Këtë libër nuk e shkrova për mësuesit e tjerë të teologjisë (edhe pse shpresoj që shumë prej tyre ta lexojnë). E shkrova për studentët, dhe jo vetëm për studentët, por dhe për çdo të krishterë i cili është i etur të dijë në më shumë thellësi doktrinat qendrore të Biblës.


Kjo është arsyeja përse këtë libër e kam titulluar: “Një Hyrje në Doktrinën Biblike”. Jam përpjekur ta bëj të kuptueshëm edhe për të krishterët të cilët nuk kanë studiuar më parë teologji. Kam shmangur përdorimin e fjalëve teknike pa i shpjeguar më parë ato. Gjithashtu, pjesa më e madhe e kapitujve mund të lexohen më vete, kështu që lexuesi mund të fillojë me cilindo kapitull dhe ta kuptojë atë pa pasur nevojë të lexojë materialet e mëparshme.

Studimet hyrëse nuk kanë përse të jenë të cekëta ose të thjeshtëzuara. Jam i bindur se shumica e të krishterëve janë në gjendje të kuptojnë mësime doktrinare të Biblës në thellësi të konsiderueshme, po qe se u paraqiten qartësisht dhe pa përdorur një gjuhë tepër teknike. Për rrjedhojë, aty ku dukej e nevojshme, nuk ngurrova t’i trajtoj debatet teologjike deri në hollësi.

Megjithëkëtë, ky libër, pavarësisht madhësisë së tij, mbetet përsëri një hyrje në teologjinë sistematike. Libra të tërë janë shkruar për temat e trajtuara në secilin kapitull të këtij libri dhe artikuj të tërë janë shkruar për shumë nga vargjet e cituara në këtë libër. Për rrjedhojë secili kapitull ka mundësinë të çelë studim të mëtejshëm në shkallë më të lartë ose me më shumë thellësi për ata që janë të interesuar. Bibliografitë në fund të çdo kapitulli japin ndihmë në atë drejtim.

Gjashtë veçoritë e dallueshme dhe të mëtejshme të këtij libri, rrjedhin nga bindjet e mia se për çfarë është teologjia sistematike dhe se si ajo duhet dhënë mësim:

1. Një bazë e qartë biblike për doktrinat. Për shkak se besoj se teologjia duhet të bazohet qartësisht në mësimet e Shkrimit, në secilin kapitull jam përpjekur të tregoj se ku Bibla mbështet doktrinat e marra në shqyrtim aty. Në fakt, për shkak se besoj se vetë fjalët e Shkrimit kanë pushtet dhe autoritet më të madh se ndonjë fjalë njerëzore, nuk kam dhënë vetëm referenca të Biblës por shpesh herë kam cituar vargje të tëra nga Bibla me qëllim që lexuesit të shqyrtojnë vetë me lehtësi provat nga Shkrimi dhe kësisoj t’u përngjajnë bereasve të fisëm, që “i shqyrtonin shkrimet çdo ditë për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu” (Veprat e Apostujve 17:11). Kjo bindje për natyrën unike të Biblës si fjala e Perëndisë, ka çuar në përfshirjen e një pasazhi për t’u mësuar përmendësh nga Shkrimi në fund të secilit kapitull.

2. Qartësi në shpjegimin e doktrinave. Nuk besoj se Perëndia synoi që studimi i teologjisë të rezultonte në pështjellim dhe pezmatim. Studenti që mbaron një kurs teologjik e që mbetet i mbushur vetëm me pasiguri doktrinare dhe një mijë pyetje pa përgjigje, vështirë se “është në gjendje me doktrinën e shëndoshë të nxisë dhe të bindë ata që flasin kundër” (Titi 1:9). Për rrjedhojë, jam përpjekur të përmend me qartësi pikëpamjet doktrinare të këtij libri dhe të tregoj se ku në Shkrim gjej prova bindëse për ato pikëpamje. Nuk pres që çdokush që lexon këtë libër të bjerë dakord me mua në çdo çështje doktrinare; nuk mendoj se çdo lexues do të kuptojë pikëpamjet që mbështes dhe për të cilat ka Shkrime mbështetëse.

