Kapitulli 12: Karakteri i Perëndisë: Atributet “e komunikueshme” (Pjesa 1)

Karakteri i Perëndisë: Atributet e “Tejçueshme” (Pjesa 1)

Si është Perëndia si ne në qenien e Tij, dhe në atributet mendore dhe morale të Tij?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Në këtë kapitull ne shqyrtojmë atributet e Perëndisë që janë të “tejçueshme,” apo që ndahen më shumë me ne sesa ato të cilat përmenden në kapitullin e mëparshëm. Duhet mbajtur mend që kjo ndarje në të “patejçueshme” dhe të “tejçueshme” nuk është një ndarje absolute dhe se ka vend për mendime të ndryshme për sa i takon asaj se në cilën kategori e ka vendin secili atribut.[29]1 Lista e atributeve e vendosur në këtë kategori si të “tejçueshme” është një listë e zakonshme, por kuptimi i përkufizimit të secilit atribut është më i rëndësishëm sesa të jesh në gjendje t’i kategorizosh ato në ekzaktësisht të njëjtën mënyrë që paraqitet në këtë libër.

Për më tepër, çfarëdo liste e atributeve të Perëndisë, duhet bazuar tek kuptimi i se sa imtësisht dëshirohet të bëhet dallimi mes aspekteve të ndryshme të karakterit të Perëndisë. A janë mirësia dhe dashuria e Perëndisë dy atribute apo një i vetëm? Po njohuria dhe mençuria, apo spiritualiteti dhe padukshmëria? Në këtë kapitull, secili prej këtyre atributeve është trajtuar veçmas, dhe rezultati është më tepër një listë e gjatë atributesh të ndryshme. Pavarësisht kësaj, në raste të ndryshme, nuk do të bënte shumë ndryshim nëse dikush do t’i trajtonte këto dyshe si aspekte të ndryshme të të njëjtave atribute. Nëse ne do mbajmë parasysh se po flasim për të tërë personin e Perëndisë që është tërësisht i integruar, do të jetë e qartë se ndarja në atribute të ndryshme nuk është çështje e rëndësishme doktrinare, por diçka që duhet bazuar në arsyetimin e personit rreth mënyrës më efikase të prezantimit të materialit biblik.

Ky kapitull i ndan atributet e “tejçueshme” të Perëndisë, në pesë kategori kryesore, ku secili atribut është renditur nën secilën kategori si më poshtë:

     A.     Atribute të cilat përshkruajnë qenien e Perëndisë

1.     Spiritualiteti

2.     Padukshmëria

     B.     Atributet mendore

3.     Njohuria (apo Gjithëdija)

4.     Mençuria

5.     Vërtetësia (dhe Besnikëria)

     C.     Atributet morale

6.     Mirësia

7.     Dashuria

8.     Mëshira (Hiri, Durimi)

9.     Shenjtëria

10.     Paqja (apo Rendi)

11.     Drejtësia (apo Paanshmëria)

12.     Xhelozia

13.     Zemërimi

     D.     Atributet e qëllimit

14.     Vullneti

15.     Liri

16.     Gjithëfuqi (apo Pushtet dhe Sovranitet)

     E.     Atribute “Përmbledhëse”

17.     Përsosmëri

18.     Lumni

19.     Bukuri

20.     Lavdi

Për shkak se atributet e Perëndisë duhen imituar në jetën tonë,[30]2 secila prej këtyre pjesëve do të përfshijë një shpjegim të shkurtër të mënyrave në të cilat atributi në fjalë duhet të imitohet prej nesh.

A. Atributet që përshkruajnë qenien e Perëndisë

1. Spiritualiteti. Njerëzit shpesh herë kanë pyetur veten se nga çfarë është i përbërë Perëndia? A është i përbërë prej mishi dhe gjaku si ne? Padyshim që jo. Çfarë është atëherë materiali që formon qenien e Tij. A është Perëndia i përbërë prej ndonjë materieje? Apo Perëndia është energji e pastër? Apo ai është në një farë mënyre mendim i pastër?

Përgjigja e Shkrimit është që Perëndia nuk është asgjë prej këtyre. Përkundrazi, ne lexojmë se “Perëndia është frymë” (Gjoni 4:24). Kjo deklaratë është folur nga Jezusi në kontekstin e një diskutimi me gruan në pusin e Samarisë. Diskutimi këtu ka të bëjë me vendndodhjen ku njerëzit duhet të adhurojnë Perëndinë, dhe Jezusi po i thotë asaj që adhurimi i vërtetë i Perëndisë, nuk kërkon që personi të jetë i pranishëm as në Jerusalem, as në Samari (Gjoni 4:21), sepse adhurimi i vërtetë ka të bëjë jo me vendin fizik, por me gjendjen e brendshme shpirtërore të personit. Kjo është për shkak se “Perëndia është frymë” dhe kjo dukshëm nënkupton që Perëndia në asnjë mënyrë nuk është i kufizuar në një vendndodhje hapësinore.

Kështu, ne nuk duhet të mendojmë për Perëndinë sikur Ai ka madhësi apo dimensione qofshin këto edhe të pafundme (shiko diskutimin mbi gjithëpraninë e Perëndisë në kapitullin paraprirës). Ne nuk duhet ta mendojmë ekzistencën e Perëndisë si frymë sikur kjo të nënkuptonte që Perëndia është pafundësisht i madh, për shembull, sepse kjo nuk është pjesë e Perëndisë, por gjithçka e Perëndisë në çdo pikë të hapësirës (shiko Psa. 139:7–10). Gjithashtu, nuk duhet të mendojmë se ekzistenca e Perëndisë si frymë është diçka që nënkupton që Perëndia është pafundësisht i vogël, sepse asnjë vend në univers nuk mund ta rrethojë e as ta përmbajë Atë (shiko 1 Mbretërit 8:27). Kështu, qenia e Perëndisë nuk mund të mendohet me të drejtë me terma hapësinor, sido që ne mund ta kuptojmë ekzistencën e Tij si “frymë.”

Ne gjithashtu zbulojmë që Perëndia i ndalon njerëzit e Tij që të mendojnë për qenien e Tij si të ngjashme me ndonjë gjë tjetër në krijimin fizik. Tek Dhjetë Urdhëresat lexojmë:

Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe as mos u shërbe, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz, që dënon paudhësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia. (Eks. 20:4–6)

Gjuha e krijimit në këtë urdhëresë (“aty në qiejt, apo...këtu poshtë në tokë, apo...ujërat nën tokë”) është një kujtesë që qenia e Perëndisë, mënyra thelbësore e ekzistencës së Tij, është ndryshe nga çfarëdo gjëje tjetër që Ai ka krijuar. Të mendosh për qenien e Tij në lidhje me çfarëdo gjëje tjetër të krijuar në univers, do të thotë të keqprezantosh Atë, ta kufizosh Atë, ta mendosh Atë si shumë më pak nga ç’është Ai në të vërtetë. Të bësh një skulpturë (qoftë “të latuar” qoftë të “gdhendur”) si shëmbëlltyrë të Perëndisë si për shembull një viç të artë, mund të ketë qenë një përpjekje për ta portretizuar Perëndisë si një Perëndi i Cili është i fortë dhe plot jetë (si një viç), por të thuash që Perëndia ishte si një viç, ishte një deklaratë tmerrësisht e pavërtetë rreth njohurisë, mençurisë, dashurisë, mëshirës, gjithëpranisë, përjetësisë, pavarësisë, shenjtërisë, drejtësisë së Perëndisë, e kështu me radhë. Me të vërtetë që ndërkohë që ne duhet të themi se Perëndia ka bërë tërë krijimin në mënyrë që secila pjesë e tij të pasqyrojë diçka të karakterit të Tij, ne duhet gjithashtu që tani të pohojmë se ta paraqesësh Perëndinë si ekzistues në një formë apo mënyrë qenieje që është si çfarëdo gjëje tjetër në krijim, do të thotë ta mendosh Perëndinë në një mënyrë tepër keqorientuese dhe turpëruese.

Kjo është arsyeja përse xhelozia e Perëndisë parashtrohet si arsye për ndalimin e bërjes së shëmbëlltyrave të Tij: “sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz...” (Eks. 20:5). Perëndia është xheloz për të mbrojtur nderin e Tij. Ai me zell kërkon që njerëzit ta mendojnë ashtu sikurse Ai është dhe ta adhurojnë Atë për të gjithë shkëlqyeshmërinë e Tij. Gjithashtu Ai zemërohet kur lavdia e Tij nuk vlerësohet apo karakteri i Tij paraqitet në mënyrë të gabuar (kr. L. i P. 4:23–24, ku xhelozia intensive e Perëndisë për nderin e Tij paraqitet përsëri si arsyeja për ndalimin e bërjes çfarëdo shëmbëlltyre të Tij).

Kështu, Perëndia nuk ka një trup fizik, e Ai as nuk është bërë nga ndonjë materie si pjesa më e madhe e krijimit. Për më tepër, Perëndia nuk është thjesht energji, mendim apo ndonjë element tjetër i krijimit. Ai gjithashtu nuk është si avull apo tym, apo si ajër në hapësirë, ku të tëra këto janë gjëra të krijuara: Qenia e Perëndisë nuk është si ndonjë prej këtyre gjërave. Qenia e Perëndisë nuk është as ekzaktësisht si shpirti ynë, sepse këto janë gjëra të krijuara që duket se janë në gjendje që të ekzistojnë vetëm në një vend e në një kohë të caktuar.

Në vend të të tërë këtyre ideve rreth Perëndisë, ne duhet të themi që Perëndia është frymë. Çfarëdo domethënie që kjo të ketë, është një lloj ekzistence e cila është ndryshe nga çfarëdo gjëje tjetër në krijim. Është një lloj ekzistence që është shumë më tepër superiore ndaj të tërë ekzistencës tonë materiale. Ne mund të themi se Perëndia është një “qenie e pastër” apo “plotësia apo thelbi i qenies.” Për më tepër, kjo lloj ekzistence nuk është më pak reale, e as më pak e dëshirueshme se ekzistenca jonë. Përkundrazi është më reale dhe më e dëshirueshme se ekzistenca materiale dhe jomateriale e të tërë krijimit. Përpara se të kishte krijim, Perëndia ekzistoi si shpirt. Vetë qenia e Tij, është aq reale saqë qe në gjendje të bënte që gjithçka tjetër të ekzistonte!

Në këtë pikë, ne mund ta përkufizojmë spiritualitetin e Perëndisë kështu: Spiritualiteti i Perëndisë do të thotë që Perëndia ekziston si një qenie që nuk është bërë prej materieje, nuk ka pjesë e as dimensione, nuk është në gjendje që të perceptohet nga shqisat tona trupore, dhe është më e shkëlqyeshme se çfarëdo lloj ekzistence tjetër.

Ne mund të pyesim se përse qenia e Perëndisë është kësisoj. Përse është Perëndia frymë? Gjithçka që mund të themi është se kështu është mënyra më madhështore e më e mirë për të qenë! Kjo është një formë ekzistence shumë më superiore se gjithçka që ne njohim. Është e mahnitshme të meditojmë mbi këtë fakt..

Këta faktorë na bëjnë të pyesim veten nëse spiritualiteti i Perëndisë duhet ndoshta quajtur atribut i “patejçueshëm”. Kjo do të ishte vërtetë e përshtatshme për t’u thënë, e nga shumë drejtime, përderisa qenia e Perëndisë është kaq ndryshe nga e jona. Megjithëkëtë, fakti mbetet që Perëndia na ka dhënë frymë në të cilën ne e adhurojmë Atë (Gjoni 4:24; 1 Kor. 14:14; Fil. 3:3), në të cilën ne jemi bashkuar me Frymën e Zotit (1 Kor. 6:17), me të cilën Fryma e Shenjtë dëshmon gjithashtu për birësimin tonë në familjen e Perëndisë (Rom. 8:16), dhe në të cilën ne kalojmë në praninë e Zotit kur vdesim (Luka 23:46; Pred. 12:7; Heb. 12:23; kr. Fil. 1:23–24). Për rrjedhojë ka qartësisht një farë komunikimi nga Perëndia ndaj nesh të një natyre shpirtërore, që është diçka e ngjashme me natyrën e Tij, paçka se padyshim jo nga të gjitha drejtimet. Për këtë arsye, duket gjithashtu e përshtatshme ta mendojmë spiritualitetin e Perëndisë, si një atribut të tejçueshëm.

2. Padukshmëria. E lidhur me spiritualitetin e Perëndisë, është fakti që Perëndia është i padukshëm. Megjithëkëtë, ne duhet të flasim edhe për mënyrat e dukshme në të cilat Perëndia e manifeston Veten. Padukshmëria e Perëndisë mund të përkufizohet si vijon: Padukshmëria e Perëndisë do të thotë që esenca totale e Perëndisë, e gjithë qenia e Tij shpirtërore, nuk do jetë kurrë e mundur të shikohet prej nesh, por megjithëkëtë, Perëndia ende na e dëfton Veten përmes gjërave të dukshme, të krijuara.

Shumë pasazhe flasin për faktin që Perëndia nuk mund të shikohet. “Askush s’e pa Perëndinë kurrë” (Gjoni 1:18). Jezusi thotë: “Jo se ndonjë ka parë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ai e ka parë Atin” (Gjoni 6:46). Pali jep fjalët lavdëruese që vijojnë: “ Por Mbretit të përjetësive, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të urtë, i qoftë nder e lavdi në jetë të jetëve. Amen” (1 Tim. 1:17). Ai flet për Perëndinë si “i vetmi që ka pavdekësinë dhe banon në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as nuk mund ta shohë” (1 Tim. 6:16). Gjoni thotë: “Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë” (1 Gjonit 4:12).

