore doktrinare që çoi në ndarjen mes krishterimit lindor dhe atij perëndimor në vitin 1054 mbas K. (Çështja që fshihej poshtë kësaj, qe politike dhe konkretisht marrëdhënia e kishës Lindore me autoritetin e Papës.) Polemika doktrinare dhe ndarja mes dy degëve të krishterimit, nuk është zgjidhur as sot e kësaj dite.

A ka një pozicion të saktë kjo çështje? Pjesa më e madhe e provave (sado të pakta që të jenë) duket qartë se favorizon kishën perëndimore. Pavarësisht faktit që “Gjoni” 15:26 thotë se Fryma e të vërtetës “del nga Ati,” kjo nuk mohon faktin që Ai gjithashtu del nga Biri (tamam ashtu sikurse “Gjoni” 14:26 thotë që Ati do të dërgojë Frymën e Shenjtë, por “Gjoni” 16:7 thotë se Biri do të dërgojë Frymën e Shenjtë). Në fakt, në të njëjtën fjali tek “Gjoni” 15:26 Jezusi flet për Frymën e Shenjtë si një “që unë do t'ju dërgoj prej Atit.” Dhe, nëse Biri së bashku me Atin dërgon Frymën në botë, me analogji do të dukej e përshtatshme të thoje se kjo gjë pasqyron renditjen e përjetshme të marrëdhënieve të tyre. Kjo nuk është diçka tek e cila ne mund të këmbëngulim qartësisht bazuar në ndonjë varg specifik, por një pjesë e mirë e kuptimit tonë të marrëdhënieve të përjetshme ndërmjet Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, vijnë përmes analogjive të marra prej asaj që Shkrimi na thotë rreth raportit të tyre me krijimin në kohë. Për më tepër, formulimi lindor ka rrezik të sugjerojë një distancë jo të natyrshme mes Birit dhe Frymës së Shenjtë, që çon në mundësinë që edhe në adhurimin personal, një theksim në një përvojë më mistike të frymëzuar nga Fryma mund të ndiqet duke lënë pas dore adhurimin shoqërues të kuptueshëm në mënyrë të arsyeshme të Krishtit si Zot. Megjithëkëtë, polemika bënte fjalë tek e fundit për një pikë kaq të mjegullt të doktrinës (në thelb, marrëdhënia mes Birit dhe Frymës përpara krijimit) saqë pa dyshim që ajo nuk përligjte krijimin e ndasive në kishë.

e. Rëndësia e doktrinës së Trinisë: Përse kisha ishte kaq e preokupuar për doktrinën e Trinisë? A është me të vërtetë e rëndësishme të besosh në hyjninë e plotë të Birit dhe të Frymës së Shenjtë? Po, është, sepse ky mësim ka rrjedhoja për vetë thelbin e besimit të krishterë. Së pari, në rrezik është shlesa. Nëse Jezusi është thjesht një qenie e krijuar, dhe jo plotësisht Perëndi, atëherë është e vështirë të shikosh se si Ai, një krijesë, mund të mbajë të tërë zemërimin e Perëndisë kundër tërë mëkateve tona. A mundet cilado krijesë, pavarësisht se sa e madhe, të na shpëtojë me të vërtetë? Së dyti, drejtësimi vetëm përmes besimit, kërcënohet nëse ne mohojmë hyjninë e plotë të Birit. (Kjo gjë shikohet sot në mësimin e Dëshmitarëve të Jehovait të cilët nuk besojnë në drejtësimin vetëm nëpërmjet besimit.) Nëse Jezusi nuk është plotësisht Perëndi, ne me të drejtë do të dyshonim nëse mundemi me të vërtetë t’i besojmë Atij për të na shpëtuar plotësisht. A do mundemi që me të vërtetë të varemi nga çfarëdo krijesë plotësisht për shpëtimin tonë? Së treti, nëse Jezusi nuk është Perëndi i pafundmë, a duhet t’i lutemi Atij apo ta adhurojmë Atë? Kush tjetër përveçse një Perëndie të pafundmë dhe të gjithëditur mund të dëgjojë e t’u përgjigjet të tëra lutjeve të të tërë njerëzve të Perëndisë? Dhe kush përveç Perëndisë Vetë është i denjë për t’u adhuruar? Në fakt, nëse Jezusi është thjesht një krijesë, sado i madh që të ishte, do të qe idhujtari po ta adhuroje Atë. Megjithëkëtë, Besëlidhja e Re na urdhëron që ta bëjmë këtë (Fil. 2:9–11; Zbu. 5:12–14). Së katërti, nëse dikush jep mësim që Krishti ishte një qenie e krijuar, por gjithsesi një që na shpëtoi ne, atëherë ky mësim në mënyrë të gabuar fillon t’i japë meritë një krijese për shpëtimin tonë dhe jo Perëndisë Vetë. Kjo gjë do të përlartësonte në mënyrë të gabuar krijesën e jo Krijuesin, diçka kjo të cilën Shkrimi nuk na e kërkon kurrë që ta bëjmë. Së pesti, pavarësia dhe natyra personale e Perëndisë, janë në rrezik: Nëse nuk ka Trini, atëherë nuk do të kishte marrëdhënie ndërpersonale përbrenda qenies së Perëndisë përpara krijimit, dhe, pa marrëdhënie personale, është e vështirë të shikojmë se si Perëndia mund të jetë me të vërtetë personal apo të mos ketë nevojë për një krijim me të cilin të krijojë raport. Së gjashti, uniteti i universit është në rrezik. Nëse nuk ka shumësi të përsosur si dhe unitet të përsosur tek Perëndia Vetë, atëherë ne nuk kemi bazë për të menduar se mund të ketë tek e fundit unitet ndër elementët e ndryshëm edhe të universit gjithashtu. Është e qartë se në doktrinën e Trinisë, është në lojë vetë thelbi i besimit të krishterë. Hermën Bevinku (Herman Bavinck) thotë se: “Athanasi e kuptoi më mirë se cilido prej bashkëkohësve të vet që krishterimi qëndron ose rrëzohet në varësi të rrëfimit të hyjnisë së Krishtit dhe të Trinisë.”[80]30 Ai shton: “Në rrëfimin e Trinisë është vetë pulsi i fesë së krishterë: çdo gabim që rezulton nga, apo pas reflektimeve edhe më të thella, mund të gjendet se e ka origjinë në një pikëpamje të gabuar të kësaj doktrine.”[81]31

3. Triteizmi e mohon që ka vetëm një Perëndi. Një mënyrë e fundit e mundshme përpjekjeje për një pajtim të lehtë të mësimit të Biblës rreth Trinisë, do të ishte të mohoje faktin që ka vetëm një Perëndi. Rezultati është të thuash që Perëndia është tre persona dhe se secili person është plotësisht Perëndi. Për rrjedhojë, ka tre Perëndi. Teknikisht, ky këndvështrim do të njihej me termin “triteizëm.”