Mendoj se është e drejtë ndaj lexuesve të këtij libri t’ju tregoj që në fillim se cilat janë bindjet e mia personale për disa çështje që debatohen përbrenda rrethit të krishterimit ungjillor. Unë mbështes një pikëpamje konservatore të pagabueshmërisë së Biblës, jam së tepërmi i një mendjeje me “Deklaratën e Çikagos” të Këshillit Ndërkombëtar për Pagabueshmërinë Biblike (kapitulli 5 dhe shtojca 1, fq. 1203–1206), dhe me një pikëpamje tradicionale të Reformuar për sa i përket çështjes së sovranitetit të Perëndisë dhe përgjegjësisë së njeriut (kapitulli 16), shtrirjen e shlesës (kapitulli 27), dhe për çështjen e paracaktimit (kapitulli 32). Në përputhje me pikëpamjen e Reformuar, i qëndroj mendimit se ata që janë të rilindur me të vërtetë, nuk e humbin asnjëherë shpëtimin e tyre (kapitulli 40). Për sa i përket marrëdhënieve burrë-grua, argumentoj për një pikëpamje që nuk është as tradicionale e as feministe, por “plotësuese”—që do të thotë se, Perëndia e krijoi burrin dhe gruan të barabartë në vlerë dhe personalitet dhe të barabartë në mbajtjen e shëmbëlltyrës së Tij, por se edhe krijimi edhe shpengimi tregojnë role të veçanta për burrat dhe gratë në martesë (kapitulli 22) dhe në kishë (kapitulli 47). Për qeverisjen e kishës, unë përkrah një formë të modifikuar kongregacionale qeverisjeje, me shumësi pleqsh në pozicione qeverisëse (kapitulli 47). Unë mbështes një pikëpamje të traditës baptiste të pagëzimit, domethënë, se ata që bëjnë një rrëfim të besueshëm të besimit vetjak, duhet të pagëzohen (kapitulli 49). Unë besoj se “pagëzimi në Frymën e Shenjtë” është një frazë e zbatuar më mirë për kthimin në besim, dhe përvojat e mëpasshme mund të quhen më mirë “të mbushesh me Frymën e Shenjtë” (kapitulli 39); për më tepër, se të gjitha dhuntitë e Frymës së Shenjtë të përmendura në Besëlidhjen e Re janë ende të vlefshme për ditët e sotme, por se “apostulli” është një post dhe jo një dhunti dhe se ky post sot nuk vazhdon më, (kapitulli 52, 53). Besoj se ardhja e dytë e Krishtit mund të ndodhë në cilëndo ditë, se do të jetë para mijëvjeçarit, domethënë, se do të shënojë fillimin e mbretërimit të Tij për njëmijë vjet-paqeje të përsosur mbi dhé, por se do të jetë pas periudhës së mundimit, domethënë, se shumë të krishterë do ta përjetojnë mundimin e madh (kapitujt 54, 55).

Kjo gjë nuk do të thotë se nuk i marr parasysh pikëpamjet e tjera. Aty ku ka ndryshime doktrinare përbrenda krishterimit ungjillor jam përpjekur t’i paraqes pikëpamjet e tjera sa më drejt, duke shpjeguar arsyen përse nuk jam i një mendjeje me to, dhe duke dhënë referenca për mbrojtjet më të mira të mundshme të pikëpamjeve të kundërta. Në fakt, e kam bërë të lehtë për studentët të gjejnë një deklaratë Ungjillore konservatore për secilën temë nga përbrenda traditave të tyre teologjike, sepse secili kapitull ka një indeks për trajtimin e temës së atij kapitulli në tridhjetë e katër tekstet e tjera teologjike të klasifikuara sipas llojit denominacional. (Nëse nuk ia kam dalë mbanë të paraqes me saktësi një pikëpamje të kundërt, do ta vlerësoja një letër të dërguar nga çdokush që përkrah atë pikëpamje dhe do të përpiqem t’i bëj korrigjimet përkatëse nëse një botim pasues i këtij libri do të botohet.)