Ne duhet të mbajmë mend se të gjitha këto pasazhe u shkruan pas ngjarjesh në Shkrime ku njerëzit panë disa manifestime të jashtme të Perëndisë. Për shembull, që në fillim të Shkrimit, lexojmë se: “Kështu Zoti fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij” (Eks. 33:11). Megjithëkëtë, Perëndia i tha Moisiut: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë” (Eks. 33:20). Ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, derisa të kem kaluar; pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet” (Eks. 33:21–23). Kjo sekuencë vargjesh biblike si dhe të tjera si këto në Besëlidhjen e Vjetër, nënkuptojnë që nga një anë, Perëndia nuk mund të shikohej fare, por që gjithashtu kishte një formë të jashtme manifestimi të Perëndisë, që të paktën pjesërisht mund të shikohej prej njerëzve.

Për rrjedhojë, është e saktë të thuash që paçka se esencën tërësore të Perëndisë, njerëzit nuk do të jenë në gjendje ta shikojnë, gjithsesi, Perëndia ende tregon diçka nga Vetvetja ndaj nesh, përmes gjërash të dukshme të krijuara. Kjo ndodh në një larmi mënyrash.

Nëse duam të mendojmë rreth Perëndisë, duhet ta mendojmë Atë njëfarësoj. Perëndia e kupton këtë dhe na jep qindra analogji të ndryshme të marra nga jeta njerëzore apo nga bota e krijimit.[31]3 Kjo larmi e stërmadhe analogjish nga të tëra pjesët e krijimit, na kujton që ne nuk duhet të përqendrohemi me tepri mbi ndonjë prej këtyre analogjive. Megjithëkëtë, nëse nuk përqendrohemi në mënyrë ekskluzive në vetëm një prej këtyre analogjive, të tëra ato së bashku do të na ndihmojnë që të na zbulojnë Perëndinë në një mënyrë disi të “dukshme” (kr. Zan. 1:27; Psa. 19:1; Rom. 1:20).

Besëlidhja e Vjetër dokumenton gjithashtu një sërë teofanishë. Teofania është “një shfaqje e Perëndisë ndaj njerëzve.” Në këto teofani, Perëndia mori forma të ndryshme të dukshme për t’ia treguar Veten njerëzve. Perëndia iu shfaq Abrahamit (Zan. 18:1–33), Jakobit (Zan. 32:28–30), popullit izraelit (ditën në një kolonë resh dhe natën në një kolonë zjarri: Eks. 13:21–22), pleqve të Izraelit (Eks. 24:9–11), Manoahut dhe bashkëshortes së tij (Gjyq. 13:21–22), Isaisë (Isa. 6:1), si dhe të tjerë njerëzve.

Një manifestim i dukshëm shumë më i madh i Perëndisë sesa këto teofani të Besëlidhjes së Vjetër, u gjend tek personi Jezus Krisht Vetë. Ai qe në gjendje që të thoshte: “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 14:9). Dhe Gjoni ballafaqon faktet që askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë, me faktin që Biri i vetëm i Perëndisë na e ka bërë Atë të njohur: “Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë; Perëndia i vetmëlindur,[32]4 i Cili është në gjirin e t’Et, Ai e ka bërë të njohur Atë” (Gjoni 1:18, përkthimi i autorit). Për më tepër, Jezusi është “ shëmbëllimi i Perëndisë të padukshëm” (Kol. 1:15), dhe është “shkëlqimi i lavdisë së tij” dhe është “pasqyrimi i ekzakt i natyrës së Tij” (Heb. 1:3 përkthimi i autorit). Kësisoj, në personin Jezus, ne kemi një manifestim unik të Perëndisë në Besëlidhjen e Re, manifestim i cili nuk qe i disponueshëm për besimtarët të cilët panë teofani në Besëlidhjen e Vjetër.

Por si do ta shikojmë ne Perëndinë në qiell? Ne nuk do të jemi kurrë në gjendje ta shikojmë apo të njohim gjithçka të Perëndisë, sepse “madhështia e tij është e panjohshme” (Psa. 145:3; kr. Gjoni 6:46; 1 Tim. 1:17; 6:16; 1 Gjonit 4:12, të cilat u përmendën më lart). Dhe ne nuk do të jemi në gjendje që të shikojmë (të paktën jo me sytë tanë fizikë), qenien shpirtërore të Perëndisë. Megjithëkëtë, Shkrimi thotë se ne do të shikojmë Perëndinë Vetë. Jezusi thotë: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” (Mat. 5:8). Ne do të jemi në gjendje që të shikojmë natyrën njerëzore të Jezusit, sigurisht (Zbu. 1:7). Por nuk është e qartë se në ç’kuptim saktësisht do të jemi në gjendje që të “shikojmë” Atin dhe Frymën e Shenjtë, apo natyrën hyjnore të Perëndisë Bir (kr. Zbu. 1:4; 4:2–3, 5; 5:6). Ndoshta natyra e këtij “shikimi” nuk do të bëhet e njohur për ne derisa të arrijmë në parajsë.

Paçka se ajo që ne shikojmë nuk do të jetë një pamje e imtësishme e Perëndisë, do të jetë gjithsesi një pamje tërësisht e vërtetë, e qartë dhe reale e Perëndisë. Ne do të shikojmë “faqe për faqe” (1 Kor. 13:12) dhe “do ta shohim atë sesi është” (1 Gjonit 3:2). Përshkrimi më mbresëlënës i miqësisë së hapur, e të afërt me Perëndinë që ne do të përjetojmë, shikohet në faktin që në qytetin qiellor “ do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t'i shërbejnë; edhe do të shohin fytyrën e tij; dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre” (Zbu. 22:3–4).

Kur kuptojmë që Perëndia është përsosmëria e gjithçkaje që presim ethshëm apo që dëshirojmë, që Ai është shuma e gjithçkaje të bukur dhe të dëshirueshme, atëherë ne kuptojmë që gëzimi më i madh i jetës që do të vijë, do të jetë fakti që ne do të shikojmë fytyrën e Tij.” Ky shikim i Perëndisë “faqe për faqe” është quajtur kundrim i lumnuar që do të thotë: “pamja që na bën të bekuar apo të lumur” (“beatific-që është fjala e përdorur në anglisht për ‘lumnuar’ të shqipes, vjen nga dy fjalë latine, beatus “i bekuar,” dhe facere “të bësh”). Shikimi i Perëndisë na ndryshon e na bën si Ai: “do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim atë sesi është” (1 Gjonit 3:2; kr. 2 Kor. 3:18). Kjo pamje e Perëndisë do të jetë materializimi i plotë i asaj që ne dimë për Perëndinë, dhe do të na japë kënaqësi dhe gëzim të plotë për tërë përjetësinë: “ka plot gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psa. 16:11).

B. Atribute mendore

3. Njohuria (Gjithëdija). Njohuria e Perëndisë mund të përkufizohet si vijon: Perëndia e njeh plotësisht Veten dhe të tëra gjërat aktuale dhe të mundshme në një akt të thjeshtë dhe të përjetshëm.

Elihu thotë se Perëndia është Ai “që është i përsosur në njohuri” (Jobi 37:16), ndërsa Gjoni thotë se Perëndia “njeh çdo gjë” (1 Gjonit 3:20). Cilësia e ditjes së gjithçkaje quhet gjithë-dije, dhe për shkak se Perëndia di gjithçka, për Të thuhet se Ai është i gjithëditur (d.m.th. i “gjithë-njohshëm”).

Përkufizimi i dhënë më lart, e shpjegon gjithëdijen në më shumë detaje. Në të fillimisht thuhet se Perëndia e njeh plotësisht Veten. Ky është një fakt i mahnitshëm përderisa vetë qenia e Perëndisë është e pafundme apo e pakufizuar. Sigurisht, vetëm Ai që është i pafundmë Vetë mund ta njohë Veten në çdo detaj. Ky fakt nënkuptohet nga Pali kur ai thotë: “Sepse Fryma heton gjithçka, edhe të thellat e Perëndisë. Sepse, cili nga njerëzit njeh gjërat e njeriut, përveç frymës së njeriut që është në të? Po kështu asnjeri s'i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Frymës së Perëndisë” (1 Kor. 2:10–11).

Kjo ide sugjerohet gjithashtu nga deklarata e Gjonit që “ Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë” (1 Gjonit 1:5). Në këtë kontekst “drita” ka një sugjerim edhe të pastërtisë morale, gjithashtu njohuri apo vetëdije të plotë. Nëse “nuk ka errësirë fare” tek Perëndia, por Ai është tërësisht “dritë,” atëherë Perëndia është Vetë si tërësisht i shenjtë, gjithashtu edhe tërësisht i mbushur me vetë-njohuri.

Gjithashtu, sipas këtij përkufizimi, Perëndia i njeh “të tëra gjërat si aktuale.” Kjo do të thotë të tëra gjërat që ekzistojnë si dhe të tëra gjërat që ndodhin. Kjo gjen zbatim tek krijimi, sepse Perëndia është Ai përpara të Cilit “nuk ka asnjë krijesë që është e padukshme para tij, por gjithçka është lakuriq dhe e zbuluar para syve të Atij, të cilit ne duhet t'i japim llogari” (Heb. 4:13; kr. 2 Kron. 16:9; Jobi 28:24; Mat. 10:29–30). Perëndia gjithashtu e njeh të ardhmen, sepse Ai është Ai i Cili mund të thotë: “jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë” (Isa. 46:9–10; kr. 42:8–9 dhe pasazhe të shpeshta tek profetët e Besëlidhjes së Vjetër). Ai i di edhe hollësitë më të vogla të jetës së secilit prej nesh, sepse Jezusi na thotë: “Ati juaj e di ç'nevoja keni, para se ju t'i kërkoni” (Mat. 6:8), dhe: “Por te ju edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës janë të numëruara” (Mat. 10:30).

Tek “Psalmi” 139 Davidi reflekton për njohurinë e mahnitshëm deri në imtësi nga Perëndia për jetën tonë. Ai i di veprimet dhe mendimet tona: “Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim” (Psa. 139:1–2). Ai i di fjalët që ne do të themi që përpara se t’i kemi shqiptuar: “Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht” (Psa. 139:4). Dhe Ai i di të tëra ditët e jetës tonë, madje që përpara se të lindim: “Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende” (Psa. 139:16).

Përkufizimi i mësipërm i njohurisë së Perëndisë, specifikon gjithashtu që Perëndia di “të gjitha gjërat e mundshme.” Kjo është për shkak se ka disa raste në Shkrim ku Perëndia jep informacion për ngjarje që mund të ndodhin, por që faktikisht nuk ndodhin. Për shembull, kur Davidi ishte në arrati për shkak të Saulit, ai shpëtoi qytetin e Keilahut nga filistenjtë, dhe pastaj qëndroi për një farë kohe në Keilah. Ai vendosi të pyesë Perëndinë për nëse Sauli do të vinte në Keila për ta sulmuar dhe, nëse Sauli do të vinte, a do ta dorëzonin apo jo keilahitët në dorën e Saulit. Davidi tha:

“A do të zbresë Sauli si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Zot, Perëndi i Izraelit, bëja të ditur shërbëtorit tënd!». Zoti u përgjigj: «Ka për të zbritur». Davidi pyeti ende: «Krerët e Keilahut a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?». Zoti u përgjigj: «Do t'ju dorëzojnë». Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij, rreth gjashtëqind veta, dolën nga Keilahu dhe brodhën sa andejkëtej. Kur Sauli u njoftua që Davidi kishte ikur nga Keilahu, ai hoqi dorë nga fushata e tij.” (1 Sam. 23:11–13)

Po kështu, Jezusi mund të deklaronte se Tira dhe Sidoni do të ishin penduar nëse mrekullitë e Jezusit do të ishin bërë atje në të kaluarën: “Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse, nëse në Tiro dhe në Sidon do të ishin kryer veprat e fuqishme, që u bënë ndër ju, prej kohësh do të ishin penduar me thes dhe hi” (Mat. 11:21). Në mënyrë të ngjashme, Ai thotë: “Dhe ti, o Kapernaum, që u ngrite deri në qiell, do të fundosesh deri në ferr, sepse nëse do të ishin kryer në Sodomë veprat e fuqishme që janë kryer në ty, ajo do të qëndronte deri më sot” (Mat. 11:23; kr. 2 Mbretërit 13:19, ku Eliseu tregon për atë që do të kishte ndodhur nëse mbreti Joas do të kishte goditur tokën pesë apo gjashtë herë me shigjeta).

Fakti që Perëndia i di të gjitha gjërat e mundshme, mund të nënkuptohet edhe nga njohuria e plotë që Perëndia ka për Veten. Nëse Perëndia e njeh plotësisht Veten, Ai di gjithçka që është në gjendje që të bëjë, gjë që përfshin të tëra gjërat të cilat janë të mundshme. Ky fakt është me të vërtetë i mahnitshëm. Perëndia ka bërë një univers pabesueshmërisht të ndërlikuar e të larmishëm, por ka me mijëra e mijëra variante të tjera apo lloje gjërash të cilat Perëndia mund të kishte krijuar, por që nuk i krijoi. Njohuria e pafundme e Perëndisë përfshin njohuri të detajuar se si secila prej këtyre krijimeve të tjera të mundshme do kishte qenë, dhe çfarë do të kishte ndodhur në secilën prej tyre! “Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa nuk mund ta arrij” (Psa. 139:6). “Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja” (Isa. 55:9).

