Sherbimi

Janar 2021                                                Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Ai erdhi për të shërbyer

Krishti dha shembullin më të lartë të shërbimit dhe sakrificës, kur erdhi dhe iu nënshtrua vdekjes në vendin tonë. Në të njëjtën mënyrë edhe ne jemi thirrur për t’u shërbyer të tjerëve me përulësi. Inkurajohu duke lexuar shkrimet e mëposhtme me komente nga Bibla e Studimit ESV.

Filipianëve 2:3-8

Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve. Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.

Ekziston gjithmonë tundimi për të qenë si kundërshtarët e Palit te Filipianëve 1:17 dhe për të vepruar në egoizëm, duke kërkuar vetëm përparimin personal. Një mendjemadhësi e tillë (specifikisht “mburrje”) kundërshtohet duke i çmuar të tjerët më shumë se veten. Pali kupton se gjithsecili në natyrën e vet kërkon interesin e vet. Çelësi është që të njëjtin nivel shqetësimi që kemi për veten ta aplikojmë edhe për interesat e të tjerëve. Një dashuri e tillë radikale është e rrallë, prandaj Pali shfaq realitetin e saj suprem në jetën e Krishtit (Filipianëve 2:5-11).

Ky pasazh shpesh quhet si “himni i Krishtit”. Pali përshkruan shembullin e shërbesës së Krishtit në një poezi frymëzuese, që përfshin paraekzistencën, mishërimin, vdekjen, ringjalljen dhe ngritjen e Tij në të djathtën e Atit. Pali e shkroi këtë teologji të mrekullueshme për t’i inkurajuar filipianët që të mendonin së pari për interesin e të tjerëve (shih Filipianëve 2:4). Jezusi është modeli i rritjes së vërtetë shpirtërore: jo një përpjekje vetëlartësuese për epërsi, por një dashuri e thellë për Perëndinë dhe të afërmin, e cila shfaqet përmes veprave të shërbimit. Filipianëve 2:6-11 ka disa tregues të një strukture poetike, që i çon disa te besimi se ky ishte një himn i shkruar para kohës së Palit por i përshtatur prej tij. Por ka po aq gjasa që Pali ta ketë kompozuar vetë për këtë kontekst. Në lidhje me pyetjet e shumta teologjike, që ngrihen në këto vargje, është shumë e rëndësishme që të mbajmë në mendje dy gjëra: (1) këto vargje nuk u shkruan për të nxitur të krishterët në debate teologjike, por për të inkurajuar përulësi dhe dashuri të madhe; dhe (2) përmbledhja e jetës dhe shërbesës së Krishtit këtu nuk është unike: të njëjtat tema shfaqen përgjatë gjithë Dhiatës së Re.

Nëse duam të jetojmë jetën për Perëndinë, mendja e besimtarit duhet të reflektojë mbi modelin e duhur. Ka disa debate për faktin, nëse kjo mënyrë të menduari është diçka që të krishterët e marrin si rrjedhojë e të qenët në unitet me Krishtin (që është i yti në Krishtin) apo nëse duhet bazuar në modelin e Krishtit (shënim i ESV: “që ishte gjithashtu në Krishtin Jezus”). (Në greqisht nuk ka folje; pra duhet shtuar “është” ose “ishte”.) Bazuar në tematikën e përhershme të modelimit të sjelljes në këtë letër (Jezusi, Pali, Timoteu dhe Epafroditi mbahen si shembuj), shumë interpretues janë përshtatur me interpretimin e dytë. Të dyja idetë janë teologjikisht të vërteta. Në secilin rast, tema qendrore e Filipianëve 2:1-5 është e njëjtë, që kisha filipiane duhet të ishte në një mendje (Filipianëve 2:2), të bashkuar në dashuri (Filipianëve 2:2) dhe në përulësi (Filipianëve 2:3), dhe duke menduar për interesin e të tjerëve (Filipianëve 2:4).