Pak vetë kanë patur këtë pikëpamje përgjatë historisë së kishës. Ajo ka ngjashmëri me shumë fe të lashta pagane të cilat besonin në një mori perëndish. Kjo pikëpamje do të çonte në një pështjellim të mendjes së besimtarëve. Nuk do të kishte adhurim, besnikëri apo devocion absolut ndaj një Perëndie të vërtetë. Ne do të pyetnim veten se kujt Perëndie duhet t’i lidhim besë. Dhe në një nivel më të thellë, kjo pikëpamje do të shkatërronte çfarëdo  kuptimi të unitetit më të lartë në univers: madje edhe në vetë qenien e Perëndisë do të kishte shumësi por jo unitet.

Paçka se asnjë grup modern nuk evokon triteizmin, ndoshta shumë ungjillorë sot padashur, kanë prirjen të shkojnë drejt pikëpamjeve triteiste të Trinisë, duke dalluar personshmërinë e veçantë të Atit, Birit dhe të Frymës së Shenjtë, por rrallëherë duke qenë të vetëdijshëm për unitetin e Perëndisë si një qenie e pandarë.

D. Cilat janë dallimet mes Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë?

Pas përfundimit të kësaj tabloje gabimesh në lidhje me Trininë, ne tani mund të ngremë pyetjen nëse mund të thuhet ndonjë gjë më shumë rreth dallimeve mes Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë. Po të themi që secili pjesëtar i Trinisë është plotësisht Perëndi, dhe se secili person zotëron plotësisht të tëra atributet e Perëndisë, atëherë, a ka ndonjë ndryshim ndër personat Vetë? Për shembull, ne nuk mund të themi se Ati është më i fuqishëm apo më i mençur sesa Biri, apo që Ati dhe Biri janë më të mençur sesa Fryma e Shenjtë, apo se Ati ekzistonte përpara se të ekzistonte Biri dhe Fryma e Shenjtë, sepse të thuash diçka të tillë është të mohosh hyjninë e plotë të të tre pjesëtarëve të Trinisë. Por atëherë cilat janë dallimet mes personave?

1. Personat e Trinisë kanë funksione të ndryshme primare në lidhje me Botën. Kur Shkrimi diskuton mënyrën në të cilën Perëndia është në raport me botën, si në krijim ashtu edhe në shpengim, personat e Trinisë thuhet se kanë funksione të ndryshme ose veprimtari kryesore. Nganjëherë, kjo është quajtur “ekonomia e Trinisë,” duke përdorur termin ekonomi në një kuptim të vjetër që nënkupton “renditje të veprimtarive.” (Në këtë kuptim, njerëzit flisnin për “ekonominë familjare” duke nënkuptuar jo thjesht çështjet financiare familjare, por gjithë “renditjet e veprimtarive” përbrenda familjes.) “Ekonomia e Trinisë” nënkupton mënyrat e ndryshme se si tre Personat veprojnë ndërkohë që janë në raport me botën dhe (siç do ta shikojmë në seksionin tjetër) ndaj njëri-tjetrit për gjithë përjetësinë.

Këto funksione të ndryshme i shikojmë në veprën e krijimit. Perëndia Atë foli fjalët krijuese për ta sjellë universin në ekzistencë, por ishte Perëndia Bir, Fjala e përjetshme e Perëndisë, Ai që zbatoi këto dekrete krijuese. “Të gjitha u bënë me anë të tij (Fjalës), dhe pa atë nuk u bë edhe një nga ato që janë bërë” (Gjoni 1:3). Për më tepër, “sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiej dhe ato mbi dhé, ato që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha janë krijuar me anë të tij dhe ndaj tij” (Kol. 1:16; shiko gjithashtu “Psa.” 33:6, 9; “1 Kor.” 8:6; “Heb.” 1:2). Fryma e Shenjtë qe gjithashtu veprues në një mënyrë të ndryshme në “lëvizje” apo “qëndrimin pezull” mbi sipërfaqen e ujërave (Zan. 1:2), me sa duket duke ruajtur dhe manifestuar praninë e drejtpërdrejtë të Perëndisë tek krijimi që kishte bërë (kr. “Psa.” 33:6, ku “Frymë” do të ishte ndoshta më mirë që të përkthehej “Shpirt”; shiko gjithashtu “Psa.” 139:7).

Në veprën e shpengimit, ka gjithashtu funksione të veçanta. Perëndia Atë planifikoi shpengimin dhe dërgoi Birin e Tij në botë (Gjoni 3:16; Gal. 4:4; Efe. 1:9–10). Biri iu bind Atit dhe realizoi shpengimin tonë (Gjoni 6:38; Heb. 10:5–7; etj.). Perëndia Atë nuk erdhi të vdiste për mëkatet tona, e as Perëndia Frymë e Shenjtë. Kjo ishte puna e veçantë e Birit. Pastaj, pasi Jezusi u ngjit përsëri në qiell, Fryma e Shenjtë u dërgua nga Ati dhe Biri për të zbatuar shpengimin tek ne. Jezusi flet për “Frymën e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim” (Gjoni 14:26), por thotë gjithashtu që Ai Vetë do të dërgojë Frymën e Shenjtë, sepse Ai thotë: “po shkova, unë do t’jua dërgoj” (Gjoni 16:7), dhe Ai flet për një kohë “kur të vijë Ngushëlluesi, që unë do t`ju dërgoj prej Atit, Fryma e së Vërtetës” (Gjoni 15:26). Është veçanërisht roli i Frymës së Shenjtë që të na japë ripërtëritje apo një jetë të re shpirtërore (Gjoni 3:5–8), për të na shenjtëruar (Rom. 8:13; 15:16; 1 Pjetrit 1:2), dhe për të na fuqizuar për shërbim (Veprat 1:8; 1 Kor. 12:7–11). Në përgjithësi, vepra e Frymës së Shenjtë duket se është realizimi i veprës që është planifikuar nga Perëndia Atë dhe e filluar nga Perëndia Bir. (Shiko kapitullin 30, mbi veprën e Frymës së Shenjtë.)

Kështu, mund të themi që roli i Atit në krijim dhe shpengim, ka qenë që të planifikojë, drejtojë dhe dërgojë Birin dhe Frymën e Shenjtë. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse tregon që Ati dhe Biri kanë një raport mes Tyre, ashtu sikurse një baba dhe një bir kanë raport me njëri tjetrin në një familje njerëzore: babai drejton dhe ka autorit mbi birin, dhe biri bindet dhe është reagues ndaj udhëzimeve të atit. Fryma e Shenjtë është e bindur ndaj direktivave si të Atit ashtu edhe të Birit.

Kështu, ndërkohë që personat e Trinisë janë të barabartë në të tëra atributet e tyre, ato gjithsesi ndryshojnë në marrëdhënien e tyre me krijimin. Biri dhe Fryma e Shenjtë janë të barabartë në hyjni me Perëndinë Atë, por ato janë të varur në rolet e tyre.