Përkufizimi ynë për njohurinë e Perëndisë, flet për Perëndinë që di gjithçka në një “akt të thjeshtë.” Edhe këtu, fjala i thjeshtë është përdorur në kuptimin “jo i ndarë në pjesë.” Kjo do të thotë që Perëndia është gjithnjë plotësisht i vetëdijshëm për gjithçka. Po qe se Ai do të dëshironte të na tregonte numrin e kokrrizave të rërës në bregdet, apo numrin e yjeve në qiell, Atij nuk do t’i duhej t’i numëronte të tërë me shpejtësi si të ishte një farë kompjuteri gjigant, e as do t’i duhej të kujtonte numrin e tyre sepse kishte kohë që s’e kishte vrarë mendjen për të. Përkundrazi, Ai i di të tëra gjërat njëherësh. Të tëra këto fakte si dhe të tërë gjërat e tjera që Ai di, janë gjithnjë plotësisht të tashmë në vetëdijen e Tij. Ai nuk ka përse të arsyetojë për të dalë në përfundime, apo të shqyrtojë me kujdes situatën përpara se të përgjigjet, sepse Ai e di përfundimin që nga fillimi, dhe Ai kurrë nuk mëson ndonjë gjë të re e as harron ndonjë gjë (kr. Psa. 90:4; 2 Pjetrit 3:8; dhe vargjet e cituara më sipër mbi njohurinë e përsosur të Perëndisë). Çdo pjesë e njohurisë së Perëndisë, është gjithnjë plotësisht e pranishme në vetëdijen e Tij. As venitet e as zbehet duke kaluar në kujtesën e pavetëdijshme të Tij. Së fundi, ky përkufizim flet për njohurinë e Perëndisë, si jo vetëm një akt të thjeshtë, por gjithashtu si një “akt i përjetshëm.” Kjo do të thotë që njohuria e Perëndisë, nuk ndryshon e as rritet ndonjëherë. Nëse Ai do të mësonte ndonjëherë diçka të re, kjo do të thoshte se Ai nuk ishte i gjithëditur përpara kësaj. Kësisoj, që nga tërë përjetësia, Perëndia ka ditur gjithçka që do të ndodhte, si dhe gjithçka që do të bënte.

Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se Perëndia premtoi të na i falë mëkatet tona. Për shembull, Ai thotë: “Nuk do t`i mbaj mend mëkatet e tua” (Isa. 43:25). Megjithëkëtë, pasazhe të tilla mundet që padyshim të merren me nënkuptimin që Perëndia nuk do të lejojë kurrë përsëri njohurinë e këtyre mëkateve të luajë ndonjë rol në mënyrën se si Ai krijon raport me ne: Ai do t’i “harrojë” ato në marrëdhënien që ka me ne. Një kundërshtim tjetër ndaj mësimit të Biblës rreth gjithëdijes së Perëndisë, është parashtruar duke u nisur nga “Jeremia” 7:31; 19:5; dhe 31:35, ku Perëndia i referohet praktikave të tmerrshme të prindërve të cilët dogjën të gjallë fëmijët e tyre në zjarret e ngritura për kurban ndaj perëndisë pagan të quajtur Baal, dhe thotë: “gjë që nuk e kisha urdhëruar dhe që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje ” (Jer. 7:31). A do të thotë kjo që përpara kohës së Jeremisë, Perëndia nuk kishte menduar kurrë për mundësinë që prindërit mund të bënin theror fëmijët e vet? Padyshim që kjo nuk qëndron, sepse pikërisht ajo praktikë kishte ndodhur edhe një shekull më përpara nën mbretërimin e Ahazit (2 Mbretërit 16:3) dhe Hoseas (2 Mbretërve 17:17), dhe Perëndia Vetë e kishte ndaluar këtë praktikë tetëqind vjet më parë, përmes Moisiut (Lev. 18:21). Vargjet tek Jeremia, përkthehen më mirë në mënyrë të fjalë për fjalëshme, “as nuk më hyri në zemër” (kështu e ka KJV tek “Jer.” 7:31, dhe përkthimi fjalë për fjalë tek NASB në anë të faqes—fjala hebraike është  לֵב, H4213, e përkthyer më shpesh “zemër”), që jep idenë, “as e urova, as e dëshirova, e as e mendova me aprovim.”[33]5

Një vështirësi tjetër që ngrihet në lidhje me këtë çështje të raportit mes njohurisë së Perëndisë të gjithçkaje që do të ndodhë në të ardhmen, si dhe realiteti dhe shkalla e lirisë që ne kemi në veprimet tona. Nëse Perëndia di gjithçka që do të ndodhë, si do mund të ishin ndopak zgjedhjet tona të “lira”? Në fakt, kjo vështirësi është polemikëzuar kaq shumë saqë disa teologë kanë dalë në përfundimin që Perëndia nuk e di të gjithë të ardhmen. Ata kanë thënë që Perëndia nuk i di gjërat të cilat nuk munden (për mendimin e tyre) të njihen, të tilla si veprimet e lira të njerëzve të cilat nuk kanë ndodhur ende (nganjëherë, fraza e përdorur është “veprime të rastit të faktorëve të lirë moralë,” ku fjala “e rastit” nënkupton “e mundshme por jo e sigurt”). Por një pozitë e tillë është e pakënaqshme pasi në thelb ajo mohon njohurinë e Perëndisë për historinë e ardhshme njerëzore në çfarëdo  pike kohore, dhe kështu është e papërputhshme me pasazhet e cituara më sipër të cilat bëjnë fjalë për njohurinë e Perëndisë për të ardhmen, si dhe me dhjetëra pasazhe të tjera profetike të Besëlidhjes së Vjetër, ku Perëndia parashikon të ardhmen që prej shumë kohe përpara se të ndodhë, e në shumë hollësi.[34]6

Si atëherë do ta zgjidhim këtë vështirësi? Paçka se kjo pyetje do të trajtohet në më shumë detaje në kapitullin 16 rreth provanisë së Perëndisë, mund të jetë e udhës që në këtë pikë të vërejmë sugjerimin e Agustinit, i cili tha se Perëndia na ka dhënë “vetë-përcaktim të arsyeshëm.” Deklarata e tij nuk përfshin termin e lirë apo liri sepse këto terma janë jashtëzakonisht të vështirë për t’u përkufizuar në një formë e cila të dëshmonte në mënyrë të pëlqyeshme për njohurinë e plotë të Perëndisë rreth ngjarjeve të ardhshme. Por kjo deklaratë afirmon nga ana tjetër atë që është e rëndësishme për ne dhe atë që ne ndjejmë se është e vërtetë në përvojën tonë, që zgjedhjet dhe vendimet tona, janë të “arsyeshme.” D.m.th., ne mendojmë për ato që bëjmë, me vetëdije vendosim se çfarë do të bëjmë, dhe pastaj vazhdojmë në kursin e veprimeve që kemi zgjedhur të ndërmarrim.

Deklarata e Agustinit thotë gjithashtu që ne kemi “vetë-përcaktim.” Kjo gjë thjesht pohon që zgjedhjet tona me të vërtetë që përcaktojnë atë që do të ndodhë. Nuk është se ngjarjet ndodhin pavarësisht asaj që ne vendosim të bëjmë, por ato më tepër ndodhin për shkak të asaj që ne vendosim dhe bëjmë. Në këtë deklaratë nuk është bërë asnjë përpjekje për të përkufizuar kuptimin në të cilin ne jemi të “lirë” apo “jo të lirë,” por që kjo nuk është një çështje vërtetë e rëndësishme. Për ne, është e rëndësishme që të mendojmë, zgjedhim dhe veprojmë, dhe se këto mendime, zgjedhje dhe veprime janë reale dhe faktikisht kanë një rëndësi të përjetshme. Nëse Perëndia na i njeh të tëra mendimet, fjalët dhe veprimet që shumë kohë përpara se ato të ndodhin, atëherë duhet të ketë një farë kuptimi sipas të cilit zgjedhjet tona nuk janë absolutisht falas, por përkufizimi i mëtejshëm i kësaj çështjeje, më mirë të lihet deri kur të mund të trajtohet më plotësisht në kapitullin 16.

4. Mençuria. Mençuria e Perëndisë nënkupton që Perëndia zgjedh gjithnjë synimet më të mira, si dhe mjetet më të mira për t’i arritur ato synime. Ky përkufizim shkon përtej idesë që Perëndia i di të tëra gjërat dhe specifikon që vendimet e Perëndisë rreth asaj që Ai do të bëjë, janë gjithnjë vendime të mençura: d.m.th., ato gjithnjë do të shkaktojnë rezultatet më të mira (nga pikëpamja më e arrirë e Perëndisë), dhe ato do t’i sjellin ato rezultate përmes mjeteve më të mira të mundshme.

Shkrimi e pohon mençurinë e Perëndisë në përgjithësi në një sërë vendesh. Ai quhet “Perëndisë, të vetmit të urtë” (Rom. 16:27). Jobi thotë se Perëndia është “i urtë nga zemra” (Jobi 9:4), dhe se “tek ai gjejmë urtësinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi” (Jobi 12:13). Mençuria e Perëndisë vërehet specifikisht në krijim. Psalmisti thërret: “Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me urtësi; toka është plot me pasuritë e tua” (Psa. 104:24). Ndërkohë që Perëndia krijoi universin, ishte tërësisht e përshtatshme t’i sillnim Atij lavdi, si në proceset e tij të ditë-për-ditshme, ashtu edhe në qëllimet përse Ai e krijoi atë. Edhe tani, ndërkohë që ne ende shikojmë pasojat e mëkatit dhe të mallkimit mbi botën natyrore, duhet të mahnitemi me se sa e harmonishme dhe i ndërlikuar është krijimi që Perëndia ka bërë.

Mençuria e Perëndisë shikohet gjithashtu në planin e Tij të madh të shpengimit. Krishti është “urtësia e Perëndisë” për ata që janë thirrur (1 Kor. 1:24, 30), paçka se fjala e kryqit është “marrëzi” për ata që e refuzojnë atë dhe që e mendojnë veten të mençur në këtë botë (1 Kor. 1:18–20). Megjithëkëtë, edhe kjo është një pasqyrim i planit të mençur të Perëndisë: “Sepse, duke qenë se nëpërmjet urtësisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtësinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit....Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar gjërat e forta...që asnjë mish të mos mburret përpara tij” (1 Kor. 1:21, 27, 29).

Pali e di që ajo që ne tani mendojmë si mesazhi i “thjeshtë” i ungjillit, i kuptueshëm edhe për të vegjlit fare, pasqyron një plan të mahnitshëm të Perëndisë, i cili në thellësinë e mençurisë së Tij tejkalon gjithçka që njeriu do mund të përfytyronte. Në fund të njëmbëdhjetë kapitujve reflektimi mbi mençurinë e planit të Perëndisë për shpengim, Pali shpërthen në lavdërim spontan: “O thellësi pasurie edhe e urtësisë dhe e diturisë së Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pagjurmueshme janë udhët e tij!” (Rom. 11:33).

Kur Pali i predikon ungjillin edhe judenjve edhe johebrenjve, dhe ata unifikohen në një trup që është trupi i Krishtit (Efe. 3:6), “misteri” i jashtëzakonshëm i cili “që prej jetëve qe fshehur në Perëndinë, që krijoi gjithçka” (Efe. 3:9) bëhet i qartë për t’u parë nga të tërë, konkretisht, që në Krishtin, njerëz të tillë tërësisht të ndryshëm, bashkohen. Kur grupe njerëzish kaq të ndryshëm për sa i takon racës dhe kulturës së tyre, bëhen pjesëtarë të një trupi të vetëm, që është trupi i Krishtit, atëherë, qëllimi i Perëndisë është përmbushur, “që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushtetëve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë” (Efe. 3:10).

Sot, kjo do të thotë që mençuria e Perëndisë tregohet edhe për engjëjt dhe demonët (“principatave dhe pushtetëve”) kur njerëz nga të kaluara të ndryshme racore dhe kulturore, janë bashkuar në Krishtin në kishë. Nëse kisha e krishterë është besnike ndaj planit të mençur të Perëndisë, ajo do jetë gjithnjë në ballë të thyerjes së pengesave racore dhe sociale në shoqëritë në botën mbarë, dhe kështu do të jetë një manifestimi dukshëm i planit të mahnitshëm të Perëndisë, për të sjellë unitet dhe lavdi të madhe, dhe për rrjedhojë, të bëjë që i gjithë krijimi ta nderojë Atë.

Mençuria e Perëndisë vërehet gjithashtu në jetën tonë individuale. “Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjëra të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Rom. 8:28, përkthimi i autorit). Këtu Pali pohon që Perëndia punon me mençuri në të tëra gjërat që vijnë në jetën tonë, dhe që nëpërmjet tërë këtyre gjërave, Ai na shtyn drejt qëllimit të konformimit tonë me imazhin e Krishtit (Rom. 8:29). Fakti që dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të na shtyjnë drejt qëllimit përfundimtar që Ai ka për jetën tonë, konkretisht, që ne të mund të jemi si Krishti, dhe që kësisoj t’i sjellim Atij lavdi, duhet të shërbejë si bindje e fortë dhe një burim për paqen tonë ditë pas dite. Një bindje e tillë e mundësoi Palin që të pranonte “një gjëmb në mish” (2 Kor. 12:7) si diçka që, sado e dhimbshme, Perëndia në mençurinë e Tij kishte zgjedhur që të mos t’ia largonte (2 Kor. 12:8–10).

Çdo ditë të jetës tonë, ne mund ta largojmë dekurajimin tonë me ngushëllimin që vjen nga njohja e mençurisë së pafundme të Perëndisë: nëse jemi fëmijët e Tij, ne mund ta dimë që Ai po punon me mençuri në jetën tonë, edhe sot, për të na sjellë në konformitet më të madh me imazhin e Krishtit.

Sigurisht që mençuria e Perëndisë, pjesërisht është e tejçueshme për ne. Ne mund t’i kërkojmë Perëndisë me bindje për mençuri kur e kemi të nevojshme, sepse Ai premton në Fjalën e Tij: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtësia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, edhe atij do t'i jepet” (Jakobi 1:5). Kjo mençuri, apo aftësi, në të jetuarin e një jete të kënaqshme për Perëndinë, vjen kryesisht nga leximi dhe bindja ndaj Fjalës së Tij: “dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë” (Psa. 19:7; kr. L. i P. 4:6–8).