Para mishërimit Krishti ishte në trajtë Perëndie (greqisht morphe theou). Pavarësisht kundërshtimeve nga disa studiues, sipas natyrës së Tij kjo i referohet “paraekzistencës” së Krishtit—Ai, Biri i përjetshëm, ishte atje me Atin (Gjoni 1:1; 17:5; 24) para se të lindte në Betlehem. Fjala “trajtë” këtu i referohet natyrës së vërtetë dhe të saktë të diçkaje, që përmban të gjitha karakteristikat dhe cilësitë e diçkaje. Prandaj, të qenët “në trajtë Perëndie” është njësoj me të pasurit barazi me Perëndinë (greqisht isa theo) dhe është në kontrast të drejtpërdrejtë me të pasurit “trajtë shërbëtori” (Filipianëve 2:7). Biri i Perëndisë është dhe gjithmonë ka qenë Perëndi. Fjala “trajtë” gjithashtu mund t’i referohet faktit se Krishti është imazhi më i lartë i Perëndisë, “vula e qenies së tij” (Hebrenjve 1:3). Gjithashtu mund t’i referohet faktit se Ai është shfaqja e dukshme e lavdisë së padukshme të Perëndisë (Kolosianëve 1:15). Është e mrekullueshme që Krishti nuk mendoi se të pasurit “barazi me Perëndinë” (që Ai tashmë e kishte) do ta shtynte që t’i ruante privilegjet e Tij me çdo kusht. Nuk ishte diçka që Ai duhet ta kapte, ta mbante dhe ta shfrytëzonte për përfitim personal. Në fakt, Ai kishte një mentalitet shërbëtori. “Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij” (Romakëve 15:3). Me përulësi Ai e llogariti interesin e të tjerëve më të rëndësishëm se të vetin (Filipianëve 2:3-4).

Kolosianëve 3:23-24

Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.

Lloji i shërbimit që praktikohej në shekullin e parë rrallëherë ishte sipas planit të Zotit; Shkrimet rregullojnë institucionin e këtij shërbimi pa e lavdëruar, dhe mëkati i trafikimit njerëzor dënohet në Dhiatën e Re (1 e Timoteut 1:10; Zbulesa 18:11-13). Ashtu si në çdo qytet apo fshat në botën romake, në Kolos duhet të ketë pasur shumë skllevër (ose shërbëtorë të skllavëruar); Pali i trajton me dinjitet dhe u bën thirrje të drejtpërdrejtë që të nderojnë Krishtin në zemrat, punët dhe sjelljet e tyre. Filemoni ishte një kolosian i pasur, që përfitonte nga puna e shërbëtorit të tij skllav, Onesimit (shih librin e Filemonit). Skllevërit (ose shërbëtorët skllevër) duhet të punojnë me dëshirë të mirë, së pari jo për t’i pëlqyer zotit të tyre tokësor, por si të ishin duke punuar për Zotin. Parimet te Kolosianëve 3:22- 4:1 duhet të aplikohen edhe midis punëdhënësve dhe punëmarrësve sot.

1 e Pjetrit 4:10-11

Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si administratorë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë. Nëse dikush flet, le ta bëjë si thëniet e Perëndisë; kush bën një shërbim, le ta bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amen.

Të gjithë besimtarët kanë marrë të paktën një dhunti shpirtërore nga Perëndia, dhe ata nuk duhet t’i fshehin, por t’i përdorin me besnikëri si administratorë të hirit të Perëndisë (krahaso me 1 e Korintasve 12-14). Pjetri i ndan dhuntitë shpirtërore përgjithësisht në ato të të folurit dhe të të shërbyerit (për detaje shih Romakëve 12:6-8; 1 e Korintasve 12:8-10, 28-30; dhe Efesianëve 4:11). Ata që flasin nuk duhet të shpallin idetë e tyre, por duhet të deklarojnë me besnikëri fjalët e Perëndisë (orakujt). Po ashtu, ata që shërbejnë nuk duhet të mbështeten në forcat e tyre, por duhet të marrin fuqinë e tyre nga Perëndia, në mënyrë që vetëm Perëndia të lavdërohet përmes Jezu Krishtit.