Për më tepër këto dallime në rol, nuk janë të përkohshme por do të zgjasin përgjithnjë. Pali na thotë se edhe pas gjykimit përfundimtar, kur “armiku i fundit,” që është, vdekja, të shkatërrohet dhe kur të tëra gjërat të jenë vënë nën këmbët e Krishtit, “atëherë Biri vetë do t`i nënshtrohet Atij që i nënshtroi gjithçka, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë” (1 Kor. 15:28).

2. Personat e Trinisë ekzistuan përjetësisht si Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Por përse personat e Trinisë morën këto role të ndryshme në lidhje me krijimin? A qe aksidentale apo arbitrare? A mundej Perëndia Atë të kishte ardhur në vend të Perëndisë Bir për të vdekur për mëkatet tona? A do mundej Fryma e Shenjtë të kishte dërguar Perëndinë Atë që të vdiste për mëkatet tona, dhe pastaj të dërgonte Perëndinë Bir për të zbatuar shpengimin tek ne?

Jo, nuk duket se këto gjëra do mund të kishin ndodhur sepse roli urdhërues, drejtues dhe dërgues është i përshtatshëm me pozitën e Atit, pas të Cilit merr shembull gjithë atësia njerëzore (Efe. 3:14–15). Dhe roli i bindjes, vajtja sipas dërgimit prej Atit, dhe zbulimi i Perëndisë ndaj nesh, i shkon për shtat rolit të Birit, i Cili është quajtur gjithashtu Fjala e Perëndisë (kr. Gjoni 1:1–5, 14, 18; 17:4; Fil. 2:5–11). Këto role nuk mund të ishin të anasjellshme sepse përndryshe Ati do të kishte reshtur së qenuri Ati dhe Biri do të kishte reshtur së qenuri Biri. Gjithashtu, nga analogjia prej asaj marrëdhënieje, ne mund të dalim në përfundimin që roli i Frymës së Shenjtë është në mënyrë të ngjashme një rol i përshtatshëm me marrëdhënien që Ai kishte me Atin dhe me Birin përpara se të krijohej bota.

Së dyti, përpara se Biri të vinte në tokë, dhe madje përpara se bota të krijohej, për tërë përjetësinë, Ati ka qenë Atë, Biri ka qenë Bir dhe Fryma e Shenjtë ka qenë Fryma e Shenjtë. Këto marrëdhënie janë të përjetshme, jo diçka që ka ndodhur vetëm në kohë. Në këtë përfundim mund të dalim nga pandryshueshmëria e Perëndisë (shiko kapitullin 11): nëse Perëndia tani ekziston si Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, atëherë Ai ka ekzistuar gjithnjë si Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Ne mund të dalim edhe në përfundimin tjetër që këto marrëdhënie janë të përjetshme, bazuar tek vargje të tjerë në Shkrim të cilat flasin për marrëdhëniet që pjesëtarët e Trinisë kishin me njëri tjetrin përpara krijimit të botës. Për shembull, kur Shkrimi flet për veprën zgjedhëse të Perëndisë (shiko kapitullin 32) përpara krijimit të botës, ai flet për Atin që na zgjodhi ne “në” Birin: “I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht... na zgjodhi në të përpara  themelimit të botës, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë  përpara tij në dashuri” (Efe. 1:3–4). Akti nismëtar i zgjedhjes, i është atribuuar Perëndisë Atë, i Cili na konsideron si të bashkuar me Krishtin apo “në Krishtin” përpara se të ekzistonim. Po kështu, për Perëndinë At, është thënë se “ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë njësoj me shëmbëllimin e Birit të tij” (Rom. 8:29). Ne gjithashtu lexojmë për “paranjohjen e Perëndisë, Atit” në dallim nga funksionet e veçanta të dy pjesëtarëve të tjerë të Trinisë (1 Pjetrit 1:2; kr. 1:20).[82]32 Edhe fakti që Ati “dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16) dhe “dërgoi Birin e vet në botë” (Gjoni 3:17) tregon se kishte një marrëdhënie At-Bir përpara se Krishti të vinte në botë. Biri nuk u bë Bir kur Ati e dërgoi në botë. Përkundrazi, dashuria e madhe e Perëndisë është treguar në faktin që Ai i Cili qe gjithnjë At’, dha Atë i Cili qe gjithnjë Biri i Tij i vetëm: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin...” (Gjoni 3:16). “por, kur erdhi plotësimi i kohës, Perëndia dërgoi Birin e tij” (Gal. 4:4).

Kur Shkrimi flet për krijimin, edhe një herë tjetër flet për Atin që krijon përmes Birit, duke lënë kësisoj të kuptohet një marrëdhënie që zë fill përpara se të fillonte krijimi (shiko Gjoni 1:3; 1 Kor. 8:6; Heb. 1:2; gjithashtu F. e Urta 8:22–31). Por askund nuk thotë që Biri apo Fryma e Shenjtë krijoi përmes Atit. Këto pasazhe nënkuptojnë përsëri se kishte një marrëdhënie mes Atit (si nismëtar) dhe Birit (si një faktor veprues) përpara krijimit dhe se kjo marrëdhënie e bëri të përshtatshme për personat e ndryshëm të Trinisë që të përmbushnin rolet që faktikisht ata përmbushën.

Për rrjedhojë, funksionet e ndryshme që ne shikojmë Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë të përmbushin, janë thjesht rezultate të një marrëdhënieje të përjetshme mes tre Personave, një marrëdhënie që ka ekzistuar gjithmonë e që do të ekzistojnë për gjithë përjetësinë. Perëndia ka ekzistuar gjithnjë si tre Persona të ndryshëm: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Këto dallime janë thelbësore për natyrën e Perëndisë Vetë, dhe nuk mund të ishin ndryshe.

Si përfundim, mund të thuhet se nuk ka dallime në hyjni, atribute apo natyrë thelbësore mes Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë. Secili person është plotësisht Perëndi dhe ka të tëra atributet e Perëndisë. I vetmi dallim mes pjesëtarëve të Trinisë, është tek mënyrat se si ata janë në raport me njëri tjetrin dhe me krijimin. Në këto marrëdhënie, ato përmbushin role të cilat janë të përshtatshme për secilin person.