“Frika e ZOTIT është fillimi i urtësisë” (Psa. 111:10; F. e Urta 9:10; kr. F. e Urta 1:7), sepse nëse druhemi se mos nuk e nderojmë Perëndinë apo se nuk e kënaqim Atë, si dhe nëse i druhemi disiplinës së Tij atërore, atëherë do të kemi motivimin të atillë që na shtyn të ndjekim rrugët e Tij, e që të jetojmë në përputhje me urdhëresat e Tij të mençura. Për më tepër, zotërimi i mençurisë nga Perëndia, nuk do të çojë në krenari por përulësi (F. e Urta 11:2; Jakobi 3:13), jo në arrogancë, por në një frymë të butë dhe paqësore (Jakobi 3:14–18). Personi i cili është i mençur në përputhje me standardet e Perëndisë, do të ecë vazhdimisht në varësi nga Zoti, dhe me një dëshirë për ta përlartësuar Atë.

Megjithëkëtë, ne duhet që gjithashtu të mbajmë mend që mençuria e Perëndisë nuk është tërësisht e tejçueshme: ne nuk mund të kemi plotësisht mençurinë e Perëndisë (Rom. 11:33). Praktikisht, kjo do të thotë që shpesh herë do vijnë momente në këtë jetë, kur ne nuk do të jemi në gjendje të kuptojmë arsyen përse Perëndia lejoi diçka të ndodhte. Atëherë na duhet që thjesht t’i besojmë Atij, dhe të vazhdojmë t’u bindemi urdhrave të mençur të Tij në lidhje me jetën tonë: “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t'i besojnë shpirtrat e tyre atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën” (1 Pjetrit 4:19; kr. L. i P. 29:29; F. e Urta 3:5–6). Perëndia është pafundësisht i mençur, ndërsa ne jo, dhe Ai kënaqet kur ne kemi besim për t’i besuar mençurisë së Tij, edhe atëherë kur ne nuk e kuptojmë atë që Ai është duke bërë.

5. Vërtetësia (dhe Besnikëria). Vërtetësia e Perëndisë, do të thotë që ai është Perëndia i vërtetë, dhe se e gjithë njohuria dhe fjalët e tij, janë edhe të vërteta edhe standardi përfundimtar i të vërtetës.

Termi saktësi që do të thotë “vërtetësi” apo “besueshmëri”, është përdorur nganjëherë si sinonim me vërtetësinë e Perëndisë.

Pjesa e parë e këtij përkufizimi, tregon që Perëndia i zbuluar në Shkrim, është i vetmi Perëndi i vërtetë apo real, dhe se të tërë të ashtuquajturit perëndi të tjerë, janë thjesht idhuj. “Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm....Perënditë që nuk i kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiell” (Jer. 10:10–11). Jezusi i thotë t’Et: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3; kr. 1 Gjonit 5:20).

Ne mund të pyesim se çfarë do të thotë të jesh Perëndia i vërtetë, krahasuar me qenie të tjera të cilat nuk janë Perëndi. Kjo do të thotë që Perëndia në qenien apo karakterin e Tij, është Ai i cili përshtatet plotësisht me idenë e asaj që duhet të jetë Perëndia: konkretisht, një qenie e cila është pafundësisht e përsosur në fuqi, mençuri, mirësi, zotësi mbi kohën dhe hapësirën, e kështu me radhë. Por, ne mund të pyesim edhe më tej: ideja e kujt rreth Perëndisë është kjo? Me cilën ide të Perëndisë duhet të konfirmohet njeriu me qëllim që të jetë ajo e Perëndisë së vërtetë?

Në këtë pikë, vazhda e mendimeve tona bëhet disi vicioze, sepse ne nuk duhet të themi që një qenie duhet t’i përshtatet idesë tonë të asaj se si Perëndia duhet të jetë, pa të jetë Perëndia i vërtetë! Ne jemi thjesht krijesa! Ne nuk mund të përkufizojmë se si duhet të jetë Perëndia i vërtetë! Kështu ne duhet të themi se është Perëndia Vetë Ai që ka idenë e vetme të pasosur të se si duhet të jetë Perëndia i vërtetë. Dhe Ai Vetë është Perëndia i vërtetë sepse në qenien dhe karakterin e Tij, Ai përshtatet me idenë e Tij se si duhet të jetë Perëndia i vërtetë. Për më tepër, Ai ka ngulitur në mendjen tonë një reflektim të idesë së Tij për se si duhet të jetë Perëndia i vërtetë, dhe kjo na jep mundësinë që ta njohim Atë si Perëndi.

Përkufizimi që na jepet më sipër, afirmon gjithashtu që e gjithë njohuria e Perëndisë, është e vërtetë, si dhe është standardi përfundimtar i të vërtetës. Jobi na thotë që Perëndia është i “përsosur në njohuri” (Jobi 37:16; shiko gjithashtu vargjet e cituara më sipër nën diskutimin e gjithëdijes së Perëndisë). Të thuash që Perëndia i di të tëra gjërat, dhe se njohuria e Tij është e përsosur, do të thotë se Ai nuk është gabuar kurrë në perceptimin apo keqkuptimin e botës. Gjithçka që Ai di dhe mendon, është e vërtetë, dhe është një kuptim i saktë i natyrës së realitetit. Në fakt, përderisa Perëndia i di të tëra gjërat mjaft mirë, ne mund të themi që standardi i njohurisë së vërtetë është konformiteti me njohurinë e Perëndisë. Po të mendojmë të njëjtën gjë që Perëndia mendon rreth çfarëdo  gjëje në univers, do jemi duke menduar me vërtetësi rreth asaj gjëje.

Përkufizimi ynë pohon gjithashtu që fjalët e Perëndisë janë edhe të vërteta, edhe standardi përfundimtar i të vërtetës. Kjo do të thotë që Perëndia është i besueshëm dhe besnik në fjalët e Tij. Në lidhje me premtimet e Tij, Perëndia gjithnjë e bën atë që Ai ka premtuar se do të bëjë, dhe ne mund të jemi të bindur që Ai nuk do tregohet kurrë jobesnik ndaj premtimeve të Tij. Kësisoj, Ai është “një Perëndi i drejtë” (L. i P. 32:4). Faktikisht, ky aspekt specifik i vërtetësisë së Perëndisë, nganjëherë shikohet si një atribut më vete: Drejtësia e Perëndisë do të thotë që Perëndia do ta bëjë atë që ka thënë dhe do të përmbushë atë që ka premtuar (Num. 23:19; kr. 2 Sam. 7:28; Psa. 141:6; etj.). Tek Ai mund të mbështetemi, dhe Ai kurrë nuk do të dalë jo besnik ndaj atyre që u besojnë fjalëve të Tij. Me të vërtetë që thelbi i besimit të vërtetë është besimi tek Fjala e Perëndisë, dhe mbështetja tek Ai me bindjen se Ai do ta bëjë atë që ka premtuar.

Përveç faktit që Perëndia është besnik ndaj premtimeve që bën, ne duhet që gjithashtu të pohojmë se të tëra fjalët e Perëndisë rreth Vetes si dhe krijimit që Ai ka bërë, i përgjigjen plotësisht. Kjo do të thotë, që Perëndia kur flet, thotë gjithnjë të vërtetën. Ai është “Perëndia që nuk gënjen” (Titit 1:2, përkthimi i autorit), Perëndia që e ka të pamundur të gënjejë (Heb. 6:18), Perëndia, çdo fjalë e të Cilit është përsosmërisht e “pastër” (Psa. 12:6), Ai për të Cilin mund të thuhet: “Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr” (F. e Urta 30:5). Fjalët e Perëndisë nuk janë thjesht të vërteta në kuptimin që ato janë konform disa standardesh vërtetësie jashtë Perëndisë. Përkundrazi, ato janë vetë e vërteta. Ato janë standardi përfundimtar dhe përkufizimi i të vërtetës. Kështu, Jezusi mundet t’i thotë t’Et: “Fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). Ajo që qe thënë për vërtetësinë e njohurisë së Perëndisë, mundet të thuhet gjithashtu për fjalët e Perëndisë, sepse ato janë të bazuara në njohurinë e Tij të përsosur, dhe pasqyrojnë me saktësi atë njohuri të përsosur: Fjalët e Perëndisë janë “e vërteta” në kuptimin që ato janë standardet përfundimtare me anë të të cilave vërtetësia duhet gjykuar: çfarëdo  gjëje që shkon në përputhje me fjalët e Perëndisë, është gjithashtu e vërtetë, dhe ato që nuk arrijnë të shkojnë përshtat me fjalët e Tij, nuk janë të vërteta.

Vërtetësia e Perëndisë është gjithashtu e tejçueshme në kuptimin që pjesërisht ne mund ta imitojmë atë duke u përpjekur që të kemi njohuri të vërtetë rreth Perëndisë si dhe botës së Tij. Faktikisht, ndërkohë që fillojmë të mendojmë mendime të vërteta rreth Perëndisë dhe krijimit, mendime të cilat ne i mësojmë nga Shkrimi dhe duke e lejuar Shkrimin të na udhëheqë në vëzhgimin dhe interpretimin e botës natyrore, ne fillojmë të mendojmë mendimet e Perëndisë Vetë bashkë me Të! Ne mund të thërrasim të entuziazmuar njëzëri me psalmistin: “Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!” (Psa. 139:17).

Kuptimi i kësaj duhet të na inkurajojë në ndjekjen e njohurisë në të gjitha fushat e shkencave natyrore, shoqërore dhe njerëzore. Cilado qoftë fusha e hulumtimit tonë, kur ne zbulojmë më shumë të vërteta rreth natyrës së realitetit, zbulojmë më shumë të vërteta të cilat Perëndia tashmë i di. Nga ky këndvështrim, ne mund të pohojmë se “e gjithë e vërteta është e vërteta e Perëndisë”[35]7 dhe gëzohemi kurdoherë që mësimi apo zbulimi i kësaj të vërtete, është përdorur në mënyra që e kënaqin Perëndinë. Rritja në njohuri është pjesë e procesit të bërjes më shumë si Perëndia, apo të bërjes së krijesave të cilat janë më plotësisht në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Pali na thotë se ne kemi veshur “njeriun e ri,” për të cilën, ai thotë: “përtërihet në njohurinë, sipas shëmbullit të atij që e krijoi” (Kol. 3:10).

Në një shoqëri e cila është skajshmërisht e pakujdesshme për sa i takon vërtetësisë së fjalëve të folura, ne si fëmijë të Perëndisë duhet të imitojmë Krijuesin tonë e të bëjmë kujdes të madh, për t’u siguruar që fjalët tona janë gjithnjë të vërteta. “Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, edhe veshët njeriun e ri” (Kol. 3:9–10). Pali udhëzon përsëri: “Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t`i thotë të vërtetën të afërmit të vet” (Efe. 4:25). Në shërbesën e tij, Pali thotë se kërkoi të praktikonte vërtetësi absolute: “Ne mohuam gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur në dinakëri, duke mos shtrembëruar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë” (2 Kor. 4:2). Perëndia është i kënaqur kur njerëzit e Tij e heqin prej tyre “të folurën me hile” (F. e Urta 4:24) si dhe flasin me fjalë të cilat janë të pranueshme jo vetëm për njerëzit por edhe përpara Zotit Vetë (Psa. 19:14).

Për më tepër, ne duhet të imitojmë vërtetësinë e Perëndisë në reagimet tona ndaj të vërtetës dhe falsitetit. Ashtu sikurse Perëndia, edhe ne duhet ta duam të vërtetën dhe të urrejmë të gënjeshtërtën. Urdhëresa për të mos dhënë dëshmi të rreme ndaj të afërmit tonë (Eks. 20:16), ashtu sikurse edhe urdhëresat e tjera, kërkon jo vetëm konformitet të jashtëm por edhe konformitet në qëndrimin e zemrës. Një që është i kënaqshëm për Perëndinë “thotë të vërtetën që ka në zemër” (Psa. 15:2), dhe përpiqet fort të jetë si njeriu i drejtë i cili “e urren gënjeshtrën” (F. e Urta 13:5). Perëndia i urdhëron njerëzit e Tij përmes Zakarisë: “ Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti” (Zak. 8:17).

Këto urdhëresa janë dhënë për shkak se Perëndia Vetë e do të vërtetën dhe e urren falsitetin: “Buzët gënjeshtare janë neveri për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij” (F. e Urta 12:22; kr. Isa. 59:3–4). Falsiteti dhe gënjeshtra nuk vijnë prej Perëndisë por prej Satanit i cili kënaqësinë e ka tek gënjeshtra: “Kur thotë gënjeshtrën, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i saj” (Gjoni 8:44). Atëherë, është e përshtatshme që me “frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit” dhe që “vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët,dhe idhujtarët” që gjenden “në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur” larg prej qytetit qiellor, të jenë gjithashtu “të tërë gënjeshtarët” (Zbu. 21:8).

Kësisoj, Shkrimi na mëson se gënjeshtra është gjë e gabuar, jo vetëm për shkak të dëmit të madh që vjen prej saj (dhe mund të themi se shumë më tepër dëm vjen nga gënjeshtra nga ç’e kuptojmë ne), por gjithashtu për një arsye edhe më të thellë e më kuptimplotë: kur ne gënjejmë ne turpërojmë Perëndinë dhe zbehim lavdinë e Tij, sepse ne, ashtu sikurse ata që janë të krijuar në imazhin e Perëndisë dhe të krijuar me qëllim pasqyrimin e lavdisë së Perëndisë në jetë, po veprojmë në një mënyrë e cila bie në kundërshtim me karakterin e Perëndisë Vetë.

C. Atributet morale

6. Mirësi. Mirësia e Perëndisë do të thotë që Perëndia është standardi përfundimtar i të mirës, dhe se gjithçka që Perëndia është dhe bën, është e denjë për t’u aprovuar.