Galatasve 5:13-14

Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit. Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”

Çlirimi nga ligji nuk na çon në liberalizëm, sepse besimtarët përmes fuqisë së Frymës jetojnë një jetë të re të karakterizuar nga dashuria. Kjo është e vetmja mënyrë aspak skllavëruese në jetën e krishterë për t’i rezistuar skllavërimeve të ndryshme, që ofron bota. Por kjo nuk do të thotë se të krishterët mund të bëjnë ç’të duan (që në vetvete është një formë tjetër skllavërie). Në vend të kësaj të shërbesh dhe t’i duash të tjerët është e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar skllavërisë dhe për të përmbushur gjënë më kryesore të ligjit.

“Si rast për mishin” nënkupton “rast për të ndjekur dëshirat e rëna dhe mëkatare dhe për të vepruar kundër ligjeve morale të Perëndisë”. Kur Pali thotë se i gjithë ligji përmblidhet në urdhërimin “duaje të afërmin porsi vetveten,” dhe kur ai e përdor atë si arsyeja përse galatasit duhet “t’i shërbejnë njëri-tjetrit” (v. 13), ai po nënkupton se të krishterët kanë akoma një detyrim moral për të ndjekur standardet morale që gjenden në “ligjin” e Perëndisë në Shkrim. Bindja nuk është një mënyrë drejtësimi, por është një përbërës thelbësor për jetën e krishterë.

Marku 10:42-45

Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: ''Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre; por kjo s'duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj; dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave''.

Dishepujt duhet të dallojnë nga përulësia e shërbesës, jo nga dëshira për të sunduar mbi ata për të cilët janë përgjegjës. Jezusi nuk mohon çdo përdorim të autoritetit njerëzor (krahaso me Mateu 16:19; Mateu 18:18), por veçon keqpërdorimin e tij shtypës.

Udhëheqësia midis njerëzve të Perëndisë duhet të karakterizohet nga shërbimi ndaj njerëzve dhe duke vepruar në të mirën dhe interesin e tyre, jo të hamendësojmë se njerëzit duhet t’i shërbejnë drejtuesit. Këto parime zënë vend jo vetëm në drejtimin e kishës por gjithashtu në të gjitha marrëdhëniet (p.sh., në qeverinë civile, autoriteti civil duhet të jetë “shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë” [Romakëve 13:4; krahaso me 1 e Samuelit 8:11-20; 12:3-5]).

Sundimi mesianik i Perëndisë përurohet pëmes shembullit më të lartë të shërbesës: Vdekja e Jezusit si shlyerje zëvendësuese (shpengimi i shumë vetave; krahaso me Levitiku 5:14-6:7; Isaia 52:14, 15; 53:8-12; Marku 14:24; Romakëve 4:25; 1 e Korintasve 15:3; dhe shënimi tek 1 e Timoteut 2:6), ofruar nga sunduesi i ardhshëm (Bir i Njeriut; krahaso me Danieli 7:13-14; Marku 8:38; 14:62; dhe shënimi te Mateu 8:20). Kjo cilësi e përulësisë dhe dashurisë për të tjerët, që rrjedh nga dashuria e pafundme e Perëndisë për njerëzit e Tij, do të karakterizojë edhe sundimin e përjetshëm të Krishtit. “Shpengimi” përmes jetës së Krishtit iu pagua Perëndisë Atë, që pranoi atë si pagesë për mëkatet e “shumë vetave” (të gjithë ata që do të shpëtoheshin).

Gjoni 13:12-15

Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: ''A e kuptoni këtë që ju kam bërë? Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam. Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.

Dishepujt do të kuptojnë plotësisht vetëm pas kryqit, edhe pse pjesërisht e kanë kuptuar përulësinë e mrekullueshme të Jezusit, që shërben si model për të gjithë dishepujt e Tij. Në disa denominacione të kohëve të sotme vazhdon rregullisht ceremonia e larjes së këmbëve, duke iu bindur në kuptimin e parë urdhërimit të Jezusit: edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Të tjerë besojnë se Jezusi ka përdorur gjuhën e figurshme, duke nënkuptuar sa e rëndësishme është t’i shërbejmë njëri-tjetrit dhe se nuk kërkohet veprimi i drejtpërdrejtë i larjes së këmbëve.