3. Zbatim për jetën. Nuk besoj se Perëndia e synoi studimin e teologjisë për të qenë i thatë dhe i mërzitshëm. Teologjia është studimi i Perëndisë dhe gjithë veprave të Tij! Teologjia është supozuar të jetohet, të shprehet në lutje dhe të këndohet! Të gjitha shkrimet e mrekullueshme doktrinare të Biblës (si letra e Palit drejtuar Romakëve) janë përplot përlëvdime ndaj Perëndisë dhe zbatime personale në jetë. Për këtë arsye herë pas here, kam ngërthyer në tekst shënime mbi zbatimin  dhe kam shtuar “Pyetje për Zbatim Personal” në fund të çdo kapitulli, si dhe një himn që ka të bëjë me temën e kapitullit. Teologjia e vërtetë është të mësosh atë gjë “sipas perëndishmërisë” (1 Tim. 6:3), dhe teologjia kur mësohet në mënyrën e drejtë, do të çojë në pjekuri në jetët tona të krishtera dhe në adhurim.

4. Përqendrimi në botën ungjillore. Nuk mendoj se një sistem i mirëfilltë teologjik mund të ndërtohet përbrenda asaj që ne mund ta quajmë tradita “liberale” teologjike—domethënë, nga njerëz që mohojnë vërtetësinë absolute të Biblës, ose të cilët nuk mendojnë se fjalët e Biblës janë fjalët e Perëndisë Vetë (shih kapitullin 4, mbi autoritetin e Shkrimit). Për këtë arsye, shkrimtarët e tjerë me të cilët ndërveproj në këtë libër, janë kryesisht përbrenda asaj që sot quhet tradita e gjerë “ungjillore konservatore”, duke ia nisur nga reformatorët e mëdhenj Xhon Kalvin (John Calvin) dhe Martin Luter (Martin Luther), deri te shkrimet e studiuesve ungjillorë të sotëm. Unë shkruaj si Ungjillor për Ungjillorët. Kjo nuk do të thotë se ata shkrimtarë në traditën liberale nuk kanë asgjë të dobishme për të thënë; thjesht do të thotë se mospërputhjet me ta gati gjithnjë përmblidhen në mospërputhje mbi natyrën e Biblës dhe të autoritetit të saj. Masa e njëmendësisë doktrinare që mund të arrihet nga njerëz me bazë të gjerë kundërshtuese të autoritetit të Biblës, është tepër e kufizuar. Unë jam mirënjohës për miqtë e mi Ungjillorë të cilët shkruajnë kritika të gjera mbi teologjinë liberale, por nuk mendoj se të gjithë janë thirrur për pikërisht këtë gjë, apo se një analizë gjithëpërfshirëse e pikëpamjeve liberale është mënyra më ndihmuese për të ndërtuar një sistem pozitiv teologjie të bazuar mbi vërtetësinë totale të të gjithë Biblës. Në fakt, është pak a shumë si djaloshi në përrallën e  Hans Kristian Andersenit i cili bërtiti: “Perandori është pa rroba!” Mendoj se dikush duhet të thotë se si zor që teologët liberalë na kanë dhënë ndonjë të kuptuar të thellë domethënës në mësimet doktrinare të Shkrimit që nuk gjendet tashmë në shkrimtarët ungjillorë.