Në këtë përkufizim gjejmë një situatë të ngjashme me atë me të cilën u përballëm në përkufizimin e Perëndisë si Perëndia i vërtetë. Këtu, “i mirë” mund të kuptohet si “i denjë për t’u aprovuar,” por nuk i jemi përgjigjur pyetjes, aprovim prej kujt? Nga një anë, ne mund të themi që gjithçka që është me të vërtetë e mirë, duhet të jetë e denjë për aprovim nga ne. Por po ta marrësh nga një anë tjetër më e lartë, neve nuk na është dhënë liria të vendosim vetë se çfarë është e denjë për aprovim, dhe çfarë jo. Për rrjedhojë, tek e fundit, qenia dhe veprimet e Perëndisë janë përsosmërisht të denja për aprovimin prej Tij. Ai për rrjedhojë është standardi përfundimtar i të mirës. Jezusi e nënkuptoi këtë kur tha: “Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë” (Luka 18:19). Psalmet shpesh herë pohojnë që: “ZOTI është i mirë” (Psa. 100:5) apo thërrasin: “Kremtoni ZOTIN, sepse ai është i mirë” (Psa. 106:1; 107:1; etj.). Davidi na inkurajon me: “Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti!” (Psa. 34:8).

Por nëse Perëndia është Vetë i mirë dhe për rrjedhojë është edhe standardi më i lartë i të mirës, atëherë ne e kemi një përkufizim të kuptimit të të “mirës” që do të na ndihmojë shumë në studimin e etikave dhe estetikës. Çfarë është “e mira”? “E mira” është ajo që Perëndia aprovon. Atëherë ne mund të pyesim, përse është e mirë ajo që Perëndia aprovon? Kësaj duhet t’i përgjigjemi me: “Për shkak se e aprovon Ai.” Kjo nënkupton që nuk ka standard më të lartë mirësie sesa karakteri i Vetë Perëndisë si dhe aprovimi prej Tij i çfarëdo  gjëje që është në përputhshmëri me atë karakter. Megjithëkëtë, Perëndia na ka dhënë disa ide mbi të cilat ne mund të reflektojmë për të kuptuar konceptin e Tij të mirësisë, në mënyrë që kur ne i vlerësojmë gjërat në mënyrën se si Perëndia na krijoi për t’i vlerësuar ato, ne do të aprovojmë gjithashtu atë që Perëndia aprovon dhe të gjejmë kënaqësi në gjërat në të cilat Ai gjen kënaqësi.

Përkufizimi ynë deklaron gjithashtu që gjithçka që Perëndia bën, është e denjë për aprovim. Ne shikojmë prova të kësaj në tregimin rreth krijimit: “Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë” (Zan. 1:31). Psalmisti e lidh mirësinë e Perëndisë me mirësinë e veprimeve të Tij: “Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua” (Psa. 119:68). “Psalmi” 104 është një shembull i shkëlqyer i lavdërimit ndaj Perëndisë për mirësinë e Tij në krijim, ndërkohë që shumë psalme, si për shembull “Psalmi” 106 dhe 107, japin falënderime ndaj Perëndisë për mirësinë e Tij në të tëra veprimet e Tij ndaj njerëzve të Tij. Pali na inkurajon gjithashtu që të zbulojmë në praktikë se si vullneti i Perëndisë për jetën tonë, është “ i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri ” (Rom. 12:2).

Shkrimi na thotë gjithashtu se Perëndia është burimi i tërë të mirave në botë. “Çdo dhurëti e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart dhe zbret nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17; kr. Psa. 145:9; Veprat 14:17). Për më tepër, Perëndia bën vetëm gjëra të mira për fëmijët e Tij. Lexojmë se: “ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt” (Psa. 84:11). Dhe në të njëjtin konteks në të cilin Pali na siguron se “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë” (Rom. 8:28), ai gjithashtu thotë: “Ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” (Rom. 8:32). Shumë më tepër se ç’bën një baba i kësaj toke, Ati ynë qiellor “do t`u japë gjëra të mira atyre që që ia lypin atij” (Mat. 7:11), dhe madje edhe disiplina e Tij është një manifestim i dashurisë së Tij, dhe është për të mirën tonë (Heb. 12:10). Kjo njohuri e mirësisë së madhe të Perëndisë, duhet të na inkurajojë që “në gjithçka të falënderojmë” (1 Thes. 5:18).

Në imitimin e këtij atributi të tejçueshëm, edhe ne vetë duhet të bëjmë të mirën (d.m.th., ne duhet të bëjmë atë që Perëndia aprovon) dhe me këtë të imitojmë mirësinë e Atit tonë qiellor. Pali shkuan: “Prandaj, pra, si të kemi kohë, le t'u bëjmë të mirën të gjithëve, por më shumë atyre që janë pjesëtarë të shtëpisë së besimit” (Gal. 6:10; kr. Luka 6:27, 33–35; 2 Tim. 3:17). Për më tepër, kur e kuptojmë që Perëndia është përkufizimi dhe burimi i tërë të mirës, do të kuptojmë se Perëndia Vetë është e mira më e madhe që ne kërkojmë dhe do të themi njëzëri me psalmistin: “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. Mishi im dhe zemra ime mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi” (Psa. 73:25–26; kr. 16:11; 42:1–2).

Mirësia e Perëndisë është e lidhur ngushtë me një sërë karakteristikash të tjera të natyrës së Tij, ku mes tyre janë dashuria, mëshira, durimi dhe hiri. Nganjëherë këto konsiderohen atribute më vete dhe janë trajtuar në mënyrë individuale. Herë të tjera këto janë konsideruar pjesë të mirësisë së Perëndisë dhe janë trajtuar si aspekte të ndryshme të mirësisë së Perëndisë. Në këtë kapitull do ta trajtojmë dashurinë si një atribut të veçantë përderisa ai është kaq i spikatur në Shkrim. Tre karakteristikat e tjera (mëshira, durimi dhe hiri), ndërkohë që janë gjithashtu të spikatur në Shkrim, do të trajtohen në grup si aspekte të mirësisë së Perëndisë ndaj individëve në situata specifike. Kësisoj, mëshira e Perëndisë, është mirësia e Tij ndaj atyre që janë në ankth, hiri i Tij është mirësia e Tij ndaj atyre të cilët meritojnë vetëm të ndëshkohen dhe durimi i Tij është mirësia e Tij ndaj atyre të cilët vazhdojnë të mëkatojnë përgjatë një periudhe kohore (shiko më poshtë seksionin C.8, mbi mëshirën, durimin dhe hirin).

7. Dashuria. Dashuria e Perëndisë do të thotë që Perëndia jep përjetësisht prej Vetes ndaj të tjerëve.

Ky përkufizim e kupton dashurinë si vetë-dhënie për dobinë e të tjerëve. Ky atribut i Perëndisë tregon që është pjesë e natyrës së Tij që të japë nga Vetja, me qëllim që të shkaktojë bekim apo të mirë për të tjerët.

Gjoni na thotë se “Perëndia është dashuri” (1 Gjonit 4:8). Ne shikojmë prova që ky atribut i Perëndisë ishte aktiv edhe përpara krijimit ndërmjet pjesëtarëve të Trinisë. Jezusi i flet t’Et për: “ lavdinë time që ti më dhe, sepse ti më deshe para themelimit të botës” (Gjoni 17:24), duke nënkuptuar kësisoj se kishte dashuri dhe nderim nga Ati ndaj Birit që prej përjetësisë. Kjo vazhdon deri në kohën e tashme sepse lexojmë: “Ati e do Birin dhe të gjitha ia ka dhënë në dorë” (Gjoni 3:35).

Kjo dashuri është gjithashtu e ndërsjellët, sepse Jezusi thotë: “që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar” (Gjoni 14:31). Dashuria mes Atit dhe Birit me sa duket karakterizon gjithashtu raportin e Tyre me Frymën e Shenjtë, paçka se kjo nuk është përmendur shkoqur. Kjo dashuri e përjetshme e Atit për Birin, e Birit për Atin dhe e të Dyve për Frymën e Shenjtë, e bën parajsën një botë dashurie dhe gëzimi për shkak se secili person i Trinisë kërkon të sjellë gëzim dhe lumturi ndaj dy të tjerëve.

Vetë-dhënia që karakterizon Trininë, gjen një shprehje të qartë në raportin e Perëndisë me njerëzimin, dhe veçanërisht me njerëzit e mëkatshëm. “Në këtë është dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por që ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si shlyerje për mëkatet tona” (1 Gjonit 4:10, përkthimi i autorit). Pali shkruan: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Rom. 5:8). Gjoni shkruan gjithashtu: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme.” (Gjoni 3:16). Pali flet gjithashtu për “Birin e Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.” (Gal. 2:20), duke treguar kësisoj një vetëdijësim për zbatimin e drejtpërdrejtë personal të dashurisë së Krishtit ndaj mëkatarëve individualë. Kur dimë se është qëllimi i Perëndisë Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë që të na japin prej Tyre për të na sjellë gëzim dhe lumturi të vërtetë, kjo do të na shkaktojë gëzim të madh. Është natyra e Perëndisë që të veprojë në këtë mënyrë ndaj atyre mbi të cilët Ai ka vënë dashurinë e Tij, dhe Ai do të vazhdojë të veprojë në atë mënyrë ndaj nesh për gjithë përjetësinë.

Ne imitojmë atributin e tejçueshëm të Perëndisë, së pari duke e dashur edhe ne Perëndinë, dhe së dyti, duke i dashur të tjerët e duke imituar mënyrën se si Perëndia i do ata. Të tëra detyrimet tona ndaj Perëndisë, mund të përmblidhen në këtë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde....Duaje të afërmin tënd porsi vetveten “ (Mat. 22:37;39). Nëse e duam Perëndinë, ne do t’u bindemi urdhërimeve të Tij (1 Gjonit 5:3) dhe kësisoj të bëjmë atë që është e kënaqshme për Të. Ne do ta duam Perëndinë, jo botën (1 Gjonit 2:15), dhe të tërë këtë do ta bëjmë se Ai na deshi i pari (1 Gjonit 4:19).

Është një nga faktet më të mahnitshme në të tërë Shkrimin që ashtu sikurse dashuria e Perëndisë përfshin dhënien e Tij të Vetes për të na bërë neve të lumtur, kështu edhe ne si përgjigje mund ta japim veten dhe faktikisht t’i sjellim gëzim zemrës së Perëndisë. Isaia i premton popullit të Perëndisë: “Ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty” (Isa. 62:5), ndërsa Sofonia i thotë popullit të Perëndisë: “ZOTI, Perëndia yt, në mes teje... Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi.” (Sof. 3:17–18).

Imitimi ynë i dashurisë së Perëndisë, shikohet gjithashtu në dashurinë tonë për të tjerët. Gjoni e thotë këtë shkoqur: “Të dashur, në qoftë se Perëndia na deshi kështu; kemi detyrë edhe ne të duam njëri-tjetrin” (1 Gjonit 4:11). Në fakt, dashuria jonë për të tjerët përbrenda bashkësisë së besimtarëve, është kaq dukshëm imitim i Krishtit, saqë përmes kësaj bota do të na njohë si të Tijtë: “Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35; kr. 15:13; Rom. 13:10; 1 Kor. 13:4–7; Heb. 10:24). Perëndia Vetë na jep dashurinë e Tij për të na bërë të aftë që ta duam njëri-tjetrin (Gjoni 17:26; Rom. 5:5). Për më tepër, dashuria jonë për armiqtë tanë, pasqyron dashurinë e Perëndisë (Mat. 5:43–48).

8. Mëshirë, hir, durim. Mëshira, durimi dhe hiri i Perëndisë, mund të shikohen si tre atribute të veçanta apo si aspekte specifike të mirësisë së Perëndisë. Përkufizimet që jepen këtu, i tregojnë këto atribute si shembuj të veçantë të mirësisë së Perëndisë, kur kjo përdoret për dobinë e klasave specifike të njerëzve.

Mëshira e Perëndisë është mirësia e Perëndisë ndaj atyre që janë në vështirësi dhe ankth.

Hiri i Perëndisë do të thotë mirësia e Perëndisë ndaj atyre që meritojnë vetëm ndëshkim.

Durimi i Perëndisë nënkupton mirësinë e Perëndisë në përmbajtjen e ndëshkimit ndaj atyre që mëkatojnë, për një periudhë të caktuar kohore.

Këto tre karakteristika të natyrës së Perëndisë, shpesh herë përmenden në grup, veçanërisht në Besëlidhjen e Vjetër. Kur Perëndia i shpalli emrin e Tij Moisiut, Ai shpalli: “Zoti, Zoti Perëndi, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri” (Eks. 34:6). Davidi thotë tek “Psalmi” 103:8, “Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.”

Për shkak se këto karakteristika të Perëndisë janë përmendur shpesh në grup, mund të duket e vështirë të bësh dallimin ndër to. Megjithëkëtë, karakteristika e mëshirës theksohet shpesh herë kur njerëzit janë në vështirësi apo ankthi. Davidi thotë për shembull: “Gjendem në një situatë tërë ankth! Le të biem, pra, në duart e Zotit, sepse dhembshuria e tij është e madhe...” (2 Sam. 24:14). Dy të verbrit që dëshirojnë që Jezusi të shikojë gjendjen e vështirë të tyre e t’i shërojë, thërrasin: “Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit” (Mat. 9:27). Kur Pali flet për faktin që Perëndia na ngushëllon në pikëllimet tona, ai e quan Perëndinë “Ati i përdëllimeve  dhe Perëndia i gjithë ngushëllimit” (2 Kor. 1:3).[36]  Në kohë nevoje, ne duhet t’i afrohemi fronit të Perëndisë, në mënyrë që të marrim edhe mëshirë edhe hir (Heb. 4:16; kr. 2:17; Jakobi 5:11). Ne duhet të imitojmë mëshirën e Perëndisë në qëndrimin tonë ndaj të tjerëve: “Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë” (Mat. 5:7; kr. 2 Kor. 1:3–4).

Në lidhje me atributin e hirit shikojmë se Shkrimi thekson që hiri i Perëndisë, apo favori i Tij ndaj atyre të cilët nuk meritojnë favor por vetëm ndëshkim, nuk është kurrë hak por jepet gjithnjë falas nga ana e Perëndisë. Perëndia thotë: “Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj” (Eks. 33:19; cituar tek “Rom.” 9:15). Megjithëkëtë, Perëndia është rregullisht i hirshëm ndaj njerëzve të Tij: “Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd” (Psa. 119:132). Në fakt, Pjetri mund ta quajë Perëndinë “Perëndia i çdo hiri” (1 Pjetrit 5:10).