Marku 9:34-35

Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi. Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Nëse dikush do të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”

Në lidhje me pritjet që ata kishin për Mesian si një çlirues politik, dishepujt ëndërronin për status, nder dhe fuqi përgjatë revoltës makabiane (166-160 para Krishtit; krahaso me Marku 8:34-38). Zakonisht mësuesit uleshin, kur jepnin mësim. Ashtu si Mesia i Perëndisë udhëhoqi përmes vuajtjes, njësoj edhe çdo dishepull duhet të udhëheqë (të jetë i pari) duke u bërë shërbëtor i të gjithëve. Vuajtja e Jezusit jo vetëm që shënon fillimin e sundimit mesianik të Perëndisë, por ajo gjithashtu përcakton modelet e sjelljes (siç janë përulësia, besimi dhe dashuria) që kërkohen në mbretëri (Filipianëve 2:1-11).

Mateu 25:35-40

Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë." Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?" Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t'u thotë: "Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.

Në kontekstin e shëmbëlltyrës, “më të vegjël” i referohet atyre që janë më nevojtarë mes vëllezërve të Jezusit—me shumë mundësi është një referencë për dishepujt e Jezusit, pra për të gjithë besimtarët. “Delet” lavdërohen për dhembshurinë e madhe ndaj atyre në nevojë—për të uriturit, për të eturit, për të huajt; për ata që janë të zhveshur, të sëmurë apo në burg. Të drejtët do të trashëgojnë mbretërinë jo për shkak të veprave të mëshirës, që kanë bërë, por për shkak se drejtësia e tyre vjen nga zemrat e tyre të transfomuara në përgjigje ndaj shpalljes së Jezusit për mbretërinë, siç tregohet nga dhembshuria e tyre për “më të vegjlit”. Duke u kujdesur për ata në nevojë, të drejtët zbulojnë se veprat e tyre të mëshirës për nevojtarët janë njësoj sikur t’i ishin bërë vetë Jezusit (“ma bëtë mua”).

Mateu 5:14-16

Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t'u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.

Dishepujt e Jezusit kanë jetën e mbretërisë brenda tyre si një dëshmi të gjallë për ata që janë në botë dhe nuk e kanë dritën. Shandani tipik i një shtëpie hebreje ishte i vogël dhe vendosej diku lart që të ndriçonte sa më shumë.

Bota do të shohë dritën e mbretërisë përmes veprave të mira të bëra nga dishepujt e Jezusit (dhe besimtarët sot), rezultat i së cilës do të jetë lavdërimi i Atit që është në qiej.

Romakëve 12:6-13

Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; nëse kemi shërbim, le t'i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit; dhe ai që nxit, le t'i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshire, le t'i bëjë me gëzim. Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës. Duajeni njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njëri me tjetrin. Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbejini Perëndisë, të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje; ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.

Të krishterët duhet të përqendrohen dhe të shpenzojnë energjitë e tyre në dhuntitë që Perëndia u ka dhënë, qoftë për t’u shërbyer të tjerëve, për të mësuar Fjalën e Perëndisë me durim, apo për të nxitur e inkurajuar në gjërat e Perëndisë. Kështu Pali thekson tri qëndrime të nevojshme në ushtrimin e dhuntive të veçanta: (1) ata që kanë dhuntinë e të ndihmuarit financiarisht (ai që ndan) nuk duhet ta bëjnë me keqardhje, por me bujari; (2) ata që udhëheqin (kryesojnë) zakonisht nuk u duhet t’i japin llogari dikujt, prandaj duhet të jenë të kujdesshëm të mos bëhen përtacë; (3) ata që tregojnë mëshirë ndaj atyre që lëngojnë nuk duhet të lodhen por ta vazhdojnë shërbesën me gëzim.

Gjithçka Pali thotë përmblidhet nga thirrja e dashurisë. Dashuria nuk mund të reduktohet në sentimentalizëm. ‘Urreni’ flet që të krishterët duhet ta urrejnë të keqen. Mikpritja ishte shumë e rëndësishme për të krishterët e hershëm, sepse shumica e tyre nuk mund të përballonin hotelet (bujtinat), kur udhëtonin, por ishin të varur ajo që siguronin besimtarët e tjerë. 


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-serving/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Shërbimi

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>