Nuk është se gjithnjë çmohet se bota e hulumtimeve Ungjillore konservatore është kaq e pasur dhe e larmishme saqë të lejon mundësi të gjera për eksplorimin e të kuptuarit të thellë dhe të pikëpamjeve të ndryshme të Shkrimit. Mendoj se në fund të fundit do të arrijmë më shumë thellësi të kuptuari të Shkrimit kur të jemi në gjendje ta studiojmë atë në shoqërinë e një numri të shumtë studiuesish të cilët pikënisjen të gjithë e kanë tek bindja se Bibla është tërësisht e vërtetë dhe absolutisht autoritare. Referencat kryq ndaj tridhjetë e katër teologjive të tjera ungjillore sistematike që kam vendosur në fund të secilit kapitull, pasqyrojnë këtë bindje: edhe pse ato ndahen në shtatë tradita të gjera teologjike (Anglikane/Episkopale, Arminiane/Uesliane/Metodiste, Baptiste, Dispensacionale, Luterane, e Reformuar/Presbiteriane, dhe Ripërtëritja/Karismatike/Pentakostale), ato të gjitha i përmbahen pagabueshmërisë së Biblës dhe i përkasin asaj që sot do të quhet një pikëpamje ungjillore konservatore. (Përveç këtyre tridhjetë e katër veprave ungjillore konservatore, kam shtuar në çdo kapitull dhe një seksion referencash kryq për dy teologji përfaqësuese Katolike Romake, sepse Katolicizmi Romak vazhdon të ushtrojë një ndikim kaq të rëndësishëm në mbarë botën.)

5. Shpresë për progres në unitetin doktrinar në kishë. Besoj se ka ende shumë shpresa që kisha të arrijë të kuptojë më thellë dhe më pastër doktrinat dhe të kapërcejë pengesat e vjetra, madje edhe ato që kanë vazhduar për shekuj me radhë. Jezusi punon për të përsosur kishën e Vet “që ta paraqesë atë përpara vetes së Tij si një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha, a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efe. 5:27), dhe Ai ka dhënë dhurata për ta pajisur kishën “derisa të arrijmë të gjithë tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë” (Efe. 4:13). Edhe pse historia e shkuar e kishës mund të na shkurajojë, këto Shkrime mbeten të vërteta dhe ne nuk duhet ta braktisim shpresën për pajtim më të madh. Në të vërtetë, në këtë shekull tashmë kemi parë një kuptueshmëri më të thellë dhe pajtime më të mëdha doktrinare midis teologëve të Besëlidhjes dhe atyre Dispensacionalë  dhe midis atyre karizmatikë dhe jo karizmatikë; për më tepër, mendoj që edhe kuptimi i kishës për temën e pagabueshmërisë biblike dhe për atë të dhuntive frymërore është shtuar së tepërmi në dekadat e fundit. Besoj se debati i tanishëm mbi rolet e duhura për burrat dhe gratë në martesë dhe në kishë, në të ardhmen do të rezultojë në një kuptueshmëri më të thellë të asaj që Shkrimi na mëson për këtë temë, sado e dhimbshme mund të jetë kjo polemikë sot. Për rrjedhojë, në këtë libër nuk kam ngurruar të ngre përsëri disa nga mosmarrëveshjet e vjetra (si për shembull, për pagëzimin, Darkën e Zotit, qeverisjen e kishës, mijëvjeçarin, mundimin e madh, si dhe paracaktimin) me shpresën se, të paktën në disa raste, një vështrim i ri tek Shkrimi mund të nxisë një shqyrtim të ri të këtyre doktrinave dhe mbase të frymëzojë disa lëvizje jo thjesht drejt të kuptuarit dhe tolerancës më të madhe ndaj pikëpamjeve të tjera, por drejt një njëmendësie më të madhe doktrinare në kishë.