Hiri, si mirësia e Perëndisë, treguar veçanërisht ndaj atyre të cilët nuk e meritojnë, shikohet shpesh në shkrimet e Palit. Ai thekson që shpëtimi përmes hirit, është e kundërta e shpëtimit përmes përpjekjeve njerëzore, sepse hiri është një dhuratë e cila jepet falas. “Sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë, por janë drejtësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus” (Rom. 3:23–24). Dallimi mes hirit dhe një shpëtimi të fituar përmes veprave që meritojnë një shpërblim, shikohet gjithashtu tek “Romakëve” 11:6: “Edhe nëse është prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir.” Hiri atëherë, është favori i Perëndisë që u jepet falas atyre të cilët nuk e meritojnë këtë favor.

Edhe Pali e shikon që nëse hiri është i pamerituar, atëherë ka vetëm një qëndrim të përshtatshëm për njerëzit, si një instrument për marrjen e një hiri të tillë, konkretisht: besimi: “Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit...” (Rom. 4:16). Besimi është i vetmi qëndrim njerëzor i cili është e kundërta me mbështetjen tek vetja jonë, sepse besimi ka të bëjë me mirëbesimin apo mbështetjen tek një tjetër. Kësisoj, ai është pa vetë-mbështetje apo përpjekjet për të fituar drejtësinë përmes përpjekjeve njerëzore. Nëse favori i Perëndisë na vjen i shkëputur prej meritave tona, atëherë duhet të vijë kur ne mbështetemi jo tek meritat tona, por tek meritat e një tjetri, dhe kjo është ekzaktësisht ajo që ndodh kur ne kemi besim.

Në Besëlidhjen e Re, dhe veçanërisht tek Pali, jo vetëm që falja e mëkateve, por gjithashtu e gjithë jetesa e jetës së krishterë mund të shikohet se rezulton nga dhënia e vazhdueshme e hirit prej Perëndisë. Pali mund të thotë se: “me hirin e Perëndisë jam ai që jam” (1 Kor. 15:10). Luka flet për Antiokun si vendi ku Pali dhe Barnaba “ i ishin dorëzuar hirit të Perëndisë për të bërë veprën, që kishin përmbushur” (Veprat 14:26), duke nënkuptuar se kisha atje, duke dërguar Palin dhe Barnabën, e konsideronte suksesin e shërbesës së tyre si të varur nga hiri i vazhdueshëm i Perëndisë. Për më tepër, bekimi i “hirit” mbi lexuesit e Palit, është bekimi më i shpeshtë apostolik në letrat e tij (shiko p.sh. Rom. 1:7; 16:20; 1 Kor. 1:3; 16:23; 2 Kor. 1:2; 13:14; Gal. 1:3; 6:18).

Durimi i Perëndisë, po kështu qe përmendur në disa vargje të cituara më sipër në lidhje me mëshirën e Perëndisë. Besëlidhja e Vjetër shpesh herë flet për Perëndinë si “i ngadalshëm në zemërim” (Eks. 34:6; Num. 14:18; Psa. 86:15; 103:8; 145:8; Jona 4:2; Nah. 1:3; etj.). Në Besëlidhjen e Re, Pali flet për “mirësinë, durimin dhe zemërgjerësinë” (Rom. 2:4) e Perëndisë, dhe thotë se Jezus Krishti tregoi “durim të përsosur” ndaj Palit vetë si një shembull për të tjerët (1 Tim. 1:16; kr. Rom. 9:22; 1 Pjetrit 3:20).

Gjithashtu, ne duhet të imitojmë durimin e Perëndisë dhe të jemi “të ngadalshëm në zemërim” (Jakobi 1:19), dhe të jemi të duruar në vuajtje ashtu sikurse ishte Krishti (1 Pjetrit 2:20). Ne duhet të jetojmë një jetë “duke e duruar njëri-tjetrin” (Efe. 4:2), dhe “durimi” renditet ndër frytet e Frymës tek “Galatasve” 5:22 (shiko gjithashtu Rom. 8:25; 1 Kor. 13:4; Kol. 1:11; 3:12; 2 Tim. 3:10; 4:2; Jak. 5:7–8; Zbu. 2:2–3; etj.). Ashtu sikurse me pjesën më të madhe të atributeve të Perëndisë të cilat ne duhet t’i imitojmë në jetën tonë, durimi kërkon një mirëbesim çast pas çasti tek Perëndia që Ai do t’i përmbushë premtimet dhe qëllimet e Tij në jetën tonë në kohën e zgjedhur prej Tij. Bindja jonë që Zoti së shpejti do t’i përmbushë premtimet e Tij për të mirën tonë dhe lavdinë e Tij, do të na bëjë të aftë që të jemi të duruar. “Jakobi” bën këtë lidhje kur thotë: “Jini zemërgjerë edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit u afrua” (Jakobi 5:8).

9. Shenjtëria. Shenjtëria e Perëndisë do të thotë se Ai është i ndarë nga mëkati dhe është i përkushtuar kërkimit të nderimit të Vet. Ky përkufizim përmban si një cilësi marrëdhënore (ndarje nga) ashtu edhe një cilësi morale (ndarja është nga mëkati apo nga e keqja, ndërsa përkushtimi është për të mirën e nderit apo lavdisë së Perëndisë Vetë). Ideja e shenjtërisë që përfshin si ndarjen nga e keqja ashtu edhe devocionin ndaj lavdisë së Perëndisë Vetë, gjendet tek një sërë pasazhesh të Besëlidhjes së Vjetër. Fjala e shenjtë është përdorur për të përshkruar të dy pjesët e tabernakullit, për shembull. Tabernakulli vetë, ishte një vend i ndarë nga e keqja dhe mëkati i botës, dhe dhoma e parë në të qe quajtur “vendi i shenjtë.” Ajo i qe kushtuar shërbimit të Perëndisë. Por pastaj Perëndia urdhëroi që të kishte një vel, “veli do t'ju shërbejë si ndarës midis vendit të shenjtë dhe vendit shumë të shenjtë” (Eks. 26:33). Vendi më i shenjtë, ku mbahej arka e besëlidhjes, qe vendi më i ndarë nga e keqja dhe mëkati, dhe më tërësisht i kushtuar shërbimit ndaj Perëndisë.

Vendi ku Perëndia Vetë banonte, qe vetë i shenjtë: “Kush do t`i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?” (Psa. 24:3). Elementi i dedikimit ndaj shërbimit të Perëndisë, shikohet në shenjtërinë e të shtunës: “Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë” (folja e përdorur për ‘shenjtëroj’ është një formë Pieli e קָדַשׁ, H7727, dhe do të thotë “të bësh të shenjtë”) (Eks. 20:11; kr. Zan. 2:3). E shtuna u bë e shenjtë sepse u nda mënjanë nga veprimtaritë e zakonshme të botës dhe iu kushtua shërbimit të Perëndisë. Në të njëjtën mënyrë, tabernakulli dhe altari, njëlloj si Aaroni dhe bijtë e tij, duhet “të shenjtëroheshin” (Eks. 29:44), d.m.th. të ndaheshin mënjanë nga detyrat e zakonshme dhe nga e keqja dhe mëkati i botës, dhe t’i dedikoheshin shërbimit të Perëndisë (kr. Eks. 30:25–33).

Perëndia Vetë është Më i Shenjti. Ai quhet i “Shenjti i Izraelit” (Psa. 71:22; 78:41; 89:18; Isa. 1:4; 5:19, 24; etj.). Serafinët rreth fronit të Perëndisë thërrisnin: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij” (Isa. 6:3). “ZOTI, Perëndia ynë, është i shenjtë!” thërret psalmisti (Psa. 99:9; kr. 99:3, 5; 22:3).

Shenjtëria e Perëndisë paraqet modelin që njerëzit e Tij duhet të imitojnë. Ai i urdhëron ata: “Jini të shenjtë, sepse unë ZOTI, Perëndia juaj, jam i shenjtë” (Lev. 19:2; kr. 11:44–45; 20:26; 1 Pjetrit 1:16). Kur Perëndia e thirri popullin e Tij për të dalë nga Egjipti dhe i solli tek Vetja dhe i urdhëroi t’i bindeshin zërit të Tij, me atë rast Ai tha: “do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë” (Eks. 19:4–6). Në këtë rast, ideja e ndarjes nga e keqja dhe mëkati (të cilat këtu përfshinë në një mënyrë shumë mbresëlënëse ndarjen nga jeta në Egjipt) dhe ideja e përkushtimit ndaj Perëndisë (në shërbimin ndaj Tij dhe në bindjen ndaj dekreteve të Tij), shikohen të dyja në shembullin e një “kombi të shenjtë.”

Besimtarët e Besëlidhjes së Re duhet që gjithashtu të “Kërkojnë... shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Heb. 12:14) dhe të dish që disiplina e Perëndisë na jepet ne “të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij” (Heb. 12:10). Pali i inkurajon të krishterët që të ndahen nga ndikimi dominues që vjen nga lidhja e ngushtë me jobesimtarët (2 Kor. 6:14–18) dhe pastaj i inkurajon ata: “Le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Kor. 7:1; kr. Rom. 12:1). Perëndia synon që kisha vetë të kthehet në “një tempull të shenjtë në Zotin” (Efe. 2:21), dhe puna e tanishme e Krishtit për kishën, është “që ta shenjtërojë...që ta paraqesë atë përpara vetes të lavdishme...që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efe. 5:26–27). Jo vetëm individët por edhe kisha vetë duhet të rritet në shenjtëri!

Zakaria profetizon për një ditë kur gjithçka në tokë do të jetë “shenjtëri Zotit.” Ai thotë:

Atë ditë mbi zilkat e kuajve do të skalitet: "shenjtëri Zotit ". Tenxheret në Shtëpinë e ZOTIT do të jenë si legenët e vegjël përpara altarit. Po, çdo tenxhere në Jerusalem dhe në Judë do t`i shenjtërohet Zotit të ushtrive. (Zak. 14:20–21)

Në atë kohë, gjithçka në tokë do të ndahet nga e keqja, do të pastrohet nga mëkati dhe do t’i kushtohet shërbimit të Perëndisë në një pastërti të vërtetë morale.

10. Paqe (apo Rend). Tek “1 Korintasve” 14:33 Pali thotë: “Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi.” Paçka se “paqe” dhe “rend” nuk janë klasifikuar tradicionalisht si atribute të Perëndisë, Pali këtu nënkupton një cilësi tjetër të cilën ne mund ta dallojmë si një atribut të veçantë të Perëndisë. Pali thotë se veprimet e Perëndisë janë të karakterizuara nga “paqja” dhe jo nga “çrregullimi” (Gk. ἀκαταστασία (G189) një fjalë kjo që nënkupton “rrëmujë, pështjellim, trazirë”). Perëndia Vetë është “Perëndia i paqes” (Rom. 15:33; 16:20; Fil. 4:9; 1 Thes. 5:23; Heb. 13:20; kr. Efe. 2:14; 2 Thes. 3:16). Por ata që ecin në ligësi nuk kanë paqe: «Nuk ka paqe për të pabesët», thotë Zoti (Isa. 48:22; 57:21; kr. 59:8).

Sidoqoftë, kur Perëndia shikon me dhembshuri mbi njerëzit të cilët Ai i do, Ai i shikon ata si të “pikëlluar...rrahur nga stuhia ([37]LXX, ἀκατάστατος (G190) “në çrregullim, në pështjellim”), dhe jo të ngushëlluar” (Isa. 54:11), dhe premton se do t’i forcojë themelet e tyre me gurë të çmuar (Isa. 54:11–12) si dhe drejtojë ata në “paqe” (Isa. 55:12). Shpallja e planit të Perëndisë për shpengim, përmban premtimin e paqes për njerëzit e Perëndisë (Psa. 29:11; 85:8; 119:165; F. e Urta. 3:17; Isa. 9:6–7; 26:3; 57:19; Gjoni 14:27; Rom. 8:6; 2 Thes. 3:16; etj.). Në fakt, elementi i tretë të cilin Pali rendit si pjesë të frytit të Frymës, është “paqja” (Gal. 5:22).

Kjo paqe, padyshim që nuk nënkupton mosveprim, sepse qe një kohë rritjeje dhe veprimtarie intensive për të cilën Luka mund të thoshte se “në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin” (Veprat 9:31). Për më tepër, paçka se Perëndia është një Perëndi paqeje, Ai është gjithashtu Ai i Cili “nuk dremit dhe nuk fle” (Psa. 121:4). Ai është Perëndia i Cili është vazhdimisht në punë (Gjoni 5:17). Gjithashtu, paçka se qielli është një vend paqeje, është një vend gjithashtu lavdërimi të vazhdueshëm ndaj Perëndisë dhe shërbimi ndaj Tij.

Kështu, paqja e Perëndisë mund të përkufizohet si vijon: Paqja e Perëndisë do të thotë se në qenien e Perëndisë dhe në veprimet e Tij, Ai është veçmas tërë pështjellimit dhe çrregullsisë, megjithëkëtë Ai është vazhdimisht aktiv në veprime të panumërta, të mirë-organizuara, plotësisht të kontrolluara dhe të njëhershme.

Ky përkufizim nënkupton që paqja e Perëndisë nuk ka të bëjë me inaktivitetin, por me veprimtari të organizuara dhe të kontrolluara. Të përfshihesh në veprimtari të pafundme të këtij lloji, sigurisht që kërkon mençurinë, njohurinë dhe fuqinë e pafundme të Perëndisë.

