pray

Prill 2020


 

Për shumë njerëz, doktrina e konvertimit apo kthimit në besim nuk duket aspak si diçka e bukur. Ata thonë që është shtrënguese – “Nuk do ta lejoj askënd të më detyrojë të pranoj besimin e tyre!” Ose është diçka ofenduese – “Kush je ti që të më thuash se ajo që besoj apo mënyra sesi jetoj është e gabuar?”

Sigurisht që në ato kuptime bukuria varet nga ai që e sheh. Gjëja më e rëndësishme rreth doktrinës nuk është nëse është e shëmtuar apo e bukur, por nëse është e rreme apo e vërtetë. Tani që e kemi thënë këtë, doktrina e vërtetë e konvertimit të krishterë është thjesht e bukur.

Në një nivel, konvertimi është i bukur në të njëjtën mënyrë sikurse janë të bukura të gjitha llojet e transformimit. Në shkollën fillore fëmijët studiojnë metamorfozën e vemjes në flutur apo atë të larvës në bretkosë. Në takimet e fëmijëve, fëmijët mësojnë sesi këto transformime ilustrojnë ndryshimin në një zemër njerëzore nga “e vdekur në mëkat” në “një krijesë të re.” Një lule çel, një vezë çahet, një zog i vogël i hap krahët për herë të parë në fluturim. Secili prej këtyre transformimeve është i bukur në mënyrën e vet, por ato të gjitha janë gjithashtu të bukura në të njëjtën mënyrë. Në shumë cepa dhe skuta të krijimit, Perëndia ka ndërthurur zbulesën e lavdisë së tij e cila ushtrohet në ndryshimin e vdekjes frymërore në jetë të përjetshme.

Një prej ligjeve të botës natyrore është që nëse gjërat lihen në veten e tyre nuk përparojnë por degradojnë. Gjithçka vdes. Megjithatë, në vetë këtë sferë, Perëndia ka koduar bukurinë e ndryshimit në diçka më të mirë aty këtu. A nuk janë të gjitha këto shenja treguese të mrekullisë së shpëtimit?

Në fakt, konvertimi është shumë më i madh se kaq. Është i bukur në thjeshtësinë e vet (mendo Romakëve 10:9) dhe në kompleksitetin e vet (shih Efesianëve 2:1-10).

Por nuk mjafton të thuash që shpëtimi është i bukur. Le ta tregojmë.

I BUKUR NË ORKESTRIMIN E VET

Konvertimi është i bukur në orkestrimin e vet. Ekziston një moment vendimtar i konvertimit: një moment në të cilin nuk jemi duke besuar për shpëtim që Jezu Krishtin është Biri i Perëndisë dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri, dhe momentin tjetër e besojmë.

Vendimi fillestar për të besuar, për t’u kapur pas Krishtit me duart bosh të besimit, është momenti kur një mëkatar i paracaktuar që është duke parë punën e vet mplekset në ordo salutis (rendin e shpëtimit). Shënjestra e Perëndisë ishte mbi të që nga përjetësia e shkuar, por tani ka ardhur koha e caktuar e thirrjes efektive. Udha e planifikuar e njeriut është ndërprerë prej drejtimit të hapave të tij nga Perëndia (Fjalët e Urta 16:9).

Në një farë kuptimi konvertimi është në të njëjtën kohë përmbushja e planit të Perëndisë dhe një pikë e caktuar në shtegun e tij. Ky është një moment vendimtar, por pas këtij momenti ka shumë qëllimshmëri! Skicën e kësaj qëllimshmërie e shohim tek Romakëve 8:30. “Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.” Sytë tanë mund t’i shohin njerëzit që pendohen dhe rrëfejnë besimin e tyre në Krishtin, por nuk mund ta shohin dot peshën e përjetshme të lavdisë që e ka paraprirë këtë moment dhe që rrjedh prej tij.