6. Ndjenja e një nevoje urgjente për një kuptueshmëri më të thellë doktrinore në të gjithë kishën. Jam i bindur se sot në kishë ka nevojë urgjente për një kuptim më të thellë të doktrinës së krishterë, ose të teologjisë sistematike. Jo vetëm pastorët dhe mësuesit kanë nevojë ta kuptojnë teologjinë më thellë, por edhe e gjithë kisha. Një ditë, me anë të hirit të Perëndisë, mund të kemi kisha plot me të krishterë që mund të diskutojnë, zbatojnë dhe të jetojnë mësimet doktrinare të Biblës po aq lehtësisht sa diskutojnë detajet e punës ose të hobeve të tyre, ose gjendjen e skuadrave të sportit ose të programeve të tyre të parapëlqyera televizive. Kjo nuk do të thotë se të krishterëve u mungon aftësia për të kuptuar doktrinën; thjesht do të thotë se ata duhet të kenë akses në të në një mënyrë më të kuptueshme. Me të ndodhur kjo gjë, mendoj se shumë të krishterë do të zbulojnë se të kuptuarit (dhe të jetuarit) e doktrinave të Shkrimit, është një nga gëzimet e tyre më të mëdha.

Shumë njerëz më kanë ndihmuar në shkrimin e këtij libri. Së pari duhet të përmend studentët e mi, të mëparshëm dhe të tashëm, si në kolegjin Bethel në St. Paul, Minesota (1977-1981), dhe më pas në Shkollën Teologjike Ungjillore Trinity (1981-tani). Ndihmesat e tyre të kujdesshme, dhe të thelluara gjatë diskutimeve në klasë, kanë ndikuar tek çdo kapitull i këtij libri.

Perëndia më ka bekuar me ndihmesën nga disa radhitës shumë të aftë. Radhitja e dorëshkrimeve të mia, filloi disa vjet më parë nga Sherry Kull. Më vonë radhitën disa pjesë, Mary Morris, Ron Tilley, Kathryn Sheehan, Shelly Mills, Rebecca Heidenreich, Jenny Hart, dhe Carol Pederson. Më pas, pjesa më e madhe e dorëshkrimit u radhit me aftësi dhe përkujdesje të madhe nga Tammy Thomas, e cila më ndihmoi edhe me ca redaktime. Andi Ledesma dhe Joyce Leong plot me gëzim ndihmuan shumë herë me fotokopjimet. Së fundmi, Kim Pennington radhiti me besnikëri dhe saktësi korrigjimet dhe ndryshimet e shumta që ndodhën gjatë procesit redaktorial. U jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën e tyre.

John O. Stevenson bëri një punë të shkëlqyer në përpilimin e bibliografive dhe Don Rothwell përfundoi një pjesë të madhe të referencave kryq me tekstet e tjera teologjike. H. Scott Baldwin, Tom Provenzola dhe Mark Rapinchuk dhanë ndihmesë të madhe në korrektim dhe në kërkimin në bibliotekë. Mark Rapinchuk përpiloi edhe indeksin e autorëve si dhe referencat e Shkrimit. Beth Manley dha ndihmë të vyer në korrektim. George Knight III, Robert Reymond, Harold Hoehner, Robert Saucy, Doug Moo, Tom Nettles, Tom McComiskey, Doug Halsne, Steve Nicholson, Doug Brandt, Steve Figard, Gregg Allison, Ellyn Clark dhe Terry Mortenson bënë komente të hollësishme mbi pjesë të ndryshme të librit. Raymond Dillard përzemërsisht më siguroi një tekst në formë kompjuterike të Rrëfimit të Besimit të Uestminsterit. Bruce Shauger zgjidhi disa herë problemet e mia me kompjuterin dhe Tim McLaughlin riparoi kompjuterin tim në një kohë kritike. Miku im i kahershëm John Hughes më dha disa herë këshilla të nevojshme mbi kompjuterët dhe botimin e dorëshkrimit. Edhe djemtë e mi dhanë ndihmesën e tyre kur afatet u afruan: Elioti me kërkimin në bibliotekë dhe  Oliveri e Aleksandri (dhe miku i Aleksandrit, Matt Tooley) me përpilimin dhe korrigjimin e indeksve.