Kur ne kuptojmë paqen e Perëndisë në këtë mënyrë, ne do mund të shikojmë një imitim të këtij atributi të Perëndisë jo vetëm në “paqe” si pjesë e frytit të Frymës tek “Galatasve” 5:22–23, por gjithashtu në elementët e fundit të përmendur në frytet e Frymës, konkretisht, “vetë-kontroll” (Gal. 5:23). Kur ne si njerëzit e Perëndisë ecim në rrugët e Tij, ne njohim gjithnjë e më shumë duke përjetuar atë mbretëri të Perëndisë që është me të vërtetë “drejtësi dhe paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë” (Rom. 14:17), dhe ne mund të themi për shtegun e mençurisë së Perëndisë: “Rrugët e saj janë rrugë të pëlqyeshme dhe tërë shtigjet e saj janë paqe” (F. e Urta 3:17).

11. Drejtësi, paanësi. Në anglisht termat drejtësi dhe paanësi janë fjalë të ndryshme, por, si në Besëlidhjen e Vjetër hebraike ashtu edhe në Besëlidhjen e Re në greqisht, ka vetëm një grup fjalësh prapa këtyre dy termave në anglisht. (Në Besëlidhjen e Vjetër, këto terma kryesisht përkthejnë termat צֶדֶק, H7406, grupin e fjalës, dhe Pjesëtarët e grupit të Besëlidhjes së Vjetër të δικαίως (G1469) grupit të fjalëve.) Për rrjedhojë, këto dy terma të shkurtër do të merren në konsideratë së bashku si tregues të të njëjtit atribut të Perëndisë.

Drejtësia e Perëndisë do të thotë se Perëndia vepron gjithnjë në përputhje me atë që është e drejtë dhe është Vetë standardi përfundimtar i asaj që është e drejtë.

Duke folur për Perëndinë, Moisiu thotë: “Në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë” (L. i P. 32:4). Abrahami i referohet me sukses karakterit të drejtë të Perëndisë Vetë kur thotë: “Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?” (Zan. 18:25). Perëndia gjithashtu flet dhe urdhëron atë që është e duhur: “Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën” (Psa. 19:8). Dhe Perëndia thotë për Veten: “Unë, Zoti, them atë që është e drejtë dhe deklaroj gjërat që janë të vërteta” (Isa. 45:19). Si rezultat i drejtësisë së Perëndisë, është e domosdoshme që Ai t’i trajtojë njerëzit në përputhje me atë që ata meritojnë. Kësisoj, është e domosdoshme që Perëndia të ndëshkojë mëkatin, sepse ai nuk meriton shpërblim, por është gjë e gabuar dhe meriton ndëshkim.

Kur Perëndia nuk e ndëshkon mëkatin, duket se kjo gjë lë të kuptohet se Ai nuk është i drejtë në mos gjendet ndonjë mënyrë tjetër e ndëshkimit të mëkatit. Kjo është arsyeja përse Pali thotë se kur Perëndia dërgoi Krishtin si një flijim për të mbartur ndëshkimin për mëkatin, kjo u bë “për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë; për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe drejtësues  i atij që beson në Jezusin” (Rom. 3:25–26). Kur Krishti vdiq për të paguar ndëshkimin për mëkatet tona, kjo tregoi që Perëndia ishte me të vërtetë i drejtë, për shkak se Ai dha ndëshkime të përshtatshme për mëkatin, paçka se Ai ia fali popullit të Tij mëkatet e tyre.

Në lidhje me përkufizimin e drejtësisë të dhënë më sipër, ne mund të pyesim, çfarë është “e drejtë”? Me fjalë të tjera, çfarë duhet të ndodhë dhe çfarë duhet të ketë? Këtu ne duhet të përgjigjemi duke thënë se çfarëdo gjëje që shkon përshtat karakterit moral të Perëndisë, është e duhur. Por përse gjithçka që është konform karakterit moral të Perëndisë është e duhur? Është e duhur për shkak se përshtatet me karakterin moral të Tij! Nëse Perëndia është me të vërtetë standardi përfundimtar i drejtësisë, atëherë nuk mund të ketë standard tjetër jashtë Perëndisë me anë të të cilit ne të mund të matin drejtësinë apo paanësinë. Ai Vetë është standardi përfundimtar. (Kjo është e ngjashme me situatën që hasim në lidhje me të vërtetën dhe që Perëndia është standardi më i lartë i të vërtetës.) Kurdoherë që Shkrimi përballet me pyetjen nëse Perëndia Vetë është apo jo i drejtë, përgjigja përfundimtare është gjithnjë që ne si krijesa të Perëndisë, nuk kemi të drejtë të themi që Perëndia është i padrejtë apo që nuk vepron me drejtësi. Krijesa nuk mund të thotë kështu gjërash për Krijuesin. Pali i përgjigjet një pyetjeje shumë të vështirë rreth drejtësisë së Perëndisë, duke thënë: “Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t`i thotë ena mjeshtrit: ``Përse më bërë kështu?’ A nuk ka vallë pushtet poçari mbi argjilën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?” (Rom. 9:20–21).

Si përgjigje ndaj pyetjes së Jobit rreth faktit nëse Perëndia ka qenë apo jo i drejtë në trajtimin që i bëri, Perëndia i përgjigjet Jobit kështu: “Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë?...A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të drejtësuar vetveten?” (Jobi 40:2, 8). Pastaj Perëndia përgjigjet jo në kuadrin e një shpjegimi që do t’i bënte të mundur Jobit të kuptonte arsyen përse veprimet e Perëndisë ishin të drejta, por më tepër në lidhje me një deklarim të madhështisë dhe fuqisë së Perëndisë Vetë! Perëndia nuk ka përse të shpjegojë drejtësinë e veprimeve të Tij për Jobin, sepse Perëndia është Krijuesi ndërsa Jobi është krijesa. “A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?” (Jobi 40:9). “Qëkurse jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit...?” (Jobi 38:12). “A mund ta çosh zërin tënd deri tek retë, me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm? Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam’?” (Jobi 38:34–35). “A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit?” (Jobi 39:19). “Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathata dhe i hap krahët e saj drejt jugut?” (Jobi 39:26). Jobi përgjigjet: “Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time” (Jobi 40:4).

Megjithëkëtë, do të përbënte një shkak për falënderimin dhe mirënjohje nga ne kur kuptojmë që drejtësia dhe gjithëfuqia zotërohen të dyja prej Perëndisë. Nëse do të ishte një Perëndi me drejtësi të përsosur por pa fuqi për të zbatuar drejtësinë, Ai nuk do qe i denjë për adhurim dhe ne nuk do të kishim garanci që drejtësia në fund do të ngadhënjente në univers. Por nëse Ai do të ishte një Perëndi me pushtet të pakufizuar, por nga ana tjetër pa drejtësi në karakterin e Tij, sa papërfytyrueshmërisht i tmerrshëm do të ishte universi! Do të kishte padrejtësi në qendër të ekzistencës së gjithçkaje dhe nuk do kishte asgjë që ndokush mund të bënte për ta ndryshuar atë. Ekzistenca do të bëhej e pakuptimtë, dhe ne do binim në dëshpërimin më të thellë. Për rrjedhojë, ne duhet që vazhdimisht të falënderojmë dhe lavdërojmë Perëndinë për atë që Ai është, “sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është  një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë” (L. i P. 32:4).

12. Xhelozi. Paçka se fjala xheloz përdoret shpesh herë me një kuptim negativ në gjuhën tonë, ajo nganjëherë merret edhe me kuptimin pozitiv. Për shembull, Pali u thotë korintasve: “Jam xheloz për ju me xhelozinë e Perëndisë” (2 Kor. 11:2). Këtu, kuptimi është “mbrojtës apo ruajtës i zellshëm.” Ka kuptimin e të qenurit thellësisht i përkushtuar kërkimit për nderimin dhe mirëqenien e dikujt, qoftë të vetes apo të një personi tjetër.

Shkrimi e paraqet Perëndinë si xheloz nga kjo anë. Ai në mënyrë të vazhduar dhe me zell kërkon të mbrojë nderin e Tij. Ai e urdhëron popullin e Tij që të mos i përulet idhujve e as t’u shërbejë atyre, duke thënë: “sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz” (Eks. 20:5). Ai dëshiron që adhurimi t’i jepet Atij dhe jo perëndive të rremë. Për rrjedhojë, Ai e urdhëron popullin e Izraelit të shkatërrojë altarët e perëndive paganë në tokën e Kanaanit, duke dhënë arsyet e mëposhtme: “sepse nuk do t'i përulesh një perëndie tjetër, sepse Zoti, emri i të cilit është ``Xhelozi'', është një Perëndi xheloz” (Eks. 34:14; kr. L.i P. 4:24; 5:9).

Kështu, xhelozia e Perëndisë mund të përkufizohet si vijon: Xhelozia e Perëndisë do të thotë që Perëndia vazhdimisht kërkon të mbrojë nderin e Vet.

Nganjëherë, njerëzit e kanë të vështirë të mendojnë që xhelozia është një atribut i dëshirueshëm për Perëndinë. Kjo vjen për shkak se xhelozia për nderin tonë si qenie njerëzore, është pothuajse gjithnjë e gabuar. Ne nuk duhet të jemi krenarë, por të përulur. Megjithëkëtë, ne duhet të kuptojmë se arsyeja përse krenaria është e gabuar, është një arsye teologjike: është fakti që ne nuk meritojmë nderimin që i takon vetëm Perëndisë (kr. 1 Kor. 4:7; Zbu. 4:11).

Gjithsesi, nuk është gabim për Perëndinë që të kërkojë nderin që i takon, sepse Ai e meriton plotësisht. Perëndia pohon qartë që veprimet e Tij në krijim dhe shpengim bëhen për nder të Tij. Duke folur për vendimin e Tij për të mos dhënë gjykim ndaj njerëzve të Tij, Perëndia thotë: “Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë .... Nuk do t`ia jap lavdinë time asnjë tjetri” (Isa. 48:11). Nga ana shpirtërore, është e shëndetshme për ne kur e qetësojmë zemrën tonë në faktin që Perëndia meriton të tërë nderin dhe lavdinë nga krijesat e Tij, dhe se është gjë e duhur për Të që ta kërkojë këtë nder. Vetëm Ai është pafundësisht i denjë për t’u lavdëruar. Kuptimi i këtij fakti dhe gjetja kënaqësi në të, nënkupton gjetjen e sekretit të adhurimit të vërtetë.

13. Zemërimi. Ne mund të habiteshim po të shikonim se sa shpesh Bibla flet për zemërimin e Perëndisë. Megjithëkëtë, nëse Perëndia e do gjithçka që është e drejtë dhe e mirë, dhe gjithçka që është në linjë me karakterin e Tij moral, atëherë nuk duhet të jetë për t’u habitur që Ai të urrente gjithçka që shkon kundër karakterit të Tij moral. Zemërimi i Perëndisë, drejtuar kundër mëkatit, është për rrjedhojë i lidhur me shenjtërinë dhe drejtësinë e Perëndisë. Zemërimi i Perëndisë mund të përkufizohet si vijon: Zemërimi i Perëndisë do të thotë se Ai e urren në mënyrë intensive të tërë mëkatin.

Përshkrime të zemërimit të Perëndisë gjenden shpesh në pasazhet e tregimeve të Shkrimit, veçanërisht kur populli i Perëndisë mëkaton keqas ndaj Tij. Perëndia e shikon idhujtarinë e popullit izraelit, dhe i thotë Moisiut: “E pashë këtë popull...; Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t`i konsumoj” (Eks. 32:9–10). Më vonë, Moisiu i thotë popullit: “Kujtohu dhe mos harro si e ke provokuar zemërimin e ZOTIT, Perëndisë tënd, në shkretëtirë....Edhe në Horeb provokuat zemërimin e ZOTIT; dhe Zoti u zemërua kundër jush, aq sa donte t`ju shkatërronte” (L. i P. 9:7–8; kr. 29:23; 2 Mbret. 22:13).

Megjithëkëtë, doktrina e zemërimit të Perëndisë në Shkrim, nuk është e kufizuar vetëm në Besëlidhjen e Vjetër siç kanë përfytyruar me pa të drejtë disa. Tek “Gjoni” 3:36 lexojmë: “ Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.” Pali thotë: “Sepse, zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve” (Rom. 1:18; kr. 2:5, 8; 5:9; 9:22; Kol. 3:6; 1 Thes. 1:10; 2:16; 5:9; Heb. 3:11; Zbu. 6:16–17; 19:15). Shumë vargje të tjera të Besëlidhjes së Re lënë gjithashtu të nënkuptohet zemërimi i Perëndisë kundër mëkatit.

Ashtu sikurse edhe me atributet e tjera të Perëndisë, ky është një atribut për të cilin ne duhet të falënderojmë dhe lavdërojmë Perëndinë. Mund të mos na bëhet menjëherë e ditur se si mund të arrihet kjo, përderisa zemërimi duket se është një koncept kaq negativ. I parë veçmas, ai do të shkaktonte vetëm frikë dhe tmerr. Megjithëkëtë, është e dobishme për ne që të pyesim se si do të ishte Perëndia nëse Ai do të ishte një Perëndi i Cili nuk e urrente mëkatin. Ai atëherë do të ishte një Perëndi që ose do gjente kënaqësi në mëkat, apo që të paktën nuk do shqetësohej prej tij. Një Perëndi i tillë nuk do të ishte i denjë për adhurimin tonë, sepse mëkati është i urryer dhe është i denjë për t’u urryer. Mëkati nuk duhet të ekzistojë. Në fakt, është virtyt të urresh të keqen dhe mëkatin (kr. Heb. 1:9; Zak. 8:17; etj.), dhe ne me të drejtë e imitojmë këtë atribut të Perëndisë kur ndjejmë urrejtje ndaj ligësisë së madhe, padrejtësive dhe mëkatit.[38]9

Për më tepër, ne nuk duhet të ndjejmë aspak frikë ndaj zemërimit të Perëndisë si të krishterë, sepse paçka se “ishim prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët” (Efe. 2:3), ne tani kemi besuar tek Jezusi, “që na shpëton nga zemërimi që po vjen” (1 Thes. 1:10; kr. Rom. 5:10). Kur ne përsiatemi rreth zemërimit të Perëndisë, do të mahnitemi kur të mendojmë që Zoti ynë Jezus Krisht mbajti atë zemërim të Perëndisë për shkak të mëkatit tonë, me qëllim që ne të mund të shpëtoheshim (Rom. 3:25–26).[39]10

Për më tepër, kur mendojmë rreth zemërimit të Perëndisë, ne duhet që gjithashtu të mbajmë në mendje durimin e Tij. Si durimi ashtu edhe zemërimi përmenden së bashku tek “Psalmi” 103: “ZOTI është...i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë” (Psa. 103:8–9). Në fakt, vonesa e ekzekutimit të zemërimit të Perëndisë ndaj të keqes, ka për qëllim t’i drejtojë njerëzit drejt pendesës (shiko “Rom.” 2:4).