Për çdo hap të skicës së Romakëve 8:30 mund të shkruhen disa volume. Ka bukuri brenda bukurisë, brenda bukurisë. Një farë sinapi besim e mbjellë në zemrën e thyer të një mëkatari të dëshpëruar është kulmi i paranjohjes së këtij mëkatari nga Perëndia që para themelimit të tokës. Që në përjetësinë e shkuar Perëndia në hir shikoi përtej ofendimit të përjetshëm të mëkatit të grumbulluar gjatë gjithë jetës së këtij individi, dhe e paracaktoi në dashuri për birësim si një bir të çmuar. Pastaj Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindur që të siguronte shlyerjen e pamëkat për të, në mënyrë që ai të drejtësohej përmes drejtësisë së Krishtit në momentin kur Fryma do ta rilindte zemrën e tij të ngurtë. Kjo është thjesht marramendëse, apo jo? Që kjo farë besimi drejtësues të rritet përmes besnikërisë së Atit për të dhënë një besim shenjtërues, sërish përmes veprës së Frymës, deri në premtimin e përlëvdimit, është edhe më marramendëse.

I BUKUR NË PREMTIMIN E TIJ

Konvertimi është i bukur në premtimin e tij. Oh çfarë premtimi që është ai! A nuk është duke folur për atë që vërtet e dëshirojmë ne të gjithë? Çfarë shpreson çdo mëkatar dhe çdo shenjtor çdo ditë? Gjithësecili dëshiron ndryshim. Gjithkush dëshiron të besojë që e liga do të bëhet e mirë, që e gabuara do të bëhet si duhet. Ne të gjithë kemi idetë tona sesi mund të realizohet kjo, por në thelb gjithsecili dëshiron të njëjtën gjë – jetë.

Perëndia ka vënë përjetësinë në zemrat e tyre (Predikuesi 3:11), dhe çdo moment vetëdjeje që nga ai moment është një shprehje adhurimi mdaj një perëndie apo një tjetri, shprehja e një dëshpërimi të brendshëme për realen, të vërtetën, të bukurën, për premtimin e asaj që është më e mirë dhe më e drejtë. Bruce Marshall shkroi fjalët e famshme, “Djaloshi i ri që i bie ziles së bordellos pa vetëdije është duke kërkuar Perëndinë.”[1] Kjo është e vërtetë për të gjitha idhujtaritë tona – qoftë seksi apo përshpirtshmëria – por e vërteta gjithëpërfshirëse është që asnjë njeri i lënë në kërkimin e tij nuk po kërkon Perëndinë e vërtetë (Romakëve 3:11). Ne dëshirojmë që perënditë tona të jenë Perëndi. Në fakt, ajo për të cilën po kërkojmë gjendet tek Ai të cilin në ligësinë tonë duam ta evitojmë.

Prandaj, ata që “gjejnë Perëndinë” në fakt janë ata që janë gjetur prej Perëndisë. Fryma, ngushëlluesi ynë është duke krehur tokën në kërkim të atyre që mund t’i kthejë në jetë. Perëndia është i durueshëm me idhujtarët e tij të cilët i ka paranjohur, dhe nuk dëshiron që ndonjë prej nesh të humbasë por që të gjithë të vijmë në pendim. Fryma e tij ndez dritat në zemrën tonë, ai thërret, “Dil jashtë” nga hyrja e varrit tona, dhe e pabesueshmja bëhet e besueshme. Mund të jem ndryshe! Mund të ndryshoj! Mund të njoh Perëndinë dhe kështu të njoh jetën! Sikurse thotë edhe himni, “S’kam faj në jetë, vdekjen s’kam frikë – fuqia e Krishtit tek un’ banon!”

