luis-quintero-inL1EUXRbnU-unsplash

Prill 2020


Përgjigjja

Dhiata e Re thotë se kur kishat mblidhen duhet të lexojnë Biblën, të predikojnë Biblën, të luten sipas Biblës, të këndojnë fjalët e Biblës dhe ta shohin Biblën.

  1. Lexoni Biblën: Pali i tha Timoteut: “Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë” (1 e Timoteut 4:13). Kishat duhet ta lexojnë Shkrimin me zë të lartë në takimet e tyre.
  2. Predikoni Biblën: Pali i tha Timoteut: “Prediko fjalën” (2 e Timoteut 4:2). Vetë Pali i shpalli “gjithë këshillën e Perëndisë” kishës në Efes (Veprat 20:27). Takimet e kishave sot duhet të përqendrohen te predikimet që marrin pikën kryesore të një pjese të Shkrimit, e bëjnë atë pikën kryesore të predikimit, dhe e zbatojnë në jetën e përditshme. 
  3. Lutuni sipas Biblës: Pali na nxit që të ofrojmë lutje në takimin e kishës (1 e Timoteut 2:8, 3:14-15). Përmbajtja e këtyre lutjeve duhet të jetë biblike, në mënyrë që të ndërtohen të gjithë ata që janë të pranishëm (1 e Korintasve 14:12, 26). Kjo nuk do të thotë që lutjet në takimet e kishave duhet të jenë formale dhe të thata, por që duhet të jenë të pasura nga ana biblike. 
  4. Këndoni sipas Biblës: Pali i tha kishës në Kolos: “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!” (Kolosianëve 3:16). Kjo nuk do të thotë që kishat duhet të këndojnë vetëm Psalme apo vetëm fjalët e Biblës, por do të thotë që kishat duhet të këndojnë këngë, të cilat janë të zhytura në gjuhën dhe teologjinë e Biblës. 
  5. Shikoni Biblën: Ne e “shohim Biblën” për shkak se porositë e pagëzimit dhe Darkës së Zotit janë “fjalë të dukshme”, nëse përdorim frazën e Augustinit. Në pagëzim dhe në Darkën e Zotit ne shohim, nuhasim, prekim dhe shijojmë Fjalën. Kishat e krishtera duhet ta kremtojnë pagëzimin dhe Darkën e Zotit gjatë mbledhjeve të tyre publike (1 e Korintasve 11:17-34).

(Ky material është përshtatur nga kapitulli i Ligon Duncan, Foundations for Biblically Directed Worship” në librin Give Praise to God: A Vision for Reforming Worship, ed. Philip Graham Ryken, Derek W.H. Thomas, dhe J. Ligon Duncan, III [Phillipsburg: P&R Publishing Co., 2003], faqet 65-68)


Kategoria: Bashkësia
Botuar me leje: https://www.9marks.org/answer/what-does-new-testament-say-churches-should-do-when-they-gather/
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2020

Etiketa9marks, Bashkësia

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do
>