Kjo e vërtetë rreth Trinisë, nganjëherë është përmbledhur me frazën “barazi ontologjike por vartësi në ekonominë e raportit,” ku fjala ontologjike do të thotë “qenie.” [83]33 Një mënyrë tjetër e shprehjes më thjeshtë të kësaj, do të ishte të thonim: “barazi në qenie por vartësi në role.” Të dyja pjesët e kësaj fraze, janë të domosdoshme për një doktrinë të vërtetë të Trinisë: Nëse nuk kemi barazi ontologjike, jo të tërë personat janë plotësisht Perëndi. Por, nëse nuk kemi vartësi në ekonominë e raportit,[84]34 atëherë nuk ka dallime të brendaqenësishme në mënyrën se si tre Personat janë në raport me njëri-tjetrin, dhe për pasojë, ne nuk kemi tre personat e veçantë që ekzistojnë si Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë për tërë përjetësinë. Për shembull, nëse Biri nuk është përjetësisht i varur ndaj Atit në rol, atëherë Ati nuk është përjetësisht “Atë” dhe Biri nuk është përjetësisht “Bir.” Kjo do të thoshte që Trinia nuk ka ekzistuar që prej përjetësisë.

Kjo është arsyeja përse ideja e një barazie të përjetshme në qenie por varësi në rol, ka qenë thelbësore për doktrinën e Trinisë për kishën, qëkurse u afirmua për herë të parë në Besoren e Nicesë që tha se Biri u “lind nga Ati përpara tërë epokave” dhe se Fryma e Shenjtë “del nga Ati dhe nga Biri.” Është për t’u habitur që disa vepra literature ungjillore të kohëve të fundit, e kanë mohuar një varësi të përjetshëm në rol ndër pjesëtarët e Trinisë,[85]35 por është e qartë se kjo ka qenë pjesë e doktrinës së Trinisë që kisha ka patur (në shprehjen e besimit Katolik, Protestant dhe Ortodoks), të paktën që prej Nicesë (325 mbas K.). Kështu, Çarlls Hodxh (Charles Hodge) thotë:

Doktrina e Nicesë përfshin: (1) parimin e varësisë së Birit ndaj Atit, dhe të Frymës ndaj Atit dhe Birit. Por, kjo varësi nuk nënkupton inferioritet....Varësia e nënkuptuar është vetëm ajo që ka të bëjë me formën e ekzistencës dhe operimit....

Besoret nuk janë asgjë më shumë se sa një renditje e përshtatshme e fakteve të Shkrimit të cilat kanë të bëjnë me doktrinën e Trinisë. Ato pohojnë personalitetin e veçantë të Atit, Birit dhe të Frymës...si dhe të barazisë së përsosur rrjedhuese; si dhe varësinë e Birit ndaj Atit dhe atë të Frymës ndaj Atit dhe Birit për sa i takon formës së ekzistencës dhe operimit. Këto janë fakte nga Shkrimi, të cilave, besoret në fjalë nuk u shtojnë asgjë; dhe në këtë kuptim ato janë pranuar nga Kisha universale. [86]36

Po kështu, A.H. Strong thotë:

Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, ndërkohë që janë të barabartë në esencë dhe denjësi, qëndrojnë për sa i takon njëri tjetrit në një rend personaliteti, posti dhe operimi....

Varësia e personit të Birit ndaj personit të Atit, apo me fjalë të tjera, një rend personaliteti, posti dhe operimi që e lejon Atin të jetë zyrtarisht i pari, Birin i dyti dhe Frymën të tretin, është plotësisht i përputhshëm me idenë e barazisë mes tyre. Parësia nuk është domosdoshmërisht superioritet....Ne sinqerisht dallojmë një varësi të përjetshme të Krishtit ndaj Atit por njëkohësisht besojmë se kjo varësi është një varësi e rendit, postit dhe operimit, e jo një varësi në esencë.[87]37

3. Cila është marrëdhënia mes tre Personave dhe qenies së Perëndisë? Pas diskutimit paraprirës, çështja e cila mbetet e pazgjidhur është: Cili është dallimi mes “personit” dhe “qenies” në këtë diskutim? Si mund të themi se Perëndia është një qenie e pandarë, e megjithëkëtë, që në këtë një Qenie ka tre persona?

Së pari, është e rëndësishme të pohojmë që secili prej këtyre tre Personave është tërësisht dhe plotësisht Perëndi; d.m.th. që secili person ka plotësinë e plotë të qenies së Perëndisë në Vetvete. Biri nuk është pjesërisht Perëndi apo thjesht një e treta e Perëndisë, por Biri është tërësisht dhe plotësisht Perëndi, dhe po kështu është Ati dhe Fryma e Shenjtë. Kësisoj, nuk do të ishte e drejtë që ta mendonim Trininë në përputhje me figurën 14.1, ku secili person i përngjan vetëm një të tretës së qenies së Perëndisë.

Figura:

A.                B.

F. SH.

Figura 14.1: Qenia e Perëndisë nuk është e ndarë në tre pjesë të barabarta që u përkasin respektivisht tre pjesëtarëve të Trinisë

Përkundrazi, ne duhet të themi që personi Atë zotëron të tërë qenien e Perëndisë në Vetvete. Po kështu, Biri zotëron të tërë qenien e Perëndisë në Vetvete, dhe Fryma e Shenjtë zotëron të tërë qenien e Perëndisë në Vetvete. Kur flasim për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë së bashku, nuk po flasim për një qenie më të madhe sesa kur flasim vetëm për Atin, apo vetëm Birin apo vetëm Frymën e Shenjtë. Ati është gjithçka e qenies së Perëndisë. Biri gjithashtu është gjithçka e qenies së Perëndisë. Gjithashtu Fryma e Shenjtë është gjithçka e qenies së Perëndisë.

Kjo është ajo gjë që pohohet nga Besorja athanasiane e pohuar në fjalinë e mëposhtme:

Dhe besimi i përbotshëm është ky: Që ne adhurojmë një Perëndi në Trini, dhe Trininë në Unitet; Pa ngatërruar Personat: pa ndarë Substancën [Esencën}. Sepse ka një Person të Atit; një tjetër të Birit: dhe një tjetër të Frymës së Shenjtë. Por Hyu i Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, është i tëri një: Lavdia është e barabartë, Madhështia e bashkë-përjetshme. Ashtu sikurse është Ati, ashtu është Biri, dhe ashtu është Fryma e Shenjtë....Sepse ashtu sikurse jemi të shtrënguar nga vërtetësia e krishterë që të pranojmë çdo Person më Vete si Perëndi dhe Zot, po kështu ndalohemi nga Feja e Përbotshme: që të themi se Ka [janë] tre Perëndi, apo tre Zotër.

Por nëse secili person është plotësisht Perëndisë dhe ka të tërë qenien e Perëndisë, atëherë ne gjithashtu nuk duhet të mendojmë se dallimet personale janë ndonjë lloj atributesh shtesë të shtuara ndaj qenies së Perëndisë, diçka sipas modelit të figurës 14.2.

 Figura:

A.                B.

F. SH.

Figura 14.2: Dallimet personale në Trini nuk janë diçka e shtuar ndaj Qenies reale të Perëndisë

Përkundrazi, secili Person i Trinisë ka të tëra atributet e Perëndisë, dhe asnjë Person nuk ka atribute të cilat nuk zotërohen prej dy të tjerëve.