Ungjilli zbulon shpresën e vërtetë për mua dhe për këtë botë. Gjithë bukuria e krijimit, e arteve, e përpjekjes njerëzore për progres dhe ndriçim përmblidhet dhe vërtetohet në Jezu Krishtin e mishëruar, të kryqëzuar, të varrosur, të ringjallur dhe të përlëvduar. Ashtu sikurse ringjallja e tij është fryti i parë (1 Korintasve 15:20-23), po kështu dhe konvertimi ynë në besimin shpëtues është premtimi i konvertimit në pavdekësi – që “ne të gjithë do të ndryshohemi” (1 Korintasve 15:50-53).

I BUKUR NË MORINË E VEPRIMEVE TË TIJ

Konvertimi është i bukur në morinë e veprimeve të tij. Konvertimi i njeriut në besim shpëtues në Krishtin është i bukur në të gjitha momentet vendimtare që përfshin. Shumë në brezin tim dhe në të tjerë “u shpëtuan” ndërsa dolëm përpara në kishë, ngritëm dorën, apo përsëritëm një formë lutjeje. Shumë në brezin tim të cilët janë bërë pastorë nuk përdorin një përgjërim të tillë të veçantë në mënyrë që t’i ftojnë njerëzit të reagojnë ndaj ungjillit. Të gjithë ne duhet të kujdesemi për t’u siguruar që ungjilli biblik të predikohet në mënyra biblike. Por çfarë mrekullie që është fakti që Perëndia përdor njerëz të gabueshëm të cilët përdorin mjete të papërsosura për të administruar fuqinë e përsosur të lajmit të mirë të Jezu Krishtit!

Nuk jam (më) një i krishterë dispensacional që beson tek rrëmbimi para mundimit të madh, por konvertimi im ndodhi pasi Fryma i Shenjtë në urtësinë e tij përdori një lloj filmi të dobët nga vitet 1970 me tematikë të rrëmbimit të papritur të kishës në mënyrë që të më zbuste zemrë që të dëshiroja Jezusin për falje dhe siguri. Nuk do t’i përdorja mjete të tilla sot, por jam mirënjohës që Perëndia nuk është hundëpërpjetë rreth mënyrës sesi i kthen fëmijët e tij në jetë. Ai nuk sillet me kryelartësi. Fuqia e tij përsoset në dobësinë tonë ungjillëzuese, madje edhe në predikimin dhe përgjërimin tonë të mangët. Është e mahnitshme të shohësh sesi Perëndia në të njëjtën kohë punon përmes dhe pavarësisht nga shërbesa jonë e ungjillit.

Të gjitha konvertimet tek Krishti rezultojnë nga fakti që më në fund e soditim atë si Krishtin tonë, flijimin për shpëtimin tonë. Një shembull i qartë është konvertimi i Saulit në rrugën për në Damask. Ai moment ishte shumë dramatik. Për të tjerët, ai moment është më pak dramatik. Një fëmijë bën një lutje në takimin e fëmijëve. Një burrë del para kishës në fund të predikimit. Një person që njoh tha që ishte ulur në kishë çdo të diele për tre vjet para se përfundimisht t’i shkreptinte mendimi, “Prit – unë kam nevojë të shpëtohem. Unë kam nevojë ta besoj këtë.”

Në romanin e tij That Hideous Strength, C.S. Lewis me mënyrën e tij të pashoqe përmbledh rëndomtërinë dhe intensitetin e konvertimit të një gruaje:

Ajo çfarë e priste atje ishte serioze deri në pikën e pikëllimit dhe madje përtej saj. Nuk kishte as formë dhe as tingull. Myku poshtë shkurreve, myshku përgjatë shtegut, dhe muri i vogël prej tullash nuk ndryshuan në mënyrë të dukshme. Por ama kishin ndryshuar. Tani ishte kaluar një cak. Ajo kishte hyrë në një botë, në një Person, apo në praninë e një Personi. Diçka pritëse, e duruar, e paeupur e takoi pa pasur ndonjë vel mbrojtjeje ndërmjet…