Në arritjen e formës përfundimtare të këtij libri, një person pati ndikim më të madh se kushdo tjetër: Redaktori i Librave Teologjikë, te Inter-Varsity Press, Angli, David Kingdon, dha ndihmesën e tij përtej pritshmërive të mia në punën e tij si një redaktor i mprehtë, i ndërgjegjshëm dhe i mençur. Ai shqyrtoi me kujdes të madh çdo kapitull, duke sugjeruar korrigjime, shtesa, dhe heqje nga teksti dhe duke ndërvepruar me argumentet e mia në letërkëmbimet e zgjatura. Njohuria e tij e gjerë mbi teologjinë, studimet biblike dhe historinë e doktrinës, ka patur një vlerë të pamatë për mua dhe libri ka dalë shumë më mirë si rezultat i punës së tij. Për më tepër, Frank Entwistle i Inter-Varsity Press dhe Stan Gundry, Jim Ruark, dhe Laura Weller të Zondervan-it, kanë qenë të hirshëm dhe të duruar me mua për shumë detaje të botimit të librit.

Këtë vepër nuk do mund ta kisha përfunduar pa dhënien me bujari të lejeve të krijimtarisë nga Trinity Evangelical Divinity School në vjeshtën e vitit 1983, në vjeshtën e vitit 1985, në dimër të vitit 1989 dhe në vjeshtën e vitit 1991. Gjithashtu, i jam mirënjohës bordit të drejtorëve të Trinity që më dhanë këtë kohë për të shkruar. Jam shumë mirënjohës edhe për mbështetjen e prindërve të mi, Arden dhe Jean Grudem, të cilët siguruan ndihmë financiare me bujari, gjë që më dha mundësinë të shkruaj gjatë këtyre kohëve dhe kohëve të tjera. Ata ishin një inkurajim i pandërprerë për mua përgjatë këtij udhëtimi, me lutjet e tyre si dhe me besimin e tyre të patundur se një libër i tillë, i shkruar në gjuhë jo teknike me qëllim që ata si dhe mijëra të krishterë si ata të mund ta kuptonin, do të ishte i dobishëm për kishën.

Mendoj se gati të gjithë që më njihnin u lutën për këtë projekt në një kohë apo tjetër, në veçanti studentët konsulentë të mi gjatë disa viteve te Trinity dhe shumë nga miqtë e mi në kishën ku shkoj. Shpesh kam qenë i vetëdijshëm për ndihmesën nga Zoti si përgjigje për ato lutje, i Cili më ka dhënë shëndet dhe forcë, mundësi për të mos u shpërqendruar, si dhe dëshirë të patundur për ta përfunduar librin.

Më së shumti, jam mirënjohës për mbështetjen e gruas sime Margaret, dhe të djemve të mi, Elliot, Oliver dhe Alexander. Ata ishin të duruar dhe inkurajues, u lutën për mua dhe më deshën dhe vazhdojnë të jenë burim i madh gëzimi në jetën time, gjë për të cilën falënderoj Perëndinë.

Jam i sigurt se ky libër, në ngjashmëri me të gjithë librat që janë vetëm njerëzorë, ka gabime dhe pakujdesi e mbase dhe disa argumente të gabuara. Po ta dija se ku janë, do të përpiqesha t’i korrigjoja! Për rrjedhojë do të isha mirënjohës nëse ndonjë lexues i interesuar do të më dërgonte sugjerime për ndryshime dhe korrigjime. Nuk mund t’ju siguroj se mund të marr parasysh çdo letër, por do t’i kushtoj vëmendjen e duhur materialit në secilën syresh, dhe do të bëj korrigjime ku të kem mundësi.

“Kremtoni Zotin, sepse Ai është i mirë, sepse mirësia e Tij vazhdon përjetë”. (Ps. 118:29).

“Jo neve o Zot, jo neve, por emrit Tënd jepi lavdi”. (Ps. 115:1).

Wayne Grudem
Trinity Evangelical Divinity School
2065 Half Day Road
Deerfield, Illinois 60015
USA

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>