Nga ana tjetër, ne duhet të themi se këta Persona janë realë e se Ata nuk janë thjesht mënyra të ndryshme se si ne të shikojmë një qenie të Perëndisë. (Kjo do të ishte modalizëm apo sabellianizëm, siç është diskutuar më lart.) Kështu, figura 14.3 nuk do të ishte e përshtatshme.

 Figura:

A.                B.

F. SH.

Figura 14.3: Personat e Trinisë nuk janë thjesht tre mënyra të ndryshme se si të shikojmë një Qenie të Perëndisë

Përkundrazi, ne duhet ta mendojmë Trininë në një mënyrë të atillë që realiteti i të tre Personave të ruhet, dhe që secili Person të shikohet në raport me të tjerët si një “Unë” (Një vetë e parë) dhe një “Ti” (një vetë e dytë) dhe një “Ai” (një vetë e tretë).

Mënyra e vetme se si duket e mundur për ta bërë këtë, është të thuash që dallimi mes Personave nuk është një dallim në “qenie” por një dallim në “raport.” Kjo është diçka shumë e shkëputur nga përvoja jonë njerëzore, ku çdo “person” i ndryshëm njerëzor është gjithashtu një qenie e ndryshme. Njëfarësoj, qenia e Perëndisë është shumë herë më e madhe sesa ajo e jona që përbrenda kësaj qenieje të pandarë mund të ketë një shtrirje në marrëdhënie ndërpersonale, në mënyrë që të ketë tre persona të veçantë.

Cilat janë atëherë dallimet mes Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë? Në atribute nuk ka aspak dallim. I vetmi dallim mes tyre është mënyra se si ato krijojnë raport me Njëri-Tjetrin si dhe me krijimin. Cilësia e pashoqe e Atit, është mënyra se si ai është në raport si Atë ndaj Birit dhe Frymës së Shenjtë. Cilësia unikale e Birit është në raportin e Tij si Bir dhe cilësia unike e Frymës së Shenjtë, është mënyra se si Ai është në raport si Frymë.[88]38

Ndërkohë që tre diagramat e dhëna më sipër përfaqësojnë ide të gabuara të cilat duhen shmangur, diagrama e mëposhtme mund të jetë e dobishme për të menduar rreth ekzistencës së tre personave në qenien e pandarë të Perëndisë.

 Figura:

A.                B.

F. SH.

Figura 14.4: Ka tre persona të veçantë, dhe qenia e secilit Person është e barabartë me të tërë Qenien e Perëndisë

Në këtë diagram, Ati është treguar si seksioni apo rrethi i emërtuar A, dhe gjithashtu nga pjesa tjetër e rrethit duke kaluar në drejtim të akrepave të orës duke u nisur nga germa A; Biri tregohet nga ajo pjesë e rrethit e emërtuar B, dhe gjithashtu nga pjesa tjetër e rrethit, duke kaluar në drejtim të akrepave të orës nga germa B; dhe Fryma e Shenjtë është treguar si ai seksion i rrethit i shënjuar F.SH. dhe gjithashtu nga pjesa tjetër e rrethit, duke lëvizur në drejtim të akrepave të orës që prej F.SH-së. Kësisoj, ka tre Persona të veçantë, por secili Person është plotësisht dhe tërësisht Perëndi. Sigurisht, prezantimi i këtushëm është jo i përsosur, sepse ai nuk mund të prezantojë pafundësinë apo personalitetin e Perëndisë, apo në të vërtetë ndonjë prej atributeve të Tij. Kjo gjithashtu kërkon shikimin e rrethit në më shumë sesa thjesht një mënyrë, me qëllim që ta kuptojmë atë: vijat e ndërprera duhen kuptuar sikur tregojnë një marrëdhënie personale, jo ndonjë ndasi në Qenien e Perëndisë. Kësisoj, vetë rrethi përfaqëson Qenien e Perëndisë ndërkohë që vijat e ndërprera përfaqësojnë një formë ekzistence personale të ndryshme por jo një dallim në qenie. Diagrama mundet që gjithsesi të na ndihmojë t’u ruhemi disa keqkuptimeve.

Personalitetet tona njerëzore na sigurojnë një analogji tjetër të zbehtë e cila mund të na japë një farë ndihme për se si të mendojmë rreth Trinisë. Njeriu mund të mendojë për objekte të ndryshme jashtë vetes, dhe kur e bën këtë, ai është subjekti që bën të menduarin. Ai mund të mendojë gjithashtu për veten, dhe atëherë ai është objekti për të cilin po mendohet: atëherë ai është edhe subjekt edhe objekt. Për më tepër, ai mund të reflektojë mbi idetë që ai vetë ka për veten e vet si një gjë e tretë, as subjekt e as objekt, por mendimet që ai si subjekt ka për veten si një objekt. Kur kjo gjë ndodh, subjekti, objekti dhe mendimet, janë tre gjëra të ndara. Megjithëkëtë, secila gjë në një mënyrë përfshin të tërë qenien e tij: Subjekt është gjithçkaja e njeriut, dhe gjithçkaja e njeriut është objekti, dhe mendimet (paçka se në një kuptim më të paktë) janë mendime rreth të tërë atij si person.[89]39

Por nëse shtrirja e personalitetit njerëzor e lejon këtë lloj kompleksiteti, atëherë shtrirja e personalitetit të Perëndisë duhet të lejojë një kompleksitet shumë herë më të madh sesa ky. Përbrenda qenies së vetme të Perëndisë “shtrirja” e personalitetit duhet të lejojë ekzistencën e tre personave të ndryshëm, ndërkohë që secili person ka të tërë qenien e Perëndisë në Vetvete. Dallimi i personave duhet të jetë një dallim i marrëdhënieve, jo një i qenies, dhe megjithëkëtë, secili person duhet të ekzistojë me të vërtetë. Kjo formë tri-personale e të qenurit, është shumë përtej aftësisë tonë për të kuptuar. Është një lloj ekzistence shumë më e ndryshme se çfarëdo gjëje që ne kemi përjetuar dhe shumë ndryshe nga çfarëdo gjëje tjetër në univers.

Për shkak se ekzistenca e tre personave në një Perëndi, është diçka që shkon përtej arsyetimit tonë, teologjia e krishterë ka filluar të përdorë fjalën person për të folur për këto dallime në raport, jo për shkak se ne e kuptojmë plotësisht atë që nënkuptohet nga fjala person kur i referohemi Trinisë, por më shumë që të mund të themi diçka që të mos mbetemi pa thënë gjë prej gjëje.