Në këtë lartësi, thellësi dhe gjerësi ideja e vogël e vetes të cilën deri tani e kishte quajtur unë u rrëzua dhe humbi, në mënyrë të pakëndshme në një humnerë pa fund, si një zog në një hapësirë pa ajër. Emri unë ishte emri i një qënieje ekzistencën e së cilës ajo nuk e kishte vënë kurrë në dyshim, një qënie që ende nuk ekzistonte plotësisht por që ishte e domosdoshme. Ishte një person (jo personi që kishte menduar), e megjithatë ishte gjithashtu një gjë, një gjë e krijuar, e krijuar për t’i pëlqyer një Tjetri dhe në Të t’u pëlqente gjithë të tjerëve, një gjë që po bëhej tamam në atë moment, pa zgjedhjen e vet, në një formë që nuk e kishte ëndërruar kurrë. Bërja e saj vazhdoi mes një lloj shkëlqimi apo pikëllimi, apo mes të dyjave, prandaj ajo nuk mund ta dallonte nëse ishte në duart që po formonin apo në masën që po merrte formë…

Gjëja më e madhe që i kishte ndodhur ndonjëherë me sa dukej kishte gjetur vend për veten në një moment kohe tepër të shkurtër madje për t’u quajtur kohë. Dora e saj nuk kapi asgjë veçse një kujtim. Dhe ndërsa u mbyll, pa ndaluar qoftë dhe një moment, zërat e atyre që nuk njohin gëzim u ngjallën duke ulërirë dhe zhurmuar nga çdo cep i qënies së saj.

“Kujdes. Tërhiqu. Ruaj mendjen. Mos e jep veten,” thoshin ata. Pastaj, në mënyrë edhe më të fshehtë, nga një cep tjetër u dëgjua, “Ke pasur një përjetim fetar. Kjo është shumë interesante. Jo të gjithë e përjetojnë këtë gjë. Tani do t’i kuptosh edhe më mirë poetët e Shekullit të Shtatëmbëdhjetë!”

…Por bedenat e saj tashmë ishin pushtuar dhe këto kundërsulme dolën të pasuksesshme. [2]

Demonët e kundërshtojnë, nganjëherë në kontradiktë të dukshme, nganjëherë duke e ndryshuar kuptimin e përjetimit të saj. Por asgjë – as engjëjt dhe as demonët – nuk mund ta ndajë Xhenin nga dashuria e Perëndisë. Prandaj, në qetësinë e një kopshti Anglez, sikurse dhe në lutjet gjithë pritje në altarin e shenjtërores, apo në vetminë e një shpirti fillikat që po lexon Biblën në një kolltuk, aty zbret përjetësia.

Moria e mënyrave sesi Perëndia i kthen njerëzit e vdekur në jetë është e bukur, disa në në mënyrë të menjëhershme dallojnë realitete të reja marramendëse, të tjerë e kuptojnë nevojën e tyre me kalimin e kohës. Disa e dëgjojnë mesazhin për herë të parë dhe reagojnë me besim. Të tjerë e dëgjojnë mesazhin gjithë jetës së tyre por nuk kanë “veshë frymërorë për të dëgjuar” deri në një ditë afër fundit të rrugëtimit të tyre. Ky është art. Aty shohim Perëndinë, në larminë e pamasë të përjetimit njerëzor dhe në jetën e përditshme, në të rëndomtat dhe spektakolaret, duke përsëritur ringjalljen herë pas here pas here. Edhe konvertimi më i zakonshëm nga të gjithë është i jashtëzakonshëm. Engjëjt nuk kremtuan më pak për shprehjen e parë të besimit shpëtues të vajzës time në dhomën e saj para se të flinte gjumë disa vite më parë nga sa kremtuan në konvertimin e Palit 2000 vjet më parë. Çdo konvertim është një mrekulli. Vizioni madhështor dhe i bekuar i Krishtit sjell vizione të bekuara të vetes tonë (2 Korintasve 3:18).