Kësisoj, kur ne mendojmë për  zemërimin e Perëndisë që po vjen, ne duhet që njëherësh të jemi mirënjohës për durimin e Tij, që pret për ta ekzekutuar atë zemërim me qëllim që edhe më shumë njerëz të mund të shpëtohen: “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç mendojnë disa se të ishte vonesë; por është zemërgjerë ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim. Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë...” (2 Pjetrit 3:9–10). Zemërimi i Perëndisë duhet të na motivojë për të ungjillëzuar, dhe duhet të na bëjë gjithashtu të jemi mirënjohës që Perëndia në fund do t’i ndëshkojë të tëra keqbërjet dhe do të mbretërojë mbi qiejt e rinj dhe tokën e re në të cilën nuk do të ketë padrejtësi.

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

Spiritualiteti

1.     Përse është Perëndia kaq shumë i pakënaqur për sa u takon idhujve të gdhendur, madje edhe me ato që janë bërë për të shëmbëllyer Atë Vetë? Si atëherë do ta përfytyrojmë Perëndinë në mendjen tonë kur i lutemi Atij?

2.     Çfarë ka kultura apo mënyra jonë e të menduarit sot, që na bën ta mendojmë botën fizike si më reale dhe më jetëgjatë se sa botën shpirtërore? Çfarë mund të bëjmë për të ndryshuar perspektivën tonë intuitive për sa i takon realitetit të botës shpirtërore?

Njohuri

3.     Kur duhet të përpiqemi t’i fshehim mendimet dhe veprimet tona nga Perëndia? Si është përgjigjja jote ndaj kësaj pyetjeje një bekim për jetën tënde?

4.     Në lidhje me rrethanat në jetën tënde, a do të bëjë ndonjëherë gabime Perëndia, apo dështojë të planifikojë paraprakisht, apo të mos arrijë të marrë parasysh të gjitha mundësitë që realizohen? Si është përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje një bekim në jetën tënde?

5.     Kur mësoi Perëndia se ti do të ishe në vendin ku je tani, duke lexuar këtë fjali, në këtë kohë të ditës? Si është kuptimi i përgjigjes tënde ndaj kësaj pyetjeje një bekim për jetën tënde?

Mençuri

6.     A beson me të vërtetë se Perëndia është duke punuar me mençuri sot në jetën tënde? Në këtë botë? Nëse e gjen këtë të vështirë për ta besuar ndonjëherë, çfarë do mund të bëje për të ndryshuar qëndrimin tënd?

Vërtetësia

7.     Përse njerëzit në shoqërinë tonë, nganjëherë madje edhe të krishterët, janë mjaft të shkujdesur për sa i takon vërtetësisë në të folur? Përse ne nuk e kuptojmë shumë shpesh që dëmi më i madh nga të tërë që vjen nga gënjeshtra, është fakti se Perëndia Vetë turpërohet kësisoj? A ke nevojë t’i kërkosh ndihmë Perëndisë për të pasqyruar më plotësisht vërtetësinë e Tij në të folur në cilëndo prej fushave të mëposhtme: kur premton se do të lutesh për dikë; kur thua se do të jesh në një vend të caktuar në një kohë të caktuar; kur i ekzagjeron ngjarjet për të krijuar një histori më entuziazmuese; kur tregon kujdes që të mos harrosh e pastaj që të jesh besnik ndaj asaj që ke thënë në angazhimet në punë; kur raporton atë që njerëz të tjerë kanë thënë, apo për atë që ti mendon se dikush tjetër po mendon; kur paraqet pa shtrembërime këndvështrimin e kundërshtarit tënd në një debat?

Mirësi

8.     Duke mos harruar që çdo dhurëti e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart (Jakobit 1:17), shiko se sa shumë dhurata të mira nga Perëndia mund të rendisësh në një copë letre brenda pesë minutash. Kur të kesh mbaruar, pyete veten se sa shpesh ke një qëndrim mirënjohës ndaj Perëndisë për pjesën më të madhe të këtyre dhuratave. Përse mendon se ne kemi prirjen për të harruar që këto bekime vijnë prej Perëndisë? Çfarë mund të bëjmë që të mbajmë mend më shpesh?

Dashuria

9.     Është e përshtatshme që ta përkufizojmë dashurinë si “vetë-dhënëse” në lidhje me marrëdhëniet tona ndër-personale? Në ç’mënyrë do mund të imitoje dashurinë e Perëndisë veçanërisht sot?

10.    A është e mundur të vendosësh ta duash dikë dhe pastaj të veprosh bazuar mbi atë vendim, apo mos dashuria mes qenieve njerëzore thjesht varet mbi ndjenja spontane emocionale?

Mëshira

11.     Nëse do të reflektoje më plotësisht mbi mëshirën e Perëndisë, për cilin prej atyre që njeh do të tregoje kujdes të veçantë gjatë javës në vijim?

Shenjtëri

12.     A ka veprimtari apo marrëdhënie në vazhdën e tanishme të jetës tënde të cilat janë duke e penguar rritjen tënde në shenjtëri, për shkak se ato e bëjnë të vështirë për ty që të jesh i ndarë nga mëkati dhe i përkushtuar kërkimit të nderimit të Perëndisë?

Paqe

13.     Ndërkohë që mendon për reflektimin e paqes së Perëndisë në jetën tënde, mendo së pari për gjendjen tënde emocionale, mendore dhe shpirtërore. A mund të thuash që në përgjithësi ti e ke paqen e Perëndisë në kuptimin që jeta jote e brendshme është e ndarë nga pështjellimi dhe çrregullimi, dhe është shpesh herë apo vazhdimisht aktive në veprimet e mirë-organizuara dhe të mirë-kontrolluara të cilat çojnë më lart lavdinë e Perëndisë? Pastaj ngri disa pyetje në lidhje me atë që mund të quhet “rrethanat e jashtme” të jetës tënde, që janë, marrëdhëniet e juaja familjare, marrëdhëniet e juaja me fqinjët, veprimtaritë e juaja në studim apo në punën tuaj, si dhe marrëdhënien tuaj në lidhje me veprimtaritë e kishës. Çfarë mund të thuash për pamjen e përgjithshme të jetës tënde, të parë në tërësi? A tregon ajo paqen e Perëndisë? Çfarë do mund të bëje ti që do të pasqyronte më plotësisht paqen e Perëndisë?

Drejtësi

14.     A e gjen veten ndonjëherë duke uruar që disa prej ligjeve të Perëndisë të ishin ndryshe nga ç’janë? Nëse po, a reflekton një dëshirë e tillë mospëlqim për disa aspekte të karakterit moral të Perëndisë? Çfarë pasazhesh të Shkrimit do mund të lexoje për ta bindur veten më plotësisht që karakteri i Perëndisë dhe ligjet e Tij janë të duhurat në këto fusha?

Xhelozi

15.     A reflekton ti xhelozinë e Perëndisë për nderimin e Tij instinktivisht kur e dëgjon që përbaltet në bisedat e njerëzve apo në televizion, apo në kontekste të tjera? Çfarë mund të bëjmë ne për ta thelluar xhelozinë tonë për nderimin e Perëndisë?

Zemërimi

16.     A duhet ta duam faktin që Perëndia është një Perëndi zemërimi e që e urren mëkatin? Në ç’mënyrë është e përshtatshme për ne që të imitojmë këtë zemërim, dhe në ç’mënyrë është e gabuar një veprim i atillë nga ana jonë?

TERMA TË VEÇANTË

atributet e qenies

kundrimi i lumnuar

atributet e tejçueshme

besnikëri

mirë

mirësi

hir

shenjtëri

pandjeshmëri emocionale

padukshmëri

xhelozi

drejtësi

njohuri

dashuri

atribute mendore

mëshirë

atribute morale

gjithëdije

një veprim i vetëm dhe i përjetshëm

rend

durim

paqe

vetë-përcaktim i arsyeshëm

drejtësi

spiritualitet

teofani

vërtetësi

saktësi

mençuri

zemërim

BIBLIOGRAFI

Përderisa kapitujt 12 dhe 13 janë të lidhur kaq ngushtë në subjektin e tyre, materiali bibliografik për të dy këta kapituj, gjendet në fundin e kapitullit 13.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

Eksodi 34:6–7: Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: «Zoti, Zoti Perëndi, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal paudhësinë, shkeljet dhe mëkatin, por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin dhe që viziton paudhësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt.”

Shënim: Seksioni i fundit i këtij pasazhi, flet për Perëndinë i Cili “viziton paudhësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve.” Disa mund të duan që të ndalen për pak në këtë pjesë e të mësojnë përmendësh këtë pasazh, por ne duhet të mbajmë mend që edhe ky është Shkrim dhe është shkruar për ndërtimin tonë. Kjo deklaratë tregon natyrën e tmerrshme të mëkatit aq sa pasojat e tij shkojnë përtej mëkatarit individual e dëmtojnë edhe ata që janë pranë mëkatarit si dhe edhe brezat e ardhshme gjithashtu. Ne e shikojmë këtë në mënyra tragjike në jetën e zakonshme, ku fëmijët e të alkoolizuarve shpesh bëhen gjithashtu të alkoolizuar, dhe fëmijët e prindërve abuzues, shpesh bëhen edhe vetë prindër abuzues.

Sidoqoftë, të krishterët të cilët janë falur nga Krishti, nuk duhet t’i mendojnë këto fraza si fraza që gjejnë zbatim tek ta sepse ata janë në kategorinë tjetër të njerëzve të përmendur m’u përpara këtij seksioni tek “fajtorët”: ata janë ndër “mijërat” ndaj të cilëve Perëndia vazhdimisht tregon “steadfast love,” dhe që në mënyrë të vazhdueshme “fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin” (v. 7). Kur dikush vjen tek Krishti, zgjedha e mëkatit thyhet. Këtu është e rëndësishme të mbajmë mend fjalët e Pjetrit: “Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga sjellja e kotë e dorëzuar nga etërit, por me anë të gjakut të çmuar të Krishtit.” (1 Pjetrit 1:18–19).

HIMN

“O ADHURONI MBRETIN (O WORSHIP THE KING)”

Pothuajse tërë libri i himneve mund të përdoret për të kënduar për ndonjë aspekt a tjetër të karakterit të Perëndisë. Me plot kuptimin e fjalës, janë me qindra himnet që do të ishin të përshtatshme për këtë. Megjithëkëtë, ky himn përmban një listë të shumë prej atributeve të Perëndisë dhe i ndërthur ato në një mënyrë të atillë që himni ia vlen të këndohet vazhdimisht. Vargu 1 flet për lavdinë, fuqinë dhe dashurinë e Perëndisë; vargu 2 flet për fuqinë, hirin, zemërimin; e kështu me radhë. Në vargu 6, “i parrëfyeshëm” do të thotë “jo në gjendje për t’u shprehur plotësisht.” Ky himn është shkruar si një inkurajim për të krishterët, që t’i këndojnë njëri-tjetrit, ta nxisin njëri-tjetrin për ta “adhuruar Mbretin, e gjithë lavdishëm që është atje lart.” Megjithëkëtë, në proces e sipër të nxitjeve të tilla, edhe kënga vetë përmban gjithashtu shumë lavde.

Mbretin të tërë ju të lavdishmit atje lart adhuroni,

Me mirënjohje për fuqinë dhe dashurinë e Tij këndoni;

Mburoja dhe mbrojtësi ynë, i Lashti i Ditëve, Ti je,

Në shatorre madhështie, dhe i veshur me lavdërimin që ke.

O tregoni për fuqinë e Tij, për hirin e Tij o këndoni,

Manteli i Tij është dritë, tenda e të Cilit ka hapësirë sa të doni.

Koçia e zemërimit të Tij, re të trasha shiu formon,

Dhe i vranët është shtegu i Atij që në krahët e stuhisë shkon.

Toka është përplot mrekulli të patreguara,

I plotfuqishëm, nga fuqia Jote janë qëmoti të krijuara;

E ka ngulitur mirë me anë të një dekreti të pandryshuar,

Dhe rreth Vetes e ka hedhur, si një mantel, detin për t’u mbuluar.

Kujdesin Tënd zemërgjerë nuk ka gjuhë që mund ta thotë.

Ai merr frymë në ajër; shkëlqen në dritë;

Vërshon nga kodrat; në luginë zbret;

Dhe ëmbëlsisht në vesë dhe në shi rrëshqet.

Jemi fëmijë të brishtë prej pluhuri dhe të dobët e delikatë,

Tek Ti ne besojmë, e Ti s’na ke lënë në baltë;

Mëshirat e Tua sa të dhembshura, me to sa shumë këmbëngulës,

I yni Krijues, mbrojtës, mik dhe shpengues!

O dashuri e pa rrëfyeshme! O fuqi e pamatë!

Sa kënaqësi kanë engjëjt të të thurin himne atje lart,

me përulje Krijesat, sado në jetesën e tyre të dobëta shihen,

Me admirim të sinqertë për të të lavdëruar do të ngrihen.

Autori: Sir Robert Grant, 1833 (bazuar tek “Psalmi” 104)

Himn alternativ: “Përreth Zotit, në Lavdi të Ulur (Round the Lord in Glory Seated)”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>