4. A është e mundur që ta kuptojmë doktrinën e Trinisë? Ne duhet të nxjerrim mësim prej gabimeve që janë bërë në të kaluarën. Të tëra ato janë shkaktuar nga përpjekjet për të thjeshtësuar doktrinën e Trinisë dhe për ta bërë atë tërësisht të kuptueshme, duke i hequr të tërë misterin. Kësaj nuk do mund t’ia dalim dot kurrë. Sidoqoftë, nuk është e saktë të thuash që ne nuk mund ta kuptojmë fare doktrinën e Trinisë. Pa dyshim që ne mund ta kuptojmë dhe dimë që Perëndia është tre Persona, dhe se secili Person është plotësisht Perëndi, dhe se ka një Perëndi. Këto gjëra ne mund t’i dimë për shkak se Bibla na i mëson. Për më tepër, ne mund të dimë disa gjëra rreth mënyrës në të cilën këta Persona janë në raport me Njëri-Tjetrin (shiko seksionin e mësipërm). Por ajo gjë që ne nuk mund të kuptojmë plotësisht, është mënyra se si të përshtatim këto mësime të veçanta biblike. Ne pyesim veten se si mund të ketë tre Persona të veçantë, e megjithëkëtë secili prej Tyre të ketë të tërë qenien e Perëndisë në Vetvete, por megjithëkëtë Perëndia të jetë një qenie e vetme dhe e pandarë. Këtë ne nuk jemi në gjendje që ta kuptojmë. Në fakt, është e shëndetshme nga ana shpirtërore që ne ta pranojmë hapur që vetë qenia e Perëndisë është shumë më e madhe nga ç’mund të kuptojmë ne ndonjëherë. Kjo na përul përpara Perëndisë dhe na tërheq në adhurim ndaj Tij pa rezerva.

Por, duhet thënë gjithashtu se Shkrimi, nuk na kërkon që të besojmë një kontradiktë. Kontradikta do ishte që “Ka një Perëndi dhe nuk ka një Perëndi,” apo “Perëndia është tre persona dhe Perëndia nuk është tre Persona,” ose madje (gjë që është e ngjashme me deklaratën e mëparshme) “Perëndia është tre Persona dhe Perëndia është një Person.” Por, të thuash se: “Perëndia është tre Persona dhe se ka një Perëndi” nuk është kontradiktë. Është diçka të cilën ne nuk e kuptojmë, dhe që për rrjedhojë është një mister apo një paradoks, por kjo nuk duhet të na shqetësojë për sa kohë që aspektet e ndryshme të misterit janë dhënë qartësisht mësim nga Shkrimi, sepse për sa kohë që ne jemi krijesa të fundme dhe jo hyjni e gjithëdijshme, do të ketë gjithnjë (përgjatë gjithë përjetësisë) gjëra të cilat nuk do t’i kuptojmë plotësisht. Louis Berkhof (Luis Berkof) me mençuri thotë:

Trinia është një mister...njeriu nuk mund ta kuptojë dhe ta bëjë të kuptueshme. Ajo është e kuptueshme në disa prej raporteve dhe mënyrave të manifestimit të saj, por e pakuptueshme në natyrën e saj thelbësore....Vështirësia reale gjendet tek marrëdhënia në të cilën personat tek Hyu qëndrojnë në lidhje me esencën hyjnore si dhe ndaj Njëri-Tjetrit; dhe kjo është një vështirësi të cilën kisha nuk mund ta zgjidhë, por vetëm të përpiqet ta reduktojë në proporcionin e saj përkatës me anë të përkufizimit të duhur të termave. Ajo nuk është përpjekur kurrë të shpjegojë misterin e Trinisë, por vetëm ka kërkuar të formulojë doktrinën e Trinisë në një mënyrë të atillë që gabimet që e rrezikojnë atë, të shmangen.[90]40

Berkhof thotë gjithashtu: “Veçanërisht kur ne reflektojmë mbi marrëdhënien e tre personave ndaj esencës hyjnore që të tëra analogjitë tona na lënë në baltë dhe ne bëhemi thellësisht të vetëdijshëm për faktin që Trinia është një mister shumë përtej përfytyrimit tonë. Ajo është lavdia e paperceptueshme e Hyut.”[91]41

E. Zbatimi

Për shkak se Perëndia në Vetvete ka edhe unitet dhe diversitet, nuk është për t’u habitur që uniteti dhe diversiteti pasqyrohen gjithashtu në marrëdhëniet njerëzore që Ai ka përcaktuar. Në radhë të parë, këtë gjë e konstatojmë tek martesa. Kur Perëndia e krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e Tij, Ai nuk krijoi thjesht individë të izoluar, por Shkrimi na thotë: “Ai i krijoi mashkull e femër” (Zan. 1:27). Dhe në unitetin e martesës (shiko Zan. 2:24) ne shikojmë, jo një trinjëshmëri si në rastin e Perëndisë, por të paktën një unitet mbresëlënës të dy personave, personave të cilët mbeten individë të veçantë por që gjithashtu bëhen një trup, mendje dhe frymë (kr. 1 Kor. 6:16–20; Efe. 5:31). Në fakt, në marrëdhënien mes burrit dhe gruas në martesë, ne shikojmë gjithashtu një pamje të marrëdhënies mes Atit dhe Birit në Trini. Pali thotë: “Por dua që të dini se kreu i çdo burri është Krishti, dhe kreu i gruas është burri; dhe kreu i Krishtit është Perëndia” (1 Kor. 11:3). Kështu, ashtu sikurse Ati ka autoritet mbi Birin në Trini, kështu edhe bashkëshorti ka autoritet mbi bashkëshorten e tij në martesë. Roli i bashkëshortit është paralelizues me atë të Perëndisë Atë ndërsa roli i gruas është paralelizues me atë të Perëndisë Bir. Për më tepër, ashtu sikurse Ati dhe Biri janë të barabartë në hyjni dhe rëndësi dhe personshmëri, po kështu edhe bashkëshorti dhe bashkëshortja janë të barabartë në njerëzishmëri, rëndësi dhe personshmëri. Gjithashtu, paçka se nuk është përmendur shkoqur në Shkrim, dhurata e fëmijëve përbrenda martesës, që vjen si nga babai ashtu edhe nga mamaja, dhe që janë të nënshtruar ndaj autoritetit si të babait ashtu edhe të mamasë, është analoge me marrëdhënien e Frymës së Shenjtë ndaj Atit dhe Birit në Trini.

Por familja njerëzore nuk është e vetmja mënyrë në të cilën Perëndia ka caktuar që të ketë edhe diversitet edhe unitet në botë, gjë që pasqyron diçka nga vetë shkëlqyeshmëria e Tij. Në kishë kemi “shumë gjymtyrë” e megjithëkëtë “një trup të vetëm” (1 Kor. 12:12). Pali reflekton mbi diversitetin e madh ndër gjymtyrët e trupit njerëzor (1 Kor. 12:14–26) dhe thotë se kisha është po ashtu: Ne kemi shumë pjesëtarë të ndryshëm në kishat tona, me dhurata dhe interesa të ndryshme, dhe ne varemi nga njëri tjetri dhe e ndihmojmë njeri-tjetrin, duke demonstruar kësisoj diversitetin e madh por edhe unitetin e madh njëherësh. Kur shikojmë njerëz të ndryshëm duke bërë shumë gjëra të ndryshme në jetën e kishës, ne duhet të falënderojmë Perëndinë, që kjo gjë na lejon që ta përlëvdojmë Atë duke reflektuar diçka prej unitetit dhe diversitetit të Trinisë.