I BUKUR NË BURIMIN E TIJ

Konvertimi është i bukur në burimin e tij. Për shkak se Krijuesi është i bukur, gjithë sa ai bën është e bukur. Dhe për shkak të kësaj të vërtete jetësore, nuk është mjaft e vërtetë të themi që “bukuria është në syrin e vëzhguesit.” Bukuria qëndron në mënyrë objektive në Hyjninë triun, e shohin apo nuk e shohin të vdekshmit. Davidi kërkon të banojë në shtëpinë e Zotit dhe të soditë bukurinë e Zotit (shih Psalmi 27:4), por edhe nëse Zoti nuk i përgjigjet lutjeve të tilla bukuria e tij nuk pakësohet as edhe një thërrime.

Nga ana tjetër, bukuria e Perëndisë – e cila më shpesh quhet lavdia e tij – reflektohet, madje zmadhohet në shtimin e soditjes. Prandaj, një nga bukuritë e faktit që Perëndia ringjall njerëzit e vdekur në jetë të re është që ata vazhdojnë të reflektojnë bukurinë e tij në predikim, në këngë dhe në zemra të mbushura me mirënjohje (Kolosianëve 3:16). Pasi Pjetri dëshmoi vuajtjet dhe ringjalljen e Krishtit, ishte në gjendje t’i referohej vetes si “pjesëmarrës i lavdisë që ka për t’u zbuluar” (1 Pjetri 5:1). Prandaj, për t’iu përgjigjur thirrjes së ungjillit me besim shpëtues, në një farë mënyre do të thotë të marrësh atë bukuri dhe kështu ta madhërosh. Pali shkruan tek 2 Thesalonikasve 2:14, “tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht.”

Konvertimi është i bukur për shkak se Perëndia është i bukur. Ai është i bukur në madhërinë dhe madhështinë e lavdisë së tij, në tërësinë e pamasë të cilësive dhe atributeve të tij. Mënyra sesi Bibla flet për bukurinë e Perëndisë është e bukur. Nga shenjtëria që paraqitet në tregimet e Pentatukut deri tek shkrepëtimat e penës së psalmistëve, tek përgjigja e Perëndisë ndaj Jobit, tek mahnitjet e profetëve, tek dëshmitarët e Ungjijve, tek ngazëllimet e ekzaltuara dhe doksologjitë hyjnore të letrave, tek apokalipsi marramendës i Gjonit, Bibla është e bukur me bukurinë e qenësishme dhe gjithë-pushtuese të Perëndisë.

Ky Perëndi – ky Perëndi i shenjtë, i mrekullueshëm dhe i pahulumtueshëm – na njeh, na do, na zgjedh, na thërret dhe na shpëton. “Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.” (2 Korintasve 4:6). E gjithë bukuria e konvertimit (madje ka ende më tepër që do të eksplorohet për gjithë përjetësinë), e ka burimin tek dhe tejkalohet nga bukuria e vetë Perëndisë, lavdia e të cilit  shtrihet pa kufizime për gjithë kohën, si dhe ndaj nesh, që ta shohim, ta njohim Jezusin dhe të ndryshojmë.

[1] Bruce Marshall, The World, The Flesh and Father Smith [Bota, Mishi dhe At Smithi] (Boston: Houghton Mifflin, 1945), 108.

[2] C.S. Lewis, That Hideous Strength [Ajo Forcë e Tmerrshme] (New York: Macmillan, 1970), 318-319.

 

Jared C. Wilson është ndihmësprofesor në Shërbesën Pastorale në Kolegjin Spurgeon, është shkrimtar në rezidencën e Seminarit Teologjik Baptist, dhe drejtor i Qendrës së Trajnimit Pastoral në Kishën Baptiste Liberty, të cilat gjenden në Kansas City, Missouri. Ai është autori i gati njëzet librave, përfshirë The Gospel-Driven Church.


Kategoria: Ungjilli
Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/journalbeauty-conversion/
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2020

Etiketa9marks, Ungjilli

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do
>