Ne duhet që gjithashtu të vëmë re se qëllimet e Perëndisë në historinë e universit, shpesh herë kanë qenë që të shpalosë unitet në diversitet, dhe kësisoj të shpalosë lavdinë e Tij. Këtë e shikojnë jo vetëm në larminë e dhuratave në kishë (1 Kor. 12:12–26), por gjithashtu në unitetin e judenjve dhe johebrenjve, në mënyrë që të tëra racat, sado të larmishme që janë, janë të bashkuara në Krishtin (Efe. 2:16; 3:8–10; shiko gjithashtu “Zbu.” 7:9). Pali është i mahnitur që planet e Perëndisë për historinë e shpengimit, kanë qenë si një simfoni e madhe kështu që mençuria e Tij është e pahulumtueshme (Rom. 11:33–36). Edhe në unitetin e mistershëm mes Krishtit dhe kishës, gjë në të cilën ne quhemi nusja e Krishtit (Efe. 5:31–32), ne shikojmë unitet përtej asaj që do të kishim përfytyruar ndonjëherë, unitet me Birin e Perëndisë Vetë. Megjithëkëtë, në tërë këtë ne nuk e humbasim kurrë identitetin tonë individual, por mbetemi persona të veçantë gjithnjë në gjendje për të adhuruar dhe për t’i shërbyer Perëndisë si individë unikalë.

Si përfundim, i tërë universi do të marrë pjesë në këtë unitet qëllimi me pjesë të larmishme kontribuuese për adhurimin e Perëndisë At, Bir dhe Frymë e Shenjtë, sepse do të vijë dita kur në emrin e Jezusit, çdo gju do të përulet “në qiell dhe mbi tokë dhe nëntokë, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Fil. 2:10–11).

Në një nivel më të përditshëm, mund të thuhet se ka shumë veprimtari që ne kryejmë si qenie njerëzore (në forcën punëtore, në organizata sociale, në performanca muzikore, në skuadra atletike, për shembull) në të cilat shumë individë të veçantë japin kontributin për një qëllim apo veprimtari të përbashkët. Ashtu sikurse shikojmë në këto veprimtari një pasqyrim të mençurisë së Perëndisë i Cili na lejon si unitet ashtu edhe diversitet, ashtu ne mund të shikojmë edhe një pasqyrim të zbehtë të lavdisë së Perëndisë në ekzistencën e Tij trinitariane. Paçka se ne kurrë nuk do të arrijmë të kuptojmë plotësisht misterin e Trinisë, ne mund ta adhurojmë Perëndinë për atë që Ai është në këngët tona të lavdërimit, dhe me fjalët e veprimet tona, pasi ato pasqyrojnë diçka të karakterit të Tij të shkëlqyer.

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Përse është Perëndia i kënaqur kur njerëzit shpalosin besnikëri, dashuri dhe harmoni përbrenda një familjeje? Cilat janë disa mënyra në të cilat pjesëtarët e familjes tënde pasqyrojnë diversitetin e gjendur tek pjesëtarët e Trinisë? Si reflekton familja jote unitetin që gjendet mes pjesëtarëve të Trinisë? Cilat janë disa mënyra në të cilat marrëdhëniet e juaja familjare mund të pasqyrojnë unitetin e Trinisë më plotësisht? Si mundet diversiteti i personave në Trini t’i inkurajojë prindërit që t’i lejojnë fëmijët e tyre të zhvillojnë interesa të ndryshëm nga njëri tjetri, si dhe nga prindërit e tyre, pa qenë nevoja që të druhen se mos uniteti i familjes do të dëmtohet kësisoj?

2.     A ke menduar ndonjëherë se nëse kisha jote do të lejonte që të krijohen shërbesa të reja apo lloje të ndryshme shërbesash, se kjo mund të pengonte unitetin e kishës? Ose, a ke menduar se inkurajimi i njerëzve për të përdorur dhurata të tjera për shërbesë nga ato që janë përdorur në të kaluarën mund të jenë përçarëse në kishë? Si mund të të ndihmojë fakti i unitetit dhe diversitetit në Trini që t’i qasesh këtyre pyetjeve?

3.     A mendon se natyra trinitariane e Perëndisë është pasqyruar më plotësisht në një kishë në të cilën të tërë pjesëtarët kanë të njëjtën prejardhje racore, apo në të cilën pjesëtarët i përkasin shumë racash të ndryshme (shiko Efe. 3:1–10)?

4.     Përveç marrëdhënieve përbrenda familjeve tona, të tërë ne ekzistojmë në marrëdhënie të tjera me autoritetet njerëzore qeverisëse, punësuese, në shoqëritë vullnetare, në institucionet arsimore, dhe në atletikë për shembull. Nganjëherë ne kemi autoritet mbi të tjerët dhe nganjëherë ne jemi nën autoritetin e të tjerëve. Qoftë në familje apo në ndonjë nga këto fushat e tjera, jep një shembull të një mënyre në të cilën përdorimi yt i autoritet apo reagimi yt ndaj autoritetit, mund t’i përngjajë më shumë modelit të marrëdhënies në Trini.

5.    Nëse e konsiderojmë ekzistencën trinitariane të Perëndisë si bazën themelore e të tëra kombinimeve të unitetit dhe diversitetit në univers, atëherë cilat janë disa pjesë të tjera të krijimit të cilat tregojnë edhe unitet edhe diversitet (për shembull: ndërvarësia e sistemeve mjedisore në tokë, apo veprimtaria magjepsëse e bletëve në një zgjua, apo funksionimi harmonik i pjesëve të ndryshme të trupit të njeriut)? A mendon se Perëndia na ka bërë kësisoj që ne të gjejmë kënaqësi spontane në demonstrimin e unitetit në diversitet, si një kompozim muzikor i cili manifeston unitet të madh e megjithëkëtë një larmi të madhe të pjesëve të ndryshme njëherësh, apo në zbatimin me zotësi të një strategjie të planifikuar nga shokët e një skuadre atletike që punojnë së bashku për arritjen e synimit?

6.     Në Qenien e Perëndisë, ne kemi një bashkësi të pafundme të ndërthurur me ruajtjen e personaliteteve të veçanta që u takojnë pjesëtarëve të Trinisë. Si mundet që ky fakt të na risigurojë nëse ndonjëherë do të fillojmë të bëhemi gjithnjë e më shumë të bashkuar me Krishtin ndërkohë që rritemi në jetën e krishterë (apo nëse bëhemi gjithnjë e më shumë të bashkuar me njëri tjetrin në kishë), kjo mund të ketë prirjen që të shuajë personalitetet tona individuale? Në parajsë, a mendon se do të jesh ekzaktësisht si të gjithë të tjerët, apo do të kesh një personalitet i cili është qartësisht i yti? Ku ndryshojnë fetë lindore (si për shembull Budizmi) nga Krishterimi në këtë drejtim?

TERMA TË VEÇANTË

adoptionizmim

Arianizmi

nënshtrim ekonomik

lindja e përjetshme e Birit

dalja e përjetshme e Birit

filioque

homoiousios

homoousios

modalizmi

monarkianizmi modalistik

i vetmëlindur

barazi ontologjike

Sabellianizmi

varësizmi 

Trinia

triteizmi

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 91–108

1930 Thomas, 20–31, 90–99

2. Arminiane (Ueslejane ose Metodiste)

1875–1876 Pope, 1:253–287; 2:101–105

1892–1894 Miley, 1:223–275

1940 Wiley, 1:394–439

1960 Purkiser, 143–144, 199–203

1983 Carter, 1:127–129, 375–414

1983-Cottrell, 3:117–174

1987–1990 Oden, 1:181–224

3. Baptiste

1767 Gill, 1:187–245

1887 Boyce, 125–166

1907 Strong, 304–352

1917 Mullins, 203–213

1976–1983 Henry, 5:165–213

1983–1985 Erickson, 321–342

1987–1994 Lewis/Demarest, 1:251–288

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 1:272–347; 5:7–38; 6:7–46

1949 Thiessen, 89–99

1986 Ryrie, 51–59

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 1:381–404

1934 Mueller, 147–160

6. E Reformuar (ose Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:120–159 (1.13)

1861 Heppe, 105–132

1871–1973 Hodge, 1:442–534

1878 Dabney, 174–211

1887–1921 Warfield, BTS 22–156; SSW 1:88–92; BD 133–174

1889 Shedd, 1:249–332

1937–1966 Murray, CW 4:58–81

1938 Berkhof, 82–99

1962 Buswell, 1:103–129

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:83–94

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 50–75

2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II

1980 McBrien, 1:343–366

Vepra të Tjera

Agustini. Rreth Trinisë (On the Trinity). NPNF, Seria e Parë, 3:1–228. (Kjo është konsideruar zhvillimi më i posaçëm i doktrinës ortodokse të Trinisë në tërë historinë e kishës.)

Bavinck, Herman. Doktrina e Perëndisë (The Doctrine of God). Përkth. nga William Hendriksen (Edinburgh and Carlisle, Pa.: Banner of Truth, 1977 [bot. i rishtypur më 1951]), fq. 255–334. (Ky është një nga diskutimet më të hollësishme moderne mbi Trininë.)

Beisner, Calvin. Perëndia në Tre Persona (God in Three Persons). Wheaton, Ill.: Tyndale Press, 1984.

Bickersteth, Edward H. Trinia (The Trinity). Grand Rapids: Kregel, 1957 ribotim.

Bloesch, Donald G. Beteja për Trininë: Debati Mbi Gjuhën Përfshirëse të Perëndisë (The Battle for the Trinity: The Debate Over Inclusive God-Language). Ann Arbor, Mich.: Servant, 1985.

Bowman, Robert M., i Riu. Përse Duhet të Besosh në Trini: Një Përgjigje ndaj Dëshmitarëve të Jehovait (Why You Should Believe in the Trinity: An Answer to Jehovah’s Witnesses). Grand Rapids: Baker, 1989.

Bray, G.L. “Trinia (Trinity).” Tek FRT ([92]NDT) fq. 691–694.

_______. “Triteizëm (Tritheism).” Tek FRT f. 694.

Brown, Harold O.J. Herezitë: Shëmbëlltyra e Krishtit në Pasqyrën e Herezisë dhe Ortodoksisë që nga Apostujt e Deri Sot (Heresies: The Image of Christ in the Mirror of Heresy and Orthodoxy From the Apostles to the Present). Garden City, N.Y.: Doubleday, 1984, fq. 95–157.

Davis, Stephen T. Logjika dhe Natyra e Perëndisë (Logic and the Nature of God). Grand Rapids: Eerdmans, 1983, fq. 132–144.

Gruenler, Royce Gordon. Trinia në Ungjillin e Gjonit (The Trinity in the Gospel of John). Grand Rapids: Baker, 1986.

Harris, Murray. Jezusi si Perëndi (Jesus as God). Grand Rapids: Baker, 1992.

Kaiser, Christopher B. Doktrina e Perëndisë: Një Analizë Historike (The Doctrine of God: An Historical Survey). Westchester, Ill.: Crossway, 1982, fq. 23–71.

McGrath, Alister E. Të Kuptojmë Trininë (Understanding the Trinity). Grand Rapids: Zondervan, 1988.

Mikolaski, S.J. “Perëndia Trinjësh (The Triune God).” Tek Aspektet Themelore të Besimit (Fundamentals of the Faith). Red. nga C.F.H. Henry. Grand Rapids: Zondervan, 1969, fq. 59–76.

Packer, J.I. “Perëndia (God)” NDT 274–77.

_______. Të Njohim Perëndinë (Knowing God). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1973, fq. 57–63.

Wright, D.F. “Agustini (Augustine).” Tek FRT fq. 58–61.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Mateu” 3:16–17: Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe, ja, qiejt u hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë të zbresë si një pëllumb e të vijë mbi të; dhe, ja, një zë prej qiellit që tha: «Ky është Biri im i dashur, në të cilin gjeta pëlqim.”

HIMN

“I SHENJTË, I SHENJTË, I SHENJTË (Holy, Holy, Holy)”

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë, Zoti Perëndi i Plotfuqishmi!

Herët në mëngjes kënga jonë do ngrihet drejt Teje;

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! I mëshirshëm dhe i fuqishëm je Ti!

Perëndi në tri persona, e bekuar Trini!

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! Të tërë shenjtorët të adhurojnë,

Poshtë kurorat e tyre të arta përreth detit të kristaltë lëshojnë;

Kerubinë dhe serafinë përmbys bien përpara Teje,

Para Teje që do të jesh përgjithnjë që ishe, dhe që je.

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! Edhe pse errësira të mbulon,

Paçka se syri i njeriut mëkatar lavdinë Tënde nuk shikon,

Vetëm Ti je i shenjtë; si Ti nuk ka njeri

I përsosur në fuqi, në dashuri dhe pastërti.

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! Zot, Perëndi i Plotfuqishmi!

Tërë veprat e Tua do të lavdërojnë emrin Tënd në tokë, qiell dhe det;

I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë! I mëshirshmi dhe i fuqishmi!

Perëndi në tre persona, i bekuar Trini!

Autori: Reginald Heber, 1826

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>